Kryesore

Renato Osmënaj: Pse u rritën shifrat dhe si u trajtua deri tani pandemia





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:54 - 11/07/20 |
mapo.al

Një analizë kritike e situatës për gazetën MAPO nga doktor Renato Osmënaj, imazheristi i infektivit. Ku çaloi puna e autoriteteve dhe pasojat që po sjell gjendja aktuale. Zëri kritik i doktor Renatos, që nuk kursehet për të vërtetat e tij.


-Doktor çfarë analize keni për shpërthimin e rasteve pas rihapjes, a pritej në këto përmasa dhe sa shqetësuese është për ju?
Ishte një situatë e pritshme mbas izolimit total (për mua i pakuptimtë) për rreth 2 muaj pasi prej këtij izolimi u ndërpre zhvillimi normal i epidemisë gjë që solli si pasojë mungesën e normalitetit të kurbës.


Në këto momente kjo kurbë është pak më e fryrë në shifra por me stabilitet për fundin e saj (bishtin). Shtimi i numrit të rasteve ka ardhur si pasojë e mungesës së një strategjie eficiente dhe gabimeve të bëra në fazat e hapjes duke mos ndjekur me kritere specifike çdo fazë të hapjes së vendit.


Në javën e fundit të janarit kemi pasur rreth 3400 të sëmurë në ditë me infeksione respiratore sipas të dhënave të ISHP, ndërsa sot mund të jenë 60 të sëmurë nga infeksione respiratore relativisht të rënduara. Gjatë hapjes së vendit burimi i parë i infeksionit u bënë Institucionet Shëndetësore dhe pas tyre administrata shtetërore. Në këto kushte, situata doli jashtë kontrollit të drejtuesve të Task-Forcës.


-A është ky lloj analizimi, me tamponë, mënyra më e mirëpër të marrë vesh gjendjen reale?
Tamponimi është një nga metodat e parandalimit kur ai është në numër të konsiderueshëm (duhet të kemi parasysh fals-negativitetin e rezultatit dhe vonesat e kryerjes së tamponit dhe dhënies së përgjigjes). Në vendin tonë nuk u bë asnjëherë tamponimi në shifra të konsiderueshme të cilat mund të merreshin si bazë për të analizuar situatën e epidemisë.

Aktualisht, pjesa e konsiderueshme e personave të infektuar po ndiqen me CT si për tu diagnostikuar nga COVID-19, ashtu dhe për të bërë ndjekjen e sëmundjes. Arsyeja e parë është vështirësia që hasin për bërjen e tamponit dhe arsyeja tjetër është diagnostikimi i hershëm i cili është dhe kushti kryesor në shërimin e tyre.

Aktualisht në vendin tonë kanë humbur efikasitetin masat parandaluese të ndërmarra nga komiteti. Duke pasur parasysh që në fazën akute pozitiviteti në diagnozën me CT arriti 98% kam propozuar që në muajin prill, që Triazhimi duhej të kryhej në ditën e 2-3, bazuar në vlerësimin klinik nga MF, LABORATORIK GJAK KOMPLET +PCR + CT. Kjo ishte tërësisht e mundur pasi të gjitha spitalet rajonale kanë kapacitet për kryerjen e këtij Triazhimi, i cili diagnostikon, stadifikon dhe bën prognozë të hershme të patologjisë e cila përmirëson dukshëm shërimin.

Rezervat e mia për të dyja mënyrat e depistimit, qoftë tamponi qoftë serologjia lidhen me:

1. Fals-negativitetin e tamponit që është 45%

2. E vetmja aparaturë që kryen serologjinë është blerë në 2009 me mangësi teknike dhe në bazë të provave shkencore anti-trupat mund të krijohen 3-6 muaj mbas kalimit të sëmundjes.

-Si po menahohet sipas jush gjendja nga autoritetet shëndetësore, a kemi numrin e duhur të shtretërve dhe mjeteve për trajtim?
Lufta antiCOVID në vendin tonë e ndau sistemin shëndetësor në dy kampe: në frontin politik dhe atë mjekësor gjë e cila solli moskoordinim veprimi brenda strukturave shëndetësore.

Dhe si pasojë pati:

1. Keqmenaxhim në drejtim të krijimit të një infrastrukture spitalore adekuate, si p.sh. krijimi i dhomave me presion negativ e cila do të mundësonte uljen e dozës virale të kontaminimit për të sëmurët dhe uljen e riskut të infektimit për personelin.

2. Dëmi më i madh që iu bë sistemit ishte largimi nga skema e parandalimit e MJEKUT të Familjes dhe centralizimi drejt urgjencës kombëtare e cila solli vonesa prej 10-15 ditësh në diagnostikimin e sëmundjes.

3. Interpretimi politik i situatës me një panikim të pavlerë qoftë të popullatës apo punonjësve të sistemit shëndetësor, çoi në një çoroditje si për punonjësit shëndetësor ashtu dhe për qytetarët.

-Kemi disa raste të përsëritura me vdekshmëri në mosha të reja, si e shpjegoni ju këtë?
Fatalitetet e një sëmundjeje fatkeqësisht nuk kursejnë as moshat e reja por ajo që unë mendoj është se kjo ka ardhur si pasojë e mosdiagnostikimit të hershëm të tyre apo dhe sëmundjeve bashkëshoqëruese që mund të kenë pasur.

Vdekshmëria në moshat e reja lidhet me diagnostikimin e vonshëm të sëmundjes dhe avancimin e saj në prekjen e pulmonit. Është e vërtetë që ky virus ka shumë të panjohura por gjithashtu është e vërtetë se përvoja e deritanishme ka treguar që sa më herët të kapet sëmundja aq më i sigurt është shërimi i saj.

-Si duhej trajtuar që në fillesë pandemia, a kishte ndonjë mënyrë për ta mbajtur nën kontroll?
Ka modele të njohura të suksesshme që janë përdorur në të gjithë botën për parandalimin e kësaj pandemie. Modeli që u përdor te ne ishte një copy paste i shëmtuar dhe përveç kësaj tanket e nxjerra në rrugë ishin origjinalitet i kësaj qeverie. Kam propozuar që në fillim modelin izraelit, krijimin e imunitetit dhe paralelisht kujdesin dhe distancimin për moshat e treta. Ky virus është virus i ambienteve të mbyllura dhe kohës së zgjatur të ekspozimit gjë që e bën mjaft të dyshimte rolin e mjeteve mbrojtëse si maska, mbasi mendoj se ka më shumë efikasitet ajrosja e ambienteve të mbyllura. Faktet kanë treguar që edhe personat që kanë qenë striktë në rregullat e mbrojtjes personale (deri më të sofistikuarat si veshjet spitalore) përsëri janë kontaminuar.

-Ju keni qenë një kritik që në fillim, a keni pasur mundësi ti bëni të ditura shqetësimet pranë autoriteteve ose komitetit të ekspertëve?
Unë jam mjek dhe kam një imazh publik pasi kam 20 vite që iu shërbej qytetarëve të këtij vendi. Kritikat dhe sugjerimet e mia kanë qenë pothuajse të përditshme nëpërmjet rrjeteve sociale ashtu si kanë qenë të përditshme kuraja dhe këshillat mjekësore të domosdoshme për qytetarët apo të gjithë të njohurit e mi.

Në vazhdimësi kam komunikuar me stafin mjekësor të spitalit infektiv, pjesë e të cilit kam nderin të jem dhe respekti për ta është maksimal.

Duke mos pasur mndësië e kontaktit me komitetin e shpëtimit kam përcjellë mesazhe mjaft profesionale për ta nëpërmjet rrjeteve sociale dhe TV. Ajo çfarë kam kuptuar këta muaj është që ky komitet mund të quhet thjesht një vesh i shurdhër.

Pavarësisht se është ndoshta vonë po iu bëj thirrje publike jo profesionistëve të fushës që kjo luftë duhet të drejtohet nga ekspertët e mjekësisë aktive ndaj luftës anti-COVID dhe jo nga Rama, Ogerta apo Tritan Shehu.

-Cili mendoni se do të jetë ndikimi i kësaj gjendjeje nëturizëm, a ka ndonjë mënyrë për të shpëtuar sezonin sipas jush?
Situatën e turizmit në vendin tonë e shikoj të trishtueshme mbasi jemi të identifikuar si një nga shtetet më të dobëta në menaxhimin e epidemisë. Duke qenë se i gjithë menaxhimi shëndetësor kryhet vetëm në një spital qartazi kemi pranuar që strukturat tona spitalore janë jashtë funksionit dhe pa kapacitet pritjeje cilësor dhe sasior për të sëmurët e rastësishëm në të gjithë vendin, ku përfshihen dhe turistët.

Me keqardhje kam mësuar nga kontaktet e mia personale që agjencitë turistike reklamojnë një risk të lartë për vizitat turistike në vendin tonë. Pra ne, për agjencitë e udhëtimit dhe ato turistike, jemi vend i pasigurt në menaxhimin e problemeve shëndetësore, qofshin covid apo jocovid.


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas