Këshilli Politik për reformën zgjedhore ka vendosur të mblidhet sërish ditën e nesërme. Pas dështimit për të gjetur një marrëveshje, Oerd Bylykbashi, Petrit Vasili, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari do të mblidhen sërish nesër në orën 17:30 për të vijuar diskutimet.
Kërkesa e përfaqësuesve të opozitës: “Në vijim të diskutimeve të deritanishme dhe faktit që mbledhja e datës 31 maj 2020 nuk u zhvillua, me synim gjetjen e konsensusit për çështjet e përcaktuara në axhendën e Këshillit Politik, propozojmë mbledhjen e Këshillit nesër, datë 2 qershor 2020, në orën 17.00. Përfaqesuesit e Opozitës së Bashkuar: Oerd Bylykbashi, Petrit Vasili
Sot ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim dhe ambasadorët e BE-së kanë zhvilluar negociata me mazhorancën dhe opozitën. Yuri Kim dhe Soreca zhvilluan takim edhe me kreun e PD-së Lulzim Basha.
Mes palëve ka patur negociata të fshehta, për të gjetur sa më parë një marrëveshje për sistemin e ri zgjedhor në Shqipëri.
Aktualisht PD dhe PS ndahen tek votimi elektronik me kartë identiteti, komisionet zgjedhore dhe qeveria teknike.