Aktualitet

Realitete nga Lufta e Dytë Botërore, rajoni i Kukësit në pranverën e vitit 1944








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:50 - 20/11/20 |
Veli Haklaj

Gjatë pranverës 1944, në rajonin e Kukësit kemi një gjallërim të veprimeve kundër pushtuesit gjerman, sidomos të Muharram Bajraktarit me pasuesit e tij.


Kjo duket në raportimet periodike të autoriteteve vendore për ato qendrore, të cilat, përveç të tjerave, evidentonin mungesën e fuqive në dispozicion për të përballuar situatën që po rëndohej me shpejtësi.


Për të përballuar këto zhvillime, autoritetet vendore ia dolën që në fillim të majit 1944 të përsëritnin lidhjen e Besës në krahinën e Lumës. Por probleme për autoritetet vendore dhe qendrore u shfaqën dhe në Kalanë e Dodës, fqinje me Qarkun e Dibrës, ku vërehet një protagonizëm në rritje i Litajve.



Gjithsesi, në pjesën e parë të gushtit 1944, në Kroin e Bardhë (Bicaj) u vendos lidhja e Besës “që të ruhen viset e krejt shtatë bajraqeve tue mos lânë asnjë fuqi komuniste me hy në Lumë”.


Gjendja në rajonin e Lumës, në prill 1944
Krahina e Lumës, historikisht qëndrestare ndaj çdo pushtuesi, ishte nën një kontroll të vazhdueshëm nga autoritetet gjermane qendrore dhe vendore.


Më 24 prill 1944, autoritetet e Nënprefekturës së Lumës, informuan Prefekturën e Kosovës, dhe për dijeni Ministrinë e Brendshme se, “duke marrë parasysh anarkinë e krijueme në rajon, mosvendosjen politike të banorëve, shpirtin agresiv të tyne dhe mungesën e forcës së papërshtatshme”, mbi programin e veprimtarisë “punë progresive në çdo fushë për mbrojtjen e qëllimit kryesor ristabilizimin e rendit publik e njësimin e inkanalizimin e rrymave të ndryshme në kanalin e çelun prej drejtuesve të qeverisë së sotme për të mirën e atdheut e të kombit mbarë”, ashtu ishte vepruar e nuk mund të mohohej fruti i kësaj pune, me përjashtim të disa gjërave sporadike të bëra prezent, megjithatë akoma fusha e veprimit nuk ishte e lirë.

Sipas këtij raportimi, rezulton se besa e vendosur me aq mundime për deri në Shëngjergj në fakt akoma nuk ishte prishë, por pëshpëritej në gojë të popullit se ajo nuk kishte vleftë më mbas masave të marra nga ana e Qeverisë me operacionin e datës 14 prill 1944.

Thuhej madje se nuk kishte mundësi të përsëritej një Besëlidhje tjetër, mbasi që po ndërhynte qeveria dhe kjo nuk ishte e para herë. Pra, në qoftë se nuk i mbërrihej përsëritjes së besës, gjendja në Lumë, me sa rezultonte, kishte me u keqësue tepër e sidomos për sa u përket vrasjeve, hakmarrjeve, vjedhjeve, ngjarjeve politike, të cilat kishin filluar fazën e tyre keqësuese me ngjarjen e 14 prillit, prej së cilës rezulton se shumë persona, duke mos qenë të sigurt, ishin larguar e ishin bashkuar me të arratisurit për ide subversive me Abedin Shehin, Niazi Hoxhën, Rasim Ahmetin e Niazi Rasimin.

Siç ishte lajmëruar Komanda e Qarkut Kukës nga Rrethkomanda e Lumës me relacionin rezervat i posaçëm, datë 5 mars 1944, forca e xhandarmërisë në këtë rajon ishte shumë e pakët në krahasim me situatën e krijuar.

Edhe ajo pakicë ishte e keqarmatosur, e pa veshmbathje, e pa tesha fjetjeje, e pa ushqim dhe një sasi e saj fare pa armë. Kështu, vetvetiu, aktiviteti i saj ishte i kufizuar dhe në disa gjëra gati fare i pamundur, “po qe se nuk i mbërrihej me pushtue shpirtrat e shumicës së banorëve e me bâ me ata një lloj policie istintive dhe gjindarmërie vullnetare të tërhequn me pa dije në shërbim të Atdheut”.

Për këto arsye, autoritetet e Lumës nuk ishin të sigurt në mbështetjen e popullit për të ndërhyrë siç kërkohej nga autoritetet qeveritare Nga ana tjetër fuqia e xhandarmërisë nuk ishte e mjaftueshme për të treguar grushtin e fortë të saj, por edhe një fuqi e ardhur nga jashtë duhej marrë parasysh për përballimin e ndonjë pengese eventuale me vleftë të konsiderueshme.

Në këto rrethana, për mos me ra në ndonjë befasi të papritur, autoritetet e Lumës kërkonin që çështja të merrej në konsideratë dhe për rregullimin e saj propozonin: a) ndërhyrje të shpejtë për përsëritjen e besës; b) plotësimin e kuadrit të xhandarmërisë; c) formimin e një trupi vullnetarësh, natyrisht me grada e rroga të përshtatshme.

Për sa propozohej në germën a), autoritetet e Lumës u bënë ftesë pleqësive dhe parisë për të mundësuar përsëritjen e besës deri në Shënmitër dhe, në qoftë se do të arrihej kjo, natyrisht që deri diku situata do të ishte si deri në ato momente.

Megjithatë, nuk duhej të përjashtohet fuqia e nevojshme për mbajtjen e rendit dhe me elementë jo vendas, të paktën për të siguruar sa qetësinë në Lumë, aq dhe banorët e Prefekturës së Tetovës, Gostivarit etj. për të evituar fatkeqësinë e tyre, që të mos u ndodhte si vitin e kaluar që kishin arritë të ju grabiten deri dhe foshnja, jo vetëm nga banorët e Lumës, por dhe nga ata të Reç e Dardhë, Dibër, Lurë e Mirditë.

[Këto veprime që shënohen në fjalinë e fundit të këtij paragrafi janë të kryera nga persona ordinerë dhe jo nga ata që ishin të organizuar në veprime politiko-ushtarake kundër pushtuesit-V. Haklaj].

Më 28 prill 1944, Komandanti i Qarkut të Xhandarmërisë së Kukësit, kapiten I Esat Pagria, informoi Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë mbi sa parashtronin autoritetet e Lumës për gjendjen në këtë rajon.

Për përsëritjen e besës kjo komandë kishte disponuar urdhra e dhënë instruksione ku në bashkëpunim me administratën, parinë e Komisionin e Besëlidhjes të bënin ç’të jetë e mundur për t’ia arritur këtij qëllimi që besa të lidhet dhe për 6 muaj.

Për të qenë gati për çdo eventualitet, Qarkkomanda e Kukësit kërkonte nga autoritetet qendrore plotësimin e fuqisë organike të xhandarmërisë, mbasi rrethit të Lumës i mungonin 45 dhe rrethit direkt (Kukësit) 62, si dhe armatim dhe veshmbathje për të gjithë personelin.

 

Mbi sa parashtrohej për gjendjen në Qarkun e Kukësit, më 4 maj 1944, zëvendësisht komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, kolonel Tahsin Bishqemi, informoi organizatorin gjerman, Kryesinë e Këshillit të Naltë të Regjencës dhe Ministrinë e Brendshme.

Gjendja në Kalanë e Dodës, pengesat për lidhjen e besës

Në letrën që Sherif Osman Lita, përfaqësues i Kalasë së Dodës, i dërgoi Ministrisë së Brendshme, më 2 maj 1944, i vë në dijeni se autoritetet e Prefekturës së Kukësit, me insistim kishin kërkuar lidhjen e besës në rajonin e Kalasë së Dodës.

Nga ana tjetër, për disa muaj me radhë, vetë këto autoritete vazhdimisht kishin informuar Qeverinë Qendrore të Tiranës se rajoni i Kalasë së Dodës është qendër strehimi e komunistëve dhe misioneve ushtarake të huaj.

Në vijim të letrës, Sherif Lita thekson se ai nuk do lejonte lidhjen e besës në këtë rajon. Për kthimin e rajonit në strehim e qendër të komunistëve e mohon kategorikisht, me përjashtimin e Cen Elezit nga Dibra, të cilit i ishte dhënë strehim për katër muaj rresht atij dhe familjeve të tij, më se dyqind personave.

Pasi sqaron se ky rajon i kishte dhënë qeverisë, kur ende bazat e saj ishin në ajër, treqind djem me qëllim që këta “të ishin kontribut për Atdheun dhe për interesat e popullit”, Sherif Lita shprehet se nuk kishte dijeni se në çfarë ishte bazuar autoriteti qeveritar i Kukësit për të shkruar se populli i rajonit Kala e Dodës ishte kundër situatës së sotme.

Në vijim Sherif Lita shkruan se “djemtë e dhanun prej këtij rajoni në shërbim të qeverisë kanë qenë dërgue për shërbim të popullit e jo për vllavrasje, sikurse sot janë dërgue në rajon të Beratit, ku kanë mbetur pika e djalit dëshmor vlla me vlla për të mbrojtur interesat personale të disa qeveritarëve që sot kanë kapun kazmën dhe po mundohen të shkulin gurin e fundit të themelit të shtetit tonë”.

Në rrethanat e krijuara, Sherif Lita kërkon prej qeverisë që autoritetet e prefektit, qarkkomandantit e deri tek ai më i fundit të ishin persona të rajonit të Lumës dhe, gjithashtu, një përfaqësues i rajonit të tyre të ishte anëtar i qeverisë, “kështu që për të mirën dhe të këqijat e Atdheut të jemi pjesëtarë dhe neve, sikur të gjitha krahinat e tjera të Shqipërisë”.

Gjithashtu, kërkonte kthimin urgjent të Batalionit Detashmenti “Luma” në Qendrën e Prefekturës së Kukësit, ashtu sikundër çdo prefekturë tjetër kishte autoritetet dhe xhandarmërinë e vet. Në përfundim, Lita shkruan: “Kemi me vazhdue të jemi anëtar të situatës së sotme dhe të qetësisë sot e përgjithmonë, aq më tepër për situatën e përbotshme që paraqitet mjaft e komplikueme dhe aq më tepër për Atdheun tonë, fati i të cilit âsht pezull nga cila anë do të shikohet, por me konditë që edhe ne të jemi kontribues sikurse të gjithë shqiptarët e krahinave të tjera të kombit tonë”.

Më 10 maj 1944, në shkresën Rezervat i Posaçëm, me të cilën Komandanti i Qarkut të Xhandarmërisë së Kukësit, kapiten I Esad Pagria, i dërgoi Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë një kopje të letrës së Sherif Litës, informon se “Sherif Osman Lita refuzon kategorikisht lidhjen e Besës në rajonin e Komunës së Ploshtanit, për arsye se gjoja ky rajon nuk është përkrahës i të arratisurve.”

Duke evidentuar se Besëlidhja përfshin shumë çështje, si vrasje, prerje, rrëmbime, vjedhje etj., qarkkomandanti Pagria thekson se këto lloj ngjarjesh në Komunën e Ploshtanit ishin të shumta e nuk është besëlidhja vetëm për përkrahjen e të arratisurve, siç pretendonte Sherif Lita.

Lexo edhe :  Realitete shqiptare në Luftën e Dytë Botërore, qarku i Kukësit në vitet 1943-1944

Për pretendimin se gjoja i kishin dhënë përkrahje qeverisë, rezulton se në lidhjen e Besës së parë rajoni i Ploshtanit i kishte paraqitë shumë pengime autoriteteve të vendit. Kurse për djemtë e rajonit që ndodheshin me shërbim, kapiten Pagria sqaron se ishte Batalioni i Lumës, të cilëve, për shërbimet që po kryenin, shteti u paguante rrogë e nuk ishin vullnetarë pa të holla.

Komandanti i atij batalioni ishte nip i Sherif Litës, Zyber Lita, dhe qëllimi i tij ishte vetëm të transferonte kapiten Zyberin në Kukës bashkë me fuqinë që kishte me vete dhe të merrnin një influencë në popull dhe mandej të lozin në fatin e tij. Qarkkomanda e Kukësit ishte e mendimit që Sherif Osman Lita të thirrej nga autoritetet qendrore të xhandarmërisë “për t’i dhânë disa këshilla që këndej e tutje të mos guxoj të ofendojë personalitete qeveritare”. Në rast të kundërt, t’u njoftohej mënyra e veprimit.

Më 18 maj 1944, zëvendësisht nënprefekti i Lumës, Zejnel Banja, njoftoi autoritetet e Prefekturës së Kukësit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme se në letrën e tij Sherif Osman Lita “ka shfaqë mendimin e tij personal për shkak kinse paskan pasë premtim nga kryetari i Qeverisë se Zyber Lita do të qëndronte në Tiranë 2-3 muaj me fuqinë që ka e mbasandej do të kthehej në Kukës me fuqinë si Komandant i Xhandarmërisë e jo të dërgohej në qarqet e tjera.”

Gjithashtu u ishin dhënë premtime se edhe Sherifi do të bëhej prefekt në Kukës apo anëtar i qeverisë. Në mos ky ndonjë shoku i tij, gjë që vërtetohej dhe nga objekti i letrës. Megjithëkëtë, nënprefekti Banja thekson se familja Litaj kishin influencë në disa katunde të komunës së Ploshtanit, pra për sa i përket besës dhe rendit mund ta ndalonin.
Ndërsa më 10 maj 1944, qarkkomandanti Pagria, informoi Prefekturën e Kukësit se Komisioni i Besëlidhjes dhe kryepleqësia e katundeve të Komunës së Ploshtanit po pengoheshin me kërcënime prej Sherif Litës për të mos marrë pjesë në mbledhjen e caktuar, duke u deklaruar se ai nuk merrte pjesë në atë Besëlidhje dhe as që dëshironte me i lënë me marrë pjesë banorët e asaj komune.

Një pakicë shumë e vogël e banorëve të Komunës Ploshtan kishin marrë pjesë në mbledhjen e datës 3 maj dhe një sasi tjetër, që ishin dërguar vetëm me qëllim për të marrë vesh bisedimet që do të zhvilloheshin. Në këto rrethana, kapiten Pagria kërkonte nga autoritetet eprore t’i njoftonin mënyrën e veprimit, sepse mund të ndodhte ndonjë fatkeqësi.

Lidhja e besës në rajonin e Lumës

Autoritetet civile dhe ushtarake të Nënprefekturës së Lumës, më 3 maj 1944, morën vendimin definitiv për përsëritjen e lidhjes së besës deri në Shënmitër të vitit vijues, në kushtet e besës që kishte ekzistuar deri atë ditë.

Ditën e hënë, më 8 maj 1944, në Zyrën e Nënprefekturës Bicaj, në prezencën e zëvendësisht nënprefektit Zejnel Banja, komandantit të Rrethit të Xhandarmërisë kapiten Abdurahmin Guri, kryetarit të Komunës Nezir Spahiu dhe ndihmëssekretarit Ramiz Sadiku, u paraqitën këta pleqësi dhe pari të katundeve të rajonit të Komunës Qendrës Bicajt (Bajraku i Lumës): për katundin Nangë z. Aziz Fetahu dhe kryeplaku Arif Idrizi; për Kolesjan Rasim Spahiu, Ramadan Hasani dhe kryeplaku Ahmet Zeneli; për Bicaj kryeplaku Nexhip Ahmeti, Bajram Avdija i lagjes Canaj, Hajrullah Istrefi i lagjes Osmanaj, si dhe Sadik Veseli kryeplak i kësaj lagjeje; për Gabricë kryeplaku Xheladin Hasani.

Në emër të banorëve të katundeve të tyre, ata deklaruan se brenda bajrakut të Lumës, më dëshirën e të gjithëve, qysh nga dita e Shëngjergjit dhe deri në Shënmitër të këtij viti po lidhet (përsëritet) besa me konditat: Mos me vra njëri-tjetrin (dhe mosrrëmbim femrash); mos me vjedhë as ndër veti, as ndër fqinjë; mosprerjen e komunikacionit; mosvrasjen e ushtarit gjerman; mosprerjen e linjës telefonike e telegrafike; mos me u dhënë strehim e ushqim t’arratisurve kriminelë, si dhe çetave të huaja të çfarëdo lloji, qofshin komunista.

Një kopje e procesverbalit të lidhjes së besës iu dërgua autoriteteve qeveritare në Tiranë. Po më 8 maj 1944, në qendër të Prefekturës së Kosovës (Kukësit), u mblodh kuvendi i parive dhe kryepleqve të Bajrakut të Lumës, si përfaqësues të emëruar prej popullit dhe prej kryepleqësive.

Fillimisht ata dëgjuan vrojtimet e titullarit të Prefekturës rreth: 1) situatës së krijuar nga Muharrem Bajraktari me shokë, kundër të cilëve po merrte masa Qeveria Mbretërore me mjetet që dispononte; 2) ngjarjeve ordinere dhe kriminelëve të arratisur, kundër të cilëve Qeveria Mbretërore kishte vendosur kategorikisht ndjekjen e tyre; 3) qetësisë së vendit për të cilën ishte vendosur që të sigurohej patjetër; 4) problemeve të përgjithshme dhe situatës delikate.

Duke marrë përgjegjësinë e plotë mbi veti, secili relativisht me krahinën ose katundin që përfaqësonte, pjesëmarrësit në kuvend vendosën sa vijon:

“1) Sigurojmë Autoritetin Qeveritar të këtushëm, të cilit ia ngarkojmë për me ia dërgue edhe qeverisë qendrore në Tiranë, se në rajonet tona nuk ka për të ndodhun asnjë turbullim me karakter politik.

2) Se populli që përfaqësojmë, bashkë me neve, nuk e pret me sy të mirë ardhjen e një fuqie civile të padisiplinueme prej krahinave kufitare ose të largëta, sikurse jemi informue, përderisa kemi parashtrue sigurimin e shënuem si mâ sipër, që nuk ka me ndodhë ndonjë turbullim politik.

3) Japim sigurim se pa përjashtim jemi në dispozicion të Qeverisë me bashkëpunue me të me çdo mjet që disponojmë për sigurimin e rregullit dhe të rendit.

4) Kërkojmë prej Qeverisë Mbretnore që të ketë kujdes me përfitue edhe prej Itifakut, d.m.th. edhe prej besës e zakonit të vendit, për me mujtë me stabilizue pastër e mirë qetësinë e vendit dhe prishja e besës të jetë e shoqërueme edhe me ekzekutimet e dispozitave zakonore, tue tregue në këtë rast edhe Qeveria interesimin mâ të gjallë, sepse kjo mënyrë vlen me përballue ose mâ mirë me thânë me paralizue çdo aktivitet të drejtuem kundër qeverisë me kritere politike ose ordinere.”

Dokumenti i kuvendit u nënshkrua nga 28 përfaqësuesit: Sheh Ali Bojdani (Bogdani), Ramadan Çejku, Sadik Spahija, Xhemal Bilali, Qerim Prendi, Selman Kamberi, Baki Shehapi, Sef Xheladini, Qazim Billalli (Bilali), Bajazit Hasani, Baftjar Latifi, Qerim Bajrami, Isak Kasemi, Xheladin Hasani, Ismail Emini, Rexhep Xhepa, Met Dulla, Abdi Shabani, Halil Mehmeti, Aziz Fetahu, Dan Xhaferi, Maliq Iliazi, Halim Serani, Rexhep Shahini, Alush Kola, Osman Haliti, Islam Hoxha, Sul Muhtari.

Siç u ra dakord, dispozitat e Besës u pasqyruan në një dokument të veçantë, që konsiderohej i nënshkruar prej përfaqësuesve të kuvendit.

Sipas Prefekturës së Kosovës, po qe se nuk do arrihej një përsëritje bese në këtë qark, atëherë “të mos pritej qetësi, por vllavrasje, vjedhje, grabitje, shkurt një anarki, gjë që vlerësohej në dâmin e këtyne anëve dhe të krejt shtetit”.

Më 29 maj 1944, ministri i Punëve të Brendshme, pasi përshkruan gjendjen në Qarkun e Kosovës, kërkon nga Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë që t’u jepej një urdhër i prerë organeve të sigurimit publik të këtij qarku dhe qarqeve fqinjë që të mos marrin asnjë masë aty ku çështja mund të rregullohet fare mirë me anën e komisioneve të besës, “me kanun”, si dhe plotësimin në rregull të personelit të Rrethit të Lumës dhe të Rrethit direkt të Prefekturës së Kosovës me numër, armatim e veshmbathje që, në rast se përsëritja e besës nuk do kryhej, të ishin gati për të përballuar çdo eventualitet.

Me shkresë Rezevat i Posaçëm, të datës 12 qershor 1944, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë, informoi Ministrinë e Punëve të Brendshme se “iu dhanë urdhërat e rastit Qarkkomandës së Kukësit për me qenë e lidhun ngushtë me Prefekturën e vendit me ia mbërritë qëllimit, për sa propozohet prej Prefekturës së Kukësit”.

Gjithashtu u urdhërua dërgimi i një detashmenti në Kukës me të vetmen detyrë: ndjekje. Në vijim të angazhimeve për lidhjen e besës, komisionet e marrëveshjes Lumë – Dibër, në mbledhjen e datës 20 qershor 1944, në Kalanë e Dodës, përfunduan pajtimin e dy krahinave dhe brenda një kohe të shkurtër do u ktheheshin të zotëve bagëtitë e grabitura.

Që prej datës 20 qershor, banorët e të dy krahinave ishin të lirë të bënin udhëtime e në rast se do të lindte ndonjë ngatërresë, komisioni i besës do zbatonte sanksionet më të rënda, sipas zakonit të vendit.

Gjithashtu, më 12 gusht 1944, në orën 14.00, në vendin Kroi i Bardhë, Bicaj (Lume), u bë një mbledhje e përgjithshme me pjesëmarrjen e shtatë bajrakëve të Lumës, ku u vendos lidhja e Besës “që të ruhen viset e krejt shtatë bajraqeve tue mos lânë asnjë fuqi komuniste me hy në Lumë”.

Sipas informacionit të Prefekturës së Kukësit për Ministrinë e Brendshme, në këtë kuvend të Lumës ishte vendosur që në rast se sulmoheshin, ishin gati me i pritë me armë dhe se nuk pranonin që t’u bëhej ngjarje brenda rajonit. Ndërkohë, angazhoheshin për të marrë çdo masë në interes të qetësisë.


Etiketa: , ,

Pas