Aktualitet

“Reketi”/ Parlamenti shkarkon prokuroren Speciale, Katica Janeva






               Publikuar në : 18:46 - 14/09/19 |
mapo.al

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka shkarkuar nga detyra kryeprokuroren Speciale Katica Janeva, e cila ndodhet në paraburgim si e dyshuar në rastin “Reketi”.


Për shkarkimin e Janevës kanë votuar të gjithë, plot 102 deputetë që morën pjesë në votim, si të partive në pushtet ashtu edhe në opozitë.



Paraprakisht, këshilli i prokurorëve i kishte dorëzuar Kuvendit një material voluminoz mbi hetimet që janë bërë ndaj Janevës nga Prokuroria Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Sipas hetimeve, ekzistojnë dyshime të bazuara për shpërdorim të detyrës nga kryeprokurorja Janeva, në rastin e rryshfetit nga afaristi, Orce Kamev të 1.5 milionë eurove, nga dy të arrestuarit e tjerë në këtë rast, Bojan Jovanovski dhe Zoran Milevski.

Këta dy persona duke shfrytëzuar afërsinë me Katica Janeva si dhe pozicionin e saj si drejtuese e Prokurorisë Speciale, i kanë premtuar afaristit Kamcev masa lehtësuese në një proces tjetër gjyqësor që po zhvillohej ndaj tij.

Në një video-përgjim të publikuar nga një gazetë italiane, vërehet se si Bojan Jovanovski merrte paratë nga afaristi, kurse në një moment në bisedë dëgjohet edhe zëri i Janevës e cila i premton afaristit se gjithçka do të jetë në rregull me gjykimin e tij.

Ky rast ka nxitur reagime të shumta politike që çuan edhe në rrënimin e besueshmërisë tek Prokuroria Speciale.

Prokuroria Speciale ishte themeluar në vitin 2015 për shkak të mosbesimit në Prokurorinë e Rregullt për të hetuar aferën e përgjimeve, një aferë tjetër kjo në bazë të të cilës janë ngritur dhjetëra hetime kundër zyrtarëve të qeverisë së kaluar që drejtohej nga Nikolla Gruevski, që ka fituar azil politik në Hungari.


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas