Aktualitet

Realitete të Luftës së Dytë Botërore, Lidhja e Besës në Qarkun e Kukësit








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:30 - 19/11/20 |
Veli Haklaj

Nisur nga impakti që pati në zhvillimet politike dhe në çështjet e sigurisë publike, në këtë publikim do të trajtojmë fenomenin e lidhjes së besës në rajonet e Qarkut të Kukësit, si mjet i autoriteteve shtetërore për të ruajtur kontrollin e situatës dhe kufizuar rolin në rritje të krahut nacionalist.


Në ndryshim nga punimet e tjera të publikuara më parë me këtë tematikë, në aspektin kohor do të trajtojmë ngjarje që nga viti 1941, të ndërlidhura ngushtë me njëra-tjetrën.


Lidhja e besës në rajonin e Kukësit, në vitin 1942



Në vijim të komunikimeve të datës 23 gusht 1941 dhe 27 shtator 1941, autoritetet e Prefekturës së Kosovës, më 14 mars 1942, informuan Ministrinë e Brendshme se “për të sigurue qetësinë e qarkut të kësaj prefekture, për të zhdukun dhe evitue ngjarjet kriminale e tjera delikte, për të mbrojtun zakonet e mira dhe karakterin shqiptar, kjo prefekturë ka disponue lidhjen e një bese të re për vitin n’udhtim”.


Por, për të pasur efektet e dëshirueshme, ishte e domosdoshme që kundër shkelësve të besës ose kundër atyre që i shmangeshin lidhjes së saj të aplikoheshin dispozitat e lehta të zakonit, siç do vendosej prej komisionit të besëlidhjes.


Duke marrë parasysh rëndësinë tepër të madhe që kishte besa në këto vise, sidomos në kohën tepër delikate që po kalonin, Prefektura e Kosovës kërkonte nga Ministria e Brendshme që t’u jepej autorizimi për aplikimin e këtyre masave.

Me dhënien e autorizimit përkatës, më 17 mars 1942, zëvendësisht prefekti i Kosovës (Kukësit), Tahir Kolgjini, informoi Ministrinë e Brendshme për lidhjen e besës në nënprefekturat dhe komunat vartëse.

Me qëllim sigurimin më së miri të rendit publik, prefekti Kolgjini urdhëroi telegrafisht nënprefekturat e Tropojës dhe Lumës dhe komunat Krumë, Surroj dhe Qendër (Kukës) që, në marrëveshje me kryepleqësitë dhe parinë e atij rajoni, të disponohej lidhja e shpejtë e besës deri në Shënmitër të vitit vijues, në këtë mënyrë: “Mos me bâ vrasje për hakmarrje ose çdo grindje tjetër; mos me vjedhë; mos me marrë pré; mos me plaçkitë; mos me strehue të arratisun politikë ose ordinerë, që nuk mbajnë sjellje të urta; dhe mos me bâ çdo veprim, i cili në çdo mënyrë i vjen ndesh interesit qeveritar me prishje të qetësisë dhe rendit publik”.

Kundër atyre personave që do refuzonin me hy në besë, si dhe kundër atyre që me çdo mënyrë do shkaktonin prishjen e saj, do rëndoheshin masat administrative dhe ndëshkimet zakonore të vendosura prej komisioneve të besës, të cilat do ekzekutoheshin me pëlqimin dhe përkrahjen e plotë të qeverisë.

Ndërkohë, autoritetet shtetërore gjithnjë rezervonin të drejtën për ndjekje penale kundër çdo të arratisuri dhe çdo personi tjetër, që rezultonte i dënueshëm.

Në këtë komunikim, prefekti Kolgjini urdhëronte autoritetet vartëse që të merrnin masa shtrënguese duke thirrë kryepleqtë dhe parinë e përshtatshme në çdo qendër komune, duke i urdhëruar që të merreshin vesh katund më katund dhe krahinë më krahinë për lidhjen e shpejtë të besës.

Njëkohësisht porosiste që të tregohej kujdes në hartimin e proceseve të rasteve që do trajtonin, duke marrë prej të dëmtuarve dy dorëzânës, të cilët do prezantoheshin para komisionit, duke vënë firmën ose shenjën e gishtit.

Kurse kundër çdokujt që drejtpërdrejt ose tërthorazi përpiqej për të paralizuar lidhjen e besës me çdo mënyrë qoftë, si dhe kundër atyre që do refuzonin me dhënë dorëzânës ose me hy në besë ose që pretendonin se dorëzânësit nuk i binden, autorizoheshin autoritetet vartëse me marrë masa arrestimi, duke i përcjellë për në qendër të Prefekturës bashkë me proceset relative për internimin e tyre.

Kuvendi i kryepleqve dhe parive me autoritetet qeveritare për lidhjen e besës u zhvillua më 16 mars 1942. Nga shqyrtimi i dispozitivit të besës, konstatohet se Prefektura e Kosovës kishte pas parasysh ndalimin e çdo vrasjeje për hakmarrje ose në rrethanat e gjaknxehtësisë, forcimin e garancisë kundër personit dhe pasurisë me çdo mënyrë qoftë, mosstrehimin e të arratisurve që zhvillonin ngjarje rreth kohës që përfshinte besa dhe mandej çdo veprim tjetër që i vinte ndesh interesit qeveritar.

Kjo e fundit përmblidhte të gjitha deliktet konvencionale ose kriminale të parapara prej Kodit Penal dhe që ishin parashikuar njëkohësisht dhe prej procedurës së zakoneve të vendit, mbështetur në Kanunin e Lekë Dukagjinit.

Në informacionin për Ministrinë e Brendshme, prefekti Kolgjini, pasi sqaron se “nuk jemi duke dashtë me ngjallë një procedurë primitive me të cilën janë mbajtë malsinat e veriut në kohën e mesjetës”, evidenton si shkaqe që kishin ndikuar për të vepruar në këtë mënyrë:

1) Qetësia kishte mbërritur në kulmin e shkatërrimit në nënprefekturat e Lumës e të Tropojës dhe në rrethin direkt (Kukës), me çdo lloj ngjarjeje në mënyrë që, përveç një shumice të madhe njerëzish që kishin dalë në arrati, edhe shumëfishi i tyre si guximtarë të paidentifikuar ndodheshin në shtëpitë e tyre dhe gati gjithnjë me formue turma në dëm të njëri-tjetrit, sidomos në stinën verore. Kjo provohej nga fakti se disa krahina preferonin me lidhë besën deri në Shënkoll (10 maj) dhe jo deri në Shënmitër.

2) Veprimtaria e këtyre elementëve të rrezikshëm me armë në dorë nuk kishte mbetur e kufizuar vetëm në Qarkun e Prefekturës së Kukësit, por kishte pasur efekte shumë të rënda edhe në krahinat kufitare si në rajonet e vendeve Dragash, Tetovë, Prizren, Gostivar, Rekë, Suharekë, Rahovec, Gjakovë etj.

Në këto vende shumica e vjedhjeve, preve, thyerjeve të dyqaneve dhe të magazinave, si dhe ndonjë vrasje bashkë me prerje të rrugëve të pazarit ishin kryer direkt prej çetave të Lumës ose shpeshherë prej të tjerëve me bashkëpunimin e këtyre, përveç kafshëve dhe bagëtive të vjedhura që ishin përcjellë nga persona të Qarkut të Kukësit për në malet dhe në tregjet e Shqipërisë, brenda kufirit të vjetër (1913-ës).

Kjo gjendje ishte bërë aq e padurueshme, sa dikush në vendet e Tokave të Liruara kishte mbërritë me dëshirue rishtazi një sundim Jugosllav, mbasi vetëm ai u kishte pre hovin këtyre barbarizmave.

3) Hipoteza se hovi i këtyre ngjarjeve kishte me u ndalue me një operacion të fortë, që do zhvillohej në juridiksionin e kësaj Prefekture nuk dukej bindës për prefektin Kolgjini sepse:

a) një operacion mban gjithnjë karakter të përkohshëm e nuk imponon një shtrëngesë të vazhdueshme;

b) operacioni nuk mundet me pasë një kontroll të aftë kundër atyre që kryenin akte të tilla në dëmin publik pa dhënien e shenjave dhe fakteve, kurse zakoni e zbulon me bé;

c) operacioni ndonjëherë mund të dëmtojë edhe të pafajshmin, duke marrë përpara turmën me një vrull të madh; ç) operacioni ndoshta nuk i përshtatej edhe rastit në pikëpamje politike.

4) Duke pa të nevojshme shtimin e shpejtë të agjentëve të sigurimit publik, prapë se prapë përkohësisht konsiderohej e detyrueshme me kërkue ndihmë nga masat e mira të së drejtës zakonore në dëm të elementit turbullues.

Veçanërisht me besën e lidhur kishin me pasë në kujdes me pengue edhe përkrahjet që mund t’u bëheshin prej popullit të arratisurve, që bënin faje të vazhdueshme, ndërsa në anën tjetër natyrisht qeveria do të merrte masa kundër çdokujt që strehonte ose përkrahte çdo të arratisur, qofshin dhe nga ata që fatalisht kishin ngelë përjashta dhe nuk synonin të bënin më faje të vazhdueshme.

Për sa i përket paralizimit të ndonjë turbullimi me karakter politik, Prefektura e Kukësit informoi telegrafisht Ministrinë e Brendshme, më 17 mars 1942. Në këtë komunikim rezervat, prefekti i Kukësit Tahir Kolgjini, duke shpalosur dhe qëllimin politik të kësaj nisme, thekson se masat për lidhjen e një bese të përgjithshme në Qarkun e Kukësit vlenin për të paralizuar Muharem Bajraktarin me shokët e tij në mënyrën që vijon:

“1) Muharem Bajraktari dëshiron shkatërrim qetësije dhe anarshi, kurse besa për kundër vullnetit të tij vazhdon me qenë një armë e fortë për mbajtjen e rregullit dhe të rendit.

2) Muharrem Bajraktari me të arratisurit kërkojnë me sigurue jetesën e tyne me rrugë ilegaliteti e në dâm të pasunive të hueja, kurse besa ndalon çdo pre, vjedhje e plaçkitje që mund të zhvillohet me përkrahjen e strehimin e popullit që nuk âsht i deklaruem me mbetë në arrati. [Nuk gjendet asnjë provë në dokumentet arkivore që pasuesit e Muharrem Bajraktarit të kenë kryer veprime në dëm të pasurive të të tjerëve.–V. Haklaj]

3) Me lidhjen e besës, agjentat e sigurimit botuner nuk do të preokupohen me popull tue konsumue forcat e tyne për evitim dhe ndjekje ngjarjesh, por do t’u jepet shteg me përmbledhë dhe përqëndrue aktivitetin e tyne me ndjek drejtpërsëdrejti Muharrem Bajraktartin me shokë dhe t’arratisunit e tjerë ordinerë.”

Për këtë arsye, meqenëse kjo mënyrë veprimi i shërbente me efikasitetin më të madh qëllimit kryesor të besëlidhjes, autoritetet e Prefekturës së Kosovës urdhëruan për lidhjen e një bese të përgjithshme në këtë qark, duke qenë e forcuar me masat e zakonit dhe me ato administrative që do të shiheshin të rastit.

Lexo edhe :  Realitete shqiptare në Luftën e Dytë Botërore, qarku i Kukësit në vitet 1943-1944

Më 22 mars 1942, prefektura e Kukësit, pasi informohet se drejt rajonit të Kukësit po niseshin fuqi civile të shumta, duke studiuar pozitën e qeverisë, të popullit dhe të Muharrem Bajraktarit, bashkë me t’arratisurit e tjerë ordinerë, informoi Ministrinë e Brendshme se populli i këtij rajoni nuk dëshironte me vu në përdorim fuqi civile.

Argumentet përmblidheshin në dy pika:

Vitet e kaluara banorët e Lumës kishin kryer operacione të ndryshme në Malësi të Gjakovës, të Nikaj-Mërturit, Shalës e Shoshit dhe në rajonin e Pukës, prandaj trembeshin se nga ana e një fuqie civile të përbërë pjesërisht prej vendeve të sipërme do të ndiqej një hakmarrje në dëmin e krahinave të këtushme.

Popullata e gjykonte me bindje të plotë se një operacion me fuqi civile, qoftë edhe pa dashje, kishte me dhunue personin, pasurinë dhe ndoshta dhe nderin direkt ose indirekt, mbasi fuqia civile është e vështirë me u frenue si duhet.

Edhe ndryshimi i besimit në qarkun e këtushëm dhe pjesërisht të vendeve që kishin formuar banda civile kishte influencuar në pjesët e popullit të këtij qarku për t’i alarmuar që të krijohej një opinion kundër fuqisë civile.

Në komunikimin zyrtar me Ministrinë e Brendshme, më 9 maj 1942, zëvendësisht prefekti i Kukësit, Tahir Kolgjini, vlerësonte se besëlidhja “pati rezultate të shkëlqyera për shkak se iu arrit qëllimit plotësisht me paralizue Muharrem Bajraktarin, i cili me siguri donte me tërhjekë një pjesë të popullit për me shkaktue konflikt me armë e n’anë tjetër u sigurua paksimi i ngjarjeve brenda Qarkut dhe për pa ardhë fuqia civile në Lumë, fakt ky që provohet sidomos me gjendjen deri diku të normalizueme të rrethit të Tropojës”.

Në vijim të këtij komunikimi, prefekti Kolgjini insistonte se besëlidhjen, që i kishte shërbyer në momentin më kritik dhe do t’i shërbente situatës, kjo Prefekturë nuk do e linte pas dore dhe insistonte në forcimin e saj.

Ai argumentonte se, jo vetëm Muharrem Bajraktarin, por besëlidhja paralizonte çdo iniciativë me çdo karakter që mund të synonte turbullimin e gjendjes.

Duhet theksuar se në rastet kur implikoheshin persona që kishin pranuar poste në administratën e pushtuesit, autoritetet shtetërore kërkonin moszbatimin e dispozitave të besëlidhjes.

Më 30 korrik 1943, Ministri i Punëve të Brendshme i drejtohet prefekturës së Kukësit me këtë tel-shifër: “Informohemi se Komisioni i besës kërkoka t’akuzojnë këshilltarin Epruer Asllan Zenelin për vrasjen e Sul Asllanit nga Shtiqeni.

Çështja duhet ndjekë në rrugën ligjore nëse ka ankues e jo në Komision, mbasi duket qartë qëllimi me diskretitue një këshilltar epruer pa faj. Evitoni çdo veprim kanuni në këtë çështje”.

Lidhja e besës në Malësinë e Gjakovës

Në Nënprefekturën e Malësisë së Gjakovës (Tropojës), më 1 qershor 1942, zëvendësisht prefekti i Kukësit, Tahir Kolgjini, shpalli zyrtarisht lidhjen e besës dhe dispozitat e saj.

Prefekti Kolgjini kishte shkuar në Nënprefekturën e Tropojës në gjysmën e muajit maj dhe kishte qëndruar deri më 5 qershor 1942.

Gjatë qëndrimit këtu, kishte formuar një komision me 24 veta, me në krye nënmyftinë e vendit, z. Selim Gashin, dhe mbasi kanë trajtuar zakonin e vjetër e kanë qitë në letër e pastaj ua kanë shpallë zyrtarisht komunave dhe me anën e komisionit e kanë vu popullin në dijeni se tash e mbrapa çështjet penale do të rregulloheshin prej komisionit të besëlidhjes, sipas zakonit të vendit.

Për të vu në zbatim këtë statut të zakonit u angazhuan personat që do të bashkëpunonin me komisionin dhe që formuan nënkomisionin dhe morën përsipër ekzekutimin e çdo vendimi të Këshillit.

Më 20 maj 1942, nga Tropoja, prefekti Kolgjini kërkoi nga Ministria e Brendshme që të mos dërgoheshin fuqi civile se populli, sidomos t’arratisurit që ishin dorëzuar me anën e Ded Cokut, do trembeshin e largoheshin dhe kështu do acarohej gjendja.

Përveç t’arratisurve në fjalë, mund të largohej edhe ndokush tjetër, dhe sikurse kishte informuar edhe më parë, prej fuqisë civile asnjë element nuk dëshironte me përpjekë armët, mbasi e dinin se ishin në shërbim me muaj ose me javë.

Prefekti Kolgjini theksonte se mbledhjen e armëve plotësisht mund ta kryenin me mjetet që kishin në dispozicion tash për tash.

Lidhja e besës në Qarkun e Kukësit, në dhjetor 1943
Mbas kapitullimit të Italisë fashiste, gjendja e rendit dhe sigurisë publike në Qarkun e Kukësit u rëndua dhe më shumë.

Më 16 dhjetor 1943, prefekti i Kukësit Rrok Perolli informoi autoritetet e Ministrisë së Brendshme se duke parë gjendjen e krijuar në këtë qark mbas kapitullimit të Italisë, gjendje që kishte mbërritë në një çrregullim e anarki të plotë, duke parë se dhe autoriteti shtetëror nuk ishte ende në gjendje për të siguruar rendin publik, kishte filluar fushatën për lidhjen e një bese në nënprefekturat vartëse, sipas traditave të vendit, që kështu t’i prehej hovi vrasjeve dhe vjedhjeve.

Fillimisht, pas përgatitjes së terrenit dhe thirrjeve të bëra, më 11 dhjetor 1943 u mblodhën në qendër të prefekturës paria dhe kryepleqësija e 34 fshatrave të Lumës, ku u lidh besa për deri ditën e Shëngjergjit mbi këto gjashtë pika:

“1) Komunikacioni mos me u pre;

2) komunikimi telegrafik dhe telefonik mos me u pre;

3) ushtarin gjerman mos me e vra;

4) ndër vedi mos me u vra;

5) mos me vjedhë as ndër vedi, as ndër fqinj;

6) çetave të huaja mos me u dhanë as bukë, as strehë.”

Çdokush që do të guxonte me e cenue këtë besë do të dënohej në bazë të kanunit të Lekës e zakonit të vendit.

Në këtë mbledhje u vendos që në çdo fshat të formohej një komision, në nënprefekturë do të formohej një komision nën kryesinë e nënprefektit, duke përfshirë njerëzit e zgjedhur të rajonit të nënprefekturës, në prefekturë do të kishte një komision nën kryesinë e prefektit me njerëz të zgjedhur nga qarku i prefekturës.

Kur komisionet e fshatrave dhe nënprefekturave nuk mund të binin dakord, çështja do i kalonte komisionit të prefekturës, dhe ky jepte vendimin e prerë.

Aplikimi i vendimeve do të bëhej me anën e komisionit dhe, kur të kërkohej, kishte me u dhënë dhe ndihma e xhandarmërisë.

Në këtë besë kishin mbetur pa hyrë 16 fshatra që përfshinin komunën e Ploshtanit, të cilat ishin duke biseduar për t’u bashkuar në këtë besë brenda pak ditëve.

Si të bëhej kjo, do zgjidhej një komision për të shkuar në Prizren për të bashkuar besën dhe me atë Prefekturë.

Autoritetet gjermane kërkojnë krijimin e çetave vullnetare

Me gjithë sukseset në procesin e lidhjes së besës, nevoja e pushtuesit për prani dhe veprime me forcat e armatosura që dispononte ishte permanente.

Nga zhvillimet e mëparshme rezultonte se vendet ku nuk ekzistonin trupa gjermane shpejt do të vizitoheshin nga komunistët.

Më 5 shkurt 1944, Feldkomandatura e Prizrenit informonte Prefektin e Kukësit Rrok Perollin se me tërheqjen e trupave, shihej kthimi i komunistëve dhe fillimi i goditjeve të reja.

Goditjet e komunistëve shtoheshin dita – ditës, kështu që duhej llogaritur që ndonjë ditë do mund të sulmohej dhe Kukësi.

Për sigurimin e vendit dhe forcimin e fuqive pushtuese dhe proqeveritare, feldkomandanti i Prizrenit kërkonte organizimin e trupave vullnetare, të cilat “duhej të vendosin qetësinë dhe rregullin duke i luftuar komunistët”.

Për këtë ai lutej që sa më parë të krijoheshin çeta vullnetare në Tropojë, Kukës dhe Bicaj. Kriteri i marrjes së vullnetarëve ishte që ata të luftonin për çlirimin e Shqipërisë nga komunistët.

Në përgjigjen e tij, Prefekti i Kukësit Rrok Perolli theksonte se populli i kësaj prefekture një thirrjeje të tillë kishte me iu përgjigjë me dëshirë, por për ta zbatuar ai kërkonte autorizim nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe sqarimin e konditave të shërbimit (pagesës).

Në lidhje me këto zhvillime, më 10 shkurt 1944, Prefektura e Kukësit informoi Zyrën Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Çetat komuniste kalojnë në Lumë

Më 29 shkurt 1944, Prefekti i Kukësit Rrok Perolli, vuri në dijeni zyrtarisht Nënprefekturën e Lumës se, sipas informatave që dispononin, ndër këto ditë, një grup komunistësh i përbërë prej 150 vetësh kishte kaluar Drinin e hyrë në Lumë.

Prefekti Perolli porosiste autoritetet e Nënprefekturës që në bashkëpunim të ngushtë me Rrethkomandën e Kukësit të bënin hetime se ku ndodheshin e kush i mbante. Në rast hetimi do t’u dërgohej fuqi nga qendra e Prefekturës.

Ndërsa Rrethi i Kukësit, bazuar lajmërimit të marrë nga Posta e Surrojt, njoftoi Prefekturën e Kosovës se më 15 mars 1944, në orën 5 të mëngjesit, një çetë e përbërë nga 15 veta të armatosur dhe të veshur me uniformë ushtarake, kishin kaluar duke marrë drejtimin për në Ujmisht ose në Reç e Lurë të Dibrës.

Supozohej që mund të kishte qenë Ymer Bardhoshi i Pukës, që zakonisht shkonte shpesh te Muharrem Bajraktari.


Etiketa:

Pas