Është ndarë nga jeta, dje në moshën 69-vjeçare pas një sëmundjeje, aktori, dramaturgu dhe regjisori Sheri Mita. Roli i fundit që do të qëndrojë përgjithmonë në fund të listës së më shumë se 30 roleve që ai pati në kinematografi është ai i kryetarit të kooperativës në filmin me metrazh të shkurtër “Para perëndimit të diellit”, me skenar nga Flori Balliu, dhe regji nga Kled Kapexhiu, i realizuar në qershor të vitit të kaluar. Aktori Sheri Mita nuk iu nda kurrë kinemasë, dashurisë së kahershme e gjithëhershme deri në ditën e fundit të jetës, por ndërkohë nuk u shkëput as nga teatri me të cilin e lidhte edhe krijimtaria. Ai ka shkruar disa drama e komedi që janë vënë me sukses në skenën e teatrove shqiptare. Për herë të fundit në shesh xhirimin e një filmi ishte në qershor të viti të kaluar. Ishte regjisori i ri Kled Kapexhiu që sapo e pa menjëherë e ftoi në shesh xhirimin e filmit me metrazh të shkurtër “Para perëndimit të diellit”. “Ai kishte një rol të vogël në këtë film, por që e mori me shumë dëshirë dhe seriozitet rolin. Qëndronte në shesh xhirimin e filmit për gati 1 ditë e gjysmë edhe pse kishte vetëm 3-4 batuta, donte që çdo gjë të realizohej në perfeksion. Akoma pa filluar, ai si një profesionist i vërtetë fliste dhe bisedonte me mua për kostumin që do të vishte për rolin dhe për gjithçka që kishte të bënte me atë rol episodik. Aq me dëshirë e kishte atë rol, sa qëndroi në shesh xhirimin që kishim ngritur në majë të një kodre në mes të diellit ku e vetmja hije ishte e vetmja pemë që gjendej në atë kodër. Edhe për mua dhe aktorët e rinj ishte një torturë për shkak të temperaturave të larta, por ai për asnjë moment nuk u largua”- kështu e kujton regjisori Kled Kapexhiu, artistin e madh Sheri Mita në rolin e fundit të jetës. Sheri Mita është lindur në Fterrë të Sarandës më 14 mars të vitit 1943. Mbas shkollimit të mesëm, kreu Institutin e Lartë të Arteve dega Dramaturgji në vitin 1967. Emërohet në ILA pedagog i mjeshtërisë së aktorit, por e largojnë për arsye biografike. Emërohet regjisor në Kinostudio, aktor në Teatrin Popullor etj., deri sa u dërgua si regjisor në Estradën e Beratit, nga ku kthehet në Tiranë në vitin 1989, fillimisht si regjisor në Cirkun e Tiranës.
Në vitin 1993 emërohet në Estradën e Tiranës si drejtor e vitet e fundit udhëheqës artistik. Në vitin 2004 doli në pension, por u rikthye disa herë në shesh xhirim, si te “Kronikë provinciale” në vitin 2009-të dhe në fund në filmin “Para perëndimit të diellit”. Ka luajtur role në shumë filma artistikë, si në filmat “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “Yjet e netëve të gjata”, “Ballë për ballë”, “Gjeneral Gramafoni’, “Veterani”, “Në fillim të verës”, “Valixhja me një milion dollarë” etj. Kontribut artistik ai ka dhënë edhe në teatër si aktor dramatik dhe komik. Ka interpretuar te: “Shtëpia në bulevard”, “Fytyra e dytë”, “Arturo Ui”, ‘I pazëvendësueshmi” etj.
Si regjisor, përveç dhjetëra numrash estrade, ka vënë në skenë në Teatrin Popullor, në Fier, Berat, Korçë etj. disa drama e komedi. Si krijues letrar, ka shkruar gjashtë drama e komedi. Katër prej tyre: dramat “Vite të paharruara” dhe “Dy krisma në Paris” dhe komeditë “Këshilli i ndrikullave” dhe “Familja e madhe” kanë fituar çmime në konkurset kombëtare të dramaturgjisë dhe Festivalet Kombëtare të Teatrove. Në vitin 2004 u nderua me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”.