Mësohet se 9 prej personave janë shtruar në spital, mes të cilëve janë edhe 2 gra shtatzëna. Ndërkohë gjendja shëndetësore e të gjithë këtyre pacienteve, sipas QKUK-së, raportohet të jetë e stabilizuar. Sipas zyrtarëve të spitalit, pacientët pohojnë se menjëherë pas hapjes së zarfeve, brenda në kutit e votimeve, kanë ndjerë aromë kundërmuese. Ndërkohë salla ku janë këto zarfe për momentin është e mbyllur. Në vendin e ngjarjes pritet që të arrijnë ekipet e posaçme me ato të policisë së Kosovës.
***
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani tha për REL se gjendja e pacientëve është e mirë dhe se janë duke i monitoruar ata. “SHSKUK-ja dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike janë duke monitoruar gjendjen shëndetësore të pacientëve të hospitalizuar, të cilët janë në gjendje të stabilizuar dhe për çdo informacion shtesë ne do t’ju informojmë me kohë. Shenjat vitale janë krejt në rregull, pacientët janë në gjendje konstante”, tha Ramadani.
Ndërkaq, drejtori i Ndihmës së Shpejtë, Avdyl Pacolli më herët tregoi për REL, për simptomat e personave që kishin rënë në kontakt me zarfet me vota nga Serbia. Megjithatë, ai thotë se ende nuk dihet se çfarë substance ka shkaktuar këtë reaksion alergjik dhe se u përket organeve kompetente që të merren me zbardhjen e detajeve. “Dua të ju bëj me dije se personat që kanë kërkuar ndihmë kanë pasur kryesisht kruajtje të duarve, të cilët, si pasojë e pluhurit që realisht nuk dihet çfarë pluhuri është, nuk dihet – për këtë besoj se duhet të merret farmakologjia toksike dhe njësitë e forenzikës së Policisë së Kosovës që kanë shkaktuar këto problematika”.
***
Reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje
Lidhur me rastin e zarfeve të votave nga Serbia ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje. Në një njoftim për media, ky subjekt politik kërkoi hetimin e rastit dhe ka potencuar se këto zarfe “nuk kanë ardhur përmes postës, ashtu siç e kërkon ligji për zgjedhje, por janë sjellë kundërligjshëm nga zyra ndërlidhëse e Serbisë”. “Këto fletëvotime të sjellura kundërligjshëm duhet të refuzohen. Ndërsa shërbimi profesional i KQZ-së duhet ta vazhdojë punën në vlerësimin dhe numërimin e saktë të votave të ardhura nga mërgata”, thuhet në njoftim.
***
Reagimi i Gjuriç, Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç dhe Lista Serbe, pas lajmit për shkaktimin e alergjisë nga zarfet e ardhur nga Serbia, thanë se kjo është tendencë për të paralajmëruar opinionin vendas dhe ndërkombëtar se po përgatitet manipulimi i votave serbe në Kosovë.
Sipas tyre, kjo gjë ka për qëllim të dëmtojë vullnetin e popullit serb.
“E gjithë kjo po bëhet për të akuzuar edhe një herë në mënyrë të gabuar serbët dhe t’i ekspozojë ata në urrejtje” ka thënë Gjuriç.
“Po përgatitet manipulimi i votave të qytetarëve serbë, për t’u hapur rrugë njerëzve të (kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit në Parlament”, thuhet në reagim.
***
Cila është procedura e votimit me postë?
Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Enis Halimi ka shpjeguar për REL se si bëhet procedura e votimit me postë për qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit.
“Kosova u ofron mundësinë për të votuar edhe qytetarëve që kanë shtetësi të Kosovës por që momentalisht janë rezidentë në vende tjera. Ky operacion bëhet në dy faza. Në fazën e parë bëhet regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës. Më pas, pas konfirmimit që janë votues të ligjshëm, pra në kuptimin që i plotësojnë kriteret për të qenë votues, atyre ju dërgohet konfirmimi.
Më pas, në fazën tjetër, ata mund ta shkarkojnë fletëvotimin dhe të procedojnë tutje me votën e tyre, me zarfin e fshehtësisë dhe me zarfin që përmban shënimet që dërgohen përmes postës”, thotë Halimi.
Ai thotë se zarfet ku vendosen votat e personave që votojnë nga jashtë Kosovë, blihen nga vetë votuesit.
“Dërgesat e tyre postare i vendosin vetë në postë dhe më pastaj zarfi arrin te ne, deri një ditë para ditës së zgjedhjeve. Ne nuk mund të dërgojmë zarf”, thotë ai.
Pas numërimit të votave të rregullta, tani kanë nisur të verifikohen votat e ardhura me postë nga vende të ndryshme, përfshirë këtu edhe qytetarët nga Serbia që janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës, të mbajtura më 6 tetor.
Në Kosovë më 6 tetor u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sipas rezultateve preliminare nga numërimi i votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
LEXO EDHE: