Mapo Format

Raundi i 9-të i ESS në Shqipëri: UET zhvillon trajnimin mbi përdorimin e metodave të kërkimit

Është zhvilluar në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, workshop-i me temë “Use of Survey as Research Method”, që vjen në kuadrin e Raundit të 9-të të Hulumtimit Social Europian (ESS) në Shqipëri. Zbatimi i ESS në Shqipëri mbështetet financiarisht nga “Perform” i cili është një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) të zbatuar nga Helvetas Schëeiz & University of Fribourg. Projekti ESS në Shqipëri zbatohet nga UET, i cili është institucioni koordinues, në bashkëpunim me INSTAT, i cili do të mbledh dhe përpunojë të dhënat e sondazhit.


Anketa mat qëndrimet, besimet dhe modelet e sjelljes së qytetarëve në më shumë se tridhjetë shtete. Prej vitesh Shqipëria nuk ishte pjesë e këtij hulumtimi dhe si rrjedhojë studiuesit dhe politikëbërësit kishin mangësi të theksuar informacionesh mbi qëndrimet e qytetarëve shqiptarë.

Për të realizuar këtë anketim janë angazhuar 45 intervistues nga INSTAT, të cilët po zhvillojnë intervista individuale me kampionin e përzgjedhur në të gjithë vendin. Procesi i mbledhjes së të dhënave është mjaft rigoroz, me kritere të parapërcaktuara, duke filluar që nga standardi i përkthimit dhe deri te metodologjia e përdorur e cila duhet të jetë njëlloj për të gjitha vendet që do të zbatojnë këtë hulumtim.

“Këto hulumtime analizojnë të dhëna që kanë të bëjnë me aspektet ekonomike dhe sociale të vendit, të dhënat e përfituara mund të na ndihmojnë të kuptojmë më mirë situatën në vend. Ato e bëjnë Shqipërinë të krahasueshme me vendet e tjera dhe ofrojnë një bazë të dhënash të besueshme për studiuesit e huaj”, është shprehur Dr. Elvin Gjevori, Drejtor për Kërkimin Shkencor dhe Studimet Doktorale, në Universitetin Europian të Tiranës.

Në këtë trajnim lektor ishte Dr. Klodjan Rama, i cili foli mbi përdorimin e anketave si metodave kërkimore.  Gjatë prezantimit të tij ai trajtoi një sërë tematikash të tilla si qëllimin e kësaj ankete, punën përgatitore për hartimin e hulumtimit, metodologjinë e kërkimit, analizën e të dhënave, daljen në përfundime etj.

“Qëllimi i këtij anketimi është të tregojë stabilitetin dhe ndryshimin në strukturën shoqërore, kushtet dhe qëndrimet në Evropë dhe të interpretojë se si ndryshon situate shoqërore, politike dhe morale e Evropës. Për të arritur dhe përhapur standarde më të larta të cilësisë në hulumtimet ndër-kombëtare në shkencat shoqërore, duke përfshirë, për shembull, hartimin e pyetësorit dhe para-testimin, marrjen e mostrave, grumbullimin e të dhënave, uljen e paragjykimeve dhe besueshmërinë e pyetjeve”, është shprehur Dr. Rama mbi qëllimin e këtij hulumtimi.

Ai ka shtuar se krahas të tjerave një nga përfitimet e këtij projekti është: “Përmirësimi në vizibilitetin dhe shtrirjen e të dhënave mbi ndryshimet shoqërore midis akademikëve, politikëbërësve dhe publikut të gjerë.”

Ndërkohë që ka prekur një sërë pikash të tilla si kampionimi i popullsisë, faktorët nga të cilët varet përzgjedhja e kampionit, fazat e zhvillimit të intervistave, llojet e anketimit, pyetjet etj.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas