Aktualitet

Realitete nga Lufta e Dytë Botërore, operacioni gjerman në Malësinë e Gjakovës














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:55 - 30/11/20 |
Veli Haklaj

Mbajtja e Konferencës së Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës në kullën e Sali Manit, në Bujani të Krasniqes, vrasja e nënprefektit të Tropojës, shkatërrimi i linjës teleferike në minierën e kromit në Kam, vendosja në këtë rajon edhe e çetës që drejtohej nga vëllezërit Kryeziu ishin sinjale të qarta për pushtuesin gjerman, reagimi shumë i ashpër i të cilëve nuk vonoi.





Thirrjet e autoriteteve vendore për operacion ndëshkimor
Në vijim të raportimit të zhvillimeve dinamike që po ndodhnin në Malësinë e Gjakovës, me telegramin urgjent të datës 30 janar 1944, prefekti i Kosovës Rrok Perolli informoi Zyrën Politike, në Ministrinë e Punëve të Mbrendshme se: “Mbas vrasjes së nënprefektit, situata e Tropojës sapo vjen dhe keqësohet ma tepër. Gani Kryeziu, në bashkëpunim me Inglizt, janë tue u organizua sistematikisht në Berishë e Tpla, rajon i Tropojës. Në këto ditë kanë kërkue nga Posta e Xhandarmërisë së Berishës lirimin e lokalit. Në qendrën e nëprefekturës kanë fillue plaçkitje, tregtarët e atyshëm kanë fillue të largohen bashkë me mallin e tyne për në Gjakovë. Shohim nevoja të ngutshme që ata pari që ndodhen në Tiranë, në kjoftë se edhe ajo Ministri ka besim, të kthehen me urgjencë në Tropojë, tue mendue si zavëndësisht nënprefekt Abdyl Qerimin dhe si rrethkomandant Tahir Hoxhën. Në kjoftë se edhe kjo nuk shifet e arsyeshme, për arsye të besimit, atëherë nuk mbetet tjetër vetëm fuqia operative”.


Faktikisht, nga fundi i janarit 1944, autoritetet qendrore thirrën në Tiranë Tahir Abdullah Hoxhën. Atje ai u gradua kapiten dhe u ngarkua me dy detyra njëkohësisht, rrethkomandant dhe zëvendësisht nënprefekt. Por situata nga autoritetet shtetërore vazhdonte të vlerësohej tejet kritike. Me shkresë rezervat të datës 7 shkurt 1944, kryetari i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Bedri Pejani, informoi kryeministrin Rexhep Mitrovica, në Tiranë, se situata në Malësi të Gjakovës ishte keqësuar ndër ditët e fundit nga veprimi i çetave komuniste (vrasja e nënprefektit në Tropojë, shkatërrimi i instalimeve të minierave në Kam).





Në perspektivë situata pritej të keqësohej për ditë më tepër, në qoftë se nuk do të merreshin masa radikale përmirësimi e përforcimi në vend. Ky keqësim i situatës vlerësohej se krijonte një varg pengesash në organizatën e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, për sa i përket mbrojtjes së Kosovës karshi Malit të Zi e sidomos Serbisë.



Në këto rrethana, Komiteti Qendror i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, më 7 shkurt 1944 mori vendim:


a) Të organizohet në Malësi të Gjakovës një Xhandarmëri prej 300 xhandarësh me qendër në Tropojë. Shumica e këtyre xhandarëve të rekrutohen në vend, vetëm të jenë të uniformuem.

b) Të mbahet në Tropojë për një kohë të pacaktuar një batalion ushtar.

c) Veprimi kundër këtyre çetave të bëhet në emër të Qeverisë e forcat, të mobilizuara prej Qeverisë për këtë qëllim, të mos jenë banda bashibozuke.

ç) Çdo veprim me banda vullnetarësh apo banda bashibozuke do t’ishte i rrezikshëm, pse do të gjakoste këto krahina në mes tyne dhe do të ashpërsonte rezistencën.

Në përfundim të këtij komunikimi, kryetari Pejani thekson se “Komiteti Qendruer beson se me këto masa bandat komuniste do të mund të shpërndahen pa pikën e rezistencës apo mbas një rezistence pa fare rândësije, mbasi turmat e vendit 85% do të deklaroheshin me Qeverinë”. Më 21 shkurt 1944, kryeministri Rexhep Mitrovica ia përcolli këtë informacion Ministrisë së Punëve të Brendshme për kompetencë dhe marrjen e masave të rastit.

Operacioni gjerman në Malësinë e Gjakovës
Për t’ju përgjigjur këtyre zhvillimeve autoritetet gjermane morën vendim për kryerjen e një operacioni ndëshkimor në Malësinë e Gjakovës. Informacioni që administrohet në Fondin e Ministrisë së Brendshme të Arkivit të Shtetit është i shumtë dhe dinamik për këtë ngjarje.

Bazuar në njoftimet e Nënprefekturës së Gjakovës, Prefektura e Prizrenit informoi Zyrën Politike në Ministrinë e Punëve të Brendshme (shkresa është firmosur nga sekretari i Prefekturës Niko Lafe) se në mbrëmjen e datës 12 shkurt, një ushtri gjermane kishte shkuar në rrethin e Nënprefekturës së Tropojës. Veç kësaj, z. Shaqir Curri [prefekti i Prizrenit] kishte filluar të mblidhte vullnetarë për të marrë pjesë në këtë operacion, megjithëse nuk kishte pasur urdhër zyrtar. Autoritetet e Prefekturës së Prizrenit, duke kujtuar se z. Shaqir Curri për këtë veprim do kishte marrë më parë autorizimin e Ministrisë së Brendshme, nuk i kishin ndaluar këto veprime, por kërkonin sqarime për çështjen.

Ndërkohë, më 14 shkurt 1944, Prefekti i Kukësit Rrok Perolli informoi Zyrën Politike, në Ministrinë e Brendshme se më 13 shkurt 1944, një fuqi ushtarake gjermane, e përbërë prej 30 kamionash, kishte kaluar Qafën e Prushit në drejtim për në Bytyç. Gjithashtu një fuqi tjetër gjermane e përbërë prej afërsisht njëqind vetash, kishte shkuar në katundin Trush, rajon i Pukës.

Kurse sipas komunikimeve zyrtare të Qarkkomandës së Prizrenit me Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë, rezulton se fuqia e nisur më 13 shkurt për në Qafë Prush e Qafë Morinë përbëhej nga afro 2 000 ushtarë gjermanë e 500 vullnetarë shqiptarë, që këta të fundit të prirë prej z. Shaqir Currit, nga Gjakova. Drejtimi i tyre ishte për në Rrethin e Nënprefekturës së Tropojës për ndjekje të çetave komuniste.

Edhe Qarkkomanda e Shkodrës, bazuar në raportimet e Nënprefekturës së Dukagjinit, me telegramin rezervat të datës 17 shkurt 1944, informoi Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë se më 14 shkurt 1944, në rajonin e Krasniqes kishte hyrë një fuqi gjermane dhe shqiptare dhe kur kanë mbërritë në katundin Gri të Krasniqes janë përpjekë me çeta komuniste, ku, mbas një luftimi, kanë mbetur mjaft të vrarë, ndër të cilët edhe djali i bajraktarit të Krasniqes, që gjendej me çetën komuniste, dhe “një major anglez me njâ tridhjetë komunista që qëndrojshin më parë në katundin Degë, po të Tropojës”.

Sipas përshkrimit të bërë në Yje të pashuar II, kolonat gjermane, të nisura nga Gjakova, iu vërsulën malësisë në drejtim të jugut të Valbonës, kurse të tjera, të nisura nga Kukësi, u rreshtuan bregut të Drinit, për të zënë shtigjet, që partizanët të mos kalonin lumin.

Në këtë kohë komandanti i batalionit “Rinia”, Jaho Sali Mulosmani, që ishte në lëvizje për organizimin e qëndresës në fshatin Gri, takohet në befasi me një grup gjermanësh jo më shumë se 50 metra larg. Porsa e pa armikun, hapi zjarr dhe manovroi që njësiti të tërhiqej në mënyrë të organizuar në pozicionet e caktuara më parë, për një qëndresë të gjatë. Mirëpo forcat armike, shumë më të mëdha në numër, e detyrojnë të futet në një betejë me fuqi e mjete të pabarabarta. Lufta u ndez e furishme në çdo anë. Në zjarrin e përqendruar dhe të dendur Jaha u godit në kraharor nga tre plumba duke rënë në ballin e luftës.

Për këto zhvillime, Rrethkomanda e Tropojës informoi Qarkkomandën e Kukësit se, deri më 22 shkurt 1944, në operacionin që po bëhej në rajonin e saj nga ushtria gjermane kundër çetave komuniste, ishin bërë këto veprime:

“1) Më 13 shkurt 1944, Trupat Gjermane kanë mbërritë në qendrën e Rrethit dhe, mbasi kanë qëndrue një orë bashkë me titullarin e Rrethit, janë nisur në dy pjesë: një pjesë janë nisur për drejtimin e Krasniqes dhe pjesa e dytë për në katundin Degë.

2) Më 14 shkurt 1944, fuqia e pjesës së parë, aty nga ora 16, në vendin e quajtur Fang e Gri, të Komunës Kolgecaj, kanë takue me çetat komuniste, e në këtë rast ka fillue luftimi tue zgjatë një orë. Në këtë luftim kanë mbetur të vramë dy komunista të paidentifikuem, Jaho Sali Mani nga katundi Bunjaj, autori i vrasjes së Nënprefektit të Tropojës, dhe plagosë katër ushtarë gjermanë.

3) Më datën 15 shkurt 1944, ora 3.30, në vendin e quajtur Qafa e Gashit të katundit Degë, fuqia gjermane ka bamun një përpjekje po me çetat komuniste tue zgjatur 3 orë. Në këtë përpjekje janë vra 8 komunista të paidentifikuem dhe Fahri Ramadani nga Shkodra, i cili ishte komisar politik i asaj partie, si dhe vra një ushtarë gjerman.
4) Çetat komuniste janë shpartallue tue u zânë qendrat e tyne nga ushtria gjermane, e cila bânë gjithnji ndjekjet kundra çetave”.

Më 26 shkurt 1944, komandanti i Qarkut të Xhandarmërisë së Kukësit, kapiten I Kol Zadrima, e përcolli këtë informacion për Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë, e cila ia dërgoi më 6 mars Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Gjithashtu, rezulton se në veprimet e datës 17 shkurt, ushtria gjermane dogji lokalin e ish-Postëkomandës së Berishës, të Rrethit Tropojë. Shkaku se lokali kishte qenë i okupuar prej çetave komuniste. Dëmi kapte shumën 30 000 franga shqiptare.

Mbas fillimit të operacionit në Nënprefekturën e Malësisë së Gjakovës, në qendrën e Prefekturës dëgjoheshin gjithfarë zërash dhe, mbasi nuk kishin mjet kontrollimi për arsye se linja tele-telegraf nuk funksiononte, Prefekti i Kosovës Rrok Perolli e pa të arsyeshme që të shkonte në Gjakovë e tutje nga Malësia, që kështu t’i shërbente veprimit që kishte filluar dhe të mbante në korent Ministrinë e Brendshme mbi veprimet që zhvilloheshin në krahinën e Tropojës.

Prefekti Perolli mbërriti në Gjakovë pesë ditë pas fillimit të operacionit e në këtë kohë veprimi ishte gati në mbarim e sipër, kështu që ai nuk vazhdoi udhëtimin për në Malësi të Gjakovës.
Sipas informacionit drejtuar Ministrisë së Brendshme nga prefekti Perolli më 26 shkurt, rezulton se “misteri ishte jo i pakët dhe gjithkush fliste se si një qendër partizanësh me rëndësi si ajo e Malësisë, e vendosur ndër katundet Degë, Gri, Bujan, Geghysen e Berishë, mundi të shpartallohej me aq shpejtësi brenda pak orësh luftimi”.

Kjo gjë shërbeu si shkak që edhe Prefektura e Kukësit të ndërmerrte hetimet e veta. Nga hetimet e burimeve që meritonin plot besim, autoriteteve të Prefekturës iu deklarua në formë krejt pozitive se, dy ditë para se të fillonte operacioni, një person, misteriozisht, natën, me një automobil angazhe kishte shkuar nga Prizreni në Gjakovë, ku kishte lajmëruar veprimin që do të bëhej dhe nga Gjakova, pa vonesë, lajmi u ishte dërguar partizanëve.

Kështu, pa mbërritë fuqia operative në vend, organizatorët anglezë, kryetarët e partizanëve Mehmet Hoxha me shokë dhe pjesa më e madhe e të tjerëve kishin ikur në drejtime të ndryshme. Shumica e tyre të prirë prej Sali Manit, bajraktari i Krasniqes, kishin hyrë në Nikaj e Mërtur, që ishte në juridiksionin e Prefekturës së Shkodrës.

Përpjekja e luftimit që u bë në Fang e Gri kishte zgjatur vetëm një orë, ku u vranë dy partizanë të pa identifikuar si dhe Jaho Bajraktari. Këtu janë plagosur katër ushtarë gjermanë. Përpjekja e dytë u bë në vendin e quajtur Qafa e Gashit të katundit Degë. Këtu luftimi ka zgjatur tri orë, ku kanë mbetur tetë partizanë t’pa identifikuar si dhe Fahri Ramadani, nga Shkodra, i cili ishte Komisar Politik. Gjithashtu, dhe një major italian ishte gjetur i gjallë, por i ngrirë, i cili mbas pak kohe kishte vdekur. Këtu kishte mbetur një ushtar gjerman i vdekur. Ndër gjithë këto veprime u dogjën 7-8 shtëpi dhe xhamia e Grisë, në të cilën ishte vendosur materiali luftarak.

Sipas informacionit të prefektit Perolli, ushtria gjermane në këto veprime u ndihmua prej kapiten Tahir Hoxhës, Rrethkomandant i Tropojës, me disa të tjerë nga vendi, si dhe nga ana e shumë vullnetarëve kosovarë (vetëm nga Nahija e Gjakovës pa dallim feje). Nga qyteti i Gjakovës kishte qenë vetëm Shaqir Curri me 4-5 të tjerë. Prefekti Perolli theksonte në këtë informim për Ministrinë e Brendshme se, “nga hetimet e bamuna në Gjakovë si nga ana e jonë ashtu dhe nga autoritetet e vendit, rezulton se qyteti i Gjakovës me çdo mjet si dhe me të holla i ka ndihmue partizanët shumë”.

Ndërkohë, ndërsa prefekti Perolli ndodhej në Gjakovë, ishin kapur afërsisht 40 partizanë që bënin pjesë ndër çetat që u shpartalluan në Malësi të Gjakovës. Në një vizitë që u bëri këtyre në burg me autoritetet e vendit si dhe me oficera gjermanë të ngarkuar me këtë ndërmarrje, u identifikuan shqiptarë shkodranë, gjakovarë, pejanë, beranas, rozhajas dhe malazezë.

Ndër disa pyetje që u drejtoheshin, ajo që konsiderohej më me rëndësi dhe preokupuese ishte se disa ndër ata deklaruan që nga materialet që vinin me avion, si rroba, pushkë, mitraloza, municion e tjera, një pjesë të konsiderueshme e merrte Ymer Bardhoshi, nga Puka, banues herë në Pukë e herë në Zahrisht, rajon i Prefekturës së Kukësit. Disa nga miqtë e Ymer Bardhoshit ishin munduar për t’ia mbushur mendjen që të dorëzohej, por ky u kishte deklaruar haptas “se i kishte dhânë besën Muharrem Bajraktarit e nuk dorëzohem”.
Duke përfunduar këtë informim, prefekti Perolli theksonte: “Tash ndodhemi para një triangoli [Gani] Kryeziu, Muharrem Bajraktari dhe Mehmet Ali Bajraktari i Hasit. Pra pjesa e materialit që âsht marrë nga Ymer Bardhoshi sigurisht shkon për organizimin e programit të këtij triangoli që botnisht dihet se janë të lidhur me Drazho Mihajlloviçin”. [Sipas burimeve arkivore, akuza për bashkëpunimin me Drazho Mihajlloviçin është e pabazuar në fakte.–V.Haklaj] Pasi të kishin raportin nga Tropoja, do i paraqitej Ministrisë së Brendshme informacion më i plotë mbi sa ishte zhvilluar në atë krahinë në kohën e operacionit.

Ndërkohë, nga hetimet që bëri Rrethi i Tropojës, rezulton që në përpjekjen e bërë më 14 shkurt 1944, në vendin e quajtur Gri, midis fuqisë ushtarake dhe nacionalçlirimtarëve, prej pesë partizanëve që kishin mbetur të vdekur u identifikuan: 1) Jah Mulosmanaj, i biri i Sali Bajraktarit e i Gjyles, vjeç 20, lindur e banues në katundin Fang, rajon i Komunës Kolgecaj; 2) Sali Sokoli, i biri i Sokolit, vjeç 45, lindur e banues në katundin Kepenek të komunës së Bytyçit; 3) Mal Bajrami, i biri i Bajramit e i Fatimes, vjeç 35, lindur në katundin Vlad të komunës së Bytyçit e banues në katundin Llugaj të Kolgecajt. Dy të tjerët nuk ishin identifikuar.

Veprime të tjera kundër çetave komuniste
Sipas informacionit të dërguar nga Nënprefektura e Pukës për Prefekturën e Shkodrës, rezulton se më 24 shkurt 1944, në katundin Shëngjergj të Tropojës, një patrullë e ushtrisë gjermane e udhëhequr prej një patrulle të Postëkomandës së Dardhës të Pukës, kishte takuar një çetë komuniste. Mbas një përpjekje më se 25 minutash, çeta ishte larguar pa ndonjë dëm të të dy palëve. Në vendngjarje u gjet një sasi armësh, municione të ndryshme sistem italian, anglez e gjerman, dhe një sasi rrobash, të cilat ishin marrë prej ushtrisë gjermane.

Kurse Postëkomanda e Zogajt, Rrethi i Tropojës, informoi Qarkkomandën e Kukësit se, më 1 mars 1944, një fuqi ushtarake gjermane, duke kaluar Drinin në Vaun e Fierzës, rajon i Rrethit të Pukës, kishin hyrë në katundet Rajë e Degë të rajonit të Tropojës, të cilët, mbasi kanë qëndrue një ditë, janë kthyer prapë në vendin e nisjes. Nuk kishte patur ngjarje dhe dëme.

Ndërkohë, veprimi ndaj pjesëtarëve të çetave komuniste që kishin hyrë në qytetin e Gjakovës vazhdonte. Rrethkomanda e Gjakovës informoi Qarkkomandën e Prizrenit se më 19 shkurt 1944 patrulla e Postës së Qendrës të Rrethit të Gjakovës kapi brenda në Gjakovë komunistët Millano Zakoviçin, biri i Vukmanit e i Lubicës, 20 vjeç, Qamil Sharkun, i biri i Sharit e i Vasfies, 20 vjeç, lindur e banues në Rahovec. Gjithashtu u dorëzuan Mithat Kopliku, i biri i Ases e i Adiles, 23 vjeç, lindur e banues në Shkodër, Ilia Ndreka, i biri i Jovanit e i Voces, 26 vjeç, lindur e banues në Libofshë të Lushnjës. Të katër këta ishin pjesëtarë të çetave komuniste që ndodheshin në rajonin e Nënprefekturës së Tropojës.

Pas afro dy muajsh, më 5 prill 1944, prefekti i Prizrenit Shaqir Curri informoi Zyrën Politike në Ministrinë e Punëve të Brendshme se, me rastin e operacionit që u zhvillua në shkurt në Rrethin e Tropojës, shumë nga banorët e atjeshëm ishin larguar prej frike nga banesat e tyre. Shumica e këtyre personave nuk pandeheshin as për faje politike, as për faje ordinere.

Për rrjedhojë, me qëllim afrimin e njerëzve të pafajshëm, Prefektura e Prizrenit kishte urdhëruar Nënprefekturën e Tropojës që të mos bënin asnjë ndjekje kundër atyre personave, edhe sikur të pandeheshin për vepra të vogla ordinere, me përjashtim të kriminelëve dhe të atyre që akuzoheshin për çështje politike.

Secili prej këtyre personave, para kthimit të tij, ishte i detyruar të garantonte me anën e dy personave të ndershëm e të besueshëm se nuk pandehej për ndonjë vrasje ose faj politik dhe se në të ardhmen do mbante sjellje të mira politike dhe shoqërore. Prefekti Curri lutej që një urdhër në kuptimin e sipërm të lëshohej edhe prej Ministrisë së Brendshme.

Më 8 maj 1944, Ministria e Punëve të Brendshme kërkoi nga Prefektura e Kosovës, që të urdhërohej Nënprefektura e Tropojës “për mos me bâ ndjekje kundër atyne që do të kthehen nëpër shtëpijat e veta, në rast se kundër tyre nuk rëndon ndonjë faj krimi ose politik dhe, për faje të vogla që nuk kanë rëndësi, hëpërhë mos të veprohet”.

Personave që do të ktheheshin do t’u merrej nga një garanci se nuk do të përziheshin në çështje politike, por do të rrinin të qetë në punët e tyre duke mbajtë sjellje të mira. Ky komunikim iu përcoll për njoftim dhe Prefekturës së Prizrenit.

1


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas