Në periudhën qershor-shtator 1944, në rajonin e Kukësit kemi një intensifikim të veprimit të çetave nacionaliste dhe partizane kundër pushtuesit gjerman.
Protagonistë të këtyre veprimeve ishin Muharrem Bajraktari, Ismail Poga, Fadil Hoxha, Dali Ndreu etj. Reagimet e forcave gjermane dhe atyre të xhandarmërisë, që ndihmoheshin dhe nga fuqi vullnetare, nuk kishin efektivitet për ta ndaluar veprimin në rritje të tyre.
Ndjekja e Muharrem Bajraktarit nga fuqitë gjermane
Në verën e vitit 1944, Muharrem Bajraktari konsiderohej kërcënim serioz për autoritetet pushtuese gjermane. Fuqia SS “Skenderbeg” që ndodhej në Surroj, më datën 1 qershor 1944 shkoi në katundin Ujmisht të rajonit të Rrethit të Lumës. Komandanti i asaj fuqie kishte kërkuar Muharrem Bajraktarin që të paraqitej para tij ose brenda 5 ditëve të paraqitej në Kukës. Sipas informatave që kishte Rrethkomanda e Lumës, që ia përcolli dhe Qarkkomandës së Kukësit, Muharrem Bajraktari ishte larguar nga Ujmishti me drejtim të paditur.
Afati kaloi dhe sigurisht që Bajraktari nuk u paraqit para autoriteteve të Kukësit. Nga komunikimi zyrtar ndërmjet autoriteteve të Prefekturës së Kosovës me ato të Ministrisë së Brendshme rezulton se mbrëmjen e datës 13 qershor 1944 një kompani ushtarësh gjermanë me qëndrim në Kukës shkuan në orën 23.00 në Bicaj dhe në mëngjes kanë shkuar dhe rrethuar shtëpinë e Muharrem Bajraktarit, i cili ishte larguar nga banimi bashkë me familjen. Pas kërkimeve në shtëpi, në ikje morën një çifte gjahu.
Për marrjen e çiftes populli dhe farefisi i Muharrem Bajraktarit ishin pezmatuar dhe kishin dashtë me u fillue pushkën ushtarakëve gjermanë, por Bajraktari edhe këtë radhë, simbas informatave, kishte këshilluar e vetë kishte mbajtur gjakftohtësinë dhe nuk ishte shkaktuar asgjë. Më 15 qershor, prefekti i Kukësit Rrok Perolli informonte Ministrinë e Brendshme se “ushtria gjermane kundër Muharrem Bajraktarit ka fillue ndjekje serioze”.
Përpjekjet e fuqive të Muharrem Bajraktarit me forcat gjermane
Më 18 gusht 1944, Prefektura e Kukësit informoi Zyrën Politikë në Ministrinë e Punëve të Brendshme se më 17 gusht 1944, një fuqi gjermane e përbërë prej 40 vetash kishin shkuar prej Kukësit në Bicaj në ndjekjen e një oficerit që ishte largue nga reparti. Fuqia në fjalë, n’orët e para të mëngjesit të datës 17, mbërriti në Bicaj dhe vijoi rrugën për në Qafën e Kolesjanit me masa pararoje. Mbasi kanë arritë në Qafën e Kolesjanit, pararoja mori drejtimin për në katundin Domaj e Ujmisht. Me mbërritjen në Domaj pararoja ka bërë përpjekje me një fuqi civile dhe, në luftim e sipër, fuqia tjetër që ndodhej prapa është tërhequr me drejtim Bicaj-Kukës. Sa për pararojën nuk dihej fati i tyre.
Fuqia e xhandarmërisë së Bicajt ishte shpartalluar me drejtime të ndryshme, si dhe ndihmësi i Rrethkomandës së Xhandarmërisë së Lumës ishte larguar së bashku me fuqinë gjermane që tërhiqej, duke mbërritë në Kukës. Ndërkohë, Qendra e Nënprefekturës së Lumës, Bicaj, ndodhej krejtësisht në duart e fuqisë civile të vendit 300–400 vetësh, të cilët, duke marrë drejtimin e katundit Nangë, kishin për qëllim të marshonin mbi Kukës, meqë këta ishin të përqendruar rreth fushës së aviacionit. Nga hetimet e bëra nga Prefektura e Kosovës, rezulton se lëvizja kryesohej prej Muharrem Bajraktarit.
Titullari i Nëprefekturës së Lumës, Gani Abazi, sekretari Hamdi Mandija e arshivisti Gani Gashi ndodheshin në qendrën e Prefekturës Kukës, duke lënë familjet e tyre në Bicaj. Për nënpunësat e tjerë nuk kishte informacion se ç’drejtime kishin marrë. Prefektura e Kosovës kërkonte nga autoritetet e Ministrisë së Brendshme marrjen e masave të shpejta, “meqë kjo lëvizje kishte për qëllim me pre rrugën e Kosovës me atë të Shqipnisë së Vjetër”.
Për zhvillimet e mëtejshme, më 24 gusht 1944, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë informoi Ministrinë e Brendshme, se komanda gjermane kishte dërguar një fuqi tjetër kundër fuqisë sulmuese civile, të kryesuar nga Muharrem Bajraktari. Me fuqinë që dispononte Qarkkomanda e Kukësit kishte marrë të gjitha masat e rastit, duke qenë në lidhje me fuqitë gjermane të atjeshme. Në mëngjesin e datës 20 gusht, ushtria gjermane filloi operacionin në rajonin e Lumës. Ky operacion filloi në katundin Shtiqen, duke djegur disa shtëpi. Më datën 20 gusht, fuqitë gjermane ndodheshin në Nangë dhe ato kundërshtare në Bicaj. Ndërkohë, luftimet vazhdonin.
Intensifikimi i veprimeve të çetave partizane
Në këtë periudhë u intensifikua edhe veprimi i çetave partizane. Por raporti i tyre me popullsinë vendase nuk ishte gjithkund mirëkuptues, në ndryshim nga mbështetja masive që i jepej Muharrem Bajraktarit. Më 5 qershor 1944, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Tahir Kolgjini, informoi Ministrinë e Punëve të Brendshme se me anë të një letre private i ishte referuar se partizanët e Lumës kishin dalë sheshit me çeta të formuara, të cilët për herë të parë bënë një qëndrim në Sasat (Gjallicë) të Nangve. Autori i letrës shkruante se “me përpjekjen që bâmë i larguem se u dërguem njerëz [që u thanë] “a po largohi a u vumë pushkën””. Atë natë që u larguan nga Sasati, partizanët vranë tre gjermanë te Kulla e Lumës, dogjën një shtëpi dhe dolën e bënë bashkimin në Kodrën e Gjabricës. Por ishte mbledhur populli dhe i kishte larguar edhe prej aty. Partizanët pastaj shkuan në bjeshkë të Kolesjanit. Dukej qartazi që Kolesjani po i mbante.
Çeta partizane ishte e përbërë prej më tepër se 300 vetësh, se kishte prej Dibre, serb, malazez e bullgarë. Sipas autorit të letrës, populli ishte shumë i ashpërsuar kundër tyre, por shifej që autoritetet shtetërore lokale nuk bënin veprime dhe u mungonte edhe fuqia; “s’kan çka me bâ populli se autoriteti i qelbun”. Disa nga SS-të kishin ardhur nga Kosova e qëndronin në Kukës dhe një ditë kishin bërë shtetrrethim në Shtiqen, por nuk ishin sjellë keq akoma. Siç dukej gjendja do të ashpërsohej çdo ditë dhe pritej që Luma të prishej prej fuqisë gjermane. Autori i letrës informonte zotin Kolgjini se ishin duke u frikësuar edhe ata, por kur ta shihnin punën keq kishin vendosur me ikë në Prizren.
Në krahinën e Hasit dominonte protagonizmi i Ismail Pogës. Komuna e Krumës, me njeri të veçantë lajmëroi Prefekturën e Kukësit, se mbrëmjen e datës 8 korrik 1944, ora 23.00, një çetë komuniste e përbërë prej 40 – 60 vetësh, nën kryesinë e Ismail Pogës kishin hyrë në Krumë dhe shkuar në ndërtesën e Komunës, të cilën mbasi e kishin thyer, “kanë hy mbrenda ku kanë kapë e shkye akte e regjistra dhe kanë marrë me veti aparatin telefonik, makinën e shkrimit dhe vulat zyrtare”. Sekretari që ndodhej aty duke fjetur, kishte mundur të ikte, bashkë me gjendjen e arkës dhe ishte fshehur në dyqanin e një tregtari t’atyshëm. Po të njëjtin veprim kishte bërë çeta komuniste edhe me Postëkomandën e Xhandarmërisë. Të katër xhandarët që ndodheshin aty nuk kishin mundur të bënin gjë dhe çeta ishte larguar në drejtim të paditur.
Autoritetet e Prefekturës, sapo morën lajmin, menjëherë i bënë të ditur Ortskomandaturës dhe me anë të saj menjëherë lajmëruan Feldkomandaturën dhe Divizionin SS “Skandebeg”, në Prizren. Nga ana tjetër, brenda pak orëve mblodhën 70 vullnetarë nga Rrethi i Kukësit dhe me një fuqi qeveritare prej 10 xhandarësh, nën kryesinë e një aspiranti, u nisën për në Krumë. Kjo fuqi kishte shkuar rrugës duke mbledhë edhe të tjerë vullnetarë dhe kur kanë mbërritë në Krumë fuqia përbëhej prej 195 vetësh. Në Krumë, kryetari i Komunës mblodhi menjëherë Komisionin e Besës dhe qitën kushtrimin në rajonin e Krumës për të dalë nga një burrë për shtëpi me armë.
Në informimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për këto zhvillime, Prefektura e Kukësit theksonte se “kemi dhënë urdhëna kategorikë që sanksionet e Besës me i aplikue patjetër, d.m.th. me djegë shtëpitë e partizanëve dhe të gjithë atyne që i kanë strehue e dhanë bukë”.
Ndërkohë, më 9 korrik 1944, patrulla e Postës së Qendrës Bicaj gjeti në tregun e Bicajt një afishe me të cilën komunistët ftonin lumjanët “për t’u mbështjellun i tërë populli për të veprue siç vepruan komunistët në Peshkopi, në këto ditët e fundit”. Për të marrë masat e rastit Prefektura e Kukësit urdhëroi kompaninë shëtitëse që të shkonin në atë rajon.
Kompania shëtitëse Luma, më 11 korrik 1944, në orën 5.00, në një rrethim që bëri në qendrën e Bicajt kishin takuar tre të arratisur komunistë, njëri prej të cilëve ishte i armatosur me mitraloz serbie, i dyti me pushkë luftë dhe i treti pa armë. Të përmendurit kishin tentuar me armë kundër fuqisë shëtitëse. Në luftim e sipër kishte mbetur i vrarë komunisti i quajtur Ibish Melaimi, lindur dhe banues në Bicaj.
Gjithashtu, u zunë rob komunistët Ahmet Ramadan Kërxha dhe Ejup Sinan Shehu, që të dy lindur dhe banues në Bicaj. Prej fuqisë shëtitëse nuk kishte patur ndonjë dëm. Ndjekjet vazhdonin. Qarkkomandanti i
Xhandarmërisë së Kukësit, kapiten i Esat Pagria, informonte periodikisht Prefekturën e Kukësit për këto zhvillime. Ndërkohë, organet vartëse informuan Prefekturën e Kukësit se, më datën 11 korrik 1944, n’orën 16.00, xhandari Ramadan Islami, i cili nga Topojani shkonte në Bicaj për të çuar postën zyrtare të Kompanisë Shëtitëse, posa kishte mbërritë në vendin e quajtur “Shkalla e Bicajt”, një çetë komuniste e përbëre prej 6 vetësh të paidentifikuar e kishin arrestuar duke i marrë postën dhe e morën me veti deri në Stanet e Treshnes. Atje e mbajtën deri në orën 10 të natës, kohë kur e kanë lënë të lirë bashkë me armatimin, por me kondita që të shkonte në shtëpinë e tij në Dibër. Postën ia mbajtën.
Xhandari i përmendur nuk preferoi të shkonte në shtëpinë e tij, por u paraqit në Rrethkomandën e Bicajt dhe lajmëroi për ngjarjen. Kompania Shëtitëse, që ndodhej në Bicaj për ndjekjen e çetave komuniste, u nis më 12 korrik, ora 24.00, dhe mbasi mbërriti në vend, mbas disa kontrollesh në Stanet e Bicaj, në orën 5 të datës 13 korrik, është takuar me një çetë komunistësh të përbërë prej 30 vetësh. Çeta, posa kishte parë fuqinë ushtarake, mori drejtimin e ikjes dhe kompania hapi zjarr kundër tyre duke plagosur tre komunista, të cilët u panë duke u transportuar nga shokët.
Shtimja e tyre në dorë kishte qenë e pamundur, mbasi aty ishte pyll i madh dhe i dendur. Po këtë ditë Kompania Shëtitëse rrethoi katundin Treshen dhe në kontrollin që kishin bërë kanë gjetur e arrestuar të quajturin Sul Gjuta, nga katundi Shtiqen, i cili kishte kohë që ishte përkthyes i oficerëve anglezë në Qarkun e Kukësit. Sul Gjuta para se të arratisej kishte qenë nëpunës i shtetit, në dispozicion të Prefekturës së Pejës, dhe, meqenëse konsiderohej person me rëndësi për sa i përket veprimit të oficerëve anglezë, komandanti i Kompanisë Shëtitëse, kapiten Zyber Lita, e kishte sjellë në qendër të Prefekturës së Kukësit dhe nisur menjëherë për në Prizren.
Që në mesin e korrikut 1944, mbas shpartallimit të çetave komuniste në Peshkopi e rrethe, ato kishin tentuar që të hynin edhe në qarkun e Prefekturës së Kukësit, nga ana e Kalasë së Dodës. Nga autoritetet e Prefekturës së Kukësit u morën masa me kompaninë shëtitëse, të cilën e dërguan për çdo eventualitet në kufirin Lumë-Peshkopi, dhe me një shumicë vullnetarësh deri në 500 vetë të mbledhur nga ana e Osman Litës, që shkuan në ndihmë të kompanisë shëtitëse. Çeta komuniste e kryesuar nga Haxhi Lleshi dhe Abedin Shehi, mbasi hynë në bjeshkë dhe tentuan me djegë stanet e Osman Litës, meqenëse kanë parë fuqi aty, u kthyen prapë në rajonin e Peshkopisë, në Bjeshkën Gram, dhe nga këndej morën drejtim për në kufirin me Maqedoninë.
Ndërkohë, një pjesë e çetës komuniste që ishte në Valbonë, rajon i Tropojës, e përbërë nga 100-150 vetë, nën kryesinë e Fadil Hoxhës e Ismail Pogës kishin kaluar për në Has, ku ishin takuar me detashmentin e vullnetarëve të Hasit, nën komandën e Islam Gjinit, në malin Gradisht, dhe mbas tridhjetë minutash luftim ishin shpartalluar dhe duke përfituar nga dendësia e pyllit dhe nga errësira e natës arritën të kalonin Drinin dhe hynë në rajonin e Lumës, ndërmjet katundeve Morinë e Bardhoc, duke kaluar në Bjeshkën Pobreg.
Duke qenë se fuqia e xhandarmërisë së Kukësit ishte shumë e pakët, Prefektura e Kukësit iu drejtua me shkresa parisë dhe kryepleqësisë së katundeve të Komunës së Qendrës (Kukës) dhe me anën e autoriteteve lokale iu bëri thirrje katundeve të Komunës së Qendrës Bicaj. Mbas mbledhjeve të bëra nga ana e parisë dhe kryepleqësisë, vendosën që secili katund ta ruajë veten, megjithëse besa e vendit ishte lidhur prej kohe deri në Shënmitër, por me pretekst se, mbasi besën nuk e kishin bashkuar krahinë me krahinë, nuk mund të hynin në rajon të një komune tjetër.
Në informimin e Ministrisë së Brendshme më 23 korrik 1944, Prefekti Perolli theksonte se ishte për t’u lavdëruar “gjesti i katundit Gostil, që këta duke pri i ka marrë mbrapa katundi Kukës e Ram-Has, por, me kenë se ishin duke pritë dhe katundet e tjera, nuk u nis veprimi menjëherë dhe çeta komuniste përfitoj nga koha dhe muerën drejtim për në katundin Lojme dhe Topojan e thuhet se nga andej kanë shkue në bjeshkët e Gostivarit, ose të Tetovës, për t’u bashkue me çetat e Haxhi Lleshit”.
Kjo ishte hera e dytë që autoritetet e Prefekturës së Kukësit kishin konstatuar se një pjesë e Lumës, që quhej Bajraku i Bicaj, ishin përgjithësisht pasiv dhe ishte infiltruar nga katundi Bicaj e Kolesjan, djemtë e të cilëve bënin pjesë në radhët e çetave komuniste. Prefekti i Kukësit Rrok Perolli, në informimin e Ministrisë së Brendshme më 23 korrik 1944, rezervohej që, mbasi të kishin studiuar situatën e krijuar, do bënin propozime për zbatimin e disa sanksioneve kundrejt këtyre pasivëve.
Në fillimin e muajt gusht, përpjekjet e formacioneve partizane për të kaluar në rajonin e Qarkut të Kukësit u shtuan. Nënprefektura e Lumës, me fonogram tepër urgjent të datës 6 gusht 1944, lajmëroi Prefekturën e Kukësit se Kalaja e Dodës me postë të posaçme njoftonte se një sasi e madhe komunistësh nën komandën e Dali Ndreut ishin grumbulluar që nga Mali i Korabit deri në Dri, gjatë Vleshës. Natën e 5 gushtit ishin qëlluar me patrullat e xhandarmërisë së Lumës.
Thuhej se në mëngjesin e 7 gushtit Kalaja e Dodës do të sulmohej nga të gjitha anët. Kjo vërtetohej edhe nga njerëz që bashkëpunonin me autoritetet e Nënprefekturës dhe që ndodheshin në atë anë të kufirit të Lumës. Kalaja e Dodës kërkonte ndihmë civile dhe ushtarake. Në informimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Prefektura e Kukësit theksonte se kjo prefekturë, tash dhjetë ditë, kishte marrë masat e rastit duke dërguar në Kala të Dodës detashmentin Luma. Edhe Osman Lita kishte mbledhur një sasi vullnetarësh të asaj krahine. Kurse titullari i kësaj Prefekture, Rrok Perolli, menjëherë disponoi urdhra për mbledhjen e vullnetarëve të Nënprefekturës së Bicajt, simbas besës që kishin lidhur, si dhe “demarshoi me anën e Ortskomandaturës së Kukësit në Feldkomandaturën e Prizrenit për dërgimin e një fuqie të vogël ushtarake, që kështu populli të ngrihet kundër komunistëve”.
Kurse çeta e kryesuar prej Fadil Hoxhës e përbërë prej 150 vetësh, në mbrëmjen e datës 7 gusht 1944, ishte kthyer nga katundi Vleshë i Peshkopisë dhe duke hyrë në rajonin e Bicajt kishte përshkruar bjeshkën e katundit Lusen e prej andej mund të ishte kthyer ose dalë në qarkun e Tetovës. Ndërkohë, sipas informatave që kishte Prefektura e Kukësit, në rajonin e Komunës Zvezë ishte formuar një çetë komuniste.
Në vijim të veprimeve luftarake, më 10 gusht 1944, ora 5.00, në vendin e quajtur Ura e Gjegjanit, një çetë komuniste e paidentifikuar, e përbërë prej afro 50 vetësh, ndaloi dy makina ushtarake gjermane dhe mbas një luftimi 15 – 20 minutësh vranë një nënoficer e plagosën dy ushtarë gjermanë dhe dogjën të dy makinat. Si kundërveprim, më 11 gusht, në vendin e ngjarjes, ushtria gjermane vari në litar dy persona dhe një e vrau me pushkë, të cilët në kohën e raportimit ende nuk ishin identifikuar. Për këto zhvillime intensive, bazuar në njoftimet e komandave respektive të xhandarmërisë, Prefektura e Kosovës informonte periodikisht Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Përplasje me armë e nacionalistëve me çetën partizane
Bazuar në raportimet periodike të Qarkkomandës së Prizrenit, më 30 shtator 1944, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë informoi Kryeministrinë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, se fuqitë partizane që ndodheshin në rajonin e Prefekturës së Kukësit kishin filluar të rekrutonin djelmosha në katundin Topojan për llogari të Partisë Nacionalçlirimtare. Meqenëse në juridiksion të Kukësit dhe sidomos në Lumë dominonte influenca e ish-nënkolonel Muharrem Bajraktarit, ky i fundit kishte ndërhyrë me armë kundër partizanëve.
Për pasojë u zhvillua një luftë e ashpër në mes tyre pranë katundeve Shishtavec dhe Carnalevë. Sipas informacioneve të Qarkkomandës së Prizrenit, thuhej se në këtë luftim kishte mbetur i vrarë dhe kryetari i çetës partizane, Njazi Hoxha. Këto ballafaqime ushtarake do të jenë objekt i një publikimi tjetër.