Eva Dumani, nuk i është bashkuar të vëllait, Endrit, për t’u kthyer në atdhe nga kampi famëkeq Al-Hol.
Mësohet se e mitura është shprehur, kur ka parë agjentët shqiptarë në kamp, se nuk dëshiron të kthehet në Shqipëri. Sot mbërriti në Rinas vëllai i saj 6-vjeçar, Endri Dumani i cili u bashkua me të ëmën pas 6 vitesh ndarje.
Daja i saj, Agim Ndregjoni, i pyetur nga gazetarët e pranishëm në Rinas, i bëri edhe një herë thirrje Evës që të kthehet, sepse këtu ka njerëzit më të dashur.
“Uroj të plotësohet edhe pjesa tjetër e fëmijëve që kanë mbetur në kamp. Nuk kemi informacione të sakta, shpresojmë që të kthehet. Deri para 10 ditësh ishte shumë aktive që të ktheheshin të gjithë shqiptarët që ishin aty. Ndërsa këto 10 ditët e fundit nuk kemi informacion shumë të detajuar pse nuk po bashkëpunon për t’u kthyer”, shprehet ai.
Eva dhe Endri Dumani ishin përkatësisht 8 dhe 6 vjeç, kur babai i tyre i rrëmbeu 6 vjet më parë dhe së bashku me ta shkoi drejt Sirisë për t’ju bashkuar xhihadistëve në Shtetin Islamik.
Një vit më pas, gjyshja e tyre Mentije Dumani shkoi drejt Sirisë për të tërhequr fëmijët, por edhe ajo mbeti atje, e burgosur së bashku me fëmijët në kampin Al-Hol deri sa ndërroi jetë disa javë më parë.
LEXO EDHE:
Me lot në sy – Endri Dumani përqafon nënën pas kthimit nga Siria (VIDEO)
Mbërrijnë në Shqipëri 5 shqiptarët nga Al Hol – Rama: Do kthejmë në atdhe fëmijë të tjerë