Data 18 janar do të jetë dita e fundit e mandatit për të gjithë të zgjedhurit në postet drejtuese të universiteteve; jo vetëm rektorëve, por edhe dekanëve, shefave të departamenteve, si dhe kancelarëve. Pas kësaj date, në bazë të Ligjit të Arsimit të Lartë, duhet të ketë filluar fushata për zgjedhjet e reja, nga të cilat do të përzgjidhen edhe drejtuesit e rinj. Por deri tani nuk ka një datë zyrtare se kur do të zhvillohen ato, megjithatë, një gjë është e sigurt që brenda janarit, ministri i Arsimit do ta shpallë një datë. Para nisjes së fushatës, dy rektorët aktualë të dy prej universiteteve publike më në zë, ai i Tiranës, Dhori Kule dhe i Politeknikut, Jorgaq Kaçani, kanë konfirmuar rikandidimin e tyre për në postet që ata mbajnë. Në zgjedhje do të hedhin votën në kutitë e votimit, jo vetëm anëtarët e stafeve pedagogjike, por edhe studentët të cilët do të zgjedhin kandidatët e preferuar. Përpara mbylljes së vitit 2011, Parlamenti miratoi edhe një ndryshim të rëndësishëm të Ligjit të Arsimit të Lartë, duke u dhënë të drejtë rikandidimi drejtuesve aktualë edhe për një mandat të dytë, nga një që ishte përcaktuar më parë në ligj.