Aktualitet

Reforma në Arsimin e Lartë dhe Zgjedhjet në Universitetet Publike








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:17 - 25/08/20 |
Romeo Gurakuqi

Jemi në javën e konfirmimit presidencial të rektorëve të rinj të universiteteve publike në Shqipëri. Hapi vijues do të jetë konfirmimi i dekanëve dhe drejtuesve të departamenteve.
Të gjithë pyesin nëse zgjedhjet e dyta universitare sollën më në fund ndryshimin e shumëpritur nga “Reforma”? A sollën këto zgjedhje ekipe të reja drejtuese, apo ende të njëjtët njerëz, që prej 30 vitesh ndërrojnë vendet dhe komandojnë “filtrin universitar”, qëndrojnë të palëkundur në pozicionet komanduese?


Zgjedhjet në universitetet publike në Tiranë përbëjnë një rast shumë të mirë për të gjithë, por para së gjithash për qeverinë, që të analizojë impaktin, që Reforma e vitit 2015 në IAL ka pasur në sistemin e shkollës së lartë dhe të kërkimit shkencor në tërësi.
Megjithëse kanë kaluar javë nga përfundimi i zgjedhjeve në universitetet e Tiranës, autoritetet vazhdojnë të heshtin rreth rezultateve, që ato kanë pritur, 5 vite pas “kurorëzimit” të projektit fillestar reformues. Asnjë studim nuk është ndërmarrë nga departamenti i arsimit i Ekzekutivit dhe as nga Zyra Kryeministrore mbi impaktin praktik të reformës.


Projekti i ndryshimit filloi asokohe me pretendimin modernizues dhe nxitës të konkurrencës mes universiteteve dhe vendosjes në standarde europiane të sistemit në tanësi. Por projekti fillestar u deformua në kulisat e Parlamentit prej Kastës Universitare të ndërthurur me Shumicën qeverisëse të asaj kohe.
Një numër pyetjesh shtroheshin ato ditë para reformatorëve dhe po aq premtime modernizuese dhe kualifikuese u deklaruan nga Kryeministri i gjithëdijshëm, para studentëve, prindërve dhe opinionit publik të interesuar për një arsim cilësor në vend:


U premtua ndër të tjera, mbyllja e menjëhershme e rrugës së mbajtjes për dekada në drejtim të institucioneve, e të njëjtëve drejtues, që ripërsëriteshin në pozicione duke ndërruar vendet, të mbështetur nga batalionet e të përkulurve dhe të bindurve të shterpëzuar, të rekrutuar me një synim të vetëm: mbajtjen e paprekur të strukturës ekzistuese komanduese.
U premtua një verifikim i nepotizmit në sistemin tonë universitar.


U premtuan nene speciale që nxisnin konkurrencën e brendshme departamentale, në aspektin e kërkimit të standardizuar shkencor dhe mësimdhënies në auditor, ndryshime që do të nulifikonin tarafet aktuale të universiteteve shtetërore. Siç të gjithë e dimë, këto tarafe të fortësh të markës akademike, kanë amortizuar prej dhjetëra vitesh mendimin, studimin dhe kërkimin shkencor, duke krijuar monopole në mobilitetin e profesoratit, duke krijuar rrethe të mbyllura dhe të korruptuara, që fshijnë me një shikim inatçoresh, hapësirat sfiduese të ekselencës së brendshme ekzistuese jo partiake dhe rrugët e rekrutimit të ekselentëve të kthyer nga Perëndimi.
U premtuan nene të posaçme për të zhbllokuar rrugët e integrimit dhe mundësitë e punësimit të diplomuarve nga kolegjet perëndimore etj.


U premtua konkurrenca ndëruniversitare, skemë menaxheriale akademike dhe financiare të universiteteve publike, ngjashëm me modelin anglosakson.
U premtua se universitetet shtetërore nga ai “moment historik” e mbrapa, do të funksiononin bazuar mbi kriteret e konkurrencës në tregun e lirë të arsimit të lartë dhe do të organizoheshin në planin e brendshëm, mbi bazën e modeleve funksionuese të universiteteve amerikane dhe britanike, që operojnë në një treg të rekrutimit të studentëve.
U premtua rritja e ndjeshme dhe pompim me para buxhetore i sistemit për të mundësuar startin e reformës.

U premtua rritja e dallueshme e pagave të pedagogëve të IAL publike, varësisht rankimit nacional, shkallës së kualifikimit të stafit pedagogjiko-shkencor dhe plotësimit të kushteve të vendosura nga ligji.
U premtua shndërrimi i IAL private nga sh.p.k., në Fondacione, që do të përdornin fondet e akumuluara, dhurimet, çekun e studentëve, fondet e përftuara nga fitimi i projekteve të kërkimit etj., për zgjerimin dhe përmirësimin e aktivitetit universitar, aktivitetit shkencor, përmirësimin e shpërblimit të pedagogëve dhe në funksion të qëllimit për të cilin janë licencuar. IAL private do të duhej të kishin detyrimin për të bërë transparencën e alokimit vjetor të fondeve.

U kërkua që pretendentët për të drejtuar institucionet universitare do të duhej të bëheshin objekt i vlerësimit nga ana e një Bordi Nacional Besimi për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë dhe Autoriteti i Dosjeve.
Të gjitha këto sepse Shqipëria dhe publiku i saj nuk kishte më nevojë për fasada reformimi në arsim, por kishte dhe ka ende, nevojë emergjente për arsim cilësor brenda vendit, në mënyrë që të përballet me të vërtetën dhe konkurrencën e së paku vendeve ballkanike rreth nesh. Brezi i ri i Shqipërisë i nxjerr jashtë masivisht është ndër të tjera produkt i degradimit të shkollës së lartë.

Një muaj pas zgjedhjeve është koha për të bërë bilancet e mësipërme, duke filluar nga pritshmëria numër një: Çfarë rinovimi kanë pësuar universitetet, fakultetet, departamentet në zyrat drejtuese?
A mundësoi ligji i ri vendosjen e drejtimit akademik në duart e profesoratit të afirmuar ndërkombëtarisht?
A kishte zgjedhje të mirëfillta me konkurrencë në njësitë bazë, apo diktate nga “kontrollorët” e përjetshëm të feudeve universitare dhe fjetje në kompromise të paprincipta?

Shteti është rregullator dhe nuk mund të lejojë autonomi fiktive në sistem, që nuk është gjë tjetër veçse sundim i të paktëve të përhershëm mbi Universitetin.
Qeveria më së pari, ka për detyrë të garantojë konkurrencën e lirë, çlirimin nga “kontrollorët pa limite” të hapësirës akademike dhe më pas ta japë, ta garantojë dhe ta kontrollojë respektimin ligjor të autonomisë për profesoratin në tërësi.

Qeveria e Edi Ramës, edhe pse ka kaluar 5 vite nga Ligji i ri mbi IAL, nuk ia ka dalë të realizojë asnjërin prej objektivave të trumbetuar me forcë me vitet propaganduese 2014-2015.
Universitetet shqiptare janë çdo vit dhe më shumë të papreferueshme nga gjimnazistët më të mirë të vendit, që sot ndodhen në radhe për vizat studimore pranë ambasadave në Tiranë. Asnjë statistikë zyrtare nuk ekziston në këto vite për gjimnazistët më të mirë që refuzojnë sistemin e brendshëm universitar.

Po ashtu, zotëruesit 30-vjeçarë të paketës kontrolluese të IAL-ve, ndodhen aty ku kanë qenë përherë, madje tanimë të pajisur me kartën e pacenueshmërisë për shkak të autonomisë.
Të shkolluarit në Perëndim në këto 30 vite, ende nuk e kanë mundësinë për të qenë pjesë e ndryshimit, në qoftë se nuk kryejnë “faljen” dhe bëjnë “betimin” para “bejlerëve” të Kastës.

Bordi Nacional i Vlerësimit të Profesoratit as që duket në horizontin e veprimtarisë ekzekutive, ndërsa shqyrtimi pranë Autoritetit të Dosjeve, një proces i ngrirë dhe i lënë në harresë për Universitetet dhe Akademinë e Shkencave të RSH.
Një pjesë e universiteteve private me pronësi anonime, ose të deklaruar anonimesh, ruajnë imunitetin e tyre për të mos dhënë shpjegime për bilancet, stafet që ndryshojnë me muaj dhe njerëzit e parlamentit, që paguhen fiktivisht në borderotë e tyre në këmbim të mbrojtjes politike. Dhe ndërkohë, ata vijojnë të marrin studentë nga regjistri i maturës shtetërore.

Ky është një bilanc paraprak me sy të lire, i impaktit të ligjit mbi universitetet, që po mpaken dhe mbyllen nën flamurin mbrojtës të autonomisë.
Autonomia universitare ka nevojë për përpunime të mëtejshme në ligj dhe vëzhgime të përhershme nga institucionet e pavarura monitoruese të shtetit mbi universitetet.

Ndërkohë që dështimi spektakolar i Reformës duhet të jetë një shtysë për analizë dhe korrigjim sa më të shpejtë, qoftë edhe duke ndërhyrë vertikalisht në pjesët e kalbura, përmes një ekipi të Elitës Universitare me fuqi korrigjuese. Ndërkohë që korrigjimet më kryesore priten në ligj, së paku duke shuar praninë e vjekcave ligjore, që u futën natën e fundit të aprovimit të Reformës.


Etiketa: , , ,

Pas