Nga Hysen Sinani
Gjatë dhjetë vjetëve punë në Gazetën “Drita”, kisha kaluar pothuajse nëpër të gjithë sektorët e saj, me përjashtim të atij të arteve figurative dhe të kritikës letrare, sepse redaktorët e këtyre sektorëve nuk ndryshuan asnjëherë.
Në të vërtetë, është në natyrën time që çdo punë ta kryej me seriozitet, madje ndonjëherë edhe të tepruar. Në fillim të viteve 1970, “sektor i jashtëm” në gazetën “Drita” quhej vetëm faqja e fundit e saj, ku botohej ndonjë shkrim i shkurtër apo ndonjë fejton që vinte në lojë artin dhe letërsinë borgjeze, si edhe ndonjë lajm nga bota e jashtme.
Fillova të krijoj rubrika të tjera dhe shpejt i mora tri faqe gazetës, për shkrime më të zgjeruara mbi letërsinë botërore dhe për krimtarinë realiste në prozën e shkurtër dhe në poezi. Ishin faqe për të cilat lexuesi shqiptar i kohës qe shumë i interesuar edhe për shkak të izolimit kulturor të Shqipërisë së asaj kohe.
Mbas disa kohësh, ndoshta dy a tre vjetësh, aty sollën nga redaksia e “Les lettres albanaises”, një revistë tremujore e letërsisë shqipe në gjuhën frënge, si ato vietnameze apo kineze për të cilat më kishte pyetur Jusuf Vrioni, vajzën e shkrimtarit për fëmijë dhe mikut tim Cezar Ruhi, Briseida Memën. Në fillim, kryesia e gazetës sonë nuk pati besim t’ia linte në dorë një vajze të re këtë sektor të rëndësishëm, por shpejt ajo tregoi se mund ta bënte shumë mirë punën aty dhe kështu, unë kalova në sektorin e prozës.
Që në fillim, këtu shtova dy faqe gazete me reportazhin letrar që pothuajse nuk ekzistonte fare, ashtu si edhe sot, në faqet e një gazete letrare. I mblodhëm shkrimtarët në zyrën e kryetarit të Lidhjes dhe Dritëroi u shpjegoi qëllimet e mia për të hapur faqe të përshkrimit jetësor në gazetë. Në atë kohë, fare pak reportazhe letrare ishin me vlera të vërteta të përshkrimit letrar. Shquheshin reportazhet e shtruara e me shumë jetë të Sabri Godos, por edhe të më të rinjve si Diana Çuli e Rudolf Marku; më pas edhe ato të Teodor Kekos. Mirëpo vazhdonte të mbetej problem një lloj autocensure në këto reportazhe, ku autorët e kishin të vështirë t’i shkëputeshin modelit të krijuar nga “Zëri i Popullit” me patetizëm revolucionar dhe citate. Shkrimtarët publicistë e kishin gati të pamundur ta konceptonin pasqyrimin e jetës reale pa futur në përshkrimin e saj edhe një citat nga Enver Hoxha. Më kujtohet reportazhi i Sabri Godos për peshkatarët e Divjakës ku, “me porosi të peshkatarëve”, siç më tha ai, duhej të futej edhe një citat nga fjalimi që shoku Enver kishte mbajtur për peshkimin në një mbledhje të Burosë Politike. Këtë citat duhej ta gjeja unë patjetër (miqësisht) në arkivin e ministrisë së Industrisë së Lehtë. Shkova atje dhe, mbas disa kohësh kërkim, e gjeta citatin dhe e kopjova, jo për ta botuar, por për t’ia treguar Sabriut, të cilit i thashë:
– Enver Hoxha këtu thotë se ka lexuar një libër ku tregohet se francezët peshkojnë me dy anije… Të peshkojmë edhe ne si francezët… Po pse, nuk e dinë peshkatarët se si është më mirë të peshkojnë? Sa inxhinierë peshkimi ka atje?
Sabriu qeshi dhe më tha:
– Nuk di gjë unë, mbaje ti përgjegjësinë.
– Unë e mbaj, – i thashë dhe nuk pati asnjë vërejtje për mungesën e citatit.
Një rast tjetër, midis të shumtëve, ishte edhe reportazhi që Diana Çuli kishte bërë për Kombinatin e Tekstilit në Tiranë. Ajo e niste përshkrimin e saj për punëtoret e kombinatit me një citat nga Enver Hoxha kur ky kishte bërë inaugurimin e tij. Unë ia hoqa këtë citat pa e pyetur, sepse e prishte ritmin e rrëfimit që në fillim. Të hënën në mëngjes, Diana vjen në zyrë dhe gati e zemëruar më thotë:
– Ceni, ç’kishe bërë ashtu me reportazhin tim?
– Çfarë?
– Më kishe hequr citatin e shokut Enver.
Buzëqesha dhe m’u kujtua përgjigja që i dhashë Sabri Godos, atë i thashë edhe asaj:
– E mbaj unë përgjegjësinë. E ke pirë kafenë?
Ajo qeshi dhe tha:
– Mirë, atëherë, ti mbaje.
Dhe zbritëm shkallët për në klubin poshtë.
Ndoshta Sabriu ose Diana, apo edhe të tjerë të cilëve mund t’u kisha hequr citatet e futura pa vend nëpër shkrime e reportazhe, mund t’i kenë thënë Dritëroit se unë u hiqja citatet, sepse ai i lexonte shkrimet e gazetës dhe ndonjëherë edhe i uronte autorët. Mirëpo ai nuk më thirri kurrë për ndonjë vërejtje, ndonëse unë e kisha të gatshme përgjigjen. Për rastin e parë do të thosha: “Epo ne nuk mund të lejojmë citime nën nivelin e personalitetit të shokut Enver!” dhe isha i sigurt që për këtë nuk mund të merrja asnjë qortim. Ndërsa për rastin e dytë, dhe ky përbënte shumicën e rasteve, pretendimi që citati prishte ritmin e rrëfimit të reportazhit, nuk ishte bindës.
Kështu, edhe kur si redaktor, “censuroja” autocensurën e vetë shkrimtarëve, nuk pata kurrë ndonjë vërejtja, por njëkohësisht as ndonjë lavdërim, megjithëse kishte disa gjëra që unë i bëja për herë të parë në atë gazetë kulturore.
***
I thashë këto sepse, siç më kanë treguar, dikush nga “dëshmitarët e Lidhjes” paska shkruar se ata që vinin nga klasa punëtore, vetëm sa bënin sherre në qendrën shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë. Se cili mund të ishte ky që vinte nga klasa punëtore, kuptohej lehtë se nuk kishte pasur tjetër përveç meje. Ndërsa për punën time në redaksi, mjafton të merret raporti i analizës vjetore të vitit 1978 ose 1979 ku thuhet se 70% të faqeve të gazetës “Drita” janë realizuar nga Hysen Sinani, ndërsa 30% nga pjesa tjetër e redaksisë. Aq befasuese ishte kjo e dhënë e raportit, sa u habita edhe vetë unë, bashkë me Dritëro Agollin. Mirëpo Thoma Frashëri ishte një kryeredaktor aq i përpiktë sa çdo të dhënë e kishte të regjistruar me shkrimin e tij të bukur.