Nga Veli Haklaj
Objekt i këtij punimi, që do të publikohet për lexuesin e gazetës “Mapo”, është pasqyrimi i disa aspekteve të realitetit të përjetuar në Qarkun e Beratit gjatë periudhës së pushtimit gjerman. Sqarojmë se në organizimin e pushtetit lokal në atë periudhë Qarku i Beratit, me qendër në Berat, përfshinte rrethet e Beratit, Skraparit, Fierit, Mallakastrës dhe Lushnjës. Në fokus të punimit do të jenë raportet e qytetarëve me organet e pushtetit civil dhe ushtarak në këtë qark, si dhe problematikat e shfaqura në relacionet ndërmjet fuqive të Ballit Kombëtar që vepronin në Qarkun e Beratit dhe strukturave të pushtetit qendror dhe lokal.
Për përgatitjen e punimit jemi bazuar kryesisht në dokumente që administrohen në fondin e Ministrisë së Punëve të Brendshmë, në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar.
- Raportimi i gjendjes në Shqipëri
Në periudhën e pushtimit gjerman, për të patur dijeni për gjendjen në Shqipëri, me qarkoren e datës 28 mars 1944, Ministria e Punëve të Brendshme porosiste prefekturat në Shqipëri, që në krye të çdo 10 ditëve të muajit (me 10, 20 e në fund të muajit), të paraqitnin një raport të hollësishëm ku duhej të trajtonin:
- Gjendjen nga pikëpamja e rendit e sigurimit publik.
- Gjendjen nga pikëpamja politike.
- Mbi funksionimin e administratës përgjithësisht. Mungesat nga ana e personelit të administratës ashtu dhe mbi veprimin e enteve të tyre shtetërore e parashtetërore.
- Rreth abuzimeve e korrupsionit të nëpunësave e të personave ngarkuar me shërbime zyrtare.
- Mbi gjëndjen politike e lëvizjet rreth kufirit.
Në këtë mënyrë porositeshin edhe të gjitha organet vartëse të qarku, me qëllim që raporti i dërguar të përmbante ngjarjet e gjithë qarkut.
- Raportimi i gjendjes nga nënprefekti i Fierit, Zef Pepaj
Në zbatim të detyrimeve që buronin nga qarkorja e mësipërme, por nisur dhe nga ato që kishte konstatuar për një vit, me shkresën “Rezervat” të protokolluar në Zyrën Politike më 23 maj 1944, nënprefekti i Fierit, Zef Pepaj, i përcjell një raport të detajuar ministrit të Punëve të Brendshme për gjendjen në nënprefekturën që drejtonte. Nisur nga informacioni me rëndësi që përcjell për zhvillimet në atë rreth, në vijim po e japim të plotë këtë raport, duke ruajtur përgjithësisht gjuhën e dokumentit:
“Prej disa ditësh në mue kan luftue dy mendime, njëri që më shtynte me paraqit këtë raport për detyrë kundrejt Qeverisë, si përfaqësues i sajë në këtë rreth, e tjetri jo, tue mendue se Qeveria e din, ndoshta jo si unë, por mirë gjendjen e krijueme mbasi për fatkeqësinë tonë kombëtare një plagë e njoftun kjo, që unë ndoshta pesimist i tepruem, them âsht bâ gangrenë e jo për një pjesë, por për krejt trungun e Kombit e t’Atdheut, mbasi për mue Vlorë pa vlonjatë, Mallakastër, Fier e Gjirokastër pa popull, nuk ka çfarë na duhet, porsi dhe Shqypni pa këto vise.
Po mbushet një vit që unë me urdhër kam ardhur në krye të Nënprefekturës së Fierit, e pra në qendrën e fundit [të] ferrit shqyptar ku qysh atë ditë e sot për fatkeqësinë tonë kombëtare mâ shumë se shtetnore, si qeveri e qeveritar kam qënë e jam një i vdekun i pa kallun, fatalitet, por realitet. Para një viti pikërisht këtu në Fier e rrethe, katili monstër mâ i madhi i këtij shekulli kishem me thanë, Isa Toska, i rrethuem, i mbrujtun e i ndihmum nga ushtria italiane, masakronte, grabiste e çnderonte jo vetëm popullsitë e qeta të Beratit, Fierit, Mallakastrës e Lushnjës, por edhe katundarët e Vlorës e Gjirokastrës ose kushdo tjetër që udha u binte ndër kthetrat e tija të përgjakshme.
Me telegramin rezervat të datë 4 qershor 1943, i kam drejtuar ulërimën t’ime Qeverisë tue thânë se, nëse nuk do të merrte masat e rastit, ishte përgjegjëse para kombit dhe unë kërkojshëm shkarkimin tim. Mjerish, por trokollimë në portën e të shurdhërit, pse asnjë masë e kundërveprim unë me gjithë popullin e këtushën nuk pamë. Do t’isha shumë i padrejtë nëse nuk i kishëm shqyrtue dhe rrethanat, por përsëri mendoj se detyrën e tij çdo njeri mund ta kryejë e kështu çdo Qeveri nëse pranon se âsht gati me sakrifikue pa bâ oportunizëm mëkatar.
Me telegramin rezervat të datës 6 qershor 1943, përsëri thërritshem me gjâmën e një të dëshpërumi për ndërhymje, me [u] vënë kufi mizorivet që tigri i Shqypnis kryente në popullsitë e pafajshme e që pushteti ushtarak italian fërkonte duert e me një nënqeshje sarkastike shikonte trofén gjakësore që zhvillohej ndër ne. Nuk mjaftonte me kaq, porse popullit i lëshonte në shpinë edhe bishat e Milicisë Fashiste Shqyptare, shqyptar këta vetëm me emën, por jo me gjak as burrni, mbasi dhe këta burracakë [i] ishin lëshue [me] urra në shpinë popullsisë se pafajshme me e rrjep mâ zi e përdhunue tue çnderue dhe vajzat virgjinesha e në sy të prindërve të mjerë (shif raportin t’onë nr. 110 Rezervat, datë 4 gusht 1943, paraqit Prefekturës së Beratit).
Në shkresën rezervat të datës 8 qershor 1943, pyetun nga ajo Ministri përmbledhtas e shkurtë kemi paraqitë kronologjikisht krimet e aktet mâ mizore të katilit të shekullit, të katilit mâ të madh të historisë shqyptare, dhe për çudi parashifshem qëllimin pse Komanda Italiane e përkëdhelte dhe e mbante në gji këtë korkodil. Me telin rezervat të datës 8 qershor 1043, tue iu gjegjun po asaj Ministrie, njoftojsha se sikur ushtria italiane t’hakmerrej si i ka hije një ushtrije e direkt vetë, megjithëse hakmarrja do të kishte shumë viktima, na e populli nuk do t’u dëshpëronte. Ajo po paburrnisht hakmerrej me anën e Isa Toskës e kjo pra njolloste historinë e kombit të saj dhe Qeveria Shqyptare mbetej përgjegjëse para Kombit për mos zgjidhjen të këtij akti mâ shumë se tragjik, me fakte.
Më datë 25 qershor [1943], ditën e martë, ditë tregu, pra këtu në Fier ka qënë një ditë mâ e zezë se ditët ugonote të Parisit ose barrikadat e Milanos. Vampirët e Isa Toskës mbushën pazarin dhe si qen të tërbuem filluen persekutimet tue arrestue popullsitë e Mallakastrës e mandej tregtarët e Fierit, të cilët si i rripshin me shuma të hollash, i burgosnin dhe do t’i dërgojshin në kasaphanën e kryetarit të tyre, në gropat e Luarit – mâ të zeza se ato të Katinit. Le të pyetet Kapiten Mehmet Radovicka, sot me shërbim pranë Këshullit të Naltë, dëshmitar pësus i kësaj tragjedije.
Të nesërmen unë bashkë me kapitenin e Xhandarmërisë, zotni Ilmi Beluli, u paraqitëm në Komandën Italiane këtu ku Gjenerali më pyeti ç’përshtypje kishte bërë veprimi i djeshëm. Mbasi unë e falenderova për masat që mori mbi ndërhyrjen t’onë, i thash tekstualisht:
“Zoti Gjeneral, unë me tradhtue nuk due, sepse tradhtia âsht poshtërsi e, në qoftë pra se unë nuk t’i them të metat ose gabimet që bâni, trathëtoj ju nga njâna anë dhe tregohem unë njeri i pakarakter e burrni dhe dâmi i vjen Atdheut e kombit t’im, mbasi unë para jush paraqes dhe Qeveri zezën shqyptare. Të them pra zoti Gjeneral se unë e di se Ti je zot e unë e nâ rob. Thoni se keni ardhë e mendoni për t’na ndihmue e mëkâmbun në çdo drejtim. Por faktet janë kret ndryshe. Të deklaroj pra se vepra e djeshme në popull ka bërë përshtypjen mâ të keqe që mund të mendohet dhe popullit nuk i mbetet as mâ i vogli besim në politikën e fjalën e juaj. Unë pra po u them zoti Gjeneral të drejtën si âsht formue opinioni, në dasht t’u vij keq, në dasht mirë. E kam për detyrë me ju thanë e tregue gabimet e të metat për të mos tradhtue ju as detyrën t’eme e për të mos veprue si mjerisht âsht veprue e po veprohet ndërmjet shumë maskarejve t’onë Shqyptarë e politikanëve të qelbët t’uej, të cilët as njëni as tjetri nuk kanë pasë burrninë me ia thânë të metat e meritat njëni – tjetrit ashtu si janë e kjo gjâ na ka dërgue në këtë gjendje për dâmin e madh material e moral të kombit e Atdheut tonë dhe nderit e prestigjit politik t’juaj.”
Gjenerali u kuq, u zverdh e u nxi përnjëheri por dhe pati burrni e na dha dorën mue dhe kapitenit, zotit Hilmi Belulit, e tue iu drejtue një të famshmit Toger Cichetit, soufleure i Isa Toskën, i tha “Amaro ma vero” dhe unë e kapiteni dolëm. në krye.
Ditët e zeza u rrokullisën njëra pas tjetrës. U bë operacioni i Mallakastërs me Isa Toskën në krye. U dogj, u shkretnue, u masakrue e u rrafshue krejt ajo krahinë kreshnike. Mjaft gjâma Lapulecit, ku në 30 burra që kishte 27 u vranë e nuk mjaftoi me kaq, por edhe mâ zi u prek dhe në nder tue marrë gratë e veja ushtarët e Isa Toskës ç’ka shqyptarit nuk ia patën të parët dhe anmiqt nuk ia bânë.
Më 27 korrik [1943], përsëri me kapiten Hilmi Belulin jam paraqitë te Gjenerali Komandant dhe i kemi raportue gjendjen e mizorinat që po kryheshin. Ai mbas 2–3 ditësh më dërgoi në zyrë Faslli Toskën bashkë me Toger Cichetin, ky i fundit natyrisht si rojtës i Faslliut pasi dronte se mos unë po e influencoja, e pra dhe bisedimi në mes t’onë u bë italisht. Ndonjëherë mundoheshem me ndonjë fjalë lakonike shqip me prek zemrën e katilit diplomat Faslliut. Në përfundim, ky më dha fjalën e nderit se do të merrte masa shembullore kundra ushtarëvet të tij që do të guxojshin me prek në nder. Ah fatalitet, tmerr, trishtim. Reflektova me vedi e nuk mund të gjejsha psehin e shndërrimit të këtij njeriu, që kur unë bisedojsha me të ishte me të vërtetë nji gentil homme, një Shqyptar i mirë e njeri mâ i hollë se dreqi, por kur jasht ishte në lirin e tij të pa kufi, mbillte tmerr, trishtim e vdekje kudo që kalonte, ç’prej Durrësi e Vlore. Për këtë pra e mbiqujta katil diplomat.
Ditët kalojshin e ténja brente në trungun fashist dhe italianë, deri sa më 12 shtator [1943] u shemb këtu pushteti italian e unë bashkë me kapiten Hilmi Belulin përsëri u paraqitëm tek Gjenerali Komandant tue u kërkue që, nëse do të bânte ndonjë kundërveprim kundra ushtrisë gjermane që po vinte ta çarmatoste, të delte së paku jashtë qytetit. U gjetëm para një kadavre të gjallë, e cila na tha se kundërveprim nuk ka dhe se me çdo parti ilegale shqyptare ai âsht aleat. U larguem tue [e] braktis në trishtimin që e rrethonte e nën torturat e ndërgjegjes së tij për gjithë sa mbi ne kish vepruar.
Më 13 shtator u lujt këtu akti i fundit i tragjedisë së fillume një vjet mâ parë tue asistue unë me shokët e mi dhe xhandarët trima e vetëmohues në trofen e fundit të protagonistit të saj, Isa Toska me 14 shokë të tij, siç e kam relatue me nr. 22/1056 Rezervat, datë 25 shtator 1943, por pa pasun sa me të drejtë kërkojshem.
Ushtarët e Perandorisë Romane, pra zotët e djeshën, mashtrues e mizorë, shenjë pa burrnije, i pamë tue u sjellë si fantazma, si shpirtna të djerruna, siç i shofim dhe sot, tue kërku bukë e strehë atje ku kishin mbjellë vdekje e mjerim. E mundi pra burrnija poshtërsinë, bujaria barbarizmin, e shqyptari fitoi e shkroi një fletë historie të pashembullt në botë me dëshmitarë vetë italianët.
Kaluan pra në hiç italianët e u zëvendësuan ushtarakisht me gjermanë, të cilët ne në fillim i shikojshim me dyshimin e të pafuqishmit, mbasi nuk dinim nëse edhe këta erdhën si pushtues, zot apo miq. Por burrit të fort hallall buka e gjaku, mik ose armik. Kështu pra vepruan dhe këta trima që po çudisin botën, si veprojnë dhe sot, tue mos na u përzie n’asnjë mënyrë në punë e kasolle t’ona. Flas për në rrethin t’onë, e pra mund të them se na nuk i njofim as nuk na njofin gjermanët. Prej tyne nuk u burgos, arrestue ose internue as edhe një njeri e nuk u përkuizue as edhe një shtëpi. Kjo meritë duhet ta themi që, pos burrnisë tyne, i detyrohet dhe Organizatës së Ballit Kombëtar, e cila meritë për mue i vlen [me]gjithë mungesat që në të ka e janë hasun.
Fieri ka pasun e ka komunista. Balli i ka afrue, i ka qortue dhe i ka dënue. Nuk [u] ka dorëzue as edhe njënin gjermanëvet për burgim as për internim. Ndërsa këtu ndodhte zhdukja e pushtetit italian dhe zëvendësimi me pushtetin ushtarak gjerman, në të dy cepet e qytetit grumbulloheshin forcat ilegale shqyptare te Ballit dhe komunistave. Forcat e Ballit mâ vonë e me kohë morën krejtësisht në dorë në qytet e rrethe pushtetin urdhërues e përmbarues. Për arsye që udhëheqësit e kësaj organizate dinë, në gjirin e organizatës u grumbulluan elementa heterogjen, megjithatë ata në fillim u sollën mjaft mirë, aq sa bile nuk mund të shpresohej. Politikisht edhe pati mjaft përfitime me sjelljen e taktin e saj të matun. U deklarue në luftë të hapur me Partinë Komuniste tue u ndeshun dhe me armë shumë herë. Âsht Organizata e Ballit pra ajo që Partinë Koministe e mbajti larg qendrës e rrethit tue largue kështu mundësinë e komunistave për aksion kundra ushtrive gjermane e që për konsekuencë do të kishim shkatërrimin, djegjen e masakrimin e qytetit dhe rretheve të Fierit.
Por lëvizja mjaft e disiplinueme në fillim e organizatës së Ballit erdhi e vjen mjerish dita – ditës duke u shthurur e tue e bë shkatrrimtare. Krenët e udhëheqësit e Ballit nuk mundën me ruajt harmoninë e veprimeve dhe filluan antagonizmin karakteristik tonën në mes të tyne, gjâ që Qeveria e din shumë mâ mirë se unë. Prej kësaj disharmonie frytet e idhëta u përplasën në popullin e pafajshën të fshatrave e jo qytetit. Ushtarët e organizatës filluen me u zhburrnue e ku shkojshin për strehim, si dhe sot, filluen me kërkue mishna, raki etj., gjâ që na çnderon si shqyptarë pse shqelmon zakonet e të parëvet dhe para të huajvet na paraqet barbarë. Në qytet u mblodhën ndihma në të holla me shuma të konsiderueshme sa që tregtarët, tipa çifutësh e të tillë që ndërgjegje, nder, dhimbje e mëshirë i kanë strukë në fundin e stomakut të tyne, filluan të çirren e bërtasin. Për këta jo vetëm nuk duhet të ketë dhimbje, por përkundrazi âsht e detyrueshme urrejtja e kombit mbasi me vullnetin e tyre as edhe thërrimet e tryezavet nuk do t’i jepshin për vëllaznit t’onë të pa strehë e pa bukë. Por fatkeqësija âsht se dhe këta shofin keq e sidomos në sjelljen e pjestarëvet t’organizatës, të cilët pos të tjeravet lozin dhe bixhoz me shuma të mëdha e atëherë tregtarët e populli gjejnë pikën e dobët me kritikue e luftue.
Kundërshtarët në fushën e luftës, komunistat, siç e thotë dhe vulgu, sillen krejt ndryshe për dâm pra të madh të Ballit. Populli prej kësaj gjëndjeje të krijume âsht mbushë me urrejtje kundra organizatës edhe qeverisë. Kundrejt qeveris pse ai thotë se njëherë më lëshoi në shpinë milicinë, e cila më vodhi më grabiti e më çnderoi e qeverija e kishte direkt organ të saj, kurse tash, sado që Organizatën e Ballit nuk e kontrollon, qeveria e ndihmon. Ai pra mendon se vetëm Partia Komuniste âsht shpëtimi i tij, mbasi thotë se komunizmi nuk më grabit dhe deri sa unë nuk e ngas, nuk më vret e as që më përdhunon. Pres e pres se qeveria po bân opercion kundra komunistave e ballistavet a kujdo që mue më torturon, por kot se qeveria as që mendon mâ për mue. Gegëria, thotë, po rrin urtë për vedi, por pse unë po vdes nuk po çan kokën fare. Pos këtyne, e zeza e të zezave âsht se më bjen në qafë edhe kjo me ligj e urdhnime qysh të fashizmit, përpilue e zbatue apostafat për të më spekullue e rrjepun, siç âsht mos lânia e lirë të blej bukë atje ku të jetë e në shpinë, se as kafshë nuk kam, t’ua shpie fëmijve nën hijen e rrapit, ku kam mbetun (shif Raportin t’onë nr. 38/3, datë 9 maj 1944).
Kjo âsht pra gjendja shpirtnore e popullit në këto momente e unë e gjeta të domosdoshme me e parashtrue, mbasi mendoj se âsht një operim i domosdoshëm e i ngutshëm për t’iu bâ gangrenës se plagës sonë kombëtare tue marrë parasysh që të vdes kush të vdes, por të jetojë kush të jesë. Çdo minutë pritjeje për mua âsht tmerrësisht e dâmshme. Më 11 tetor 1943, jam paraqit para Titullarit t’asaj Ministrie dhe kam kërkue të leheshim i lirë me u largue nga vendi që mbaj, mbasi isha, si jam dhe sot, vorr i pa bâm, e asnjë dobi nuk mujshëm si nuk mundem dhe sot me i sjellë Atdheut. Më dukej pra, si më duket edhe sot, meskineri e tradhëti me zânë një vend plot përgjegjësi dhe me marrë një shpërblim material pa kryer asnjë veprim. Por zoti ministër më tha tekstualisht: Unë nuk mundem me t’urdhnue të qëndrosh në krye të detyrës, mbasi nuk jam dhe Titullari përgjegjës. Pos kësaj nuk kam asnjë mundësi sot me të sigurue asnjë element të domosdoshën që ti atje të qëndrosh. Por të lutem si shqyptar që me çdo sakrificë të qëndrosh në vënd si një ushtar i atdheut, pse tue ardhë gjermanët e tue mos gjet autoritetin, qoftë edhe nominal në vënd, nuk dihet si veprojnë. Se çdo me thânë një operacion gjerman ne kosovarët e dimë, pse e kemi pa rreth e përqark. Ti pra bân si të mundesh e unë iu përgjegja se për ku më thërret Atdheu nuk kursehem për asnjë sakrificë dhe për këtë kam qëndrue atë ditë e sot në krye të detyrës, e si, kujt i përket le ta shqyrtojë. Por nuk âsht e mundur kështu me vazhdue e prandej po e riparashtroj gjendjen lakuriq si âsht me shpresë se qeverija me çdo sakrificë do të marrë masa të ngutshme për lehtësimin e mjerimin e fatkeqësisë që rrethon popullin bashkë me ne. E çmoj dhe deri diku mundemi me i pasë parasysh rrethanat e ndryshme që dhe qeverinë e pengojnë, por unë u gjeta i detyruem me bâ këtë kërkesë e apel me dyshim se ndoshta dhe nuk mund ta di gjëndjen realisht si âsht. Ndoshta tregohem shumë pesimist, por, nëse nuk do të merret ndonjë masë shumë e shpejt, drue se këtu do të ndodhin ngjarje shkatërrimtare jo vetëm për rrethin t’onë e të Mallakastrës me të cilin jemi lidhë direkt, por për mbarë Shtetin.”
- Gjendja në Rrethin e Mallakastrës
Në bazë të urdhërit verbal të ministrit, më 28 shkurt 1944, nënprefekti i Mallakastrës, Hidajet Lekdushi, informoi Ministrinë e Punëve të Brendshme se në Mallakastër autoriteti qeveritar mungonte që nga muaji prill i vitit 1943. Sipas këtij informacioni rezervat, rezulton se gjatë kësaj kohe kjo krahinë u bë çerdhe me rëndësi e Partisë Komuniste, për shkak se disa nga kryetarët me rëndësi të kësaj partie ishin bij të këtij vendi. Në kohën e okupacionit italian, u bë një operacion i rëndë, nga i cili kjo krahinë kishte mbetur shumë e dëmtuar, si në njerëz, ashtu edhe në pasuri të tundshme e të patundshme. Edhe mbas zhdukjes së italianëve kjo krahinë u bë fushë e vëllavrasjes midis Partisë Komuniste dhe fuqive të Organizatës së Ballit Kombëtar. Nga kjo situatë vendi ishte dëmtuar shumë, pse kishte ndërruar zot shumë herë. Megjithëse në shkurt 1944 Mallakastra ndodhej nën sundimin e forcave të Ballit Kombëtar, gjendja nuk ishte e stabilizuar, pse çetat komuniste të ardhura nga rrethe të tjera sulmonin herë pas here në befasi, duke u shkaktuar luftime dhe për këtë populli nuk formonte besim as në ndonjëren parti dhe qëndronte gjithmonë në alarm.
Sipas informacionit të nënprefektit Lekdushi, populli i Mallakastrës ndodhej në mjerimin më të madh, si moralisht ashtu edhe materialisht, dhe me lot në sy priste kthimin e autoritetit qeveritar, sepse e kuptonte se vetëm qeveria mund ta shpëtonte nga mjerimi dhe shfarosja krejtësisht.
Për rivendosjen e autoritetit shtetëror, nënprefekti Lekdushi propozonte të merreshin këto masa:
– Mbasi qendra e nënprefekturës, Ballshi, ishte djegur krejtësisht, si godinat qeveritare ashtu edhe godinat e tjera, qendra të vendosej provizorisht në katundin Hekal, sadoqë kishte mungesa, sidomos në komunikacion. Por s’kishte gjetiu ku mund të vendosej.
– Që të mund të përballonte çdo goditje në befasi nga çetat komuniste, për një kohë duhej një fuqi xhandarmërie prej 200 vetash të armatosur mirë.
– Populli ishte i frikësuar, pse nga komunistët ishte torturuar tmerrësisht dhe mbasi Mallakastra ishte vendlindja e disa kryetarëve partizanë, populli besonte se ata nuk mund ta lenin të qetë këtë krahinë. Me një fuqi të organizuar mirë shpresohej se në një kohë të shkurtër do të kontribuonte edhe populli vetë në luftë kundër komunistave.
– Meqënëse çdo send që i përkiste një zyre ishte zhdukur, për rregullimin duhej filluar rishtazi.
Nisur nga gjendja e krijuar, pas komunikimit të nënprefektit të Fierit, Zef Pepaj, me autoritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 24 prill 1944 u autorizua nënprefekti Lekdushi të nisej menjëherë me gjithë personelin për në Fier, ku do të vepronin deri sa të shtrihej administrata në Ballsh. Për këtë u njoftua dhe Prefektura e Beratit.
VIJON NUMRIN E ARDHSHEM