Objekt i këtij punimi, që do të publikohet për lexuesin e gazetës MAPO, është pasqyrimi i disa aspekteve të realitetit të përjetuar në Qarkun e Kukësit.
Ky qark, deri më 1945, emërtohej Qarku i Kosovës i përbërë nga Kukësi, Hasi dhe Malësia e Gjakovës (Tropoja). Gjatë Luftës së Dytë Botërore, krahina e Nikaj – Mërturit, historikisht pjesë e Malësisë së Gjakovës, për interesa të pushtuesit kaloi nën juridiksionin e Nënprefekturës së Dukagjinit, në Prefekturën e Shkodrës.
Ndërsa pjesa më e madhe e trevave të Kosovës, trevat lindore të Maqedonisë dhe disa komuna kufitare të Malit të Zi ishin bashkuar me Shqipërinë.
Nëpërmjet këtij dosieri, lexuesi do të njihet me raportet e qytetarëve me organet e pushtetit civil dhe ushtarak në këtë qark, si dhe problematikat e shfaqura në relacionet ndërmjet fuqive nacionaliste dhe atyre partizane që vepronin në Qarkun e Kukësit dhe strukturave të pushtetit qendror dhe lokal.
Trajtim të zgjeruar gjejnë në këtë punim veprimi i formacioneve të organizuara kundër pushtuesit gjerman të drejtuara nga Gani Beg Kryeziu, Muharrem Bajraktari, Ram Muj Hoxha, Sali Man Mulosmani, Mehmet Bajram Mulosmani, Mal Sadiku, Shaban Haxhia, Fadil Hoxha, Ismail Poga, Dali Ndreu, Haxhi Lleshi, Abedin Shehi etj.
Në ballafaqime të armatosura dhe atentate, përveç të tjerëve, mbetën të vrarë edhe prefekti i Kukësit Rrok Perolli, nënprefekti i Tropojës Selahudin Çabej, kryetari i Bashkisë së Kukësit Bislim Elezi, nënkryetari i Partisë së Legalitetit Patër Lek Luli, drejtues të formacioneve partizane Jaho Salih Mulosmani dhe Fahri Ramadani etj.
Një pjesë e konsiderueshme e punimit i kushtohet përkeqësimit të gjendjes së sigurisë publike në rajon dhe kthimi në zbatimin e të drejtës zakonore me anë të Komisioneve të Besëlidhjes, që kontrolloheshin nga autoritetet shtetërore, si mekanizëm për kontrollin e situatës në tërësi, veçanërisht në aspektin politik.
Në këtë punim, në varësi të çështjeve që trajtohen, ka të dhëna me interes dhe për zhvillime në qarqet e Dibrës dhe Shkodrës, kufitare me Qarkun e Kukësit, si dhe trevat shqiptare në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi.
Për përgatitjen e punimit, i cili është i strukturuar për dhjetë publikime, jemi bazuar kryesisht në dokumente që administrohen në fondin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar, me të dhëna të shumta autentike për struktura, organizata dhe persona, për implikimet e tyre negative apo pozitive, por dhe në burime të tjera të publikuara më parë, apo në proces publikimi.
1. Përpjekjet për aleancë të krerëve nacionalistë të Jugut me ata të Veriut
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, në mënyrë vijuese pati angazhime të krerëve nacionalistë të të gjitha trevave shqiptare për të bashkëpunuar dhe koordinuar veprimet e tyre kundër pushtuesit.
Por jo gjithmonë pati finalizim për qëndrime dhe veprime të përbashkëta. Kjo pati pasoja të mëdha jo vetëm gjatë luftës, por dhe në dekadat e regjimit komunist.
Më 21 gusht 1943, pak ditë pas Marrëveshjes së Mukjes, Prefektura e Kukësit, u informua nga burime të sigurta që në shtëpinë e Cen Elezit (Dibër) ndodheshin Mithat Frashëri, Ali Këlcyra dhe Nuredin Vlora.
Atë ditë të përmendurit kanë shkuar në shtëpinë e Muharrem Bajraktarit e më vonë, të përcjellë nga vëllau i Muharremit, Bajram Bajraktari, kanë shkuar te Sadik Spahiu në Kolesjan të Lumës.
Sipas informacioneve, mbas pak kohe janë nisur për në Dibër. Krerët e nacionalistëve jugorë “kishin shfaqur qëllimin me bashkue një fuqi e me proklamue një qeveri të re”.
Në informacionin e Ministrisë së Punëve të Brendshme drejtuar Mëkëmbësisë së Përgjithshme Mbretërore, Kryesisë së Këshillit të Ministrave dhe Komandës IX Armatë (Zyrës “I”) theksohej se “as Muharrem Bajraktari, as Sadik Spahiu nuk ishin bashkue në këtë mejtim. Ky i fundit ju ka thânë se na nuk e prishim vendin”.
Për takimet e mëpasme të krerëve të nacionalistëve të Jugut me ata të Veriut, me qëllim koordinimin e veprimeve në raport me pushtuesin gjerman por dhe Frontin Nacionalçlirimtar, hedh dritë në Promemorien e tij Bajram Bajraktari.
Sipas tij, në shkurt të vitit 1944 erdhi te Muharrem Bajraktari një cakranjot, anëtar i Ballit Kombëtar, për të rishqiptue dhe ripohue konditat e marrëveshjes të Muharrem Bajraktarit me Mithat Frashërin.
Muharremi ka folur edhe vetëm për vetëm me të, por në prani të vëllait, Bajram Bajraktarit, dhe krerëve të tjerë të Lumës i tha tekstualisht kështu: “Halit, me organizatën tuaj i pres relacionet definitivisht sepse: a) Keni shkaktue vëllavrasje me partizanë; b) Rexhep Mitrovica, anëtar i Komitetit Qendror, âshtë bâ kryeministër, duke vulos në mënyrë të padiskutueshme tradhëtinë e Ballit.
Edhe unë jam kundra komunistëve, por asnjë arsye nuk justifikon vllavrasjen nëse një ushtri e huaj okupon vendin tonë. Kurrë pushka ime nuk ka për të krisë e para kundra një shqyptari gjatë okupacionit”.
Ballisti u përgjigj: “a) Rexhep Mitrovica e ka bâ një gjâ të tillë pa autorizimin e organizatës; b) Vllavrasja është shkaktue nga komunistat që na kanë sulmue përpara tradhëtisht.”
Muharremi shtoi se Rexhep Mitrovica, megjithëkëtë, vazhdonte me qenë anëtar i Komitetit Qendror të Ballit dhe se nga bashkëpunimi flagrant i çetave të Ballit me gjermanët përgjegjësia e vëllavrasjes i mbetej Ballit, sido që të jenë zhvillue ngjarjet.
Sjellja e Ballit Kombëtar u kishte dhënë komunistëve një avantazh moral aq të madh, saqë ishte gati e pamundur të anuloheshin konsekuencat fatale për nacionalizmin.
Në vijim të Promemories së tij, Bajram Bajraktari evidenton se, nga fundi i prillit 1944, Fiqri Dine e thirri Muharrem Bajraktarin për takim në Sllatinë së bashku me Cen Elezin. Takimi me Cenin dhe pjesëtarë të familjes së tij u bë në Sllovë.
Së bashku u nisën për Sllatinë, ku mbërritën para Fiqri Dines, i cili erdhi më vonë me 50 veta.
Takimi me Fiqriun u bë në shtëpinë e Shemsi Plakut (Sllatinë). Kanë biseduar Fiqriu, Muharremi dhe Ceni vetëm në një dhomë dy orë.
Në dhomën tjetër ishin: Bajram Bajraktari, Dostan Rexhepi, Myftar Ahmeti, Isuf Dine, Sef Xheladini; Mehdi Ndreu, Islam Ndreu dhe Xhelal Ndreu. Nuk thirrën asnjë prej tyre. Kur u ndanë, grupi i Muharrem Bajraktarit udhëtoi për në Lumë, dibranët për në Peshkopi.
Muharremi dukej qartësisht i pakënaqur dhe i penduar për takimin. Zemërimi i tij drejtohej më shumë kundër Cenit: “Elez Isufi nuk ka lânë djalë, por një tregtar të keq”.
Muharremi i tha Bajramit, Dostanit e dy – tre të tjerëve se Fiqriu i kishte bërë dy propozime:
Të shkonte në Tiranë për t’u bërë Këshillë i Regjencës me Mehdi Frashërin (kryeministër Fiqriu) edhe Ceni t’u dorëzonte. Ky Bllok sigurisht do të asgjësonte komunistat dhe do të fitonte patjetër përkrahjen e anglo–amerikanëve.
Nëse nuk e pranonte këtë, të formonin një Bllok tjetër indipendent dhe ilegal të kryesuar nga Muharremi, Fiqri Dine, Mustafa Kruja, Gjon Marka Gjoni dhe ta zgjerojshin me elementa që mund të shkëputeshin nga organizatat e tjera.
Muharremi kishte refuzuar në këtë mënyrë:
Të luftosh Lëvizjen [Nacionalçlirimtare] në bashkëpunim me gjermanët do të thoshte të bëhesh faktor vendimtar për triumfin e saj. Lufta kundra saj gjatë okupacionit ishte absolutisht gabim trashanik.
E vetmja rrugë me komunista ishte tërhiq e mos këput deri në çlirim. Me Gjon Markun e sidomos me Mustafa Krujën, Muharremi nuk do të punonte kurrë, sepse ishin përgjegjësit kryesorë të okupacionit italian.
Muharremi kishte ftue Fiqriun t’u hidhte në ilegalitet dhe të ndërmerrshin formimin e një grupi nacional tjetër (Muharremi, Fiqiriu, Gani Kryeziu, Hysni Dema, Riza Dani e ndonjë element tjetër i pakompromentuem, o më pak i kompromentuem).
Domethënë ripërsëritjen e grupit të vjetër antizogist me disa zëvendësime (grupi antizogist i vitit 1934: Muharrem Bajraktarit, Fiqri Dine, Hysni Dema, Maliq Bushati, Gjon Marku, Riza Dani, Sul Shehu, Faik Çuku etj.) Fiqriu nuk kishte pranue.
Ceni kishte vendosë me u dorëzue, me gjithë presionin e Muharremit. Flitej se Ceni kishte marrë dëmshpërblim nga gjermanët 75 000 napolona. Në promemorien e tij, Bajram Bajraktari thekson se pakënaqësia e Muharremit nga ky takim ishte e sinqertë dhe me vend sepse:
Në lodrën e grupeve kishte mbetur vetëm me Gani Kryeziun (kjo në dëm të tij personal). Në pikëpamje mâ të gjerë (komunizëm – nacionalizëm) të gjitha rrymat nacionaliste ishin transformuar në agjentura të thjeshta të Gestapos duke kompromentuar rëndë çdo iniciativë të ndershme në të ardhmen.
E vetmja kartë që u mbetej Muharremit e Ganisë moralisht e materialisht: Karta e Kosovës dhe me çue deri në fund të luftës marrëdhëniet me partizanët pa konflikt të armatosur.
Bajram Bajraktari evidenton se gjatë periudhës prill – gusht 1944, Muharremi ka patur marrëveshje me letra me Fiqri Dinen e me Hysni Demën (më tepër me këtë të fundit).
Duhet theksuar se kjo promemorie e Bajram Bajraktarit është dhënë në kushtet e dhunës fizike dhe terrorit psikologjik nga organet e sigurimit të shtetit.
Kapitullimi i Italisë dhe veprimet kundër zyrave qeveritare
Kapitullimi i Italisë fashiste u shoqërua me veprime kundër objekteve të administratës lokale në Kukës, në ditën e kapitullimit dhe dy ditët pasuese.
Më 17 shtator 1943, në Zyrën e Postëkomandës së Xhandarmërisë së Kukësit dhe në prezencën e kapiten Kol Zadrima, Komandant i Qarkut të Xhandarmërisë, kapiten Kamber Proda, Komandant i Rrethit të Xhandarmërisë, Ibrahim Myhtari, zëvendësisht kryetar i Zyrës Financiare të Kukësit, Kol Markgjergji, kryetar i komunës së Qendrës, e zëvendësisht kryesekretar i Prefekturës, të gjithë të mbledhur me detyrë kontrollin e krejt zyrave qeveritare të Qendrës së Kukësit.
U mbajt dhe procesverbali mbi gjendjen e përgjithshme të zyrave qeveritare të Prefekturës së Kukësit, rreth zhdukjes dhe shkatërrimit të akteve, regjistrave, mobilieve gjatë ngjarjeve të ndodhura më 9, 10 e 11 shtator 1943.
Nga kontrolli i bërë rezultoi:
1) Aktet, regjistrat, mobiljet e zyrave të prefekturës ishin zhdukur e shkatërruar krejtësisht.
2) Në zyrat e Komandës së Qarkut, Rrethit, Postës së Qendrës ishin shkatërruar pjesërisht aktet, regjistrat, mobiljet ashtu dhe materiali telefonik.
3) Zyrat e Financës së Kukësit ishin shkatërruar krejtësisht dhe zhdukur pjesërisht aktet, regjistrat e dosje të shumë çështjeve. Arka e hekurt e financës u gjet e paçelur, por ishte tentuar ta hapnin. Në arkë u gjetën 3 604 franga shqiptare.
4) Zyrat e Postëtelegrafës u gjetën krejtësisht të shkatërruara dhe një pjesë e akteve dhe regjistrave ishin zhdukur. Gjithashtu dhe materiali telegrafik si dhe aparatet ishin shkatërruar dhe ishin të pafunksionueshme.
5) Zyrat e Komunës së Qendrës u gjetën krejtësisht të shkatërruara dhe gjithë aktet e regjistrat e zhdukura dhe arka e vogël e saj u gjet e çelur.
6) Zyrat e Gjyqit të Paqit krejtësisht të shkatërruara me aktet e mobiljet e zhdukura.
7) Zyrat e Bujqësisë të shkatërruara dhe zhdukur krejtësisht si aktet, regjistrat dhe mobiljet.
8) Zyrat e Bujqësisë, Veterinarisë dhe Botore krejt të shkatërruara si regjistra, akte, materiale e mobilje.
Lidhja e besës në Qarkun e Kukësit
Paaftësia e pushtuesit italian për të garantuar rend dhe siguri në Shqipëri, shërbeu si nxitje për autoritetet shqiptare që administronin pushtet civil apo ushtarak që të propozonin si zgjidhje alternative lidhjen e besës sipas nënprefekturave dhe prefekturave, duke u bazuar në të drejtën zakonore shqiptare.
Ndërmjet të tjerave, me anën e komisioneve të besëlidhjes synohej edhe neutralizimi dhe izolimi i elementëve nacionalistë, të cilët po intensifikonin veprimtarinë e tyre kundër pushtuesit.
Por komisionet për “Besën” të krijuara pranë nënprefekturave të Mbretërisë Shqiptare nuk jepnin gjithkund rezultatet e mjaftueshme që priteshin, sepse atyre u mungonte pushteti për të aplikuar sanksione ndëshkimore kundrejt atyre që përmbushnin detyrimet e ndërmarra përsipër botërisht.
Për të përkrahur veprën e paqësimit të ndërmarrë prej komisioneve të “Besës”, Sekretaria e Përgjithshme e Mëkëmbësisë së Përgjithshme Mbretërore kërkoi më 28 gusht 1941 nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë që të shqyrtonin mundësinë që komisioneve të “Besës” t’u jepnin një mbështetje juridike me anën e një ligji.
Më të njëjtin ligj kërkohej dhënia e pushtetit këtyre komisioneve për të aplikuar po ato sanksione morale e materiale që parashiheshin prej dokeve e zakoneve të Malësisë kundër përgjegjësave që prishin “Besën” edhe kundër të afërmve të tyre.
Por kjo iniciativë ligjore nuk u vendos në prioritetet e këtyre dy dikastereve. Më 7 nëntor 1941, Prefektura e Kukësit njoftonte Ministrinë e Brendshme se lidhja e besës në vitin e kaluar ishte duke skaduar dhe se të besëlidhurit kishin filluar sipas zakonit të mbylleshin nëpër shtëpitë e tyre nga frika e hakmarrjes, duke lënë pezull punët e tyre të jashtme.
Me këtë rast, në qoftë se projekt ligji përkatës do vononte të dekretohej, Prefektura e Kukësit lutej që të autorizohej të procedonte në një lidhje bese tjetër, sipas zakonit të vendit. Marrja e kësaj iniciative ju autorizua katër ditë më pas.
Procesi i lidhjes së besës jo gjithmonë shkonte në harmoni me politikat e pushtuesit. Përveç kundërshtimeve të iniciativave të tilla nga personalitete me influencë, pati raste dhe të autoriteteve përkatëse politike apo shtetërore që nuk përkrahën apo sabotuan krijimin e këtyre komisioneve.
Më 12 janar 1942, Prefektura e Kukësit informonte Ministrinë e Brendshme se mësuesi i shkollës Vacaj (Nënprefektura e Lumës), Qamil Hoxha, i cili ishte dhe sekretar Politik i Partisë Fashiste, kishte propaganduar kundër lidhjes së besës dhe s’kishte lejuar asnjë prej fisit të tij në komisionin e pajtimeve.
I përmenduri konsiderohej “intrigant dhe i rrezikshëm për qetësinë e Rrethit të Lumës” dhe kërkohej transferimi i tij me shpejtësi. Reagimi i autoriteteve qendrore ishte i shpejtë.
Më 21 janar 1942, Drejtoria Politike dhe e Personelit, në Ministrinë e Brendshme, kërkoi nga Drejtoria Qendrore e Partisë Fashiste Shqiptare shkarkimin e Qamil Hoxhës nga detyra e sekretarit Politik që mbante.
Njëkohësisht u vu në dijeni për faktet Ministria e Arsimit dhe u kërkua që të dispononte transferimin e tij jashtë juridiksionit të Prefekturës së Kukësit, si element i padëshirueshëm.
Më 13 shkurt 1942, Ministria e Arsimit njoftoi Inspektorinë e Arsimit në Prizren se Qamil Hoxha, ngarkohej me shërbye si i tillë në Gjakovë dhe se duhej të nisej menjëherë në krye të detyrës.
Tre ditë më vonë Ministria e Brendshme informoi Prefekturën e Kukësit për këtë transferim.
Veprimtaria e arsimtarëve ishte objekt hetime nga autoritetet zyrtare edhe në periudhat e mëpasme.
Më 3 mars 1944, Zyra Politike e Ministrisë së Brendshme, me anë të një qarkoreje, kërkonte nga të gjitha prefekturat që të njoftonin sa më parë emrat e të gjithë arsimtarëve që akuzoheshin si elementë të rrezikshëm për interes kombëtar, duke shënuar dhe akuzat që rëndonin mbi ta.
Njëkohësisht, në një listë tjetër, kërkonte informacion për sjelljet morale e politike për të gjithë arsimtarët e tjerë. Pas një jave, komandanti i Rrethit Bicaj, kapiten Abdurrahman Guri, informoi Komandën e Qarkut të Xhandarmërisë së Kukësit se nga hetimet e bëra rregullisht rezultonte se nuk kishte patur ndryshime në personelin e arsimtarëve.
Nuk dispononin të dhëna se ata “ushtronin ideologji të rrezikshme në dëm të atdheut e të kombit mbarë”. Në informacion theksohet se “edhe pse në përgjithësi arsimtarët ishin të frymëzuar me ide liberale e demokratike, ata urrenin vëllavrasjen e aspironin një Shqipëni Etnike të drejtë, ishin admirues të qeverimit e të bindur”.