Maqedonia e Veriut ka regjistruar ditën e premte numrin më të madh të të infektuarve në një ditë nga koronavirusi që nga nisja e pandemisë.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik në 24 orët e fundit u regjistruan 177 raste të reja me koronavirus, krahasuar me 120 që ishin një ditë më parë. Gjithashtu u regjistruan dhe 2 viktima të tjera duke e çuar totalin në 149.
Zonat më të goditura janë ato të Shkupit, Kumanovës, Shtip, Tetovës dhe Gostivarit dhe për këtë arsye autoritetet kanë vendosur dhe një izolim 80 orësh në fundjavë për këto qytete.
Ministria e Shëndetësisë ka vazhduar t’iu bëjë thirrje qytetarëve për respektimin e masave mbrojtëse. Sipas kreut të këtij dikasteri mbajtja e maskave, distanca fizike dhe larja e duarve janë mjeti i vetëm për mbrojtje nga pandemia.
Numri i madh i të infektuarve sipas institucioneve ka të bëjë me mosrespektimin e masave mbrojtëse në gjysmën e dytë të Muajit të Ramazanit dhe gjatë festimeve të Bajramit.