Takimi i fundit i Konferencës së Rektorëve të Universiteteve Shqiptare konfirmoi sërish në detyrë, për një mandat dyvjeçar kryesinë e saj.
Kryetar i saj u rizgjodh rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha dhe nënkryetarë, rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr. Tonin Gjuraj dhe ai i Universitetit të Elbasanit, Prof. Dr. Skënder Topi.
Konferenca e Rektorëve të Shqipërisë është kryesuar prej vitit 2020 nga rektori Hoxha, duke u vlerësuar si me impakt pozitiv, me ndryshime e përmirësime në çështje që shqetësojnë sot arsimin e lartë në vend.
Po ashtu, përmes kësaj konference është vendosur edhe një bashkëpunim, që palët e konsiderojnë si të shkëlqyer, mes sektorëve publikë e jopublikë, të arsimit të lartë shqiptar, me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, si edhe me institucione të tjera të arsimit të lartë në vend.
Kjo konferencë, u themelua në vitin 2016, pas miratimit të Ligjit për Arsimin e Lartë. Sipas nenit 16 të këtij ligji, 1. Konferenca e Rektorëve është organ kolegjial, i pavarur, i përbërë nga titullarët e institucioneve të arsimit të lartë dhe që kryen veprimtari të koordinimit dhe zhvillimit të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, si dhe funksione të tjera të përcaktuara me ligje të veçanta.
Gjithashtu, Konferenca e Rektorëve jep rekomandime lidhur me çështje të arsimit të lartë me interes kombëtar.