Aktualitet

Realizimi i ëndrrës 47-vjeçare të Maksutit














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:00 - 29/03/21 |
Artan Fuga

Ishte viti 1974. Kulmi i luftës kundër liberalizmit. Po bënim mbledhjen e frontit të lagjes. Pasi i bëmë copë basetat e gjata, fundet sipër gjurit, muzikën italiane që vazhdonim ta dëgjonim nëpër shtëpira, u solidarizuam, revolucionarizuam, thamë se mbaruam.






Ca nga ne të rinjtë e “fshatit”, mbaj mend, donim ta mbyllnin shpejt mbledhjen se kishim frikë se humbisnim ndeshjen derbi Juve – Torino. Unë vetë kisha hallin se kisha vënë bast se Betega atë ditë bënte dopjetë. Pasi duartrokitëm monologun idiot të kryetarit të lagjes thamë epo shyqyr me kaq. Kur nga fundi i sallës ngrihet Maksuti. “Daleni o shokë, mos i trajtoni gjërat sipërfaqësisht!” Ne folëm për disa gjëra, por harruam të tjera.


Rri o Maksuto, mjaft – i thoshim me sy lutës. Por, hiqte dorë Maksuti!!! Ishte një burrë aty te 57 vjeç. Ishte martuar për herë të dytë dhe thoshin se po ndahej edhe nga kjo e dyta, një leshverdhë e kolme. E njihnin si xheloz të madh. Nuk e linte gruan të dilte nga havllia e vet tiranase.







Se ka ca gjëra – vazhdoi Maksuti që bëjnë muuuu, dhe ne s’i shohim!” Po hë mo thuaji !- ia preu dikush nga gjysmerrësira.



Mbledhja bëhej në ndërtesën e Kishës katolike te rruga e Kavajës në Tiranë që ishte kthyer në si biçim teatri lagjeje a diçka kështu. Maksuti hapi sytë si një dac, u skuq edhe më shumë në fytyrë dhe vazhdoi: “E keni parë more relievin te materniteti i Tiranës? Me tre skena të fëlliqura, me shfaqje të huaja dhe aq më tepër që vijnë nga koha e Zogut a nga pushtimi fashist!”



Tavani i ish-katedrales sa nuk na ra në kokë.

Kishte ikur shumë larg. Do të raportohej në komitetin e partisë se populli kishte kërkuar që të prishej fasada e maternitetit ku qëndronte i bardhë edhe një reliev me tre skena të mrekullueshme historike. Hajd ta merrte vesh njeri se nuk ishte populli, por Maksuti!!!

Një grua, nuk e njihja, u ngrit. Ngadalë shoku Maksut, poqese duhet të prishim ndërtesat e asaj kohe, ti po na çon edhe në prishjen e ndërtesave të ministrive. A nuk është kjo një gjë që çon ujë te mulliri i armiqve? Maksuti u ngrit me vrik nga karrigia që e përplasi ndenjësen e saj prej kompensate te vidhet e gjëra të Maksutit. Jo shoqja Tixhe, tha. Nuk e kam aty, por e ke parë ti mi gru, se je edhe familje e vjetër dhe e nderueme tiranase, se në pjesën e sipërme relievi ka një si engjëll që fluturon? Çfarë do më tepër ti? Të prishet që çke me të. Ndryshe kot që flasim, jemi oportunista. Dhe e nxori kokën e xhelozisë së tij! Ke parë se aty ka ca burra lakuriq, a nuk është ky nudizëm? Çfarë fundesh të shkurtra kritikojmë ne kur aty ka burra e gra pa brekë?

Ca qeshën, ca duartrokitën, ca bërtitën: O Maksut, kot ja fut!

U ngrit Merhemja që punonte pastruese në Institutin arkeologjik! Çfarë thua mor Maksut, por poqese flet për nudizëm, ne gjithë skulpturat të periudhës helenike në Apoloni të zhveshura i kemi ! E po po ta them në sy – u hakërrua Maksuti. Në një nga skenat e reliefit gruaja paraqitet se ka fshehur jaranin lakuriq poshtë krevatit dhe e ndërkohë i jargavitet burrit. Moral komunist është ky? Partia do ta prishi mos sot nesër, ta dini! O Maksut, i thirri njeri nga fundi, po aman mor burrë, por mesazhi aty është se lindjet janë pjesë e energjisë së jetës. Dhe jeta te lindjet e bebeve e kapërcen monogaminë familjare. Ajo është skenë mitike, o shooooku Mahmut!

Jam Maksuti – tha ky. Shkon gruaja me lind dhe ngre kokën shikon skena me jarana! Çfarë mësojnë gratë tona? Edhe Zogu me Duçen kurvarë kanë qenë! Salla duartrokiti! Një pjesë qeshte, të tjerët rrinin zymtë. Merhemja u ngrit përsëri! Shoku Gafurr tha e ka shumë gabim! Gruaja aty mund të ketë qenë martuar me mblesëri dhe dashnorin e kishte të zgjedhurin e zemrës. A nuk na mëson partia që martesave me mblesëri t’u vëmë flakën?

U ul Merhemja duke na shkel syrin të gjithëve! Pastaj se ç’u kujtua dhe e mbylli me të thirrura:

Ka raste kur burri është i paligjshëm, dhe dashnori legjitim! O Maksuuuut! Mos ha… kot mos ia fut! – iu ngatërrua goja Mehremes! Maksuti u vërvit përpjetë: Jaaaaaaaa, liberalizmi shoku kryetar. Shënoje në protokoll! Partia t’i prishi ato skena orgjish. Ky është zëri i popullit. Ç’don partia bën populli, ç’don populli bën partia! Populli jonë nuk do jarana, kopila, kurvarë, homoseksualë, gra – kurva që fshehin ashikët poshtë krevatit. Po na prishni gratë!

Nuk di ku e ka hallin kjo shoqja që mbron modelin e jetës së gruas me jaran!

U ngrit dhe iku si i çakërdisur. Me kaq u mbyll ajo mbledhje. Nuk e di nëse ruhet procesverbali i saj në komitetin e partisë. Por kur pashë prishjen e fasadës të Maternitetit të Tiranës, thashë: Të doli fjala tejepërtej o Maksut maskarai, e pësoi e gjithë ndërtesa, mos gjetsh qetësi atje ku je!

1


Etiketa:

Pas