Dikur

Realitete shqiptare në Qarkun e Beratit gjatë pushtimit gjerman (II)







               Publikuar në : 17:43 - 07/08/19 |
Nga Veli Haklaj

Nga Veli Haklaj


VIJON NGA NUMRI I DJESHEM

  1. Luftime me fuqitë komuniste në zonat rreth Beratit

Bazuar në njoftimet e Qarkkomandës së Beratit, më 31 mars 1944, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë informoi Ministrinë e Punëve të Brendshme se më 30 mars 1944, në orën 3.00, fuqitë nacionaliste në bashkëpunim me gjermanët, të ndihmuar me artileri, mësynë dhe thyen fuqitë komuniste në lindje dhe perëndim të Beratit. Vazhdonin ndjekjet. Sipas informacionit, rezulton se në këtë operacion bënin pjesë edhe 60 vetë të xhandarmërisë të marrun nga Rrethi i Lushnjës dhe i Fierit, të komanduar prej toger Asllan Mersinit dhe aspirant Muzejen Kapllanit. Deri në momentin e njoftimit nuk ishin konstatue dëme në fuqitë nacionaliste dhe të xhandarmërisë.

Kurse paraditën e datës 13 korrik 1944, zëvendësisht prefekti i Beratit, Teki Xhindi, informoi Ministrinë e Punëve të Brendshme se më 12 korrik Isa Manastiri, bashkë me disa gjermanë, luftuan në Qafën e Sqapurit mëse shtatë orë me fuqitë komuniste, ku mbeti i vrarë togeri Bahtiar Zhesti. Nuk disponohej informacion për humbjet në krahun e komunistëve. Fuqitë e Isait u thyen dhe shkuan në Lushnjë. Qafa e Sqapurit dhe rruga nga Ujët e Ftohtë deri te Ura e Kuçit mbetën në duart e komunistëve.

Prefekti Xhindi theksonte së në qoftë se kjo rrugë nuk do hapej brenda ditës prej ndonjë force gjermane, komunikacioni do qëndronte i prerë dhe mund të hidhej në erë Ura e Kuçit. Ndërkohë, në informacion situata përshkruhet shumë e rënduar, morali i ushtarëve shumë i ulët, municioni mungonte, kishte dezertime ndër ushtarët. Për të shpëtuar nga rrethimi vlerësohej e domosdoshme dërgimi i një fuqie luftuese. “Sidoqë rrethimi po ngushtohet”, përfundonte prefekti Xhindi, “gjithnjë kemi vendosur të qëndrojmë deri në ushtarin e fundit”.

  1. Kundërshti të Xhandarmërisë me Organizatën e Ballit Kombëtar në Berat

Sipas informacionit zyrtar që zëvendësisht komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, kolonel Tahsin Bishqemi, i drejton më 12 korrik 1944 Zyrës Politike, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, rezulton se vazhdimisht Xhandarmëria dhe Komanda e Operacionit nuk shkonin në harmoni veprimesh dhe bashkëpunimi me Organizatën e Ballit Kombëtar në Berat, nevojë kjo që vlerësohej e domosdoshme në gjendjen e krijuar.

Nga konstatimet e Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë “vërtetohej jashtë çdo dyshimi se shkaku i pakënaqësive ishin drejtuesit e Organizatës së Ballit”, të cilët, sikur të mos ekzistonte atje një qeveri lokale me të gjitha organet që e përbëjnë, e shtrinte aktivitetin përtej përkufizimeve si parti politike, ndoshta jo me qëllim të keq, porse kjo bënte që organet qeveritare dhe Komanda e Operacionit të mos kishte aspak lirinë e duhur të përmbushin detyrat e kompetencës së tyre.

Në informacionin e kolonel Tahsin Bishqemi, konstatohet se Xhandarmëria e Beratit e komanduar prej kapiten i I-rë Pjetër Gurakuqit, si komandant i qarkut që karakterizohej me kulturë e vullnet për punë, po gjindej në pengime të gjithënjishme në plotësimin e detyrës; njëherit shikohej të shterrnin në Berat edhe degët e tjera shtetërore, pse xhandarmëria do t’i ndihmonte ato të përmbushnin funksionet e tyre.

Kapiten i I-rë Pjetër Gurakuqi ishte i ngarkuar edhe me komandën e operacionit në Qarkun e Beratit; si i tillë kishte përgjegjësi të veçantë në ndjekje dhe operacionet që kryheshin. Prandaj si rrjedhim, theksohej në informacion, të gjitha fuqitë ushtarake dhe ato vullnetare të Organizatës së Ballit duhej të ishin nën mbikëqyrjen dhe drejtimin e tij, natyrisht duke u këshilluar, ndihmuar e bashkëvepruar me eksponentët e Ballit. Por rezultonte se këta të fundit nuk i ndiqnin këto drejtime, që vlerësohej se kishin me dhënë frytin e dëshiruar, por vepronin për hesapin e tyre: arrestonin njerëz, ekzekutonin dhe lironin duke qenë vetëm ata arbitër, ndërsa Qeveria dhe Komanda e Operacionit, që ju përkiste të zbatonin ligjet, duhej të rrinin inaktivë.

“Në qoftë se në Tiranë do ekzekutoheshin njerëz në qytet e nëpër rrugë nga partitë politike, ku kishte me mbetë autoriteti i qeverisë?”, pyeste kolonel Bishqemi.

Sipas këtij informacioni, vullnetarët e Ballit, të frymëzuar nga komanda e tyre, kishin arritë deri të çarmatosnin xhandarët kur kryenin detyrën e tyre, vepër që gjithkujt i jepte përshtypjen se nuk kishte qeveri dhe pikërisht këtë ja kishte thënë drejtpërsëdrejti komandanti i Ballit komandantit të Qarkut të Beratit.

Komanda e Qarkut evidentonte nevojën të rekrutonte xhandarë nga elementë nacionalistë. Në këtë kuadër i ishin paraqitur një numër kandidatësh, por Organizata e Ballit i kishte ndaluar për të vetmen arsye se e konsideronin këtë sikur do t’ju merrej fuqia nga dora.

Gjithashtu, organet financiare kishin nevojë të mbledhnin taksa sipas ligjeve, mirëpo bashkëdhënësit i paguanin taksa mbi taksa Organizatës së Ballit. Prefekti, si autoritet politik që mund të zhdute këto veprime, nuk përfillej fare prej kujt dhe rrinte inaktiv.

Në vijim të informacionit, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë theksonte se nuk kishte për qëllim që Komanda e Ballit të mos vepronte në interes të nacionalzimit dhe kundër atyre me tendenca dëmprurëse, përkundrazi ishte që interesi i përgjithshëm të veprojë, por jo  në mënyrë që qeveria të mbetej vetëm figurë. Për këtë vlerësohej nevojë imperative ndalimi i veprave arbitrare, si dhe bashkëpunimi për qëllimin e përbashkët, me argumentin se “populli, tue pa këtë gjendje, nuk din ku të mbështetin shpresën dhe të japin ndihmën e tij, [dhe] mâ shumë ftohet ndaj qeverisë dhe partisë” [Ballit Kombëtar].

Duke përfunduar informacionin, kolonel Tahsin Bishqemi lutej që të bëhej çka shihej e aryeshme “që të zhdukeshin veprimet kësodore në mënyrë që xhandarmëria, Komanda e Operacionit dhe autoriteti politik i vendit (Balli Kombëtar) të loznin rolin si autoritet që përmbush atributat që u ishin caktue, përndryshe âsht e kotë të ekzistojnë”.

  1. Kontradikta ndërmjet krerëve të Ballit Kombëtar në Berat

Në pranverë-verën e vitit 1944, ndërmjet disa eksponentëve të Ballit Kombëtar në Berat ishin shfaqur probleme që kishin ndikuar në harmoninë në mesin e tyre. Për këtë hedh dritë dhe teli shifër rezervat i datë 3 gusht 1944, i zëvëndësisht komandantit të Zonës së Operacionit të Beratit, kapiten I-rë Gani Jashari, drejtuar Komandës së Përgjithshme të Operacionit, në Elbasan dhe Tiranë. Për zgjidhjen e këtyre raporteve jo pozitive disa mujore ndërmjet këtyre eksponentëve ishin bërë mbledhje të ndryshme në Lushnjë dhe Berat. Me ndërhyrjen e kryetarit të Komitetit Qendror të Ballit, z. Mithat Frashëri, këtyre disharamonive ju dha fund dhe gjithçka dukej se u rregullue me një riorganizim, duke caktuar si komandant të fuqive po vullnetare Kadri Cakranin dhe si kryetar Shtabi Abaz Ermenjin, nënkryetar major Ali Çaushi e anëtarë kapiten Qazim Gjakova, Mehmet Alltuni, Eqrem Peshkopija dhe Musa Kranja.

Këto kontradikta patën ndikim dhe në organizimin e mbrojtjes së Beratit nga ofensiva e forcave komuniste. Nga informacioni Rezervat i Posaçëm i datës 5 gusht 1944, që Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë i drejton Ministrisë së Punëve të Brendshme, mësojmë për një mbledhje të bërë në Berat prej komandantëve të Xhandarmërisë, oficerëve gjermanë dhe komandantëve të Ballit Kombëtar, për një koordinim veprimi dhe masash për mbrojtjen e Beratit, për arsye se komandantët e Ballit nuk kishin qenë dhe nuk ishin dakord me njëri-tjetrin, çka kishte shkaktuar dështimin e masave për këtë qëllim e çdo veprim tjetër.

Nisur nga gjendja e krijuar, Qarkomanda e Beratit kërkonte me urgjencë që të ndërmjetësohej pranë kryetarit të Organizatës së Ballit Kombëtar, në Tiranë, “që të urdhëronte dërgimin atje të një përfaqësuesi influent për rregullimin e komandantëve të Ballit ndërmjet shoqi-shoqit, në mënyrë që të kishte efekt bashkëpunimi dhe mbrojtja e Beratit ose veprimi kundër komunistëve”.

Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë shtonte në këtë informim se, nëse nuk ndërhyhej, “dita–ditës, më kësi çregullimesh, disakordesh e kaosin që mbretëron në fuqitë nacionaliste, po i jepet rast e armë në favor të komunistave”.

  1. Gjendja e fuqive të Ballit Kombëtar në Fier

Në një letër të datës 15 mars 1944, komandanti i Regjimentit të Ballit Kombëtar, Tefik Sfiri, informon Komitetin Krahinor të Ballit Kombëtar, në Fier, se në kohët e fundit komanda e Regjimentit ndodhej në një gjendje shumë të ngushtë për përballimin e mbajtjen në këmbë të ushtrisë që vepronte në fronte të ndryshme për revolucionin që ai e konsideron kombëtar. Tefik Sfiri e shihte të domosdoshme që pjesa kapitaliste edhe tregtarët e qytetit të Fierit të ngarkoheshin me një kontribut të ri, për vitin 1944, i cili të ishte i mjaftueshëm edhe i arsyeshëm për nevojat e fuqive të Ballit Kombëtar, si dhe për gjendjen financiare të atyre që do të kontribuonin.

Në vijim të letrës, Tefik Sfiri, paraqet këto argumente për nevojën e këtij veprimi:

“Tue marrë parasysh gjendjen kritike që ndodhet sot atdheu i jonë duhet t’i jepet të kuptojë çdo bashkëatdhetari se pasunija pa atdhe nuk vlen. Edhe në qoftë se ndonjë individ mbron më shumë kapitalin se atdhenë, ai âsht tradhëtarë e të dënohet si i tillë: Atdheu para të gjithave thotë fjala e urtë.

Zotni të Komitetit, detyra juaj âsht shumë e rândë, por duhet ta dini se sot jemi në rrezikun mâ të madh që historia jonë kombëtare ka pasë edhe lusim që mos ta shohim kurrë.

Prandaj, qysh sot t’i viheni punës me mish e me shpirt me të gjitha mjetet që keni në dispozicion, se ky kontribut do të jetë mjeti që do të mbajë në këmbë revolucionin tonë kombëtar, i cili do të jetë shpëtimtar për atdheun tonë të mjerë që pret shpëtim vetëm nga neve.

Neve e mbrojmë kapitalin privat meqë e dimë që gjithë pasunitë private në kohë rreziku bëjnë pasunin e madhe kombëtare; prandaj, në qoftë se ndonjë person e konservon pasuninë e tij me xhelozi edhe se përdor për interesa kombëtare, atëherë edhe e shkatërrojmë.

Ja sot âsht në rrezik atdheu, ja kurrë, prandaj duhet ta shpëtojmë dhe âsht detyrë e çdo qytetari që vullnetarisht të ndihmojë për të pa qenë nevoja e imponimit.

Ju përshëndesim shqyptarisht, tue prit shpejt mbarimin e detyrës tuaj.”

  1. Problemet me administrimin e të dhjetave

Më 10 korrik 1944, Zyra e Financës Fier informoi Ministrinë e Financave se Organizata e Ballit Kombëtar u kishte kërkuar listat e shitjeve të të dhjetave dhe të të tretave, si dhe listën e katundeve të pashituna, duke i njoftuar se “këto do t’i frytëzojë dhe do t’i përfitojë vetë”. Duke u informue mbi këto veprime, dhjetarët kërkonin kthimin e depozitave të garancisë.

Lidhur me këtë zhvillim të ri, më 14 korrik 1944, Ministria e Financave informoi Ministrinë e Brendshme, Këshillin e Naltë dhe Kryesinë e Këshillit të Ministrave, duke evidentuar se kjo kërkesë e Organizatës së Ballit Kombëtar të Fierit kishte shkaktuar një alarm ndër dhjetarët, të cilët po shpejtonin me kërkue kthimin e garancive që kishin depozituar për këtë sipërmarrje.

Ministria e Financave theksonte se një vepër e tillë, përveçse ishte në dëm të arkës së shtetit, njëkohësisht cenonte edhe autoritetin e shtetit dhe kërkonte nga Ministria e Brendshme që të dispononte urdhëra telegrafike urgjente pranë nënprefekturës dhe komandës së xhandarmërisë së Fierit për të ndaluar Organizatën e Ballit të bënin ndërhyrje të tilla e në çështje që ishin në kompetenca ekskluzive të shtetit.

Faktikisht kjo situatë vërehej në tërë Qarkun e Beratit. Më 11 korrik 1944, prefekti i Beratit, Teki Xhindi, informoi Ministrinë e Brendshme se të dhjetat e rretheve të Fierit dhe Lushnjës ishin shitur, kurse ato të Beratit jo, sepse organizata e Ballit Kombëtar kishte filluar të mblidhte të dhjetat për llogarinë e saj. Gjithashtu, në rrethet e nënprefekturave të Fierit dhe Lushnjës organizata e Ballit Kombëtar po mblidhte të dhjetën. Në pyetjen që prefekti Xhindi u kishte bërë Organizatës së Ballit rreth kësaj çështjeje, ata ishin përgjigjur se kishin marrë autorizim prej Këshillit të Naltë të mbledhnin të dhjetën për ushqimin e vullnetarëve të tyre.

Në rast se çështja do qëndronte në këtë mënyrë, prefekti Xhindi lutej të demarshohej për zhvlerësimin e ligjit të të dhjetave për qarkun e Beratit, mbasi nuk shihej e arsyeshme që të mbetej në fuqi.

Në përgjigjen me telegram urgjent të datë 15 korrik 1944, Ministria e Brendshme urdhëron Prefekturën e Beratit që ligji i të dhjetave të zbatohej me çdo kusht. “Kushdo që pengon zbatimin e ligjës duhet të njoftohet se do të konsiderohet shkelës i ligjit dhe i të drejtve të shtetit e do të trajtohet si i tillë”, theksohej në telegram.

Në vijim të korespondencës për çështjen e të dhjetave, më 23 korrik 1944, Prefekti i Beratit Teki Xhindi informoi Ministrinë e Brendshme se Komanda e Fuqive Vullnetare i kishte njoftuar më 8 korrik se duke qenë e shtrënguar për ushqimin e përditshëm të trupave të saj, kishte vjelë dhe do vazhdonte të vilte të dhjetat. Ndalimi i këtyre veprimeve me përdorimin e forcës qeveritare dukej i paarsyeshëm, mbasi do provokohej një dizharmoni midis dy fuqive, të cilat duhej të ishin të bashkuara e të lidhura ngushtë, pasi kjo konsiderohej e vetmja rrugë për të arritur qëllimin kryesor, që ishte shtypja e terrorit komunist. Për ndalimin e vjeljes së të dhjetës, prefektura e Beratit ishte e mendimit që të bisedohej direkt me kryetarin e Komitetit Qendror të Organizatës së Ballit, z. Mithat Frashëri, ose të krijoheshin nga Komanda e Mbrojtjes Kombëtare.

Megjithëse më 23 korrik, zëvëndësisht ministri i Brendshëm Fiqri Dine kërkonte nga Prefektura e Beratit që “në marrëveshje me Komandën e Ballit e tue mos shkaktue konflikt me armë të ndaloni veprimin deri në urdhën të dytë”, duket se ky problem nuk mori zgjidhje. Sipas informacionit të zëvëndësisht prefektit të Beratit, kapiten I-rë Pjetër Gurakuqi, drejtuar Ministrisë së Brendshme (protokolluar në këtë ministri me 12 gusht 1944), rezulton se Organizata e Ballit Kombëtar të Fierit kishte tërhequr përdhunisht një shumë prej njëzetë mijë franga shqiptare nga Bashkia e Fierit. Nga përmbajtja e shkresës së Nënprefekturës së Fierit, kuptohet se këtë shumë fuqitë e Ballit kërkonin me e tërheqë për çdo muaj. Kuptohet që Bashkia e Fierit nuk kishte mundur të refuzonte dhënjen e të hollave, duke qenë nëpunësit e saj të kërcënuar me armë nga pjestarët e Organizatës së Ballit.

Lidhur me këto ngjarje, Prefektura e Beratit kërkonte nga Ministria e Brendshme disponimin e urdhërave që të mos bëhej më asnjë pagim dhe njëkohësisht lutej të ndërmjetësohej ku duhej për të ndaluar këtë veprim ilegal të Ballit, si dhe t’i detyronte t’i kthenin Bashkisë së Fierit shumën e të hollave që kishte tërhequr.

Por vjelja e të dhjetave nga populli vijonte. Me telegram rezervat të datës 5 shtator 1944, nënprefekti i Fierit, Zef Pepaj, informoi Ministrinë e Brendshme se major Besim Belishova me pak ushtarë të tij arbitrarisht po mblidhte të dhjetat dhe vjelte taksa në popullin e Fierit. Këto vepra shtonin dëshpërimin në popull, prandaj nënprefekti Pepaj kërkonte largimin e B. Belishovës nga Fieri, mbasi qëndrimi i tij ishte i dëmshëm.

I njëjti shqetësim për majorin kreshnik të Fuqive Vullnetare Besim Belishova iu paraqit Ministrisë së Brendshme edhe nga Komanda e Përgjithshmë e Xhandarmërisë, e cila lutej  që të intervenohej për tërheqjen e kësaj fuqie Vullnetare në Kavajë, ku ishin grumbulluar edhe fuqi të tjera vullnetare.

  1. Bilanci i mësymjes së Fierit nga fuqitë komuniste

Bazuar në njoftimet e Rrethkomandës së Fierit, më 31 gusht 1944, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë informoi Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Komandën e Përgjithshme të Fuqive Vepruese, në Tiranë, se një fuqi komuniste më se një mijë vetë, labë dhe mallakastriotë, kishte mësy Fierin. Luftimi ishte zhvilluar prej fuqisë gjermane dhe xhandarmërisë së vendit. Në vendet e mësymjes u gjetën 16 të vrarë, midis tyre një vajzë. Veç këtyre, kishin kaluar në Belishovë edhe 35 të plagosur. Komunistët kishin marrë me vete personelin e spitalit të Ballit, katër murgesha, një doktor dhe priftin italian Danel, të gjithë italianë, dhe një infermier shqiptarë. Gjithashtu, komunistët kishin djegur autoveturën e major Besim Belishovës dhe portën e shtëpisë ku ky banonte. Më vonë, katër murgeshat dhe prifti u lanë të lirë.

  1. Gjendja në Rrethin e Lushnjës

Më 15 mars 1944, zëvëndësisht nënprefekti i Lushnjës Asllan Mersini, informoi Ministrinë e Punëve të Brendshme se kishte gati tre javë që Komanda e Ballit Kombëtar Lushnjë kishte armatosur rininë e vendit, pjesa më e madhe e të cilëve ishte nga 17 vjeç e poshtë e jo në mundësi që të përdornin armët. Nga verifikimet e kryera, rezultonte se e njëjta rini kishte qenë me çetat partizane (komuniste) deri vonë e tani Balli i Lushnjës nuk mjaftoi që t’i falin për me ndejtë ndër shtëpitë e tyre, por edhe i kishte armatosur duke i detyruar që të bënin shërbim në pjacë si kontrollues makinash etj. Pra makinave dhe pasagjerëve nuk u mjaftonte kontrolli i xhandarmërisë në hyrje e në dalje të qytetit, por duhej të pësonin edhe kontrollin e rinisë në pjacë të cilët, sipas nënprefektit Mersini, “ishin vetëm një grumbull çilimijsh e nga që nuk dinin me përdorë armët dhe rândësinë e tyne, rrinë e i zbrazin nëpër qytet, gjâ që mund të provokojë ndonjë dâm”. Nënprefektura e Lushnjës kërkonte nga Ministria e Brendshme që të bënte ndërhyrjet e duhura dhe t’i jepnin urdhër Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar që të ndaloheshin të tilla vepra, aq më tepër se kishin bërë përshtypje të keqe në popull dhe në gjermanët që gjendeshin në Lushnjë.

Për këtë problem Ministrisë së Punëve të Brendshme iu drejtua edhe Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, kolonel Hysni Dema, i cili pas relatimit të ngjarjes theksonte se “Xhandarmëria pranon me kënaqësi ndihmë nga elementë nacionalistë për të kryer shërbimin e saj, por jo të ndërhyhet në mënyrë që të ulet poshtë prestigji i xhandarmërisë”.

Në raportimin e datës 7 prill 1944, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë informoi Ministrinë e Brendshme se kjo Komandë, me qëllim ruajtjen e prestigjit qeveritar dhe njëherit me zhdukë përshtypjen e dobët në popullin e Nënprefekturës së Lushnjës, kishte urdhëruar rrethkomandën e atjeshme të ndalonte absolutisht mbledhjen e ndihmave të çdo lloji nga popullsia, deri sa ato ndihma të mos jenë të lejueshme me një ligj ose dekret të autoriteteve të larta shtetërore, ose të jenë nga llojet e ndihmave që lejon rregullorja e ndihmave në fuqi. Këto vepra arbitrare nga Organizata e Ballit Kombëtar në dëm të popullsisë dhe të prestigjit dhe të autoritetit shtetëror, kishin ndodhun aty-këtu të shpeshta. Populli i kuptonte dhe i komentonte patjetër si dobësi të Qeverisë.

Njëherësh me raportimin e këtyre problematikave, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë i propozonte Ministrisë së Brendshme që t’u jepej një urdhër prefekturave e njëherit të njoftohet kjo Komandë mbi qëndrimin që duhej mbajtur në këto raste, “që kështu të mos ekspozohej keq xhandarmëria në sy të publikut, si e shtangun dhe e pazonja të jetë e lirë dhe të veprojë”. Në ato vende ku për arsye shtetërore xhandarmëria nuk do të ishte e lirë të ushtronte detyrat e saj, “do të ishte më mirë të mos ekzistonte fare, se sa të jetë për formë e vetëm për diskretitim”.

Po kështu, Organizata e Ballit Kombëtar në Rrethin e Lushnjës i kishte kërkuar popullatës së asaj nënprefekture një ndihmë prej 130 mijë franga shqiptare, çka i kishte detyruar  bujqit të japin misër, të cilin po e depozitonin në Lushnjë. Për këto veprime, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë urdhëroi Rrethkomandën e Lushnjës për ndalimin e atyre mbledhjeve. Njëkohësisht edhe Ministria e Brendshme kërkoi më 19 maj 1944 nga Nëprefektura e Lushnjës të urdhëronte në mënyrë kategorike ndalimin e këtyre veprimeve të Ballit Kombëtar t’atyshëm dhe të shpallnin “se vetëm urdhërat e autoriteteve qeveritare kanë me u respektue dhe të kërkujt tjetër”.

Fund


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas