Dikur

Realitete shqiptare në Luftën e Dytë Botërore






               Publikuar në : 08:00 - 10/06/19 |
Nga Veli Haklaj

Nga Veli Haklaj


I.

Shqiptarët në Shqipërinë politike të 1913-ës dhe në trojet e tyre në Jugosllavi dhe Greqi, si dhe shqiptarët e diasporës nuk u pajtuan me politikat e pushtuesve fashisto-nazistë.

Mospajtimi dhe kundërshtimi ndaj pushtimit italian të Shqipërisë u shpreh me vazhdimin, në forma nga më të ndryshme, të qëndresës së nisur që më 7 prill 1939. Përpjekjet e ideologëve fashistë që të krijonin në popull idenë e rreme se “bashkimi” i Shqipërisë me Italinë shënonte një etapë të re në zhvillimin politiko-shoqëror dhe ekonomik të vendit hasën në rezistencën e patriotëve dhe atdhetarëve shqiptarë dhe të shtresave të ndryshme të popullit.

Për rrjedhojë, realiteti në Shqipëri konsiderohej më i ashpër nga sa e kishin menduar krerët e politikës italiane. Kjo u duk dhe në zhgënjimin që pësoi ministri i Jashtëm italian, Çiano, në vizitën e parë që bëri në Shqipëri. Siç shkruan në ditarin e tij, në sytë e përlotur të shqiptarëve ai mundi të shohë trishtimin që ata ndjenin për humbjen e pavarësisë.

Ngjarjet e prillit të vitit 1941, në verilindje të Shqipërisë, demonstratat e tetorit dhe nëntorit 1941, në qytetet kryesore të vendit, ishin një sinjal i fortë për krizën që po kalonte regjimi italian në Shqipëri. Ngjarjet që pasuan më pas, deri më 9 shtator 1943, janë shprehje e një niveli më të lartë të organizimit dhe mobilizimit të popullit shqiptar kundër pushtuesit italian.

II.

Reagime të forta për pushtimin e Shqipërisë pati dhe nga diaspora shqiptare, e vendosur me kohë e për shkaqe të ndryshme në vende të ndryshme në Evropë e ShBA. Shqetësimi për zhvillimet në Shqipëri u ndie para së gjithash në vendet fqinje të Ballkanit, ku, përveç popullsisë autoktone shqiptare, jetonin prej kohësh me mijëra emigrantë shqiptarë. Me pushtimin e vendit, atyre iu shtuan qindra emigrantë të tjerë, kryesisht politikë. Në Jugosllavi u vendos një numër i konsiderueshëm ushtarakësh, oficerë e ushtarë, ndër ta dhe disa personalitete të njohur nga Shqipëria Veriore. Një ndër personat më me influencë, gjakovari Gani Kryeziu, kishte marrë masat e duhura për organizimin e tyre, duke u plotësuar kërkesat më të domosdoshme dhe pati ndërhyrë në Beograd, në favor të trajtimit të tyre. Meqenëse shumica e këtyre të arratisurve politikë ishin mbështetës të Monarkisë, megjithëse ata ishin të kënaqur nga ndihma dhe të hollat që u jepte Ganiu, kishin dyshime te Kryezinjtë si armiq të Mbretit Zog. Në këto rrethana Gani Kryeziu, i motivuar nga interesi kombëtar, u sugjeroj autoriteteve britanike që për të fituar krejtësisht përkrahjen e tyre, duhej të sillnin nga Turqia Abaz Kupin, mbrojtësin e Durrësit dhe udhëheqësin më popullor të monarkistëve.

Ndërkohë, autoritetet jugosllave dhe ato greke kishin njohur pushtimin e Shqipërisë dhe u përpoqën të pengonin çdo organizim e veprim të emigrantëve shqiptarë. Masa më radikale ndërmori qeveria jugosllave, e cila mbylli dhe kufijtë për të mos lejuar mijëra shqiptarë të Kosovës, që u bënë gati të vinin në Shqipëri dhe t’i bashkoheshin qëndresës kundër pushtuesve italianë.

Me gjithë pengesat që nxirrnin autoritetet, emigrantë shqiptarë në Jugosllavi organizuan demonstrata të shumta proteste. Përpjekje për organizim demonstratash u bënë edhe në Greqi e Turqi. Mitingje e protesta kundër pushtimit të Shqipërisë pati dhe në Rumani dhe Bullgari, ku vepronin organizata mjaft aktive të shqiptarëve emigrantë. Duhet theksuar se në Turqi emigrantët shqiptarë kishin mbështetjen e autoriteteve, të cilat edhe pas pushtimit vazhdonin të njihnin regjimin e Zogut dhe ambasadën shqiptare në Stamboll. Një tjetër qendër e rëndësishme veprimi për emigrantët shqiptarë u bë Franca, ku kolonive të vjetra me emigrantë të ardhur prej kohësh iu shtuan dhe refugjatët politikë, që lanë vendin pas 7 prillit, duke çuar në gjallërimin e veprimtarisë së tyre.

Lëvizje të gjera dhe protesta të ndryshme të emigrantëve shqiptarë pati dhe në ShBA. Në qytete të ndryshme të Amerikës, si në Boston, në Çikago, në Nju Jork etj., u organizuan protesta dhe manifestime të shumta  kundër pushtimit italian të Shqipërisë, të cilat tërhoqën vëmendjen e opinionit publik dhe të shtypit amerikan.

III.

Në situatën e krijuar pas pushtimit italian, çështja e bashkimit të shqiptarëve doli në plan të parë si një preokupim e synim i përbashkët i diasporës shqiptare. Për këtë u angazhuan personalitete të njohura në diasporë si dhe shtypi që dilte në këto vende. Gazeta “Sazani” (Lion, Francë), në numrat e muajve prill–gusht 1939, shtronte nevojën e krijimit të një fronti të ri të përbashkët, në formën e një panfederate, ku do të bënin pjesë të gjithë shqiptarët jashtë atdheut.

Kërkesa për bashkimin e diasporës erdhi dhe nga Mbreti Zog. Në Stamboll ai hodhi idenë për thirrjen e një kongresi të përfaqësuesve të kolonive më në zë të diasporës, i cili do të merrte formën e parlamentit, që do të orientonte veprimin politik kombëtar të shqiptarëve jashtë atdheut. Por Fan Noli dhe Faik Konica qëndronin në pritje të rrjedhës së ngjarjeve dhe nuk u treguan të gatshëm që t’u përgjigjeshin nismave të Mbretit Zog. Zhvillimi i mëtejshëm i ngjarjeve, pushtimi i Francës dhe largimi i Zogut në Londër, në qershor 1940, bëri që të hiqej dorë nga ky projekt.

Ndërkohë, në maj 1939, në Paris, ishte zhvilluar një kongres antifashist me përfaqësues të grupimeve të ndryshme të emigracionit në Francë dhe nga vende të tjera. Kongresi krijoi “Federatën e Parisit”, e cila u njoh edhe nga qeveria franceze. Ajo veproi për një kohë të shkurtër, deri në pushtimin e Francës.

Por përpjekjet më serioze për organizim e bashkim u ndërmorën në radhët e shqiptarëve në Jugosllavi, ku pas pushtimit të Shqipërisë qenë vendosur mbi dy mijë refugjatë, kryesisht në zonat kufitare si dhe në Shkup e në rrethinat e tij. Ato çuan në krijimin e “Frontit të bashkuar të rezistencës shqiptare”, në të cilin bënin pjesë figura të njohura antifashiste si Gani Kryeziu, Mustafa Gjinishi, Abaz Kupi etj. Por e ndikuar nga kërcënimi i qeverisë italiane, qeveria jugosllave i shpërnguli emigrantët në vende të tjera, larg kufirit me Shqipërinë.

Me pushtimin e Greqisë e të Jugosllavisë dhe me shtrirjen e luftës në mbarë Evropën, roli i diasporës shqiptare në Ballkan u zvogëlua. Tani lufta dhe përpjekjet për krijimin e një fronti të bashkuar të shqiptarëve u vendosën kryesisht në Angli e në ShBA. Në Londër kishte një grup të vogël emigrantësh shqiptarë, por ai ishte i përçarë. Një segment i tij qe bashkuar rreth Zogut, megjithëse qeveria angleze dhe ajo amerikane nuk e njohën qeverinë e tij në mërgim. Segmenti tjetër, po në Londër, ishte grupi antizogist, republikan, i kryesuar nga Tajar Zavalani, që drejtonte emisionin shqip të BBC. Ai u përpoq të mbante kontakte me autoritetet, me qëllim që të siguronte mbështetjen e qeverisë angleze dhe amerikane për luftën e popullit shqiptar.

Qendra më e madhe dhe më e rëndësishme e diasporës shqiptare ishte komuniteti shqiptar në ShBA, i cili vepronte në dy organizata të fuqishme, në federatën “Vatra” dhe në organizatën “Shqipëria e Lirë”. Çështja e bashkimit të shqiptarëve u shtrua në kongresin e zhvilluar më 24 shtator 1939, në Nju Jork, ku Faik Konica, kryetar nderi i “Vatrës”, u shpreh se ishte i gatshëm të bënte çdo sakrificë për të bashkëpunuar me të gjithë shqiptarët, pa dallim, për të shpëtuar Shqipërinë. Ai informoi pjesëmarrësit për lidhjet që kishte pasur me letra e telegrame me Zogun dhe e bëri të qartë qëndrimin e tij e të “Vatrës” ndaj ish-mbretit. “Për sa kohë mbreti do të luftojë për lirinë e Shqipërisë, – theksonte ai, ne do ta mbështesim, përndryshe, për mëmëdheun ne do të luftojmë dhe pa të”. Por deri nga mesi i vitit 1941 federata “Vatra”, si dhe vetë Faik Konica e Fan Noli nuk arritën ndonjë marrëveshje konkrete me Zogun.

Ndërsa organizata demokratike “Shqipëria e Lirë”, themeluar në dhjetor 1941 nga shqiptarët republikanë në Londër dhe ShBA, kryetar i së cilës u zgjodh Kostë Çekrezi, pretendoi të luante rolin e një komiteti, që të përfaqësonte Shqipërinë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, për një kohë sa qeveria e Zogut ose ndonjë qeveri tjetër nuk do të njihej nga Fuqitë e Mëdha.

Me gjithë pozicionet dhe qëndrimet e njëjta për çështje thelbësore, organizata demokratike “Shqipëria e Lirë” dhe federata “Vatra” u përfshinë dhe në debate e në ballafaqime në mes tyre, sidomos për qëndrimin ndaj Zogut.

Përpjekjet për bashkimin e shqiptarëve që vepronin në përbërje të këtyre dy organizatave nuk patën sukses deri në mesin e vitit 1943. Arritja e bashkimit u trajtua si një çështje urgjente në Kuvendin e Dytë të organizatës “Shqipëria e Lirë”, zhvilluar në qershor 1943. Pjesëmarrësit mbështetën krijimin e një fronti kombëtar shqiptar dhe të një qeverie kombëtare në mërgim, qoftë dhe me Zogun në krye, derisa të formohej një qeveri në vend. Të dy organizatat ngritën dhe komisione bashkimi. Por në fillim të shtatorit 1943 marrëveshja u prish, ngaqë nuk u morën vesh për formën e organizimit të frontit dhe të qeverisë në mërgim. Ishte “Vatra” që e hodhi poshtë marrëveshjen. Fan Noli deklaroi se ishte tërhequr nga politika, por do të ishte gjithnji i gatshëm të bashkëpunonte në dobi të bashkimit.

Përpjekjet e të dyja organizatave për bashkërendimin e veprimeve vazhduan edhe më pas, por faktori shqiptar në emigracion rezultoi i vonuar dhe jo koherent në raport me realitetin konkret në Shqipërinë e pushtuar nga Italia dhe më pas nga Gjermania naziste. Mosmbështetja nga qarqet zyrtare britanike dhe amerikane të disa iniciativave të faktorit kryesor politik në emigracion, Mbretit Zog; krijimi i Frontit Nacionalçlirimtar në Konferencën e Pezës, në shtator 1942; mospranimi i Marrëveshjes së Mukjes nga krahu terrorist i Partisë Komuniste Shqiptare, përfaqësuar nga Enver Hoxha dhe tutorët e tij jugosllavë, Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha; shtimi i vrullshëm i radhëve të formacioneve partizane përgatitën terrenin për ngjarjet e mëvonshme që u finalizuan me vendosjen e regjimit komunist në Shqipërinë e çliruar nga pushtuesit.

IV.

Propaganda që përdori pushtuesi gjerman, se do të ndërtonte një shtet shqiptar “të pavarur” dhe “asnjanës”, qëndrimet e shpallura prej tyre për Kosovën dhe treva të tjera shqiptare në Ballkan, rreziku komunist i evidentuar dhe nëpërmes rritjes së shpejtë të Frontit Nacionalçlirimtar, ndikuan që forca politike dhe personalitete nacionaliste dhe antikomuniste në Shqipëri të mos ishin aktiv kundër gjermanëve, biles disa dhe të bashkëpunonin hapur me ta.

Në prag të kapitullimit italian, më 5 shtator 1943, i dërguari gjerman për juglindjen me seli në Beograd, Hermann Neubacher, thirri për bisedime Xhafer Devën të cilit, ndërmjet të tjerave, i premtoi shpalljen zyrtare me të cilën Gjermania do të njihte pavarësinë e shtetit shqiptar dhe vendosjen, për shkak të luftës, “formalisht në disa pika strategjike të Shqipërisë” të një pranie ushtarake gjermane, duke premtuar tërheqjen e tyre të plotë me mbarimin e luftës. Në zbatim të kësaj politike, Komiteti Ekzekutiv i Përkohshëm që ushtroi pushtetin ekzekutiv në Shqipëri, në periudhën 14 shtator – 4 nëntor 1943, preu të gjitha lidhjet që buronin nga i ashtuquajturi “Bashkim personal” i Shqipërisë me Italinë, duke synuar në radhë të parë pavarësinë e shtetit dhe krijimin e institucioneve të pavarura. Kuvendi Kombëtar i dalë nga zgjedhjet e 1 tetorit, më 22 tetor 1944, miratoi dhe dekretoi shfuqizimin e vendimeve të Asamblesë së 12 prillit 1939, e cila kishte “votuar” për “bashkimin personal” midis Shqipërisë dhe Italisë.

Ky vendim konsiderohej si një rikthim në pavarësinë e humbur gjatë pushtimit italian. Nëse Fronti dhe Ushtria Nacionalçlirimtare nuk u ndikuan nga kjo propagandë e pushtuesit, nacionalistët e grumbulluar në organizatën e Ballit Kombëtar u ndanë në dy grupe. Një pjesë pranoi të hynte në administratën e qeverisë së krijuar nga gjermanët, nën kryesimin e Rexhep Mitrovicës, ndërsa pjesa tjetër formalisht u distancue prej saj, me qëllim që të ruante dhe të forconte çetat e krijuara deri atëherë, duke shmangur ballafaqimin e armatosur me ushtrinë gjermane. Që më 7 tetor 1943, kreu i Ballit Kombëtar Mithat Frashëri urdhëroi ndalimin e çdo veprimi të armatosur kundër ushtrisë gjermane. Forcat balliste iu bindën këtij urdhri.

Në kushtet e reja të krijuara në muajt e parë të pushtimit gjerman, më 3 nëntor 1943, Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Shqiptare lëshoi direktivën për t’i shkatërruar me armë organizatat dhe forcat e armatosura jashtë Frontit Nacionalçlirimtar. Nga ana tjetër edhe Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar në fletë volanten e nëntorit 1943, kërkonte që “tradhëtarëve” të Ballit Kombëtar, të Legalitetit etj., “grushti ynë t’u bjerë në kokë pa mëshirë”.

Si rrjedhim Shtabi i Përgjithshëm u dha urdhër shtabeve të qarqeve dhe komandave të brigadave të spastronin zonat e çliruara nga çdo forcë reaksionare dhe të godisnin çetat balliste kudo që të ndodheshin, njësoj si forcat pushtuese e ato kuislinge.

Në këto rrethana, nga fundi i vitit 1943 dhe në fillim të vitit 1944 krerët e Ballit hynë në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me komandën e ushtrisë gjermane dhe pranuan që t’i mbështetnin ata në luftimet kundër forcave partizane.

Që pas mbledhjes së Mukjes, në gusht 1943, Balli Kombëtar i kishte organizuar formacionet ushtarake në dy komanda zonash: njëra në jug me komandant Hysni Lepenicën (pas vrasjes së H. Lepenicës, vendin e tij e zuri Aziz Çami) dhe nënkomandant Fehim Çarçani dhe tjetra në veri e zgjedhur në mbledhjen e Lurës, më 27 gusht 1943. Komanda e jugut përbëhej nga komandantët Ihsan Hydi (për Elbasanin), Jani Dilo  (për Korçën), Neshat Kolonja (për Gjirokastrën) dhe Rauf Fratari (për Beratin).

Më 2 – 4 janar 1944, ballistët mbajtën një kongres në Berat, ku zgjodhën një Komitet të ri Qendror të përbërë nga Mithat Frashëri, Ali Këlcyra, Skënder Muço, Abaz Ermenji, Kadri Cakrani, Koço Muka dhe Zef Pali.

Nga burimet e shumta arkivore, rezulton se lufta me armë që shpërtheu në vjeshtën e vitit 1943 midis Frontit dhe Ushtrisë Nacionalçlirimtare, nga njëra anë, dhe krahut nacionalist dhe antikomunist, nga ana tjetër ishte shumë e ashpër, për jetë a për vdekje. Kjo situatë u reflektua dhe në fjalën e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Shtetit, Mehdi Frashëri, me rastin e vitit të ri, i cili do theksonte: “… Na Shqipnin e gjetëm në këtë situatë dhe muerëm detyrën për me shpëtue popullin nga kuçedra e pamëshirshme e komunizmit dhe e cergës së saj Nacionalçlirimtare, e cila solli vllavrasjen dhe rrënimim e vendit …”

Dinamika e ngjarjeve gjatë vitit 1944 u karakterizua më përplasje të ashpra dhe të përgjakshme. Kur gjenerali Uillson, komandant i Shtabit Aleat të Mesdheut i kërkonte Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare të pushonte Luftën Civile, domethënë luftën kundër Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, kjo komandë, më 12 korrik 1944, do i përgjigjej: “Grindje të brendshme në Shqipëri dhe ca më pak luftë civile nuk ka. Ka vetëm grindje dhe një luftë: luftë kundër okupatorit në radhë të parë dhe kundër veglave të tij tradhëtare”.

Për këto “vegla tradhëtare”, një njohës i mirë i Shqipërisë dhe shqiptarëve, Dayrell Oakley-Hill, i cili bashkëpunoi me shumë nacionalistë dhe antikomunistë shqiptarë gjatë Mbretërisë së Zogut dhe në vitet e para të pushtimit italian, do shprehej: “Unë kam njohur kaq shumë shqiptarë, unë kam punuar me kaq shumë prej tyre dhe kam pasur shumë miq mes tyre; dhe nuk ka asnjë nga ata që nuk do të thoshte “Unë jam një shqiptar, ju duhet të merrni jetën time para se të merrni vendin tim””.

Më tej, Dayrell Oakley-Hill, në librin e tij Një anglez në Shqipëri (Koçi”, Tiranë, 2006), thekson: “Të dhjetë vitet që ne (oficerët britanikë, këshilltarë për Armën e Xhandarmërisë në Shqipëri-V.H.) kishim ndihmuar Zogun për të mbajtur paqen dhe ruajtur rendin përbënin një hapësirë frymëmarrjeje që me gjithë hijen fashiste u dha mundësi shqiptarëve të shkundeshin dhe të ndërgjegjësoheshin më tepër për unitet dhe pavarësi, gjë që ata nuk e kanë patur për një kohë shumë të gjatë. Ishte pikërisht kjo ndjenjë e përtërirë krenarie kombëtare mbi të cilën u ndërtua fryma e rezistencës dhe u rrit gjatë luftës, ajo që u shkaktoi dhimbje koke fillimisht divizioneve fashiste dhe më vonë atyre gjermane. Është turp që kjo frymë u lejua të shfrytëzohej nga udhëheqësit e lëvizjes ilegale komuniste që gënjyen kaq shqiptarë të thjeshtë duke i bërë të besojnë që kjo ishte një lëvizje nacional-çlirimtare e vërtetë. Ky mashtrim fatkeqësisht arriti deri në Londër që i mbështeti ata me ndihma, në vend që t’ua jepte paratë atdhetarëve të vërtetë si Abaz Kupi dhe Mit’hat Frashëri. Përfundimi qe ardhja e komunistëve në pushtet në vitin 1944, asgjësimi i brezit të vjetër të atdhetarëve dhe rritja e një brezi të ri që nuk dinin asgjë për botën e jashtme përveçse asaj  që mbikëqyrësit e tyre të rreptë zgjodhën për t’iu treguar”.

V.

Në një seri dosierësh të tjerë, që do të publikohen periodikisht gjatë periudhës qershor – nëntor 2019 në faqet e gazetës “Mapo”, do të shpalosim për lexuesin aspekte të këtij realiteti të dhimbshëm dhe me shumë pasoja për fatet e shqiptarëve në Shqipëri dhe në trojet e tyre në shtetet fqinje, Jugosllavi dhe Greqi. Për këto publikime do të bazohemi kryesisht në dokumentet e administruara në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar, një pjesë e të cilëve publikohen për herë të parë. Këto publikime përkojnë me 75 vjetorin e çlirimit të vendit tonë nga pushtuesit nazifashistë dhe vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri.

B u r i m e t:

Bashkimi i Kombit”, 1 janar 1944.

Dayrell Oakley-Hill, Një anglez në Shqipëri, “Koçi”, 2006.

Dokumente të organeve të larta të pushtetit revolucionar nacionalçlirimtar, 1942-1944, Tiranë 1962.

Enver Hoxha, Vepra, vëllimi 2, Tiranë, 1984.

Historia e popullit shqiptar IV, “Toena”, Tiranë 2008.

Julian Amery, Bijtë e shqipes, “Lumo Skëndo”, Tiranë, 2002

Kastriot Dervishi, Historia e shtetit shqiptar 1912 – 2005, “55”, Tiranë, 2006.

Organizatat Balli Kombëtar e Legaliteti, Tiranë, 1950.

PPSh, Dokumente kryesore I, Tiranë, 1971.

Sazani”, prill-gusht 1939.

Shyqyri Ballvora, Zhvillimet politike në periudhën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, “Dituria”, 2004.

 


Etiketa: , , ,

KOMENTO (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

  1. Me sa dime “bashkim personal” i dy shteteve quhet kur mbreti i nje shteti martohet me mbretereshen e shtetit tjeter. Shembu eshte krijimi i Perandorise Austro-Hungareze. I cili u simbolizua edhe me shqiponjen dy krereshe. Forma e kesaj shqiponje e vendosur ne flamurin tone kombetar u suall ne Shqiperi, Ne Vlore, prej Spiridon Ilo, bashkepjestar i dergates te Bukureshtit qe shoqeroi udhetimin e Ismail Qemalit nga Bukureshti ne Vjene e me pas ne Itali, Shqiperi, Durres dhe se fundmi ne Vlore ku uu be flamuri i pare zyrtar i Shtetit shqiptar qe u ngrit diten e 28 nentorit 1912 ne Vlore. “bashkimi” qe u be me italine me duket se quhet “bashkim real”. Sidoqofte kjo nuk i ul vlerat e shkrimit.

    Përgjigju ↓
CLOSE
CLOSE
Pas