Forcat RENEA dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë kanë ushtruar kontrolle të shumta në fshatin Kashnjet. Të ndihmuar edhe nga vëzhgimet ajrore të avionëve të Guardia di Finanza, RENEA dhe FNSH kanë sekuestruar rreth 4 mijë bimë kanabis sativa.
Operacioni ka përfunduar me asgjësimin e bimëve me anë të djegies. Megjithëse është sekuestruar dhe asgjësuar një sasi e madhe lënde narkotike, sipas burimeve, asnjë person nuk ka përfunduar në pranga.
Kultivuesit e bimës fitimprurëse kanë zgjedhur ta mbjellin atë në një tokë shtetërore, duke vështirësuar kështu identifikimin e autorëve. Operacioni i Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Guardia di Finaza është zhvilluar duke shmangur Policinë lokale për shkak të frikës së dekonspirimit të operacionit. Burimet thonë se ky është aksioni i dytë brenda pak ditësh në rrethin e Lezhës.
Forcat e shumta të Policisë dhe dy ekipe të FNSH dhe RENEA-s janë në terren për të kontrolluar për parcela të tjera me kanabis. Duket se Qarku i Lezhës është kthyer sërish në një zonë të nxehtë për kultivimin e bimëve narkotike, e cila mbillet kryesisht në zonat e thella malore.
Në të shumtën e rasteve, kultivuesit arrijnë t’i shpëtojnë arrestimit, ndërsa Policia sekuestron dhe asgjëson vetëm lëndën narkotike siç ndodhi gjatë aksionit të djeshëm.
Drejtori vendor i Policisë në Lezhë, Zef Laska, tha pak ditë më parë se është identifikuar e gjithë harta ku mund të kultivohet lëndë narkotike dhe se personat e dyshuar për këtë veprimtari po mbahen nën monitorim të vazhdueshëm.
“Kemi identifikuar çdo autor të mundshëm dhe po i mbajmë në monitorim të vazhdueshëm, çka do të thotë se mesazhi është shumë i qartë, larg këtij fenomeni, pasi nuk do të ketë tolerime dhe të gjithë do përballen me ligjin”, tha ai.
Ndërhyrja e dy forcave policore nga Tirana vjen pas operacionit të gjerë në Krujë, i zhvilluar të shtunën e shkuar. Plot 16 persona përfunduan në pranga dhe 22 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Policia sekuestroi një sasi të madhe lëndësh narkotike prej 20 mijë rrënjësh që do të sillte përfitime të shumta për kultivuesit.
Gjithashtu, u sekuestrua një laborator që shërbente për kultivim të bimëve narkotike me anë të ngrohjes me llamba.