Aktualitet

Realitete shqiptare në Luftën e Dytë Botërore, në Qarkun e Dibrës














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:40 - 10/11/20 |
Veli Haklaj

Në një cikël dosierësh të publikuar në gazetën “Mapo”, në periudhën korrik–nëntor 2019, shpalosëm për lexuesin fakte dhe realitete nga Lufta e Dytë Botërore në qarqet Vlorë, Gjirokastër, Berat (Berat, Skrapar, Fier, Lushnjë, Mallakastër), Elbasan dhe Korçë.






Në këtë cikël të dytë dosierësh, do të pasqyrojmë disa aspekte të rëndësishme të realitetit të përjetuar në qarqet e tjera të Shqipërisë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, kryesisht në periudhën e pushtimit gjerman.


Në fokus do të jenë realitetet e krijuara në Veriun e Shqipërisë, pas kalimit të Shkumbinit nga formacionet partizane, problematikat e shfaqura në relacionet ndërmjet fuqive nacionalçlirimtare me ato nacionaliste e proqeveritare, si dhe ballafaqimet e tyre me strukturat e pushtetit qendror dhe lokal.







Në punimin në vijim, do të publikojmë zhvillime me interes në periudhën 1942-1944 në Qarkun e Dibrës.



Paraqet interes trajtimi i lidhjes së besës dhe përshkrimi i gjendjes në rajonet e Matit dhe Dibrës, ballafaqimet ndërmjet fuqive komuniste me forcat vullnetare proqeveritare, mosmbështetja me armatime e këtyre të fundit nga fuqitë pushtuese gjermane, mbështetja me armatime e bazë materiale e formacioneve partizane nga aleatët britanikë, si dhe mospërputhjet në qëndrimet strategjike ndërmjet krerëve nacionalistë, çka ndikoi dukshëm në krijimin e avantazheve për Frontin Nacionalçlirimtar.



Për përgatitjen e punimit jemi bazuar kryesisht në dokumente që administrohen në fondin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar.

Shtimi i ngjarjeve që cenonin sigurinë publike dhe mungesa e veprimeve të nevojshme të autoriteteve përkatëse zyrtare, krijuan terren që në krahinat veriore të aplikohej e Drejta Zakonore.

Më 5 qershor 1942, me ndërhyrjen e Cen Elezit (Ndreu) dhe të Hoxhës Sheh Musa, në katundet Dardhë dhe Reç u lidh “Besa”, sipas traditës.

Nuk morën pjesë në besëlidhje elementët e partisë së Halil Alisë, si Mehdi Kaca, nga Tartaj, dhe Maliq Marku, nga Reçi.

Ata deklaruan se shumë nga Reçi në vitin e kaluar e kishin thyer besën dhe, për këtë, ata dëshironin që këta ta lidhnin besën në prezencën e autoriteteve krahinore dhe të parive Miftar Kaloshi, Cen Elezi, Selim Kaloshi dhe Halil Alia.

Besëlidhja do të kishte fuqi deri më 5 prill 1943, me këto kondita:

“1) Mos me krye delikte kundra pasunive;

2) Mos me krye delikte kundra personave;

3) Mos me ushtrue spiunazh në dâm të Shtetit Shqiptar Italian dhe vepra kundra regjimit Fashist.”

Atyre që nuk do t’i përmbaheshin besës do t’u digjej pasuria, sekuestrohej pasuria dhe familja e tij do të largohej për tri vite, sipas zakonit.

Cen Elezi u deklarua përgjegjës për çdo vepër që do të kryhej nga personat që do të thyenin besën.

Nisur nga situata në rajon, pas konsultimeve me njëri–tjetrin dhe me autoritetet lokale të Prefekturës së Dibrës, Komisioni i Besëlidhjes, më 6 qershor 1943, ra dakord dhe hartoi një rregullore besëlidhjeje për krahinën e Dibrës.

Besëlidhje të tilla ishin lidhur dhe në krahinat e tjera të Veriut të Shqipërisë me objekt kryesor ruajtjen e rendit dhe sigurinë publike në rajonet përkatëse.

Në komisionet e besëlidhjes angazhoheshin krerë dhe bajraktarë të fiseve kryesore. Por me dobësimin e autoritetit të pushtuesit italian, si kudo në Shqipëri, faktorë të tjerë po shtonin influencën në këtë qark.

Më 22 korrik 1943, prefekti i Dibrës Vehip Runa informoi Zyrën Politike, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, se me kthimin e tij në qendër të Prefekturës (Peshkopi), situatën e kishte gjetur mjaft të turbullt.

Nga informatat e grumbulluara, rezultonte se në qarkun e kësaj prefekture kishin ardhur mjaft çeta dhe shumë njerëz të huaj të arratisur me qëllim që të prishin qetësinë e sidomos besëlidhjen.

Menjëherë ishin mbledhur komisionet e besëlidhjes dhe, më 21 korrik 1943, Komisioni dhe Paria vendosën njëzëri që “besëlidhja të mbrohej me çdo mënyrë dhe nuk ka me guxue kurrkush për prishjen e saj, pse për ata që do të guxojnë do të merren masa mâ të rrepta drejtpërsëdrejti nga populli”.

Komisioni në fjalë në rregulloren e besëlidhjes shtoi dhe dy nene të tjera:

“1) Çdo dibran, qoftë i arratisun ose me çeta, që do të bëjë sabotazhe keqbërëse ose prishje qetësije në qarkun e një prefekture tjetër dënohet me vdekje, internim familjeje, djegje shtëpije dhe konfiskim pasunije.

Po me këto sanksione dënohen edhe gjithë ata që i bâhen strehë e përkrahësat e këtyne keqbërësve.

2) Asnjë çetë dibrane ose e huaj qoftë s’ka të drejtë të shetitë në qarkun e kësaj prefekture me qëllime të errëta propogande, sabotazhe e prishje qetësie.

Kushdo nga populli që do t’i përkrahi këto çeta që kanë për qëllim prishjen e qetësisë ka me u dënue mbas neneve 1 e 2 të besëlidhjes, d.m.th. me vdekje, internim familjeje, djegje shtëpie dhe konfiskimin e pasunisë.”

Ndërkohë, çdo i arratisur, në çfarëdo ngjyre qoftë, ishte i lirë të rrinte në shtëpinë e vet pa mos u përzie në dallaveret e çështje të dëmshme e, deri sa kishte me qëndrue i qetë, s’kishte të drejtë as qeverija as populli t’i gjurmojë.

Në komunikimin e tij zyrtar, prefekti Runa i lutej ngutësisht Ministrisë së Brendshme që të urdhëronte plotësimin e xhandarmërisë sa më parë e, në rast se nuk gjendej personel, vendi kishte elementë të mirë që dëshironin të regjistroheshin xhandarë.

Njëkohësisht kërkonte që autoritetet qendrore ta ndihmonin me një sasi ushqimesh për me mujt deri diku të ndihmonin anëtarët e komisioneve, të cilët jo vetëm që dita-ditës mundoheshin dhe linin punën e vet, por edhe harxhoheshin nga xhepi i tyre.

Prefektura e Peshkopisë, me shpresën e çeljes së një kredie për shpenzime të mbledhjes së parive e të popullit për arsye të besëlidhjes, kishte shpenzuar deri më 2 korrik 1943 gjashtë mijë franga shqiptare.

Për kompensimin e tyre pati një korrespondencë midis Ministrisë së Brendshme me Kryesinë e Këshillit të Ministrave.

Lidhja e Besës në Mat, në tetor 1942

Më 22 tetor 1942, Nënprefekti i Matit, Beqir Sitki Hasa, i dërgoi për pëlqim Kryesisë së Këshillit të Ministrave dokumentin final të lidhjes së besës në këtë rreth.

Njëkohësisht praktika iu përcoll dhe Ministrisë së Brendshme dhe Prefekturës së Peshkopisë.

Rolin kryesor të autoriteteve shtetërore lokale në lidhjen e besës e shpreh dhe përbërja e Komisionit të Besëlidhjes: nënprefekti i vendit, kryetar, me anëtarë sekretarin politik, komandantin e karabinierisë, komandantin e milicisë fashiste shqiptare dhe me përfaqësuesit e popullit që përfaqësonin itifakun (Neni X).

Përveç dispozitave që synonin rregullimin e çështjeve penale dhe civile në raport me qetësinë publike, disa nga 14 nenet e besëlidhjes kishin karakter të theksuar politik.

Në nenin I të Besëlidhjes përcaktohej që populli i Matit, i përbërë nga 5 000 shtëpi, ka lidhë besë që politikanët kundër regjimit, në rast se do të ndodheshin në rajonin e Matit, do t’i denoncoheshin autoriteteve kompetente ose do t’i kapte vetë.

Ndërsa kush përhapte lajme të rreme kundër politikës së shtetit, kundër qetësisë publike, kundër ekonomisë dhe në dëm të regjimit e të politikës do të dënohej sipas Dekretit Mëkëmbësor nr. 185 (neni VII).

Qëndrimi që do të mbahej ndaj elementit komunist shprehet në përmbajtjen e nenit XI:

“Po merret vesh se na ka le një emen komunist, që na i thonë bolshevik. Këtë farë njerëzish, qenkan të vjetër apo qenkan të rinj, sidoqoftë, kemi me i zhdukun dhe në rajon dhe në kufi të Matit nuk duhet të ekzistojnë.

Nëse do të jetë ndonjë, populli i Matit me gjithë autoritetin e vendit jo me pushkë, por edhe me duar ka me e shfarosë, se askush nuk e pranon njeriun e pa besë, të pa karakter e të pa moral dhe i gjithë populli nuk ka me e pranue dhe ka me iu vërsul në shpinë me sa fuqi të ketë deri sa t’i nxjerrë rrâjën e tij fare.”

Duke iu referuar dispozitave të Statutit që i konsideronte vëllezër popullin shqiptar dhe popullin italian, duke e konsideruar Mbretin si “baba”, në nenin XII të besës përcaktohej se kushdo që e fyente Mbretin Imperator me fjalë të kundërta do ta shfarosnin dhe ndaj tij do të aplikoheshin dispozitat e nenit II, sipas të cilit:

“Nji njeri që vret tjetrin me hak ose pa hak, sot në këtë ditë familja e tij dënohet prej popullit të Matit tue u përjashtue nga kazaja (rrethi) për tri vjet, pasunija e tij i konfiskohet qoftë e tundshme ashtu dhe e patundshme dhe i bâhet merâ”.

Në nenin XIII përcaktohej se këtë besë populli i Matit i bashkuar “ka me e vazhdue deri në fund të luftës përgjithësisht dhe ai që do t’i shmanget do konsiderohej si hajnë i vatanit e hajnë i regjimit, domethânë i atdheut dhe i regjimit”.

Në nenin XIV, që e konsideronin nen jashtë dispozitave të besëlidhjes, por si lutje të gjithë popullit, Komisioni i Besëlidhjes kërkonte miratim nga Kryesia e Këshillit të Ministrave që kriminelët e vendit të liheshin të lirë të banonin në shtëpitë e veta.

Në qoftë se ata do të bënin më të voglën ngjarje apo ngatërresë, do të ishte përgjegjës populli i atij katundi.

Më 4 nëntor 1942, Kryeministria njoftoi Komandën e Përgjithshme të Sigurimit Botnuer, Komandën Eprore të Karabinierisë dhe, për dijeni, Ministrinë e Brendshme se kishte dhënë pëlqimin e lidhjes së besës mes popullit të Nënprefekturës së Matit për të mos lejuar asnjë veprim kundër qetësisë publike.

Në miratim të kërkesës së Komisionit të Besëlidhjes që të pezulloheshin ndjekjet kundër kriminelëve që do të dorëzoheshin, kryeministri Mustafa Kruja kërkonte nga autoritetet e sigurisë publike që të mos bëheshin ndjekje de facto kundër tyre deri sa t’u njoftoheshin masat eventuale për pezullimin ligjor që do të merrej nga autoritetet kompetente.

Në vijim të komunikimit me Ministrinë e Brendshme, e cila e vlerësonte si ligështi të autoriteteve shtetërore pranimin e lidhjes së besës, më 18 nëntor 1942, kryeministri Kruja theksonte se duke i dhënë pëlqimin e vet besës së lidhur në Mat, kishte bërë këto konsiderata:

1) Në atë krahinë [Nënprefektura e Matit] ka të arratisur fajesh të zakonshme e fajesh politike.

2) Çetat politike, siç ishte konstatuar dhe nga Ministria e Brendshme, jo vetëm në Mat, por gati kudo, e kanë gjetur forcën e vet në të arratisurit për faje të zakonshme.

3) Do të ishte pa fjalë nder i madh për Qeverinë Mretërore sikur të mundnin me heqë qafe të arratisurit kriminelë me fuqitë e Sigurimit Botnuer që ka në dorë, duke i vra ose zënë gjallë e dorëzue gjyqit dhe kështu me ua tha krahët të arratisurve politikë.

Veçse, për fat të keq, jemi të shtrënguar prej faktesh të deritashme me e pohue se Arma e Karabinierëve Mbretërorë, jo se jo, por as shtatë mijë milicët për të cilët flet Ministria e Brendshme s’kanë dhënë aspak prova të bindshme që mund t’u vijnë hakut dy mijë harrakatëve të shpërndarë në të gjitha viset e Shqipërisë.

Nuk përjashtohet mundësia që fuqia milicore të arrijë një ditë me u përmirësue e me u bë e zonja me dhënë pemë më të mira edhe në fushën e qetësisë së zakonshme, sikur në atë të rendit politik, por sigurisht me mund, ngadalë e shpenzime. Sidomos kurrë në një kohë aq të shkurtër sa e lyp gjendja e sotme.

4) Duke qenë të shtrënguar prej sa u paraqit në pikat më sipër, duke i dhënë me shumë të drejtë më tepër rëndësi rendit politik se sa qetësisë së zakonshme, të gjitha organet përgjegjëse për sigurimin botnuer kanë qenë deri tani të një mendimi, prej nënprefektëve e deri tek kryeministri, me mbyllur herë një sy e herë të dy kundrejt të arratisurve për faje komune për t’i ndarë e largue nga të arratisurit politikë.

Në disa vise madje kemi mbërri me pranue deri marrëveshje direkte me ta me uzdajë (shpresë) se do të na shërbejnë për kundra elementit tjetër më të rrezikshëm për ditën e sotme.

5) E qe pra se populli i Matit lidhë një besë të fortë – në mos deri në provë të kundërt – për deri në mbarim të luftës për t’i zhbi miletçe gjithë të arratisurit politikë që do të shkelin tani e mbrapa në tokë të vet e për të mbajtur qetësinë e vendit pa vrasje e hajni, duke futur në të edhe të arratisurit për faje të zakonshme, për të cilët nuk lyp kurgjë më tepër se mosprocedimin e paraparë edhe prej ligjeve të Shtetit.

Për këtë arsye, pra, e për të tëra të tjerat të rreshtuara më lart, kësaj Kryeministrie ju mbush mendja se interesi i Shtetit e lypte pëlqimin e asaj bese pa rezervë.

6) Në qoftë se Mati ka për ta mbajtur besën e lidhur, s’ka dyshim se shërbimi i saj ka me qenë i madh fort në rrethanat e sotme.

Për ndryshe, Qeveria s’do të ketë të humbur asnjë send duke dhënë pëlqimin e vet, mbasi të arratisurit e Matit aty se aty i ka, mjaft që të jetë e zonja t’i kapin.

7) Asnjë të keqe nuk sheh kjo Kryeministri që të pranojë lidhje bese po me atë frymë edhe në çdo krahinë tjetër malesh, ku besa ka qenë gjithmonë zakon i vendit.

Madje, sikurse e din mirë edhe ajo P. T. Ministri, ky ka qenë mendimi i ynë në gjendjen fatkeqe të sotme, por vetëm nga bindja që kemi pasur se malësorin e lidhin më fort ligjet e zakonet e veta të rrënjosura qysh prej shekujsh në shpirtin e tij se sa ato të Shtetit.

Nuk duam me thënë me këto se, për një kohë normale, duhen lënë në fuqi zakonet e vjetra të vendit e vënë në gjumë ligjet moderne të Shtetit. Por kur këto bien në gjumë prej vetit, pse të pazbatueshme në disa rrethana, do të ishte hatá e madhe për ne mos me përfitue prej zakoneve të vjetra.

8) Ajo P. T. Ministri e sheh për Qeverinë si një ligështi pranimin e besës. Mjerisht kur mungon forca, jo forca numër, por ajo që vyen, është një rregull e përgjithshme ajo që në gjuhë të huaj i thonë “buon viso o cattivo giuoco”.

Megjithëkëtë pranimi i besës së maleve, madje inkurajimi i saj kudo, nuk i duket kësaj Kryeministrie që merret si ligështi prej të interesuarve, edhe duke u përfshi në besë kriminelat, siç e lyp zakoni.

Lidhja e Besës në Mat, në prill 1944

Sipas traditës, lidhja e besës ripërtërihej çdo vit, duke iu përshtatur zhvillimeve dhe rrethanave të reja, që reflektoheshin në dispozitat e besëlidhjes.

Në një mbledhje që u bë më 3 prill 1944 prej Parisë dhe popullit të rajonit të Matit, zëvendësisht titullari i kësaj Nënprefekture mbajti një konferencë mbi

a) bashkimin vullnetar,

b) mbajtjen e qetësisë,

c) lidhjen e një bese për të evitue vrasjet e hakmarrjet,

d) heqjen dorë prej vjedhjeve, plaçkitjeve e shkatërrimeve të pasurisë private e shtetërore,

dh) bindjen ndaj ligjit e urdhërave qeveritare,

e) bashkëpunimin me Qeverinë, me qëllim që të siguroheshin interesat e atdheut.

Nga informacioni rezervat i datës 5 prill 1944, i Nënprefekturës së Matit drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme mësojmë se mbas kësaj konference, pasi bënë bisedimet ndërmjet tyre Paria bashkë me popullin, një përfaqësi e Parisë: Jusuf Selmani, Kapllan Allamani, Jusuf Çela, Bajram Sata etj., u prezantuan para titullarit të Nënprefekturës duke theksuar n’emër të popullit, si vijon:

“Na, e në emën të popullit falenderojmë Qeverinë mbi kujdesin që tregon për këtë vend shumë të vujtun e të shkatërruem dhe, për të pasë një bashkëpunim të sinqertë me Autoritetet Qeveritare, tue marrë parasysh situatën e tanishme që mbretëron në juridiksionin e Matit, âsht dëshira e jonë dhe e popullit mbarë që Qeveria të marrin parasysh kërkesat që shënohen poshtë për qëllimin e mirëvajtjes së veprimeve qeveritare e interesave shtetnore.

1) Të gjithë nëpunësat civilë e ushtarakë që kanë me shërbye këtu të jenë prej vendit, me përjashtim të titullarit të Gjykatës, Inxhinierit dhe nëpunësit të Telegrafës, që janë teknikë.

Zgjedhja e nëpunësave dhe xhandarëve të bâhet nga një komision i zgjedhun prej popullit të katër semtevet (krahinave) të Matit tue u shënue persona të zot për detyrë dhe të ndershëm për me krye misionin e tyne me ndërgjegje të pastër, të cilët për emnim do të propozohen nga titullarët e tanishëm të Nënprefekturës e të Komandës së Rrethit të Xhandarmërisë.

2) Qeveria të kujdesohet me dërgue simbas gjendjes gjâna ushqimore e sidomos drith e krypë.”

Në informacionin e tij, nënprefekti i Matit, pasi evidentonte se kërkesa e Parisë në degën e Administratës së Brendshme ishte marrë parasysh, duke u emëruar nëpunësa vendi, duke besuar se dhe dikasteret e tjera do të ndiqnin shembullin e Ministrisë së Brendshme, shpresonte se për një kohë të shkurtër do të stabilizohej rregulli dhe qetësia, siç ishte para 7 prillit 1939.

Por, nënvizonte nënprefekti, “kjo do të arrihej në qoftë se më të vërtetë Paria do të kenë një bashkëpunim me autoritetet lokale, duke mos marrë parasysh ambicjet që shumë herë shkaktoheshin prej egoizmit të tyre në mes njëri–tjetrit”. Vijon…

1


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas