Blog

TURP!






               Publikuar në : 12:26 - 25/07/19 |
Aleksandra Meta

Nga Aleksandra Meta


Artistët e një vendi, sado të paaftë të jenë, sado sharlatanë apo neurotike të duken janë elita e një vendi, janë prodhuesit dhe gjeneruesit e kulturës dhe shpirtit të një populli.



Po si mund të shkosh dhe ti tregosh forcën me polici një shtrese të tillë?!

Po si mund ti shtërrojnë të gjitha argumentet bindëse demokratike një qeverie që pretendon se është me demokratikja, me socialja dhe më pranë qytetarëve, e të gjitha kohërave dhe e të gjitha palëve politike që ka pasur ndonjëherë vendi?!

Po, a nuk erdhi në pushtet kjo qeveri me pretendimin për ti dhënë fund “arrogancës dhe diktaturës”së Sali Berishës?

Po, pse kjo ishte diferenca, që vetëm mos të vriten njerëz në Bulevard dhe nga ana tjetër të ushtrojë të gjitha format e tjera të dhunës psikologjike dhe fizike? Edi Rama dhe Erion Veliaj harrojnë se ka disa hapësira ku nuk mund të futen dhe nuk janë pronë e lëvizshme prej pushtetit të tyre, ashtu siç është Teatri, i cili i përket artistëve dhe qytetareve. Nëse nuk e kanë kuptuar këtë, ju garantoj që fundi i Teatrit do të jetë fundi i tyre!

A mund të më thotë ndonjë prej miqve të mi socialiste se kush është ajo që humb: Shoqëria shqiptare apo qytetarët e Tiranes nëqoftëse nuk prishet Teatri?

Po, a e dini ju se çfarë humbet Shqipëria dhe shqiptarët nëse prishet Teatri?

Humbet atë që kam shkruajtur në rreshtin e parë: Prodhuesit (rigjeneruesit) e vlerave kulturore dhe shpirtërore të këtij Kombi, pasi shpirti i një artisti është i brishtë si trupi i një foshnje që nëse ti e ndrydh ai rritet i shtrembëruar dhe zor se drejtohet më.

Mbroni artistët, që të mos emigrojë (dhe ajo gjysmë që na ka mbetur), sepse po na ikën edhe ata vaj për brezat që do të vijnë!!!

Uroj që të gjithë qytetarët e lirë dhe të ndershëm të këtij vendi ta dënojnë këtë vendim të dhunshëm!

Edhe diçka të fundit;

Çështja e Teatrit është një çështje kaq sociale dhe kombëtare, nuk eshte aspak politike, prandaj i them miqve të mi qofshin socialiste apo jo, mos u shisni për “një copë bukë”, për një vend pune, që ndoshta akoma nuk e keni marrë, por që pretendoni ta merrni, duke i përkdhelur krenarinë liderve politikë me analiza shterpë të cilat i thonë atyre se sa të mirë jeni ju, krahasuar me ato që ishin.

Ato që ishin, nuk janë më sepse ishin ashtu si ishin!

Mos lejoni që t’ju bëjnë leva apo legena të politikave të tyre, sepse nëse hyni pa dinjitet në një vend nderi do t’ju duhet ta mbani pa nder e dinjitet gjatë gjithë kohës dhe kur t’ua pijnë lëngun do t’ju “shembin” si Teatrin, jo sepse jeni pa dinjitet, thjesht sepse në treg do të vijnë disa “sahanlëpirës” më të rinj dhe energjik se ju dhe do ju zënë vendin.

Të dënosh një vendim arrogant dhe të gabuar si ky nuk do të thotë që po lavdërojmë PD dhe po shajmë PS, por po japim një model që padrejtesitë duhet të dënohen dhe se Shqipëria është e shqiptarëve dhe kushdo politikan që e harron, ne do ia kujtojmë përsëri.


Etiketa: , , ,

Pas