Pas spërkatjes me bojë të Ministrisë së Brendshme nga protestuesit, ka ardhur një reagim i shpejtë i ministrit Sandër Lleshaj. Deklarata e tij nuk është se zuri shumë vend në media për shkak të dinamikës së ditës, dhe ishte shumë e shkurtër, e shkruar në rrjetet sociale. Ka akuzuar kryetarin e opozitës duke thënë se kur ishte ministër ai e turpëroi atë dikaster, ndërsa sot po e njollos.
Nga ky qëndrim, kuptohet një gjë më e rëndësishme se sa përmbajtja e deklaratës. Bie në sy një protagonizëm i fortë i Ministrit. Protestuesit anekënd Europës dhe Botës, bëjnë shumë më tepër se hedhja e bojës në një mur godine. Eshtë një mënyrë shprehjeje e shqetësimit ose e zemërimit që ata kanë. E drejtë, ose e gabuar.
Ministria e Brendshme nuk është kursyer në goditjen e protestuesve me gaz lotsjellës, ujë dhe sidomos, me gjuetinë natën të pjesëmarrësve në marshime apo në përplasje me policinë. Pra, ngjan si gjëja më normale në botë, që dikush të hedhë një gjysëm kove bojë në fasadën e këtij institucioni.
Por Lleshaj nuk e duron dot. E merr si personale dhe hidhet direkt në sulm. Kjo tregon që atë e ka pushtuar rëndë mentaliteti rilindas, sipas të cilit, duke nisur nga Rama e të tjerët, ata janë pronarët e atyre zyrave. Pra Lleshaj reagon sikur dikush i ka hyrë në kopshtin e tij privat. Kjo është një mendësi e rrezikshme. Çdokush në vend të Lleshajt, (ata para tij e dëshmojnë), dhe ata që do vijnë pas tij, duhet ta fiksojnë mirë në trurin e tyre, se aty janë të përkohshëm, kanë marrë një detyrë dhe e vijojnë punën normalisht nëse kanë sukses, dhe maksimumi derisa t’i mbarojë mandati shefit të tyre.
Ai reagim i shkurtër dhe i beftë, i panevojshëm po ashtu i Lleshajt, nxjerr në pah, nxjerr lakuriq idetë që ata ushqejnë, sikur ato mure, ato zyra, ajo godinë, ai institucion, u përket tashmë atyre përjetësisht.
Kjo ide kushedi se si përthyhet në dhjetra sjellje të përditshme të këtyre lloj ministrave me vartësit dhe njerëzit. Eshtë sigurisht kjo një arsye jo e vogël, pse njerëzit janë gjithnjë e më të zhgënjyer, gjithnjë e më të revoltuar ndaj qeverisjes. Sepse përkohshmëria është një burim garancie, që zyrtarët, qeveritarët të jenë korrektë dhe të japing llogari. Rënia e kësaj, futja në kokë e bindjes se janë të përjetshëm, krijon distancë me njerëzit, me qytetarët, dhe i bën udhëheqësit të ndihen të paprekshëm, dhe që nuk kanë fare nevojë të japin shpjegime, sqarime apo të bëjnë reflektime. Më shkurt, është bash paradhome e një regjimi të rrezikshëm, autokratik e sundues.
LEXO EDHE:
Protestuesit lyejnë me bojë të zezë Ministrinë, Lleshaj sulm Bashës
https://gazetamapo.al/boje-ministrise-rama-produkti-me-i-ri-per-nxirjen-e-shqiperise/