Aktualitet

Realitete të Luftës së Dytë Botërore, zhvillime në Malësinë e Gjakovës, prill-qershor 1944








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:40 - 01/12/20 |
Veli Haklaj

Goditja që morën formacionet partizane në operacionin gjerman në Tropojë ishte e rëndë. Por me daljen e pranverës ato u riorganizuan për të kaluar në veprime më intensive.



Një ndikim të fuqishëm në luftën kundër pushtuesit gjerman pati veprimi i vëllezërve Kryeziu në rajonin e Malësisë së Gjakovës, të cilët bashkëpunonin ngushtësisht me misionet britanike. Bashkëpunimi i Gani Kryeziut me Ram Mujë Hoxhën e Gashit, Sali Manin dhe Veli Nimanin e Krasniqes, Zenel Hoxhën dhe Shaban Haxhinë e Bytyçit dhe personalitete të tjera të Malësisë së Gjakovës pozicionoi Rrethin e Tropojës në një veprim të fuqishëm kundër pushtuesit gjerman.


Kjo shkaktoi alarm në autoritetet vendore dhe qendrore, por ka prova arkivore që veprimet e rrethkomandantit Tahir Hoxha, që ushtronte dhe detyrën e nënprefektit, nuk ishin energjike kundër tyre. Ky qëndrim individual është ndikuar dhe nga tradita e lidhjeve familjare dhe miqësore të tij.



Autoritetet vendore ndiheshin të pafuqishme përballë Gani Kryeziut
Në fundin e muajit prill 1944, me shkresë Rezervat të Posaçëm Rrethkomanda e Tropojës informoi Komandën e Qarkut të Kukësit se Gani Beg Kryeziu ndodhej në rajonin e Tropojës dhe se kishte filluar të bënte regjistrime personash me qëllim që të prishin qetësinë e atij rajoni. Strukturat e xhandarmërisë së Tropojës nuk ishin në gjendje për të bërë ndjekjet kundra Kryeziut, për shkak se kishin pak personel të vjetër dhe se ai i regjistruar kohët e fundit ishte pa armatim e veshmbathje.



Për këtë kishin kërkuar nga Komanda e Kukësit një fuqi të mjaftueshme. Qarkkomanda e Kukësit, meqenëse fuqinë që kishte disponibël në Rrethin direkt dhe në Rrethin e Bicajt e kishte fare të pakët, urdhëroi nisjen e detashmentit të përbërë prej 20 vetash për në Tropojë, që më 1 maj 1944, por nuk besonte se kjo fuqi do ia arrinte qëllimit.


Në këto rrethana, zëvendësisht prefekti i Kosovës, kapiten i Esad Pagria, kërkonte nga autoritetet e Ministrisë së Brendshme që të ndërmjetësonte pranë Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë që kjo të plotësonte, mundësisht sa më parë, me armatime e veshmbathje personelin prej 75 vetash që kishte regjistruar rrethi i Nënprefekturës së Tropojës, që kështu kjo të ishte në gjendje të përballonte çdo ngjarje eventuale.

Edhe Prefektura e Shkodrës, bazuar në njoftimet e Nënprefekturës së Pukës më 5 maj 1944, informoi Ministrinë e Punëve të Brendshme, se Gani Beg Kryeziu bashkë me një major anglez e disa malazez ndodheshin në katundin Visoç të Tropojës dhe po zhvillonin propagandë në dëm të interesave të regjimit.

Më 10 maj 1944, Nënprefektura e Tropojës informoi Qarkkomandën e Kukësit se me masat e marra prej detashmentit të dërguar prej qendrës së Kukësit kishte qenë e pamundur shtimja në dorë e Gani Beg Kryeziut. Nga ndjekjet që ishin bërë kundër tij, ai ishte larguar menjëherë nga rajoni i Tropojës për në rajonin e Gjakovës.

Në ndjekje e sipër detashmenti në fjalë kishte gjetur në vendin e quajtur Kroni i Orëve të Qafës Çobane dy stane të reja (baraka) të ndërtuara prej çetave të Kryeziut. Sipas informatave të marra prej Nënprefekturës së Tropojës, Gani Begu me gjithë partinë e tij po mbahej me ushqime prej banorëve të rajonit të Gjakovës, sidomos të qytetit.

Duke qenë se Gani Kryeziu ishte larguar nga rajoni i Qarkut të Kukësit, detashmenti i dërguar për ndjekjet e tij u kthye në Kukës më 8 maj, prandaj zëvendësisht prefekti i Kosovës, kapiten I Esad Pagria, më 13 maj 1944, kërkonte nga autoritetet e Ministrisë së Brendshme që të ndërmjetësonin pranë Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë për të urdhëruar Qarkun e Prizrenit që të vijonin ndjekjet kundër tij.

Ndërkohë, sipas informacionit të Qarkkomandës së Kukësit drejtuar Prefekturës së Kosovës, rezulton se më 13 maj 1944, në orën 9.00, në vendin e quajtur Prroni Itisit, tej ish-kufirit të mëparshëm, ishte bërë një përpjekje e patrullës së ushtrisë gjermane me çetën e Gani Beg Kryeziut. Mbas një luftimi prej 15 minutash, çeta në fjalë ishte larguar në drejtim të paditur. Gjatë luftimit u plagosën lehtë dy persona të çetës së Gani Kryeziut, të quajturit Fasli Mela, i biri i të ndjerit Ramë e i Zades, 30 vjeç, lindur e banues në katundin Zherkë, komuna Bytyç, Tropojë, dhe Sali Përgjoni, i biri i Shpendit e i Shkurtës, 18 vjeç, lindur në katundin Zherkë, të komunës së sipërme, e banues në Gjakovë.

Dy të plagosurit ishin marrë nga ana e shokëve. Nga ana e patrullës gjermane nuk pati ndonjë dëm. Ndjekjet kundra çetës së Kryeziut vazhdonin. Kurse më 27 maj 1944, ora 1.00, në vendin e quajtur Qafa e Stoberdës, të Komunës së Bytyçit, në Tropojë, nga ana e patrullës gjermane u plagos rëndë Isuf Hajdarmataj, i biri i Musës e i Shahes, 25 vjeç, lindur e banues në katundin Zogaj, të komunës së sipërme. Shkaku i plagosjes ishte se i dëmtuari ushqente ide komuniste.

Zhvillimet në Rrethin e Tropojës pasqyroheshin dhe në raportimet periodike të prefekturave fqinje të Tokave të Liruara. Prefekti i Pejës Xhelal Preveza më 5 qershor 1944 vuri në dijeni Zyrën Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme se më 29 maj 1944 ishin informuar se Sali Mani me 200 vetë shqiptarë e partizanë ndodheshin në Valbonë dhe kishte shkuar me disa shokë të tij në Krasniqe, ku ishte takuar me Gani Kryeziun me qëllim që të formonin edhe disa çeta të tjera.

Ndërsa në dy raporte radhazi, më 18 maj dhe 1 qershor 1944, prefekti i Kosovës Rrok Perolli informoi Zyrën Politike, në Ministrinë e Punëve të Mbrendshme se, nga masat që kishin marrë autoritetet vartëse, çetat komuniste të Malësisë së Gjakovës ishin shkatërruar duke u ndarë në dy pjesë: njëra prej tyre kishte marrë drejtimin për në rrethin e Plavës, tjetra për në atë të Dukagjinit. Si kryetar të çetave në fjalë ishin Mehmet Bajraktari (Mulosmani), nga katundi Bujan, e Mal Sadiku nga katundi Gri, të dy të rajonit të Nënprefekturës së Tropojës.

Njëkohësisht me njoftimin e nënprefekturave Plavë e Dukagjin për marrjen e masave të rastit, Prefekti Perolli i lutej Ministrisë së Brendshme t’urdhëroheshin autoritetet përkatëse për të bërë ndjekjet e nevojshme kundër tyre.

Ky informacion i Prefekturës së Kosovës nuk rezultoi i saktë. Faktikisht veprimtaria e çetave partizane në Malësinë e Gjakovës vijonte pa ndërprerje, biles po intensifikohej falë bashkëpunimit me formacionin e drejtuar nga Gani Beg Kryeziu. Por, sigurisht, ata preferonin të qëndronin dhe lëviznin në territore më të mbrojtura nga sulmet e pushtuesit gjermanë dhe fuqive të sigurisë publike.

Më 8 qershor 1944, Prefekti i Kosovës, Rrok Perolli, informoi Zyrën Politike, në Ministrinë e Brendshme se këto ditë Gani Kryeziu ishte bashkuar me partizanët që ndodheshin në Rajonin e Tropojës, ku forca e tyre e përbashkët ishte më shumë se treqind. Vendqëndrimi i tyre ishte në Bjeshkën e Bytyçit, Dobrej, me një lartësi 1279 metra, ku ishte një pyll i dendur. Furnizimin e merrnin nga Gjakova me anën e njerëzve të Gani Kryeziut. Kryetar ishin Gani Kryeziu dhe Shaban Haxhija, nga Bytyçi.

Më 15 qershor 1944, Prefekti Perolli informoi autoritetet e Ministrisë së Brendshme se më 6 qershor 1944, ora 10.00, në Pyellin e Cërnicës, afër Urës së Kolgecajt, të Nënprefekturës së Tropojës, një patrullë ushtarake gjermane e përbërë prej tre ushtarëve ishin qëlluar me armë e me mashinka prej çetave partizane. Nga përpjekja u vra një ushtar gjerman. Hetimet për zbulimin e autorëve vazhdonin.

Ballafaqimet ushtarake në zonën e Bytyçit
Nisur nga këto zhvillime, më 17 qershor 1944, ushtria gjermane filloi një aksion kundër Gani Kryeziut në Bjeshkën e Bytyçit (Dobrej). Sipas informacionit të Postëkomandës së Krumës, dy ushtarë gjermanë u vranë dhe pesë ushtarë u zunë rob. Në informacionin e Prefektit të Kosovës për Zyrën Politike, në Ministrinë e Brendshme, theksohet se kjo prefekturë nuk kishte pasur ndonjë njoftim mbi aksionin që do të fillonte ushtria gjermane.

Për zhvillimin e ngjarjeve, zëvendësisht nënprefekti i Malësisë së Gjakovës, kapiten I Tahir Hoxha, më 18 qershor 1944 informoi Prefekturën e Kukësit se patrulla e dytë gjermane ishte kthyer, kurse prej patrullës së parë kishin mundur të shpëtonin nga duart e çetave partizane vetëm dy ushtarë gjermanë e dy xhandarë. Vendi i ngjarjes ishte ende i okupuar prej çetave partizane. Fati i ushtarakëve të tjerë gjermanë e shqiptarë nuk dihej. Nënprefekti Hoxha lutej “për dërgimin e një fuqie jashtëzakonisht”.

Nuk vonoi dhe kundërpërgjigjja e autoriteteve gjermane. Më 24 qershor dhe 1 korrik 1944, prefekti i Prizrenit Shaqir Curri informoi Ministrinë e Brendshme se në mëngjesin e datës 19 qershor 1944, autoritetet gjermane kishin varë në Gjakovë Haxhi Abdylin, Zeqir Halilin dhe Xhemal Halilin, që të tre nga Komuna e Bytyçit. Kjo ishte bërë për hakmarrje për vrasjen e disa ushtarëve gjermanë, ndodhur pra disa ditëve në rrethin e Tropojës.

Në vijim të informimit të autoriteteve të Prefekturës së Kukësit, me shkresa rezervat, tepër urgjent, të datave 20 dhe 23 qershor 1944, nënprefekti i Malësisë së Gjakovës, informonte se rajoni i Komunës së Bytyçit, d.m.th. fshatrat Zherkë, Vlad e Pac ishin okupuar krejtësisht nga çetat partizane. Postëkomandanti i Vladit, me fuqinë e tij kishte mundur të tërhiqej dhe ndodhej në Qafën e Çukut bashkë me një sasi vullnetarësh të dërguar prej Komunës së Qendrës Tropojë.

Sekretari i Komunës së Bytyçit nuk dihej se ku ndodhej, mbasi nuk ishte paraqitë as nuk kishte bërë ndonjë lajmërim.
Në përpjekjet e bëra me çetat në fjalë dihej ekzakt plagosja e rëndë e xhandarit Aziz Sejdia, i cili ishte dërguar në spital, kurse xhandari Riza Halim Berisha ishte plagosur lehtë dhe ndodhej në qendrën e Nënprefekturës. Nuk ishin kthyer në repartin e tyre dhe simbas informatave ishin zënë rob xhandarët Medi Ladini, Isuf Isuf Emro, Hazbo Hajro Alliçki, Mehmet Islami dhe ishte vra vullnetari i Detashmentit Shaban Halili, i thirrur në shërbim në ndihmën e xhandarmërisë qysh me 1 mars 1944.

Fuqia e çetave partizane ishte shumë e madhe dhe të armatosur në kulm. Zëvendësisht titullari i Nënprefekturës së Tropojës kishte marrë gjithë masat e duhura për sigurimin e kësaj qendre me ushtarakët që kishte dhe me vullnetarët e Gashit e Shipshanit. Nënprefekti Tahir Hoxha theksonte se “në rast se çetat partizane kanë për të sulmue këtë qendër, fuqia e jonë, bashkë me vullnetarët ka vendosë të luftojë deri në pikën e fundit të gjakut”.

Por në rrethanat tepër të vështira që ishin krijuar, ai kërkonte nga autoritetet e Prefekturës së Kukësit të ndërmjetësonin sa më parë për dërgimin e një fuqie të mjaftueshme, gjithashtu dhe një sasi materiali luftarak për t’ua shpërndarë ushtarakëve dhe vullnetarëve të Rrethit të Tropojës, mbasi e kishin shumë të pakët.

Ndërkohë, më 21 qershor 1944, nënprefekti i Tropojës telegrafoi direkt Zyrën Politike, në Ministrinë e Brendshme, dhe për dijeni Prefekturën e Kukësit, duke i informuar se në Rrethin e Tropojës ishin grumbullue një sasi e madhe çetash partizane e komuniste të kryesuara prej Gani Kryeziut, me qendër në Bytyç.

Meqenëse me fuqinë ushtarake që kishte në dispozicion Rrethi i Tropojës nuk mund t’u përballohej këtyre çetave, kishin mbledhur gjithë vullnetarët e rajonit të Gashit e Shipshanit në qendrën e Nënprefekturës për të zënë shtigjet e dyshimta dhe marrjen e masave kundër çetave në fjalë. Nënprefekti i Malësisë së Gjakovës, kapiten I Tahir Hoxha u lutej autoriteteve qendrore që të dispononin dërgimin e një fuqie ushtarake të jashtëzakonshme, si dhe dërgimin me mjet të posaçëm të tre mijë frangave shqiptare për pagimin e bukës së vullnetarëve që kryenin shërbim natën e ditën. Prej datës 18 deri më 21 qershor kishin shpenzuar 12 kuintalë grurë.

Për situatën e krijuar në rajonin e Malësisë së Gjakovës, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë, informoi më 20 qershor 1944 Ministrinë e Punëve të Mbrendshme se, sipas një informate të sigurt që kishte Qarkkomanda e Kukësit, në Bjeshkën Dobrej të Bytyçit, Gani Kryeziu kishte “grumbulluar një fuqi prej më se 300 veta, të gjithë komunista, të cilët furnizoheshin rregullisht nga Gjakova”.

Muharrem Bajraktari, që para datës 1 qershor qëndronte në banesën e tij i patrazuar me asnjë parti, nga frika e fuqisë së Divizionit SS.Skanderbeg që kishin shkuar dy herë me e kërkue, thuhej me siguri se kishte marrë drejtimin për t’u takuar me Gani Kryeziun në Bjeshkët e Bytyçit, të Rrethit të Tropojës.

Qarkkomanda e Kukësit nuk ishte në gjendje të bënte ndjekje kundër tyre për këto arsye:

1) Personeli, pothuajse i gjithi, ishte vendas dhe si i tillë karshi të lartpërmendurve ushqenin mirënjohje.

2) Po të vërtetohej bashkimi i Muharrem Bajraktarit me Gani Kryeziun, fuqia e tyre mund të arrinte më se 600 veta, kurse fuqia e gjithë Qarkut nuk kalonte gjysmën e kësaj.

3) Ushtarët e Qarkut të Kukësit ishin të pajisur vetëm me pushkë të modeleve të ndryshme edhe me municion të paktë, kurse fuqia kundërshtare ishte e armatosur me armë automatike e mortaja.

Në këto rrethana, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë kishte urdhëruar Qarkkomandën e Kukësit të merrte masa, në bashkëpunim të ngushtë me Qarkkomandën e Prizrenit dhe me fuqitë gjermane të atjeshme, duke përdorur dhe fuqinë që i ishte transferuar atje posaçërisht dhe që përbëhej prej 4 oficerëve me 100 e ca xhandarë.

Bazuar në njoftimet e Nënprefekturës së Pukës, më 3 korrik 1944, Inspektori i Përgjithshëm i Kryeministrisë me funksion Prefekt i Shkodrës, Javer Hurshiti, informoi Ministrinë e Mbrendshme se më 26 qershor fuqitë gjermane dhe shqiptare kishin bërë një operacion në krahinën e Bytyçit kundër çetave ilegale. Krahina e Bytyçit ishte dëmtuar krejtësisht. Sipas informacioneve, çetat ilegale ishin shkatërruar.

Po më 3 korrik 1944, bazuar në raportimet e Nënprefekturës së Dukagjinit, Prefekti Hurshiti, informoi autoritetet e Ministrisë së Brendshme se Kol Qerimi nga Curraj Epër, Komuna Nikaj-Mërtur, me 15 shokë të tij kishte marrë pjesë në çetën e Gani Beg Kryeziut dhe luftuar në Bytyç të Tropojës kundër një patrulle gjermane. I lartpërmenduri, më 20 qershor 1944, bashkë me shokët e tij ishte kthyer në shtëpinë e vet duke marrë me veti 20 komunista të Krasniqes. Prefekti Hurshiti theksonte se “Organet e Sigurimit të vendit, për mungesë personeli, nuk ishin në gjendje të vepronin kundër tyre”.

Nga luftimet e zhvilluara në rajonin e Bytyçit, lokali i Postëkomandës së Bytyçit u dogj plotësisht nga fuqitë operative. Për këtë, në dhjetëditëshin e parë të muajit korrik 1944 Rrethkomanda e Tropojës kishte riformuar Postën dhe vendosë personelin e saj në vendin e quajtur Lugu i Zi, në ndërtesën shtetërore të ish-rojës së kufirit jugosllav.

Në fundin e muajit qershor përplasjet me armë ndërmjet fuqive kundërshtare u zhvendosën nga Bytyçi në Grykat e Dragobisë. Më 1 korrik 1944, zëvendësisht nënprefekti i Malësisë së Gjakovës, kapiten I Tahir Hoxha, informoi Prefekturën e Kukësit se më datën 29 qershor 1944, ora 20.00, një patrullë ushtarake e Postëkomandës së Kolgecajt, e përbërë prej 5 ushtarakësh, duke pasë në ndihmë dhe disa vullnetarë të rajonit të Postës së sipërme, në vendin e quajtur Shkalla e Hysen Kurtit, të Grykës së Dragobisë, kishin bërë një përpjekje me çetat partizane, duke luftuar më së një gjysmë ore, pa pësuar dëm nga asnjëra anë. Sipas vlerësimeve të Rrethkomandës së Tropojës, nga kjo përpjekje çeta partizane ishte shkatërruar duke u vu në ikje për në drejtim të rrethit të Plavës.

Kjo çetë përbëhej prej 20 personash dhe kishte si kryetar Mehmet Bajramin (Mulosmanaj), nga katundi Bujan, i rajonit të Komunës së Krasniqes.

Nga ana e saj, Prefektura e Kukësit njoftoi Ministrinë e Punëve të Brendshme se për marrjen e masave të rastit ishte vu në dijeni Plava dhe se ndjekjet vazhdonin.

1


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas