Aktualitet

Rënia e komunizmit – Protesta e Aliut më 1992, një klithmë nga Savra!








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:45 - 12/01/21 |
mapo.al

Ishin ditët e para pasi regjimi komunist kishte rënë. Në Savër (një prej kampeve të internimit), një burrë i moshuar afro të 60-ave, ulet të shkruajë një rrëfim si një notë proteste, për jetën e tij, për fatin tragjik të familjes së tij dhe për kalvarin e gjatë të vuajtjeve të një nëne që endej kampeve me një tufë jetimë.



Çfarë tabloje ishte kjo? Aliu nuk dinte ç’emër t’i vinte. Ai e shkruan historinë e jetës së tij dhe e dërgon për ta botuar në gazetë.


Në Tiranë, kishin nisur të botoheshin histori si të tijat, njerëzit po flisnin lirshëm më në fund. Pak, por të guximshëm si ai, po dëshmonin krimet që kishin parë me sy dhe vuajtjet që kishin hequr në lëkurë.



Gazeta, ku është botuar shkrimi i Ali Demës në vitin 1992.

Kjo është gazeta ku u botua “protesta” e Ali Demës. Motra e tij e vogël, Rudina e ruan ende sot në shtëpinë e saj në Itali, bashkë me një tufë fotografish të vjetra. Nuk dihet, se cila prej gazetave të kohës ishte, pasi vetëm një fragment i saj është ruajtur. Mbase një ditë e gjejmë dhe e plotësojmë këtë informacion.



Ja çfarë shkruan Aliu në fillim të shkrimit të tij:


GJYQ DHE NDËSHKIM I PËRJETSHËM

Tani po u afrohem të 60-ave. Por jeta ime, që nga viti 1944, çdo ditë ka qenë e ngarkuar me peshën e ndëshkimit të pafund… Pa familje, pa shtëpi, gjysmë invalid, me neurozë, me plagë të thella në trup, në shpirt, në mendje! “Pse, o jetë më sakatove kështu?!”… them me vete.

Në foto: Ali Dema në vitet ’60-të në internim në Savër

Në pranverën e ’45-ës unë së bashku me nënën, motrat dhe vëllanë e vogël, u internova nga Tirana në Berat për shkak të qëndrimit të babait tim Hysni Dema gjatë Luftës. Në atë kohë isha 12 vjeç dhe nuk mund ta parashikoja kalvarin e përjetshëm që më priste në këtë botë. Megjithatë, mësimin e parë e mora që ditën e internimit, kur një polic më goditi fort në kokë, duke ma lënë përgjithmonë sakat njërin vesh, duke më lënë sakat për jetë”.

Në rrëfimin e tij, Aliu bën më tej një prezantim të gjithë krimeve që regjimi komunist kishte bërë mbi familjen dhe të afërmit e tij.

“Ndëshkimi, që gjithmonë bëhej në emër të popullit, qe fatal jo vetëm për familjen time, por edhe për vëllazërinë e të afërmit. Gama e këtij ndëshkimi është e pacaktë, por nuk mund të mos kujtoj vetëm disa nga flijimet që u bënë në emër të diktaturës…

U pushkatuan tre nga xhaxhallarët e mi të rinj, të cilët ishin arratisur për shkak të terrorit. Gjyshi im, Dine Dema, 85-vjeçar, u pushkatua për tentim arratisje nga burgu i Peshkopisë. Dy kushërinj të pafajshëm të babait, Abdulla dhe Elez Dema, u vranë pa gjyq më 1945: njëri i pushkatuar ditën e pazarit dhe tjetri i mbytur në dru nga reparti famëkeq i kapiten Bilbilit, një nga përbindëshat më monstruozë që polli diktatura e pushtetit komunist, i cili mbolli një tmerr e lemeri të tillë në rrethin e Dibrës, saqë masakrat e shovinistëve serbë mbetën në hije. Tregojnë se spitali i Homeshit, ku ishte vendosur komanda e këtij reparti gjakatar, qelbej nga gjaku dhe mishrat e njerëzve të masakruar, ndërsa në oborr gjëmonte daullja natë e ditë, për të mos u dëgjuar klithmat e njerëzve të lebetitur nga mizoritë që ushtronin mbi ta kapiten Bilbili me ustallarët e vet të zellshëm.

Dy dajallarët e mi, Abdi e Atif Golja, të dënuar me burgim të përjetshëm, vdiqën në burgun e Burrelit. Daja tjetër, Ivzi Golja, u dënua me vdekje në “grupin e deputetëve” më 1946. Kurse daja Syrja Golja bëri 22 vjet në burgun e Burrelit. Në burgun e Burrelit vdiq edhe kushëriri Iljaz Dema”.

Ndërkohë që kishte ndodhur gjithë kjo kasaphanë dhe babai ishte në arrati, në shtëpinë e Aliut, asokohe 12-vjeçar kishin ardhur njerëzit e sigurimit dhe më një dhunë të paimagjinuar i kishin hedhur në rrugë atë, motrat e vëllanë e vogël dhe nënën me një foshnjë të sapolindur (Rudinën). Prej aty, për ta niste kalvari i gjatë i persekutimit.

Ja si e përshkruan Aliu këtë kalvar:

26 qershor 1961. (lart) Ali Dema, Rukie Golja, Genc Bajraktari, Vera Dema, Qazim Kuca, Dedë Gjoni. (poshtë) Tefta Dema, Pjerin Cieno dhe Sazan Dine.

“Ne si familje kaluam kampeve të internimit në Berat, në Porto-Palermo, në Turan, në Tepelenë, në Vlorë, në fabrikën e tullave në Tiranë, dhe së fundi në Savër të Lushnjës, ku banojmë edhe sot. Vëllai i vogël 14-vjeçar, Sazani, bëri pesë vjet burg në Burrel për tentim arratisje.

Pasi doli nga burgu, i persekutuar vazhdimisht, u arratis. Në të gjithë këto vite mundimesh, që vetëm natës së varrit mund t’ia tregojmë, jam përpjekur të jetoj me djersë e ndershmëri, pa u përulur para asnjë presioni si njeri. Nëna ime e rraskapitur më vdiq këtu në Savër. Motrat, pasi bënë nga 20-30 vjet internim, mezi krijuan familjet e tyre, me varfëri dhe të përndjekura politikisht”.

Po fati i tij? Pas afro gjysmë shekulli jetë në internim, i sëmurë dhe i vetmuar Aliu bën bilancin tragjik të jetës së tij:

“Kështu që unë jetoj krejt i vetmuar këtu në Savër të Lushnjës, pa arritur të krijoj familje, duke vazhduar punën në bujqësi, ndonëse i shkatërruar fizikisht.

Jam liruar në nëntor e vitit 1989, pra 45 vjet plot i internuar! Por, si qytetar i lirë, më në fund, unë nuk po ndjej ndonjë ndryshim real në jetën time. Është e vërtetë se ajri i demokracisë ka qenë përtëritës për mua, ashtu si për mbarë kombin, por njeriu nuk jeton vetëm me erë, Demokracia, pa plotësuar kushtet për të drejtat njerëzore dhe barazinë e shtetasve, mbetet disi abstrakte dhe e pakapshme prej nesh, që na është mohuar veçanërisht.

Aliu dhe Lirie Bajraktari në dasmën e motrës Vera Dema

Ditët që më kanë mbetur dua t’i kaloj në vendlindjen time në Tiranë, ku kam pasur edhe unë dikur një shtëpi si gjithë të tjerët, ku kam të afërmit e mi dhe ku kam dëshirë të vdes. Asnjë kompleks hakmarrjeje nuk ka zënë vend në zemrën time”.

Savër, 1963. Aliu me dy hallat e tij dhe motrën Vera Dema, ditën e dasmës së saj.

ALI DEMA

Fati i Aliut vijoi i trishtë edhe në ato pak vite që jetoi pas rënies së regjimit komunist. Ai u largua nga Savra në vitin 1992.

Mundi të jetojë disa ditë të qeta në shtëpinë e madhe në Tiranë që babai ua kish lënë para se të arratisej. Por jetoi i vetëm, me dhimbjen e familjes së munguar, familjes që s’mundi ta krijonte, me dhimbjen e fëmijëve që nuk i pati kurrë, me plagët e 46 viteve jetë të dhunuar, pa patur as edhe një faj.

Mbase atë ditë, atje në kasollen e tij në Savër, kur ka marrë gazetën ku ishte botuar shkrimi i tij është gëzuar paksa, jo aq për botimin, se sa për këtë njoftim të vogël botuar fill në fund të rrëfimit të tij të dhimbshëm, ku njoftohej dorëheqja e djalit të diktatorit nga posti që mbante:

“NJOFTIM. Pas presionit të drejtë, të vazhdueshëm dhe të papërballueshëm, më në fund, drejtori i Institutit të Projektimeve nr. 6, Ilir Hoxha dha dorëheqjen.”

Një fitore e vockël, që mund t’i ketë dhënë pak shpresë atë ditë, në atë cep të mjeruar të Shqipërisë.

Gjithsesi, kohë më vonë, pas largimit nga Savra, do ta kuptonte se kishte qenë një shpresë e rrejshme si shumë shpresa të atyre ditëve, sepse as Aliu, sikurse gjithë miqtë dhe bashkëvuajtësit e tij, nuk e njohën kurrë demokracinë. Me atë ëndërr të parealizuar u nda nga jeta Ali Dema një ditë shtatori të vitit 2012.

Ne ende ia kemi borxh demokracinë Aliut!


Etiketa: ,

Pas