Editorial

Rënia e Rinasit, rënie e shtetit. Pse fajësimi i kinezëve s’mjafton?




               Publikuar në : 11:17 - 10/04/19 |
Mapo.al

Mapo.al


Për grabitjen dje në Rinas, në pistën e fluturimeve në barkun e avionit, po flet gjithë bota. Shqipëria nuk e kishte aspak të nevojshme edhe këtë, duke pasur parasysh se sa shumë halle të tjera ka. Ndërsa mediat e globit po raportojnë këtë lajm të paneglizhueshëm, qeveria jonë ka bërë një deklaratë dje, ku përgjegjësinë ia kalon kompanisë private kineze që ka me koncesion Aeroportin e vetëm ndërkombëtar. Deklarata e ministres, nuk mund të ishte tërësisht e lajthitur, ajo e pranonte aktin e rëndë dhe faktin se përpos grabitje parash, potencialisht e gjitha mund të kthehej edhe në akt terrorist me përmasa pastaj të paimagjinueshme.

Por, ka disa detaje përsa i përket fluturimit dhe sigurisë së aeroporteve, që i bëjnë kinezët të pamjaftueshëm për të larguar qeverinë nga përgjegjësia.

Transporti Ajror ka karakter ndërkombetar, dhe kryhet bazuar në aderimin në një Konventë për Aviacionin Civil, në fuqi qysh në vitin 1947. E miratuar në Çikago të Shteteve të Bashkuara, ajo njihet me emrin Konventa e Çikagos. Shqipëria është anëtare në këtë konventë me të drejta dhe detyrime, që prej vitit 1991. Pra Shqipëria si shtet, jo qeveria, pasi edhe kuotizacionin për këtë aderim e bën Presidenca e Republikës.

Ky dokument i rëndësishëm, që është Kushtetuta e fluturimeve, thotë në thelb se Shtetet jane përgjegjëse për çdo akt të ndërhyrjeve të paligjshme në territoret e tyre, ndaj avioneve të tyre dhe të shteteve të tjerë. Përgjegjësia individuale e çdo Shteti anëtar në këtë konventë, për garantimin e sigurisë në Aviacionin Civil, është boshti i doktrinës së Konventës së Çikagos (doktrina erga omnes). Natyra e këtij dokumenti thekson se obligimet për ‘prodhimin’ ( garantimin) e sigurisë janë reciprokisht detyruese për çdo shtet. Kur themi shteti, tek ne kemi parasysh qeverinë, Albkontrollin, Aviacionin Civil. Këta janë partnerët, këto instanca njihen si përgjegjëse dhe kanë angazhime. Se kë zgjedh qeveria përmes agjencisë së saj, për të ofruar shërbimet e sigurisë në aeroport, janë punë të sajat, përgjegjësi të sajat, dhe nuk janë rast i mirë për justifikime e fshehje dore. Ndodhitë e rënda dëshmojnë se strukturat qeveritare të aviacionit, kanë spikatur janë bërë të famshme për punësimet nepotike, partiake, për shpenzimet e luksit, por asnjëherë nuk u shfaqen si autoritete që bëjnë analiza, marrin masa dhe parandalojnë sulme të tilla me armë.

Pra, çdokush e kupton se ngjarja e djeshme nxjerr në pah brishtësinë e rendit dhe sigurisë në vend, tregon hapur dështimin e qeverisë me atë që për paradoks predikon më shpesh, që po bëjmë shtet, ne bëjmë shtet, shtet, shtet. Përtej këtyre rrethanave që s’kanë nevojë për inxhinieri të madhe për t’u marrë vesh, është një dokument ndërkombëtar, ai i Çikagos, që fajëson direkt shtetin për këtë që ka ndodhur.

Imazhi i dëmtuar rëndë, për shkak se kemi një ngjarje të përsëritur tashmë në të njëjtin vend, vetëm se kësaj radhe ishte edhe më e rëndë se grabitësit praktikisht morën avionin nën kontroll, ky imazh që e telendis keq vendin tonë, mund të ndreqej disi, të korrigjohej sado pak me përgjegjësi të forta, me dorëheqje të zyrtarëve të lartë.

Kjo afërmendsh, nuk ndodh me Rilindjen. Sepse një nga gjërat që ka Rilindja jonë, është se e shpall veten si perfekte, sikur përbëhet nga njerëzit më të mirë që ka prodhuar ndonjëherë njerëzimi. Çdokush tjetër e ka fajin gjithmonë e për cdo gjë. Po jo ata ama, jo rilindasit tanë.

Ndaj, dje u shpallen kinezet armiqtë e rinj. Po ngjarja, skandali, tronditja është aq e madhe, sa kjo nuk mjafton as për rradaket e militantëve që u shkojnë pas qeveritarëve, dhe sigurisht për askënd tjetër.


Etiketa: , , , , ,

loading...
KOMENTO (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Pas