Aktualitet

Refleksion mbi raportin vjetor të Transparency International





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 11:09 - 24/01/20 |
Zef Preçi

Nga Zef Preçi


Dy publikime të këtyre ditëve, ashtu si shumica e publikimeve të viteve të fundit, dëshmojnë mbi hapat pas që ka shënuar demokracia, ndërtimi i shteti të së drejtës dhe në tërësi jeta ekonomike e shoqërore e vendit gjatë këtyre viteve. Dy ditë më parë, ishte “Indeksi i demokracisë” i përpiluar nga prestigjiozja britanike The Economist që konfirmon se Shqipëria humbi sërish pikë duke mbetur nën cilësimin “regjim hibrid”, d.m.th. një regjim mes regjimit autoritar dhe demokracisë me të meta. (Indeksi i Demokracisë së Njësisë së Inteligjencës së The Economist (EIU) vëzhgon 167 shtete, në pesë kategori: procesi zgjedhor dhe pluralizmi; liritë civile; funksionimin e qeverisë; pjesëmarrja politike; dhe kulturën politike. Sipas këtij indeksi gjatë 2019-tës vendi ynë ka zbritur 3 vende nga vlerësimi i vitit të shkuar duke u vlerësuar me 5.89 nga 10 pikë të mundshme dhe e renditur e 79-ta në të gjithë botën. Ky është rezultati më i ulët që prej vitit 2014.



Ndërsa dje Transparency International, në raportin e vet mbi shkallën e korrupsionit në 180 vende të botës, e renditi Shqipërinë në vendin e 99-të, ndryshe nga një vit më parë kur ajo ishte radhitur e 91-ta. Raporti nënvizon se “Duke qenë vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Shqipëria është përmirësuar gjatë pesë viteve të fundit me pesë pikë, duke lëvizur nga 31 sa kishte në vitin 2013 në 36 në vitin 2018. Megjithatë ajo ka shënuar rënie për dy pikë në krahasim me vitin e kaluar. Kjo mund të jetë për shkak të një ngërçi politik që bllokoi disa reforma antikorrupsion të ecin përpara. Me një proces të ri të vetingut dhe kuadrin institucional të kundër korrupsionit pothuajse të plotë, mbetet për t’u parë nëse Shqipëria do të përmirësojë rezultatin e saj në të ardhmen”.


Nga pikëpamja e ndikimit të kësaj situate mund të gjykohet nisur nga treguesit demografikë të vendit. Kështu, analiza serioze duke përfshirë edhe ato të INSTAT tregojnë se të gjithë presin Censusin e popullsisë që do të mbahet më vonë gjatë 2020-ës, për të pasur një ide më të qartë të popullsisë që ka mbetur në vend dhe asaj që ka emigruar. Gjithsesi të dhënat e deritanishme tregojnë se emigrantët e ikur në 8 vitet e fundit përbëjnë rreth 12% të popullsisë që deklarohet se jeton në Shqipëri ose në çdo dy familje një person është larguar nga vendi. Nuk e teproj të them se braktisja e vendit është pasoja më e madhe e korrupsionit dhe keqqeverisjes, një kërcënim kombëtar në përmasa gati-gati të pariparueshme. Një studim tjetër tregonte se 51% e individëve në moshë të rritur është në kërkim të largimit nga vendi në mundësinë më të parë…

Nuk do të doja të ndalesha në shkaqet e korrupsionit mbasi kjo çështje është ezauruar shumë herë gjatë tri dekadave të fundit. Tashmë cilido që jeton në këtë vend e kupton se shkaku kryesor është vetëm një: keqqeverisja. Por kjo nuk do të thotë se për shkaqet e varfërisë, mjerimit, polarizimit social, padrejtësive shoqërore, pengimit të konkurrencës në tregje, nxitjes së kriminalitetit dhe kapjes së shtetit që lidhen me korrupsionin duhet mallkuar vetëm klasa politike që ka qeverisur dhe qeveris gjatë këtyre viteve. Historia e botës demokratike përreth nesh dëshmon se demokracia presupozon pjesëmarrjen aktive qytetare, fuqizimin e mekanizmave kontrollues ndaj pushtetit dhe të llogaridhënies se tij ndaj qytetarëve, ndërtimin e besimit reciprok midis tyre. E ky besim fillon te zgjedhjet e lira, të ndershme, të fshehta dhe të barabarta… Aq më pak të shpresojmë që problemet tona në funksion të kapërcimit të keqqeverisjes do të zgjidhen nga përfaqësuesit diplomatikë të vendeve mike të Shqipërisë që gjenden këtu për një mision tërësisht të qartë dhe të mirëpërcaktuar: për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e shteteve apo të organizatave prej nga vijnë… Kultura e vartësisë ndaj tyre ka stepur reagimin qytetar dhe të opozitës, por edhe ka ushqyer shpresat e pushtetit se do mund sundojë më gjatë. Ky është një mentalitet primitiv i kohës së sulltanëve dhe që duhet hedhur poshtë me neveri. Gjithsesi duhet t’u jemi mirënjohës aleatëve strategjikë të Shqipërisë, siç janë SHBA dhe BE, por edhe vendeve mike fqinje të BE për ndihmesën e dhënë gjatë tri dekadave të fundit në procesin e shtetndërtimit tonë problematik.

Sfida jonë e sotme mbetet e pandryshuar: ta bëjmë Shqipërinë të jetueshme, atdheun e përbashkët të shqiptarëve kudo ku jetojnë e punojnë. E në këtë proces mund të ofrojmë edhe mbështetjen e duhur të vendit amë për bashkëkombësit tanë në trojet e veta në rajon dhe procesi i bashkëpunimit ndërshqiptar do të njohë vetëm përparim.

Nga studimi i përvojave të suksesshme të vendeve që mirëqeverisen, por edhe i perceptimeve të qytetarëve, bizneseve, grupeve sociale etj., mbi korrupsionin kam mbërritur në përfundimin se nuk ka një antidot apo mjet për ta luftuar me efikasitet këtë dukuri sociale, ekonomike, politike, ligjore, të mentalitetit etj., të vjetër sa vetë shteti/pushteti. Por duke parë me kujdes problemet që janë shfaqur sidomos gjatë dekadës së fundit në vendin tonë, mund të vihet re lehtë se dështimin më të madh e kemi patur në integritetin dhe profesionalizimin e administratës shtetërore, në politizimin në rritje të saj dhe vitet e fundit në nënshtrimin e saj ndaj një agresioni të vërtetë të mediokërve politikë, nepotikë, deri edhe të klaneve kriminale që kanë mbytur konkurrencën në tregje dhe i kanë zënë frymën demokracisë së vendit. Kjo situatë ka sjellë një fshirje të kufijve midis elitës politike drejtuese dhe bizneseve informale e kriminale, lobistëve etj. Nuk po flas për kanabizimin e vendit, pasojat e të cilit vlerësohet se do të jenë të pranishme edhe për shumë dekada duke presupozuar se klasa politike do të vendosë nesër për t’u shkëputur përfundimisht nga ky aktivitet kriminal dhe minues për shtetin e së drejtës dhe meritokracinë. As për partneritetet publike-private (PPP) famëkeqe që janë edhe dëshmia më e qenësishme e kapjes së shtetit nga klientelizimi në dëm të interesave publike. Vendosja e normalitetit në shërbimet bazë publike dhe në pasuritë shtetërore tashmë të marra peng “me ligj” nga oligarkë, nga kompani off-shore, apo nga evazionistë kronikë etj., kërkon përgjegjshmëri politike, dije bashkëkohore dhe mbështetje publike për reformat që duhen ndërmarrë. Koha thërret për reformatorë, që qeveria të mos jetë thjesht në pozicionin e llogaritarit të oligarkëve d.m.th. të atij që iu mbledh taksat të varfërve duke i varfëruar më tej ata dhe jua arkëton oligarkëve duke i pasuruar më tej këta të fundit. E prej këtyre transaksioneve rrjedhin edhe përfitimet korruptive, d.m.th. uzurpimi i procesi zgjedhor, pasurimi i paligjshëm etj. Ndoshta këtu është edhe sprova më e madhe për një rreze të vogël shprese që mendoj se përfaqëson njësia e posaçme anti-korrupsion (SPAK) për të filluar fundi i “kulturës së pandëshkueshmërisë”, kulturë e cila vitet e fundit po nxit braktisjen e vendit edhe nga pjesa më aktive e shoqërisë, që mund të përshtatet lehtësisht me kushtet e kapitalizimit që për lehtësi komunikimi e thërresim ekonomia e tregut. Raporti midis Shqipërisë virtuale si krijesë e stërmadhe 4D e qeverisë ku tentohet të krijohet një realitet fals dhe Shqipërisë reale, të asaj që përjetojmë të gjithë, është thellësisht i dukshëm, shpresëvrasës. Pa ndryshuar këtë raport, vështirë se mund të kthehet shpresa dhe do të jetë edhe më e vështirë që të kemi një Shqipëri normale, një Shqipëri të jetueshme…


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas