Trajneri Edy Reja ka folur para ndeshjes me Moldavinë, sfidë e cila luhet për prestigj pas humbjes 1-0 me Turqinë. Trajneri flet dhe mban ekipin në tonus. Ndërsa kapiteni i Shqipërisë, Ledian Memushaj, ishte përkrah trajnerit Edy Reja në konferencën për shtyp. Ai mendon se skuadra duhet të reagojë shpejt dhe të harrojë shpejt humbjen me Turqinë.
Edy Reja: “Ishim pak nervoz për rezultatin dhe jo për ndeshjen që luajtëm. Nuk mbaroi futbolli në Turqi, por e rëndësishme të mbajmë ritmin që kemi tani. Rezultatet do të vijnë, pasi me lojë do të vijnë rezultatet”.
Formacioni – “Do kem pak më shumë kohë për formacionin. Nuk ka qëllim që të bëj shumë ndryshime, por sigurisht që do të bëj pak ndryshime. Nëse i rikuperoj të gjithë lojtarët, nuk bëj shumë ndryshime”.
Turqia – Moldavia – “Skuadrat e mia nuk nënvlerësojnë askënd. Moldavia është skuadër e mirë, pasi luan mirë teknikisht. Duhet të futemi me të njëjtën vendosmëri si ndaj Turqisë”.
Moldavia – “Ne na interson të bëjmë lojëra të mira. E dimë se në Moldavi nuk është e lehtë. Në Elbasan fituam me vështirësi dhe lojtarët e mi e dinë se duhet ta vlerësojnë në maksimum. Lojtarët e mi futen në fushë për të fituar. Kur skuadra luan mirë, atëherë merr rezultat“.
E ardhmja – “Ju keni filluar me llogari për të ardhmen prej kohësh. Kam qejf të vazhdoj me ekipin, por nuk varet vetëm prej meje. Varet pak dhe nga unë me rezultate. Nëse Duka është i gatshëm për të vazhduar, unë do të doja, pasi kam marrë sinjale pozitive nga skuadra. Dua të vazhdoj punën, pasi kam kuptuar mentalitetin e ekipit. Dua të mbyllim këto kualifikuese, më pas të vendosim”.
***
Ledian Memushaj: “Ndeshja me Turqinë na mërziti, pasi duhet të përgatitemi për Moldavinë dhe të kthehemi te rezultatet pozitive. Nesër kemi një ndeshje më të rëndësishme. Jam i kënaqur me mënyrën si kanë reaguar lojtarët”.
Përmirësimet – “Me Turqinë treguam nga ana taktike dhe teknike që jemi përmirësuar. Kundërshtarë të tillë tregojnë se sa jemi pjekur. Duhet të përmirësohemi në fazën sulmuese. Nuk është vetëm faji i sulmuesve, por dhe i mesfushorëve dhe ekipit”.