Dikur

Realitete shqiptare në Qarkun e Korçës gjatë pushtimit gjerman





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:30 - 01/10/19 |
Nga Veli Haklaj

Nga Veli Haklaj


  1. Hyrje

Objekt i këtij punimi, që do të publikohet për lexuesin e gazetës “Mapo”, është pasqyrimi i disa aspekteve të realitetit të përjetuar në Qarkun e Korçës gjatë periudhës së pushtimit gjerman. Në fokus të punimit do të jenë raportet e qytetarëve me organet e pushtetit civil dhe ushtarak në këtë qark, si dhe problematikat e shfaqura në relacionet ndërmjet fuqive të Ballit Kombëtar që vepronin në Qarkun e Korçës dhe strukturave të pushtetit qendror dhe lokal. Do të pasyrohet informacion me interes dhe për ballafaqime ushtarake mes fuqive të armatosura që vepronin në këtë qark.


Për përgatitjen e punimit jemi bazuar kryesisht në dokumente që administrohen në fondin e Ministrisë së Punëve të Brendshmë, në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar, me të dhëna të shumta autentike për struktura, organizata dhe persona, për implikimet e tyre qofshin pozitive apo negative.


Në praktikën e punës të Ministrisë së Brendshmë kemi një komunikim periodik me strukturat vartëse, veçanërisht me prefekturat dhe nënprefekturat, ku raportohej për gjendjen në tërësi dhe sipas fushave më me interes për veprimin shtetëror. Me interes janë për lexuesin, por jo vetëm, edhe informacionet që përcillen për raportin në mes forcave nacionaliste dhe atyre të çetave komuniste në qarkun e Korçës, disa arsye se pse shqiptarët me përkatësi ortodokse të Qarkut të Korçës përkrahën Partinë Komuniste, kurse ato me përkatësi myslimane përkrahën forcat nacionaliste etj.


  1. Fuqitë nacionaliste të Xhevat Starovës normalizojnë gjendjen në qarkun e Korçës

Bazuar në raportimet e Qarkkomandës së Korçës, Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë Shqiptare, kolonel Hysni Dema, më 9 shkurt 1944, informoi Ministrinë e Punëve të Brendshme mbi situatën e përgjithshme të sigurisë në Qarkun e Korçës.

Nga përmbajtja e raportit rezulton se në fillim të muajit shkurt 1944 situata e rajonit të Korçës në përgjithësi paraqitej kritike dhe përmirësimi i saj në kohët e fundit i dedikohej vetëm fuqive nacionaliste të udhëhequra prej disa krerëve nën drejtimin e Xhevat Starovës, të cilët, “të shtytur vetëm prej qëllimit të mirë për shpëtimin e vendit dhe pa asnjë interes personal, morën iniciativën dhe formuen fuqinë me ndihmën e popullit që don qetësi e rregull dhe filluan spastrimin e rajonit prej elementëve keqbërës e anarshistë”.

Fuqitë nacionaliste vazhdonin punën e filluar dhe operacionet kryheshin vetëm e vetëm me qëllim të përmirësimit të gjendjes dhe situatës së përgjithëshme, gjë të cilën e kishte pohuar zoti Xhevat Starova në nji bisedim me qarkkomandantin e Korçës, i cili e kishte falenderuar në emër të qeverisë për iniciativën e mirë. Mbasi qarkkomandanti i kishte kërkuar disa shpjegime për sa i përket rivendosjes së autoritetit ligjor, zoti Xhevat Starova ishte përgjigjur se “punojnë për atë qëllim që kështu sa mâ parë të jetë e mundur të rivendoset autoriteti qeveritar dhe xhandarmërija të mëkâmbet e të forcohet për t’u bâ e zonja e situatës”.

Zoti Xhevat Starova, së bashku me shokët e tij, pasi shprehën kënaqësinë që qeveria dërgoi prefektin dhe qarkkomandantin, e siguruan këtë të fundit se ishin gati të japin krejt fuqinë e ndihmën e tyre. Nga ky takim, qarkkomandanti kishte krijuar përshtypjen se zoti Xhevat Starova “me sjelljet dhe veprat e kryera ishte i zhveshur nga çdo ambicje e çdo interes, ishte i urtë, kundër gjakderdhjes, element i shëndoshë dhe i palodhshëm për Bashkim Kombëtar”.

Nga raportimet e Qarkkomandës së Korçës, rezulton se në fuqitë nacionaliste natyrisht kishte dhe persona të padëshiruar prej të cilëve ishin vërtetuar disa vepra të papëlqyeshme, por autoritetet e Qarkkomandës ishin të bindur se zoti Xhevat Starova, “si nji patriot i mirë, ka me marrë masa t’i qërojë këta elementë nga radhët e tija, kështu që edhe dje nji sasi të shumtë e shpërndau dhe i dërgoi në shtëpitë e tyre”.

Titullari i Qarkkomandës së Korçës kishte formuar bindje të plotë se fuqitë nacionaliste të komanduara prej Xhevat Starovës dhe shokëve të tij shumë shpejt do të çlironin rajonin e Korçës nga elementët e dëmshëm komunistë, po të bëhej e mundur që qeveria ta ndihmonte këtë fuqi duke i dërguar armë e municione si dhe një sasi të mjaftueshme mitralozash të rëndë e të lehtë, mbasi u mungonin, ndërsa kundërshtarët ishin të pajisur shumë mirë me armë të tilla dhe kështu shpeshherë kishte ndodhur që fuqitë nacionaliste nuk mund t’u afroheshin pozitave të kundërshtarit prej efektit të gjatë që kishte qitja me mitraloz.

Xhandarmëria, deri në momentin e këtij raportimi, nuk kishte marrë pjesë në operacione të jashtme, por vlerësohej se pjesëmarrja e saj mund të bënte që veprimet të shkonin edhe më mirë. Sipas autoriteteve lokale, xhandarmëria e Qarkut të Korçës nuk kishte mundësi të merrte pjesë në operacione mbasi ishte e pakët dhe e pa organizuar mirë. Ajo do të merrte pjesë në operacione, kur të plotësohet kuadri. Megjithkëtë, mbasi ishte planifikuar se do të bëheshin disa operacione nga ana e fuqisë nacionaliste dhe për të mos u shkaktuar ankime e dëme në popull, Qarkkomanda e Korçës kishte vendosur të përziente një sasi të mundshme xhandarësh me operuesit dhe në anën tjetër të merrnin pjesë aktive në ato veprime.

Qarkkomanda e Korçës u lutej autoriteteve qendrore të intervenonin që të bëhej e mundur sa më parë dërgimi i materialit të lartpërmëndur në sasi të shumtë, “mbasi për ndryshe veprimi i filluem prej fuqive nacionaliste do të dobësohet për mungesë materiali luftarak dhe si konseguencë e kësaj gjendja do të bâhet përsëri kritike”.

  1. Gjendja në Prefekturën e Korçës, në shkurt 1944

Sipas një raporti shkoqitës dërguar, më 10 shkurt 1944, Ministrisë së Punëve të Brendshme nga zëvendësisht prefekti i Korçës, Dhimitër Bala, gjendja e Prefekturës së Korçës në pikëpamje të rendit botuer, shoqëror, ekonomik paraqitej si më poshtë:

3.1 Rendi Botuer

Në qytetin e Korçës ndodheshin fuqitë e Ballit Kombëtar, “nga të cilat ajo e komanduar prej Haki Blloshmit në ditët e para kishte proceduar në disa veprime të shëmtuara, të cilat përveç që e kishin tmerruar, por edhe e kishin mërzitur së tepërmi popullin e qetë të qytetit”. Fuqia e Haki Blloshmit, mbas një takimi që prefekti Bala pati me komandantin gjerman të Korçës, u largua nga Korça dhe kështu gjendja filloi të qetësohej ndopak, sado që edhe fuqitë e tjera të Ballit, që qëndronin aty, herë mbas here nuk mungonin të kryenin nga ndojë vepër të tillë, megjithë interesimin e komandantëve të tyre dhe të Komitetit Krahinor të Ballit Kombëtar, të cilët në asnjë mënyrë nuk i aprovonin dhe përpiqeshin me mish e me shpirt që t’i evitonin, por nuk kishin mundësi t’ia dalin plotësisht në krye këtij qëllimi për arsye se midis çetave ndodheshin edhe elementë të padisiplinuar.

Nga ana e komunistëve, të cilët nuk kishte qenë e mundur të zbuloheshin krejtësisht dhe të kapeshin gjatë kësaj kohe, e që natyrisht nuk mungonin, prefekti Bala theksonte se nuk ishte kryer në kohët e fundit ndonjë akt me rëndësi, përveç një plagosje më 9 shkurt 1944, që sipas hetimeve më tepër anonte të ishte një vepër koinçidence se sa një atentat i përgatitur.

Nga sa i kishte deklaruar më 10 shkurt komandanti i fuqive të Ballit, zoti Xhevat Starova, rezulton se ai me gjithë fuqitë e veta ishte gati që të largohet nga qyteti nëse autoritetet lokale të Korçës e merrnin përsipër mbajtjen e qetësisë e të rregullit me fuqitë shtetërore. Por që të mundeshin autoritetet lokale të Korçës t’ia delnin plotësisht në krye këtij misioni, prefekti Bala theksonte se, duke u mbështetur edhe në mendimin e shfaqur nga komandanti i Qarkut të Xhandarmërisë së Korçës, do të duheshin vetëm për në qytetin e Korçës, të paktën 300 xhandarë efektivë të shërbimit, të mirë e të disiplinuar. Në organikën e Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë fuqia aktuale e Xhandarmërisë së Korçës mund të arrinte numrin e 400 vetave, por prefekti Bala sqaronte se në realitet nuk kishte më tepër se 100 veta që kryenin shërbim të rregullt, për arsye se 200 veta të regjistruar prej major Mahmut Bujarit vepronin në operacione jashtë qytetit të Korçës. Nga këta do të pranonin të inkuadroheshin në Xhandarmërinë e rregullt dhe t’i nënshtroheshin disiplinës së parashikuar nga ligji dhe rregullorja e saj një numër më i vogël. Nga ana tjetër, një pjesë ndodhej në Pogradec dhe një pjesë tjetër e vogël në Kolonjë.

3.2 Rendi Botuer në rrethet e Qarkut të Korçës 

Rrethi i Kolonjës. Sipas raportit të Prefekturës së Korçës, në rrethin e Kolonjës nuk ekzistonin çeta komuniste, mbasi të gjitha ato që kishin vepruar aty ishin shtrënguar të kapërcenin lumin Osum dhe të përqëndroheshin në zonën që ndan Kolonjën me Skraparin, Oparin dhe Përmetin. Megjithkëtë, këto çeta shpesh herë kalonin Osumin duke sulmuar fshatrat përkëtej tij. Fuqitë e Ballit nuk ishin të mjaftueshme në numër, por sidomos në armatim, që të mundnin të sulmonin njëkohësisht dhe të shpartallonin çetat e sipërshënuara si edhe ato që ndodheshin brenda në Opar, në rajonin e Mokrës e të Moglicës, të Nënprefekturës së Pogradecit, që kufizon me Elbasanin.

Më 9 shkurt 1944, fuqitë e Kolonjës të organizatës së Ballit Kombëtar, mbasi u informuan se çetat partizane që ndodheshin nga Gora, të bashkuara edhe me ato të shtytura nga Elbasani, kishin zbritur më poshtë në mënyrë që kërcënohej Pogradeci, u nisën kundra tyre, por që të mundnin t’i zhduknin këto, theksonte prefekti Bala, duhej kombinuar një veprim i përbashkët i fuqive të Elbasanit dhe i atyre të Korçës, për të cilin veprim komandatët e Ballit të Qarkut të Korçës siguronin se ishin duke u marrë vesh. Ky veprim kishte shkaktuar deri diku pakësimin e fuqive mbrojtëse të Kolonjës, në mënyrë që, nuk dihej nëse ajo që kishte mbetur do të ishte ose jo në gjendje të mbrohej nga sulmet eventuale të çetave komuniste.

Nga shkaku i një gjendjeje të tillë, Zyra e Nënprefekturës si edhe ato të komunave të Rrethit të Kolonjës ndodheshin në inaktivitet. 

Rrethi i Pogradecit. Rrethi i Pogradecit deri më 10 shkurt 1944 ishte i tëri në duart e nacionalistëve, por, sipas informacioneve të datës 9 shkurt, çetat komuniste kishin zbritur dhe kishin pushtuar krahinën e Gorës.

Në rrethin e Pogradecit, vetëm në qendër funksiononin zyrat qeveritare për arsye se gjendja nuk kishte lejuar rivendosjen e zyrave komunale nëpër rajonet respektivë.

Rrethi i Korçës. Fshatrat e këtij rrethi ishin gati të gjitha të çliruara prej çetave komuniste, porse, ditët e fundit, për arsye se si fuqitë gjermane ashtu edhe ato të Ballit, që kishin shkuar për operacione, në mbarim të tyre u kthyen prapë në këtë qendër, duke u lënë shesh të lirë përsëri çetave partizane. Kështu që, sipas informatave të fundit që kishin autoritetet e Prefekturës së Korçës, çetat partizane kishin mundur të zbresin rishtas deri në fshatin Vithkuq. Prefekti Bala informonte se kundër tyre sapo kishte shkuar një fuqi gjermane dhe priste të mësonte rezultatin e veprimit të saj, i cili, sigurisht, ”edhe në qoftë se do t’i detyronte çetat komuniste të zbrapseshin, nuk do të ishte i kënaqshëm, deri sa nuk do të kishte mundësi që mbas operacionit një fuqi permanente të qëndronte atje për të ndaluar rikthimin e çetave në fjalë”.

Deri pak kohë më parë, një pjesë e vogël e një çete komuniste qëndronte edhe në fshatin Dardhë, qendër komunale, por ishte larguar s’andejmi nga frika e një operacioni në befasi kundër saj.

Rrethi i Bilishtit. Qendra e Nënprefekturës së Bilishtit dhe një pjesë e madhe e fshatrave të rrethit të saj ishin në duar të nacionalistëve, por njëkohësisht në këtë rreth ekzistonte edhe një fuqi partizanësh prej 200 – 300 vetash me qendra sidomos në fshatrat e anës së djathtë të lumit Devoll. Prefekti Bala theksonte se atje, padyshim, duhej të bëhej një operacion për zhdukjen e kësaj fuqie, por sqaronte se forcat që mund të kryenin një veprim të tillë mungonin dhe popullsisë së fshatrave nacionaliste u mungonin armët.

Pavarësisht nga kjo gjendje, prefekti Bala insistonte se në qendrën e Bilishtit mund të rivendoseshin autoritetet qeveritare po të kishin një numër xhandarësh me një oficer të mirë.

Rrethi i Leskovikut. Qysh me djegjen e pësuar nga operacionet ushtarake të ushtrisë gjermane në verën e vitit 1943, jo vetëm qendra e kësaj Nënprefekture, por edhe shumë nga fshatrat e rrethit të Leskovikut kishin mbetur të pabanueshme, mbasi banorët të mbetur pa strehë dhe mundësi të tjera jetese, pjesërisht ishin grumbulluar në qytetin e Korçës dhe pjesërish ishin shpërndarë nëpër fshatra të tjera të këtij qarkut. Në qendrën e Leskovikut ishin kthyer shumë pak familje. Mbasi nëpër këtë rreth kalonte rruga për në Janinë që rrihej nga autokolonat gjermane, çetat partizane nuk gjenin siguri, prandaj qëndronin larg këtij rrethi. Në qytetin e Leskovikut, përveç një reparti të vogël ushtarësh gjermanë, ndodhej edhe një fuqi e Ballit Kombëtar.

Carev – dvori. I tërë rrethi i kësaj Nënprefekture ishte pushtuar nga ushtria bullgare, qysh në ditët e para të shtatorit të vitit 1943.

Duke përfunduar këtë pjesë të raportit, prefekti Bala thekonte se “qetësija në kuptimin e vërtetë të saj mund të realizohej ose me një fuqi të aftë qeveritare, të pajisur me të gjitha mjetet e duhura, ose duke u armatosur siç duhet fuqitë e Ballit Kombëtar si edhe popullsitë e fshatrave nacionaliste”. Përsa i përket qytetit të Korçës, me riformimin e Policisë, pjesa që i takon kësaj qendre duhej të hynte në veprim.

3.3. Gjendja në pikëpamje shoqërore

Në pjesën e raportit për gjendjen shoqërore, prefekti Bala evidenton faktin se Prefektura e Korçës në tërësinë e qarkut të saj banohej prej dy elementëve, myslimanë e të krishterë (ortodoksë), por që të gjithë shqiptarë nga gjaku, nga gjuha, nga zakonet dhe nga sentimenti. Fakti që pjesa e krishterë ishte infektuar pak më tepër nga epidemia e komunizmit argumentohej për arsye se kurdoherë nuk kishte qenë aq e guximshme sa pjesa myslimane, por kishte kontribuar në këtë drejtim edhe gjendja ekonomike e fshatrave, “e cila kishte qenë gjithmonë në gradë inferiore nga ajo e vëllezërve muhamedanë”.

Ishte folur se në këto fshatra mund të kishte patur efekt edhe influenca e propagandës greke. Por, sipas një studimi që kishin bërë autoritetet lokale të Korçës rreth kësaj pike, duke marrë parasysh edhe faktin që një propagandë eventuale greke do të zinte më tepër vend nëpër fshatrat grekofone se sa në ato shqiptarofone, dhe që në këtë rast kishte ndodhur e kundërta, duke marrë parasysh se kjo që ndodhte në Shqipëri, simbas informatave të sigurta që kishte grumbulluar Prefektura e Korçës, po ndodhte edhe brenda në Greqi, ku divergjenca të tilla fetare nuk ekzistonin, përjashtohej efekti i një propagande të tillë si shkak i infektimit që fshatrat e krishtera kishin pësuar, në pjesën më të madhe, prej sëmundjes së komunizmit. Sidoqoftë, theksonte prefekti Bala, “meqenëse në popullin e paditur dhe që nuk është i zoti të thellohet mirë në shkaqet e këtij ndryshimi kishte filluar të rihapej plaga e dasisë fetare, jemi munduar e po mundohemi sëbashku me shokë të tjerë të këtushëm që kjo plagë të mbyllet sa më tepër që të jetë e mundur në dobi të Bashkimit Kombëtar, i cili është aq i nevojshëm dhe i domosdoshëm për neve”.

3.4 Gjendja ekonomike

Në këtë raport përshkruhet se gjendja ekonomike e Qarkut të Korçës ishte “me të vërtetë në mjerim të madh”. Faktorët që kishin kontribuar në krijimin e kësaj gjendjeje ishin të shumtë, por Prefektura e Korçës do të evidentonte si të një rëndësie të dorës së parë:

  1. a) Shkretimin e pjesës më të madhe të katundeve të këtij qarku me djegje, plaçkitje etj. vepra shkatërruese, si nga operacionet ushtarake gjatë një viti, ashtu edhe nga ana e çetave partizane.
  2. b) Braktisjen e tokës prej bujqëve fshatarë, nga të cilët një pjesë e madhe la parmendën dhe mori armët e u hodh në aventurën e çetave komuniste maleve, kurse pjesa tjetër, mbasi mbeti pa strehë dhe mundësi jetese ndër katundet, u grumbulluan pjesërisht në qytetin e Korçës e pjesërisht u shpërndanë andej-këndej, por në një mënyrë që s’kishte mundësi t’i kushtohej punimit të tokës, veçse përpiqej të siguronte bukën ku duke lypur e ku duke pritur ndihmën e qeverisë.
  3. c) Eksportimin kontrabandist për në Greqi të një sasie të madhe prodhimesh të vendit, si patate, fasule, etj., mbas shkatërrimit të Rojes së Financës dhe gjatë periudhës që në mungesë të një fuqie të rregullt e të fortë të armatosur, kufiri mbeti i hapur dhe trafiku pa asnjë kontroll, si edhe eksportimin nga ana e njerëzve të tjerë për furnizime të ushtrive gjermane në Greqi.

Sidoqoftë, sqaron prefekti Bala, “populli i Qarkut të Korçës nuk është aq pretencioz për sa iu përket mënyrave të jetesës dhe mjaftohet të ketë vetëm bukën e përditshme për të mos e ndjerë mungesën e artikujve të tjerë të nevojshëm të jetesës, por të paktën, bukën e vetme që kërkon, është e domosdoshme që t’i sigurohet”. Prandaj prefekti Bala i lutej nxehtësisht Ministrisë së Brendshme që “çështjes së dërgimit të një sasie të konsiderueshme bereqeti Prefekturës së Korçës t’i jepnin rëndësinë e duhur dhe të bënin ç’të ishte e mundur për këtë qëllim, mbasi, pa ekzagjerim, ishin me qindra ata banorë që ngryseshin e gdhiheshin pa bukë dhe konsiderohej e pa mundur që një gjendje e tillë dëshpërimi të vazhdonte edhe më gjatë”.

3.5 Komunikacionet

Prefektura e Korçës kishte plot gjashtë muaj që kishte mbetur pa komunikacion telegrafonik dhe pa një udhëtim postar të rregullt. Kjo gjendje paraqiste vështirësi të mëdha në plotësimin e shumë shërbimeve me rëndësi dhe shumë herë me karakter të shpejtë.

Për plotësimin e kësaj mungese, titullari i kësaj Prefekture kishte treguar një përkujdesje të veçantë qysh në ditët e para të mbërritjes së tij në detyrë. Sipas deklarimeve të Drejtorit të Zyrës të Korçës, rezultonte se për installimin e vijës telegrafonike prej Korçës deri në Qafë Thanë ishte e nevojshme që Drejtoria e Përgjithshme e P.T.T. Tiranë të dërgonte materialin e nevojshëm që i ishte kërkuar. Njëkohësisht, duhej që komanda gjermane të hiqte dorë nga një pjesë e shtyllave të kësaj vije, të cilat po i përdorte për shërbimet e saj, ose të paktën të lejonte që po ato shtylla të përdoreshin edhe për vijën civile. Ndërkaq, parashtrohej si e nevojshme t’urdhërohej edhe Prefektura e Elbasanit me qëllim që t’interesohej për t’iu bërë riparimet e nevojshme vijës në fjalë për sa i përket pjesës së kufirit të sajë deri në Qafë Thanë.

Për sa i përket shërbimit postar e udhëtues, prefekti Bala shpresonte që Ministria e Brendshme nuk do të mungonte të bënte ndërhyrjet e saj për t’u urdhëruar Shoqëria S.A.T.A. në mënyrë që të rifillonte me makinat e veta udhëtimet Tiranë – Korçë e anasjelltas, mbasi këto ishin të vetmet mjete udhëtimi, “me të cilat do të kishte mundësi të përfitonte populli i raskapitur e i pocaqisur nga shumë problema të tjera të jetës, sidomos klasa e nëpunsave që, ndërsa nuk është n’asnjë mënyrë në gjëndje të përballojë nevojat më të domosdoshme të jetesës, shpeshherë gjendet e detyruar të udhëtojë për arsye shërbimi e të tjera familjare”.

VIJON NUMRIN E ARDHSHEM


Etiketa: , , , ,

Pas