Megjithëse arkaike, për fat të keq fjala me origjinë turke “gjullurdi” e ruan aktualitetin e saj në skenën e funksionimit të institucionit të sigurisë në vendin tonë. Mjafton të ndjekësh me vëmendje lidershipin politik të Ministrisë së Brendshme dhe do të dallosh sesa mungesë të dukshme vizioni dëshmon ky i fundit, madje hera-herës logjika me të cilën vepron rezulton e kundërt me atë të shprehur nga lidershipi i policisë.
Ministri ka dalë disa herë në publik kohët e fundit duke theksuar fillimisht ulje të kriminalitetit, pastaj nuk vonoi të paralajmërojë rrezikun edhe për këtë vit të kultivimit në sasi të madhe të kanabisit duke përgjegjësuar me këtë rast pushtetin vendor dhe për të përfunduar me rritjen me 500 vetë të numrit të përgjithshëm të organikës së policisë.
Nga ana tjetër, në parlament ministri replikoi duke nënvizuar faktin se në vendin tonë ka ulje galopante të krimit duke iu sugjeruar të gjithëve atyre që nuk besojnë në këtë fakt, të ndërrojnë pasaportën. Me shumë gjasa duket se kjo ulje galopante duhet të ketë nisur në fillim të këtij viti ndërkohë që ende nuk janë bërë publike statistikat lidhur me kriminalitetin për vitin 2020 sepse po t’i referohemi vitit 2019, gjatë të cilit Ministria e Brendshme u drejtua me kohë të plotë nga ana e gjeneralit, ato flasin për galop, por në ngjitje dhe jo zbritje të krahasuara me një vit më parë.
INSTAT thotë se gjatë vitit 2019 në vendin tonë kanë ndodhur 58 vrasje, pra 7 më shumë se një vit më parë. Me cilën periudhë kohore u krahasua kjo ulje galopante e njoftuar nga ministri në Parlament? Gjatë vitit 2019, policia ka raportuar se ka shkatërruar 78 068 bimë narkotike, pra rreth 50 për qind me shumë se një vit më parë. Ata individë që mbollën këtë sasi gjatë vitit 2019 duke shkelur ligjin ishin më të shumtë apo më të paktë se një vit më parë?
Këto dy shifra janë vetëm ilustruese dhe japin idenë e dy treguesve thellësisht të rëndësishëm të kriminalitetit, por janë ende larg matjes së sigurisë. Kjo e fundit është mjaft më komplekse dhe vite dritë larg koncepteve të lidershpit drejtues të Ministrisë së Brendshme për ta kuptuar mënyrën e matjes. Se sa të sigurt ndihen shqiptarët nuk duhet të mbetet konkluzion i një forme demagogjie si më sipër në Parlament, apo me krahasime shifrash gjysmë ose aspak transparente, madje akoma më keq edhe të fshehura. Shifrat policore, edhe më korrektet, japin atë ç’ka konstatuar policia, jo atë që ka ndodhur. Të pretendosh përputhjen e tyre është papërgjegjshmëri.
Pra, si dhe sa është siguria e qytetarëve në raport me koston e cila paguhet për ta patur atë? Si duhet analizuar dhe rritur efikasiteti i të gjithë aktorëve që ofrojnë siguri në mënyrë që policia të përqendrohet gjithmonë e më shumë në luftën kundër krimit dhe në ruajtjen e rendit kushtetues dhe siguria të ketë kosto të përballueshme? Analiza të tilla janë larg perceptimit të Ministrisë së Brendshme sepse titullarët vuajnë nga protagonizmi dhe i kanë kthyer institucionet e sigurisë në konsumatore të tmerrshme financash me efikasitet të dyshimtë duke mos kuptuar rregullat më minimalë të një tregu të sigurisë ku çdo aktor duhet të përgjegjësohet njëlloj si policia.
Kjo sepse mjafton të hedhesh një sy dhe do të konstatosh se pas ardhjes në pushtet, qeveria aktuale ka rritur numrin e punonjësve të policisë të cilin e mori me një numër më poshtë se 9000 vetë në total dhe e ka kaluar mbi 11.000, duke kërkuar edhe një shtesë tjetër prej 500 vetësh, pa llogaritur këtu Rojën Bregdetare dhe Shërbimin Doganor që pjesërisht ushtrojnë detyra në fushën e sigurisë publike. E njëjta gjë edhe për policitë bashkiake, ku për ilustrim përmendim Tiranën që nga rreth 100 vetë që kishte më parë, pritet ta kalojë numrin në 500. Aktualisht ka 482.
Po ashtu, për të rritur sigurinë kjo qeveri ka detyruar biznesin dhe banorët e pallateve që nëpërmjet ligjit “Për masat shtesë të sigurisë ”të kryejnë investime të shumta në teknologjinë e sigurisë. Ajo nuk ka munguar as të fusë si pykë në tregun privat të sigurisë edhe shoqërinë anonime “Illyrian Guard” e cila po ashtu është konsumatore financiare për sigurinë e institucioneve publike. Ndërkohë shoqëritë e shumta private të sigurisë fizike kanë shumëfishuar në shifra të larta financiare të cilat kalojnë vlerën e 50 milionë eurove në vit nëpërmjet kontratave me ente publike e private.
Pavarësisht se kush dhe si e ofron sigurinë, pavarësisht kufizimeve ligjore të njërës apo të tjetrës, në thelb të gjithë këta organizma që numëruam më sipër ofrojnë siguri dhe kushtojnë para. E ka bërë ndonjëherë llogari Ministria e Brendshme se sa janë paratë e harxhuara nga shqiptarët për siguri gjatë një viti? Ministria e Brendshme ka në varësi Policinë e Shtetit, por për detyrë ka garantimin e sigurisë dhe siguria publike nuk është vetëm çështje e Policisë.
Sigurisht që nuk e ka bërë, sepse ndryshe nuk do të kërkonte vetëm shtesë buxheti dhe shtesë të personelit, por do të bënte reforma për të rritur efikasitetin e burimeve duke koordinuar edhe me aktorë të tjerë më mirë duke i përgjegjësuar ata dhe jo duke bërë qoka herë për ushtarakë, herë me projekte për të pasur në varësi institucione me buxhet të madh financiar si p.sh. Instituti i Policisë Shkencore.
Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme ka munguar t’iu qëndrojë korrekt zotimeve ligjore të cilat ka marrë përsipër të realizojë. Ligji për masat shtesë të sigurisë parashikon edhe certifikimin e bizneseve lidhur me masat e marra prej tyre në zbatim të këtij ligji dhe që zbërthehet në buxhet kolosal që individët kanë investuar sipas detyrimeve që u ka vënë shteti. Ka bërë ndonjë vlerësim policia për këtë kërkesë ligjore?
Duket qartë që gjithçka që paraqitet si reformë në fushën e sigurisë publike përbën një gjullurdi lëvizjesh me motive të tjera nga ato të rritjes së parametrave të sigurisë me kosto sa më të ulët. Ekziston një pasion romantik për të reformuar vetëm institucione që gjenerojnë para.