Aktualitet

Relativizimi i arritjeve ndërkombëtare të qeverisë së dikurshme të PD









Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:10 - 22/02/21 |
Pëllumb Nako

Nuk është e rrallë që në median e shkruar dhe vizive të vendit tonë të shohim të serviren shkrime të shumta të cilat në thelb kanë një tendencë që si arritjet dhe dështimet ndërkombëtare të qeverive të ndryshme që kanë drejtuar vendin tonë gjatë dekadave të fundit t’i vendosin në një kontest ndërkombëtar favorizues ose në të kundërtën e tij, pengues. Pra, krijohet ideja se në këtë drejtim janë të pakta gjërat që mund të ketë në dorë vendin ynë, ku thuajse gjithçka varet nga të huajt. Duke e marrë të mirëqenë këtë argument, nuk duhet harruar se para së gjithave asnjë arritje në fushën ndërkombëtare nuk mund të jetë dhuratë e një pale për palën tjetër, por vetëm produkt bashkëpunimi partnerësh të besueshëm.



Hyrja e Shqipërisë në NATO si dhe liberalizimi i vizave për shtetasit shqiptarë mbeten dy arritje të cilat nuk u ofruan si dhurata, por si mundësi për vendin tonë për të ndërtuar një standard sipas nivelit dhe kërkesave që kërkonte realizimi i objektivave konkretë. Kapja e një momenti të favorshëm ndërkombëtar dhe shfrytëzimi i tij për të ndërtuar një standard të caktuar për vendin tënd, nuk përbën fat të ardhur nga qielli siç thuhet rëndom nëpër komente mediatike, por vizion për të punuar që koniunkturat e favorshme të afrohen dhe më pas me partneritet serioz ato të shfrytëzohen për të mirën e vendit.


Në thelb, pohimi sipas të cilit ka kohë koniunkturash ndërkombëtare që ndihmojnë në realizime projektesh kombëtare dhe e kundërta në pengimin e tyre, sigurisht që qëndron, por nuk mund të shërbejë kurrë si justifikim për mosarritjen e asnjë objektivi ndërkombëtar të një qeverie të majtë apo të djathtë për një periudhë qeverisjeje prej dy mandatesh. Sepse thelbi këtu qëndron, në shpejtësinë e kapjes dhe shfrytëzimit të koniunkturave ndërkombëtare për të realizuar ato kombëtare dhe mbi bazën e arritjes së paraardhësve, pasardhësit çimentojnë standardin duke e forcuar atë për kapjen e nivelit tjetër. Në këtë mënyrë garantohet vazhdimësia dhe me gjithë koniunkturat e konsideruara të pafavorshme, objektivi mund të realizohet. Pikërisht atë që nuk bëri me kokëfortësi qeverisja aktuale në raport me hapjen e negociatave me Bashkimin Europian kur vetë procesi u shfaq si projekt konkret formalisht i njëjtë me liberalizimin e vizave. Të paktën liberalizimi i vizave mund të konsiderohet më se natyrshëm si pjesë e hapave të vendit tonë për të aderuar në BE.




E gjitha kjo sepse tashmë dihet që realizimet konkrete të një qeverie në fushën ndërkombëtare janë maja e diamantit të arritjeve të saj, relativizimi i tyre edhe në kohë fushatash elektorale nuk është produktiv jo vetëm për vendin, por as për krahun e kundërt politik që e emeton si ide.



Ndërkohë, në terma më konkretë duket se fushata elektorale e cila në shumë drejtime të saj tashmë ka filluar, këtë radhë më sa duket do të përqendrohet te punët e kryera nga partitë në betejë. Qeveria nga ana e saj mundohet në çdo sekondë ta paraqesë veten në krye të punëve ku Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës secili sipas stilit të tij, bëjnë një bilanc të arritjeve të tyre gjatë këtyre dy mandateve. Pra, që dinë të projektojnë sepse janë vizionarë dhe po ashtu janë punëtorë që realizojnë vizionin. Slogani propagandistik madje duket i krijuar enkas për ta paraqitur opozitën si një forcë të përgjumur të aftë për asgjë.


Nga ana e saj opozita përpiqet në çdo moment të paraqesë veten me një vizion nëpërmjet projektesh të prezantuara para publikut plus asaj që i la trashëgimi vendit. Kjo e fundit, megjithëse e mbuluar deri diku edhe nga pluhuri i kohës dhe harresa e natyrshme duket se në disa drejtime e shqetëson qeverisjen aktuale e cila nuk ka në bagazhin e saj disa nga arritjet konkrete të opozitës në fushën ndërkombëtare. Kjo është edhe arsyeja që mjaft arritje të qeverisjes demokratike në vitet e shkuara, sidomos ato në rrafshin ndërkombëtar, po relativizohen apo të konsiderohen si fat i kohës së qeverisjes së PD-së në shumë shkrime e opinione të ndryshme që qarkullojnë ne mediat elektronike dhe të shkruara.

Pra në këtë fushatë, në thelb kemi dy përplasje forcash politike ku imazhi i ndërtuar nga propaganda për secilën nuk përputhet me arritjet. Nga njëra anë është qeveria e cila me gjithë supremacinë e pretenduar, vizionin shtetar të hedhur në terren, punët e shumta të kryera për herë të parë në historinë e Shqipërisë, nuk ka në bagazhin e saj të realizimeve ndonjë arritje ndërkombëtare konkrete të kapshme nga publiku i gjerë. Hapja e negociatave të vendit tonë me Bashkimin Europian i cili do të ishte një projekt i materializuar gjatë dy mandateve të qeverisjes, për fat të keq dështoi në mënyrë thuajse spektakolare në përmasa të tilla saqë edhe parashikuesi më i zymtë nuk do ta kishte menduar një ecuri të tillë.

Dekorimi i disa diplomatëve për diçka që nuk ekziston, mbetet historike po aq sa dhe argumenti më folklorik aktualisht në qarkullim sipas të cilit fajin e ka Europa, pastaj Holanda për shkak zgjedhjesh, pastaj Franca për shkaqe të nacionalizmit të brendshëm në rritje, tregojnë qartazi sesa shumë e dëshiruar ishte qeveria për arritjen e këtij objektivi për ta pasur para së gjithave si stoli për momente të tilla fushate. Në thelb kemi kaluar plot 8 vite të cilat nuk u shfrytëzuan për hapjen e negociatave edhe kur mundësitë ishin më të mira sepse kushtet ishin minimale.

Pra, projekti i hapjes së negociatave me Shqipërinë u shfaq formalisht i njëllojtë si ai për anëtarësimin në NATO dhe liberalizimin e vizave. Madje ky i fundit u shoqërua me frikë dyndjesh të popullsisë së pakontrolluar e megjithatë gjithë vendet e BE-së u deklaruan në favor, kurse hapja e negociatave nuk do të thotë automatikisht hyrje në BE e për rrjedhim ky hap nuk ka sesi frikëson as publikun e Holandës e as të ndezë nacionalizmin e francezëve skeptikë.

Ndërkohë nga ana tjetër kemi një opozitë të vënë nën një breshëri masive të propagandës si me mungesë vizioni, si dembele apo gjumashe e cila duket se në këtë fushatë nuk do të lërë pa përmendur, dhe me të drejtë, disa arritje të saj në fushën ndërkombëtare dhe me përfitim direkt në mbrojtjen e vendit dhe në qarkullimin e liberalizuar të qytetarëve të saj siç është hyrja e vendit në NATO dhe liberalizimi i vizave, madje edhe shpallja e Kosovës shtet i pavarur. Për më tepër për secilën prej tyre në atë kohë ministri respektiv ka qenë lideri aktual i opozitës.

Në thelb sot po trokasim në një fushatë elektorale ku qeverisja nuk po e përmend më hapjen e negociatave me Bashkimin Europian dhe një opozitë që flet për NATO e liberalizim vizash e ndërkohë po hasim qëndrime të çuditshme që nuk kritikojnë mungesën e hapjes së negociatave, por relativizojnë anëtarësimin në NATO apo liberalizimin e vizave vetëm e vetëm sepse i ka kurorëzuar qeveria e PD-së.

19


Etiketa:

Pas