Opozita do të ulet në tryezën për reformën zgjedhore, që do të mbahet të mërkurën. Pas takimit mes kreut të PD, Lulzim Basha dhe aleatëve u vendos që të ulen në tryezë me Partinë Socialiste.
Mësohet se ata që do të përfaqësojnë opozitën në nivel teknik, në konferencën për Reformën Zgjedhore janë: Ivi Kaso i PD-së, Muharrem Caka i LSI-së dhe Arjan Madhi i PR-së.
Deklarata
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi është shprehur për mediat pas takimit në selinë e PD, se opozita nuk ka qenë kurrë pengesë për zgjidhjen e krizës.
“Kemi vendosur që të përfaqësohemi me ekspertë, dhe do të mbajmë qendrimin tonë në këtë tryezë. Sa i përket krizës, problemi ka qenë kryeministri për zgjidhjen e saj, opozita ka qenë për institucionalizimin e dialogut.
Opozita ka qenë gjithnjë e gatshme, jo për të zgjidhur krizën personale, por për të ecur para dhe për të hapur me urgjencë negociatat me BE, dhe ne po vazhdojmë punën me të gjithë aleatët për përgatitjen e paketës antikrizë”, tha Kryemadhi.
Njoftimi i OSBE për tryezën:
Prezenca e OSBE-së dhe Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore organizojnë nesër, më 25 shtator 2019, konferencën “Të mohuar nga sistemi: ngritja e një sistemi gjithëpërfshirës për mbrojtjen e demokracisë”.
Anëtarët e Komisionit, ekspertë të njohur vendas e të huaj të zgjedhjeve, përfaqësues të partive politike dhe të shoqërisë civile do të mblidhen në këtë konferencë për të diskutuar përparësitë dhe dobësitë e sistemeve zgjedhore kryesore, në kontekstin shqiptar.
Në hapje të konferencës, do të flasin Kryetari i Prezencës, ambasadori Bernd Borchardt, si dhe dy bashkëkryetarët e Komisionit, Rudina Hajdari dhe Damian Gjiknuri.
Konferenca fillon në orën 9:30.