Goditja që ju dha Shqipërisë në Ministerialin e Ministrave të Jashtëm të BE-së nuk është i rastësishëm. Mund të ishte disi i papritur për Maqedoninë e Veriut por jo për Shqipërinë. Pesë vende evropiane, sipas gazetares Erisa Zykaj, që raporton nga Brukseli, (një nga njohëset më të mira të procesit), kanë qenë kategorikisht kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë, por edhe deri diku me raportin e Komsionit Europian të marsit të këtij viti që rekomandonte hapje negociatash.
Më e ashpër është treguar Hollanda, që në maj të këtij viti rekomandoi dhe rikthimin e vizave me Shqipërinë. Eksportimi i krimit të organizuar atje, trafiku i drogës nga Shqipëria, apo edhe problem i azilantëve e ka shqetësuar jo pak këtë vend themelues të BE.
Krah Hollandës janë Gjermania, Franca, Danimarka, dhe Spanja, që kanë kërkuar në mënyrë strikte zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Por jo vetëm kaq. Ato kanë vënë theksin tek disa çështje jo pak të rëndësishme për Shqipërinë.
Apatia e SPAK në hetimin e dosjeve për zyrtarët e lartë, vonesat në ngritjen e BKH, ligji i medias, mungesa e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, apo numri i madh i azilantëve janë një handikap jo i vogël për vendin që shpreson të antarësohet në BE. Dhe jo vetëm kaq, por vendet antare kanë parë dhe një mungesë vullneti politik nga ana e Rilindjes për të përmbushur qoftë dhe një kusht të vetëm. Shkelja e marrëveshjes së 5 Qershorit, u pa si një arrogancë e tepruar e ngjashme me autoritarizimin e liderëve që nuk pranojnë demokracinë.
Mesazhi duket se më shumë se i jepet qeverisë, i jepet shqiptarëve. 25 prilli duhet të shënojë një kthesë në zgjedhje, të cilat domosdoshmërisht duhet të jenë demokratike dhe të prodhojnë një rezultat të ndershëm. Kapitulli i Rilindjes tashmë ëshët mbyllur, mbështetja e Shqipërisë nga komuniteti ndërkombëtar ka arritur në nivelet zero.
Në rast se në vitin 2013 ishin vetëm 3 kushte pa plotësuar për hapjen e negociatave, sot ato janë shndërruar në 15. Prekja e zgjedhjeve të 25 prillit, mund të na sjellë surpriza jo të këndshme në marrëdhëniet me BE-në.
Duke lënë mënjanë etikën, vlen të thkesohet se periudha e këtyre shtatë viteve ka qenë më e dështuara në raport me integrimin. Dhe kjo, jo për shkak të pamundësisë, apo mungesës së dëshirës së shqiptarëve, që nën thirrjet “e duam Shqipërinë si Gjithë Evropa”, shembën një nga diktaturat më të egra të bllokut lindor.
Aspak, kjo vjen si pasojë e e marrjes peng së institucioneve të drejtësisë, mungesës së zgjedhjeve të lira, dhe dëshirës frenetike të kryeministrit për të mbajtur pushtetin në kundërshtim me vullnetin e shumicës.