Aksi Milot-Fier në 62 kilometra të tij do të ketë vetëm rikonstruksion, pasi rruga është e ndërtuar me katër korsi, ndërsa rrugë e re do të hapet vetëm 53 kilometra, kryesisht në terren fushor. Qeveria do e japë me PPP dhe do e kthejë në rrugë me pagesë. Për të shkuar deri në Fier nga Miloti rruga do të ketë një kosto prej 17 eurosh vajtje-ardhje për një makinë, ndërsa në rast se nisesh nga Tirana, një kosto prej 12 eurosh.
PD: Afera më e madhe korruptive në shtatë vjet, do e anulojmë
Në rast se deri më tani, rrugët për të shkuar drejt jugut të Shqipërisë kanë qenë pa pagesë, pas ndërtimit të aksit Milot-Fier do u duhet të paguajnë rreth 17 euro vajtje-ardhje nga Miloti, nga Tirana rreth 12 euro, ndërsa një person që vjen nga Kukësi do i duhet të paguajë rreth 29 euro vajtje-ardhje deri në Fier.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka prezantuar dje vendimin e qeverisë shqiptare për të ndërtuar me PPP, aksin rrugor Milot-Fier me gjatësi 115 kilometra që do të kushtojë jo pak por 1.2 miliard euro, shpenzimi më i madh në histori për ndërtimin e një rruge me gjatësi të tillë.
Vendimi i Ramës vjen në një moment kur nuk ka ngelur as një vit nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por dhe në një situatë të pas pandemisë kur të gjitha parashikimet janë për një krizë të madhe ekonomike. Kreu i PD Lulzim Basha para pak ditësh u shpreh se nuk do të njihte asnjë vendim të qeverisë të marrë një vit para zgjedhjeve.
Kostoja
Por shuma duket e ekzagjeruar po të mendosh se më shumë se gjysma e rrugës është e përfunduar, dhe për të shkuar nga Tirana ose Durrësi drejt Fierit nuk ka rrugë alternative, edhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, pranoi se rrugë e re do të hapet vetëm 53 kilometra, pra distanca nga Miloti deri në Lekaj të Kavajës, pasi më tej do të “operohet në gjurmën ekzistuese”.
Në fakt rruga nga Rrogozhina deri në Fier ka përfunduar që në vitin 2009, nga qeveria e asaj kohe. Është rrugë me katër korsi, dhe shpejtësia e lejuar është deri në 90 kilometra në orë. Pra, qeveria shqiptare do të harxhojë mesatarisht për hapjen e rrugës së re më shumë se 20 milionë euro për kilometër.
Vetë ministrja Balluku, tha se ndërtimi i rrugës s’do të ketë kosto për buxhetin e shtetit. Krahas autostradës me pagesë, tha Balluku, qytetarët do të kenë mundësinë të lëvizin në rrugën dytësore pa pagesë, e cila gjithashtu është pjesë e këtij projekti.
“53 km gjurmë rrugë të reja dhe 62 km që do të jenë gjurmë ekzistuese, por të rehabilituara, e gjitha gjurma e ndërtuar si pjesë e segmentit Milot-Fier, do të shoqërohet nga rrugë ndihmëse, dytësore pa pagesë. Të zgjedhin mes rrugës së shpejtësisë pa pagesë, apo rrugëve dytësore të mirëmbajtura nga investitori, por pa pagesë. 0.075 euro për km për makinë. Garancia që do të garantojë shteti është 1,2 miliard euro, 10% e shumës. 110 km në orë është shpejtësia maksimale dhe i gjithë korridori nga Miloti te Bypasi i Fieri për 1 orë e 15 minuta. Milot-Kashar brenda 2024, ndërsa Kashar-Lekaj 2026”, tha Balluku.
Krahasimi
Në fjalën e tij Rama, u shpreh se rrugët e ndërtuara nga qeveria e mëparshme nuk ishin sipas standardeve të kërkuara, një arsyetim ky që kryeministri e përdor sa herë kërkon të justifikojë shifrat e larta që aplikon qeveria aktuale. Por le të bëjmë një krahasim mbi koston e rrugëve me të cilën operonte qeveria Berisha dhe koston e rrugëve me të cilën operohet sot.
Më e larta rezulton të ketë qenë rruga e Kombit, me një gjatësi prej 170 kilometrash dhe ka kushtuar rreth 1.38 miliard euro me një kosto prej 8.1 milionë euro kilometri. Por, nuk duhet harruar që vetëm në segmentin Kalimash-Morinë janë ndërtuar 27 ura që konsiderohen vepra arti, dhe një tunel prej 6 kilometrash i gjatë. Rruga ka shkurtuar kohën, nga 7 orë për të mbërritur në Morinë në 2.5 orë. Më tej për sa u përket rrugëve fushore, segmenti Plepa-Kavajë-Rrogozhinë ka përfunduar në vitin 2009, me një gjatësi prej 35 kilometrash kapi një kosto prej 23 milionë eurosh.
Segmenti nga Lushnja në Fier, me gjatësi 22 kilometra kushtoi në vitin 2009, 21 milionë euro. Vlera më e lartë u shënua në ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan, ku qeveria e asaj kohe për koston totale të gjatësisë të saj parashikoi 365 milionë dollarë, por një pjesë të konsiderueshme të kësaj shume, shkoi për hapjen e tunelit të Kërrabës, një prej veprave më të vështira inxhinierike në vend. Qeveria Rama, ka përdorur standarde të tjera.
Për 11 kilometrat e mbetura të rrugës Tiranë-Elbasan shpenzoi më shumë se 120 milionë euro, për unazën e re në dy kilometra 40 milionë euro, për segmentin e rrugës Milot-Balldren me një gjatësi jo më shumë se 17 kilometra 256 milionë euro. E njëjta praktikë u ndoq dhe me rrugën e Arbrit, ku nga kostoja fillestare prej 150 milionë eurosh, shifra ka shkuar në 450 milionë euro.
Reagimi i PD
Në lidhje më këtë çështje ka reaguar dje dhe Partia Demokratike, me anë të përfaqësuesit të saj Dorian Teliti. Për opozitën, kjo është një nga aferat më të mëdha të qeverisë në vitin e fundit të mandatit të saj, duke kujtuar dhe një herë premtimin se s’do njohë asnjë çvendim të marrë në vitin e fundit të mandatit.
Sipas Telitit, një qytetari me automjetin e tij për të përshkruar të gjithë distancën do i duhet jo më pak se “Rruga që prezantoi sot (dje), Milot-Fier, është modeli se si qeveria në ikje po përpiqet të grabisë qytetarët deri në momentin e fundit, përmes një të ashtuquajturi tender ndërkombëtar.
Nuk ka asnjë tender të vërtetë ndërkombëtar. Bizneset kanë denoncuar se fituesi i aferës 1.2 miliard euro është paracaktuar, duke përdorur një kompani greke pas të cilës qëndrojnë sipërmarrës shqiptarë që kanë pastruar edhe më parë paratë e kryeministrit në kulla kuqezi. Partia Demokratike po i pasuron këto informacione dhe shumë shpejt do të denoncojmë me detaje aferën më të madhe korruptive të kësaj qeverie në ikje, aferën 1.2 miliard euro të rrugës Milot-Fier. Ajo që sot u pa nga Edi Rama dhe Belinda Balluku ishte një shfaqje e shëmtuar me shqiptarët, të cilët po vidhen me çdo vendim të qeverisë në ikje.
Fatura që do të paguajnë këtë herë është 1.2 miliard euro për një rrugë ku vetëm 53 kilometra janë në gjurmë të re, ndërsa 62 të tjerat kalojnë në rrugë ekzistuese. Afera 1.2 miliard euro e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut do t’u kushtojë shumë shtrenjtë shqiptarëve. Me çmimin e bërë publik, një udhëtim vajtje-ardhje në rrugën e prezantuar sot do të kushtojë 17,4 euro, ndërsa një udhëtim vajtje-ardhje nga Morina në Fier do të kushtojë jo më pak se 27 euro.
Partia Demokratike e ka bërë të qartë qëndrimin e saj për vendimet e qeverisë në ikje të Edi Ramës. Çdo vendim i marrë në 12 muajt e fundit përpara zgjedhjeve nuk do të njihet nga qeveria e ardhshme përpara se t’i nënshtrohet një verifikimi të hollësishëm mbi ligjshmërinë e tij”, tha Teliti.
Tabaku: Afera më e madhe në shtatë vite korrupsion
Ish-deputetja Jorida Tabaku ka reaguar pas prezantimit që bëri dje Edi Rama, të projektit për autostradën Milot-Fier, që është parashikuar plot 1.2 miliard euro. Sipas Tabakut, kjo është vjedhja më e madhe e 7 viteve korrupsion.
“Sot (dje), përmes show-t me të cilin kërkon edhe të mbulojë dështimin e tij dhe futjen e vendit në krizën më të rëndë të 20 viteve të fundit, shpalosi projektin e Rrugës Milot-Fier. Ndonëse në një terren fushor dhe që piketon një distancë 136 km përmes së cilës qeveria pretendon të shkurtojë kohën nga 120 minuta në 75 minuta do të ketë koston e 1.2 mld eurove.
Autostrada që lidh Kroacinë me Bosnjë-Hercegovinën, e financuar nga BE ka një kosto, prej 1.29 mln euro për 1 km, një shifër 7 herë më e ulët se sa kostoja e PPP-së për rrugën Milot-Fier. Ironikisht, rruga e Kombit për të cilën kryeministri Rama ishte kundër dhe e anatemoi vazhdimisht, e gjatë 114 km dhe ka shkurtuar një distancë prej 8 orësh në afro 2 orë, përshkon një terren malor, ka tunele, ura e përforcime të tjera, ka pasur një kosto prej 1.38 mld eurosh.
Bilanci i tij për ndërtim rrugësh dhe investime në infrastrukturë është inekzistent. Sot, ai ka shpalosur një projekt grabitqar por që ua kalon të gjitha grabitjeve të mëparshme. Edi Rama do të mbahet mend si i vetmi kryeministër që ka hapur tendera e ka dhënë koncesione por kurrë nuk i ka zbatuar ato. Do të mbahet mend si Kryeministri i projekteve të florinjta pasi vetëm rrugë nuk mund të quhet ajo listë dëshirash që janë duke tenderuar. Kjo sjellje kriminale ka një efekt të jashtëzakonshëm në buxhetin e shtetit dhe në borxhin publik kur deri më sot kontratat e lidhura shkojnë në një vlerë prej 13% e PBB. Dallimi është më se i qartë për të gjithë.
Shqiptarët janë sot në mes të një krize ekonomike, parashikimi i BERZH është se Shqipëria do të ketë një rënie ekonomike prej 9% të PBB. Një vit më parë në Poznan të Polonisë u prezantua ndër të tjera dhe projekti i financuar nga BE që do të lidhë Mesdheun dhe Adriatikun plus Jonin me një autostradë. Sipas këtij projekti të madh segmenti që lidh Kroacinë me Bosnjën prej 333 km do të kushtojë 430 mln euro. Kostoja e 1 km rrugë sipas standardeve të BE është 1.29 mln euro, një shifër 7 herë më e ulët se sa kostoja e PPP-së për rrugën Milot-Fier”, -tha Tabaku.