A ishte një proces demokratik? Përkundër mendimit të mazhorancës, delegacioni i KiE nuk është i këtij mendimi. Presidenti i Kongresit, Anders Knape tha se “Nuk ka demokraci funksionale në nivelin kombëtar, pa një demokraci pluraliste dhe të gjallë në nivelin lokal”. Gazeta MAPO bën një analizë të detajuar për 30 qershorin, bashkitë, dhe krizën e krijuar nga kapja e kryetarëve prej dekriminalizimit
Delegacioni i nivelit të lartë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, pranë Këshillit të Evropës, i ka dhënë një goditje të fortë procesit të 30 qershorit, ku mazhoranca e vetme rrëmbeu 61 bashki dhe këshilla, duke e ngjyrosur hartën e vendit në lejla. Por a ishte një proces demokratik. Përkundër mendimit të mazhorancës, delegacioni i KiE nuk është i këtij mendimi. Presidenti i Kongresit, Anders Knape tha se “Nuk ka demokraci funksionale në nivelin kombëtar, pa një demokraci pluraliste dhe të gjallë në nivelin lokal”. Deklarata u përforcua dhe nga norvegjezja Gunn Mari Helgesen, presidente e dhomës së Rajoneve kur tha se “Për fat të keq, zgjedhjet e vitit 2019 nuk ishin të favorshme për forcimin e demokracisë lokale në Shqipëri, por kanë çuar në më pak pluralizëm në bashki dhe në një erozion të mëtejshëm të besimit të qytetarëve në institucionet e këtij vendi”.
Protestat
Askush nuk e mendonte se Rama do shkonte i vetëm në zgjedhjet lokale. Opozita kish paralajmëruar bojkotin e tyre, ndërsa presidenti i kishte anuluar ato që në datën 5 qershor në kulmin e protestave të PD dhe simpatizantëve të saj. E ndërsa të gjithë po prisnin që Rama të tërhiqej, ai deklaroi se zgjedhjet do zhvilloheshin më 30 qershor. Deri në atë kohë si parti rivale ishte regjistruar vetëm Bindja Demokratike e Astrit Patozit në 20 majin e 2019, në kundërshtim me kodin zgjedhor, pasi duhej të kishte një deputet në parlamentin shqiptar. Bindja kishte deklaruar si deputet të sajin Andi Përmetin, i cili kish pranuar mandatin nga listat e PD-së, të dorëzuara në shkurt të atij viti. Neni 68 i Kodit Zgjedhor kërkon që partia që regjistrohet në zgjedhje duhet të ketë një deputet prej së paku gjashtë muaj në parlamentin shqiptar. Andi Përmeti, nuk kishte as tre muaj, e megjithatë KQZ e regjistroi këtë forcë politike në 31 bashki ku ajo mundi të gjente kandidatë. Përjashto Tiranën, apo Korçën në shumicë kandidatët e Bindjes ishin njerëz anonimë, ose diçka më shumë se anonimë. Bindja u akuzua nga opozita, si partia që kërkonte të legjitimonte zgjedhjet njëpartiake, dhe faktet aty të çonin.
30 qershori
Situata po përshkallëzohej gjithnjë e më shumë, ndërkohë që opozita refuzoi të paraqiste kandidatë. Në bulevardin “Dëshmorët e kombit”, të paktën një herë në javë opozita mblidhte përkrahësit e saj, dhe situata po përshkallëzohej jo pak. Bombat Molotov dhe gazi lotsjellës që hidhej para parlamentit mbushën kronikat e televizioneve ndërkombëtare. Reuters, BBC, CNN transmetonin në kohë reale atë çfarë po ndodhte në Shqipëri. Më datë 8 qershor Opozita kishte thirrur protestën e saj më të madhe. Ankthi dhe frika për atë çka do ndodhte shoqëronte jo vetëm kryeqytetin. Dhomat e komisariateve ishin mbushur me përkrahës të opozitës, ndërsa policia e shtetit ishte prej kohësh në gjendje gatishmërie. Pak para se të kulmonte tubimi i opozitës, vjen lajmi nga presidenca: Meta kish zhdekretuar zgjedhjet e 30 qershorit. Kaq mjaftoi që të shuhej zjarri i revoltës për të parë se çfarë do të ndodhte. Rama do përgjigjej aty për aty, në prezencë të përfaqësueses së politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherini se zgjedhjet do të zhvilloheshin më 30 qershor, pavarësisht dekretit të Metës. Deklaratë që e përforcoi dhe pas datës 27 qershor kur Meta nxori një tjetër dekret që zgjedhjet të zhvillohen më 13 tetor. Dhe ashtu ndodhi. Zgjedhjet u zhvilluan në atë datë që vendosi Rama, pavarësisht dekretit të presidentit, dhe shkeljes së të gjitha parimeve demokratike. Me një pjesëmarrje të ulët, me qendrat e votimit që shkonin për të votuar njerëz nën kërcënimin e heqjes nga puna, me shumë firma nga e njëjta dorë në procesverbale, me identifikim të votës, dhe me shumë të tjera, Rama, mori të 61 bashkitë e vendit.
Ademi: Gjykata Kushtetuese do e rrëzojë 30 qershorin
Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, në cilësinë e Kryetares së Shoqatës së Bashkive depoziton në datën 30 korrik një ankesë në gjykatën Kushtetuese në lidhje me parregullsitë e vëna re në procesin e 30 qershorit, ku kërkon anulimin e procesit. Sipas kërkesës së depozituar, zgjedhjet minojnë katër parime themelore a) parimin e shtetit të së drejtës, b) të drejtën për të zgjedhur c) parimin e fshehtësisë së votimit d) parimin e proporcionalitetit. Në ankimim bëhet me dije se zgjedhjet janë zhvilluar pa dekret të presidentit, por përmendet dhe roli antiligjor i KQZ, e kontrolluar nga mazhoranca. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në kundërshtim të hapur me nenin 45 të Kushtetutës, nenit 63 e vijues të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, regjistroi partinë Bindja Demokratike (BD) si subjekt zgjedhor më 27 prill, ndonëse kjo e fundit ishte regjistruar si parti politike vetëm më 25 prill me një vendim gjykate që mori formë të prerë më 10 maj. Përveç kësaj, KQZ-ja nuk i kërkoi partisë së saporegjistruar, Bindjes Demokratike, të mblidhte firma mbështetëse, duke e shpërfillur kërkesën për periudhën gjashtëmujore dhe njëkohësisht kushtin e dytë të përcaktuar nga Kodi zgjedhor, atë të mbledhjes së firmave në masën 1% të numrit të zgjedhësve në Bashkitë përkatëse, konfirmuar ky fakt dhe nga Raporti paraprak i OSBE/ODIHR , i datës 2 korrik 2019”, thuhet në ankimim. Në përgjigjen që gjykata kushtetuese i sjell Ademit, dhe që mban datën 23 janar 2020, thuhet se Gjykata kushtetuese do e marrë në shqyrtim sapo të ketë kuorumin e nevojshëm. “Ju bëjmë me dije se shqyrtimi paraprak i kësaj kërkese nga mbledhja e gjyqtarëve do të bëhet sapo Gjykata Kushtetuese të ketë kuorumin e nevojshëm për shqyrtimin e saj”, thuhet në letrën dërguar kryetares së shoqatës së Bashkive Ademi.
Ademi
Por vetë kryetarja e Bashkisë Shkodër është optimiste për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Në një prononcim për gazetën MAPO, Ademi shprehet se është besimplotë se Gjykata kushtetuese do të marrë një vendim në përputhje me ligjin. “Është si matematikë e thjeshtë, ku 1+1 bëjnë dy. Pra, në të paktën 31 bashki është shkelur ligji dhe kushtetuta që garanton zgjedhje të lira dhe të drejta. Në rast se këto 31 bashki, ku është garuar vetëm me një kandidat, shpallen si të pavlefshme, atëherë i gjithë procesi është i pavlefshëm. Pasi dhe në ankimimin e dërguar, e kemi arsyetuar se zgjedhjet dhe në ato raste ku janë paraqitur kandidatë janë kryer në kundërshtim me ligjin” thotë Ademi. E pyetur në lidhje me deklaratën e kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla që i kërkon presidentit të dekretojë zgjedhje në të paktën tre bashki, ku një prej tyre është Ademi ajo shprehet: “Presidenti e ka dekretuar një datë zgjedhjesh, ajo është data 13 tetor, e cila në mënyrë arrogante u refuzua nga PS. Pra në kuptimin ligjor, zgjedhjet nuk janë zhvilluar. Plus, që për sa kohë çështja është në gjykatën kushtetuese, presidenti s’mund të dekretojë datë tjetër zgjedhjesh të pjesshme” thotë Ademi.
Pretendimet e Shoqatës së Bashkive për 30 qershorin
Në datën 30 Qershor në Shqipëri u zhvillua nga qeveria një farsë zgjedhore për qeverisjen vendore, e cila instaloi në krejt vendin sundimin politik të një partie.
Si rezultat i kësaj farse:
- Në të gjithë territorin e vendit ka rënë vendimmarrja pluraliste
- Në 61 Këshillat e Bashkive është vendosur me dhune institucionale drejtimi monopartiak i Partisë Socialiste.
- Në 61 bashkitë e vendit janë vendosur për kryetarë kandidatët e Partisë Socialiste plus një të Mega
- Në 12 Këshillat e Qarqeve janë vendosur kryetarë dhe këshilltarë të një partie.
- Në 35 bashki (57,3 % të vendit) u votua për një kandidat të vetëm duke humbur fshehtësinë e votës, ekspozuar zgjedhësit para presionit qeveritar
Voltana Ademi: Në kontekstin evropian:
- Janë shkelur parimet fondamentale të Kartës Evropiane te Autonomisë Vendore për zgjedhjet e lira dhe pluraliste.
- Janë shkelur të drejtat e qytetarëve të parashikuar në Konventën Evropiane të të Drejtave të njeriut.(Protokolli 1, neni 3 që i kërkon qeverive të hartojë zgjedhje demokratike.)
- Janë shkelur vendimet e Gjykatës ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut:
– E drejta për të zgjedhur alternativë e bën një demokraci efektive (Vendim.9267/81).
– E drejta e votës nuk është vetëm procedurale (Vendim.10547/07)
– Votuesi duhet të ketë mundësinë të ndikojë zgjedhjet (SUBSTANCIALE)
– Votimi me 1 kandidat mohon të drejtën substanciale për të zgjedhur. Vendimi Nr. 48555/10-2015
Zgjedhjet e 30 Qershorit ishin antikushtetuese, të njëanshme dhe antidemokratike:
o Votimet ishin antikushtetuese dhe të pamandatuara nga Presidenti.
o Votimet u zhvilluan në klimë të pasigurisë së thellë jurdike. ( Mung. e Gjykatës Kushtetuese)
o Votuesi nuk pati alternative zgjedhje!
o Votuesi ishte nën presion politik të qeverisë!
o Votuesi nuk ishte i lirë dhe i informuar!
o Besimi i votuesve te procesi ishte i cenuar!
o Vota u administrua, kontrollua dhe deformua nga përfaqësues të qeverisë.
o Zgjedhjet u mbajtën pa e marrë në konsideratë interesin e elektoratit
o Votimi nuk ishte i fshehtë.
o Votimi u pengua të mbikëqyrej nga opozita dhe shoqëria civile.
Në këtë mënyrë qytetarëve shqiptarë iu mohua e drejta e tyre kushtetuese e shprehjes së lirë të vullnetit të tyre politik, interesave dhe përzgjedhjes midis alternativave të ndryshme.
- Është cenuar rëndë funksionimi i demokracisë vendore, pluralizmit dhe vetëqeverisjes sipas Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore në Shqipëri.
- Partneriteti dhe dialogu i Qeverisë vendore me Qeverinë Qendrore është ndërprerë.
- Vendi pa qeverisje vendore demokratike po shkon drejt një krize të thellë konstitucionale.
Voltana Ademi: Kërkesa:
- Rikthim të mundësisë për qytetarët shqiptarë për organizimin e zgjedhjeve kushtetuese, demokratike, transparente dhe të lira për të gjithë.
- Rikthimi i funksionimit demokratik të vetëqeverisjes vendore.
Çlirim Gjata: Do ketë të tjerë kryebashkiakë të denoncuar
Ky Autoritet ishte ai, që nuk pranoi të vëzhgonte zgjedhjet e 30 qershorit. Pra, ky Autoritet me këtë veprim parimisht nuk i njohu këto zgjedhje dhe është organi më i lartë në KiE që merret me vëzhgimin e pushtetit vendor brenda çdo shteti anëtar. Në përfundimet e fundit vihet theksi se kemi të paktën 31 bashki me kryetar të emëruar, jo të zgjedhur me konkurrent, d.m.th. njehsohen me ish-Kryetarët e Komiteteve Ekzekutive të kohës së komunizmit. Apo, në asnjë Këshill Bashkiak nuk ka asnjë anëtar opozitar. Kjo për ta është shumë shqetësuese. Gjithashtu po vëzhgojnë edhe zbatimin e reformës territoriale Por ajo që kemi theksuar dhe vazhdojmë t’i qëndrojmë ne mbetet fakti se, në 30 qershor nuk ka patur zgjedhje por emërime nga Qeveria të drejtuesve vendorë. Dhe çfarë ka ndodhur – gjashtë kryebashkiakë deri tani janë gjetur të kapur nga ligji i dekriminalizimit. Njëra ka dhënë dorëheqjen (Durrës) dhe një tjetër (për turp të zotit) është filmuar me kokë në pjatë. Dhe lista vazhdon akoma, ndaj prisni. Kjo është fitorja e madhe e Edi Ramës më 30 qershor. Për gjithë sa diskutuam ka vetëm një zgjidhje. Dhe kjo është zgjidhja politike: me qeveri kujdestare të përkohshme, zgjedhje të lira e të ndershme për qytetarët, parlamentare dhe lokale në një ditë.
Zekthi: Legjitimiteti vendoset vetëm përmes rimbajtjes së zgjedhjeve
Tërë legjitimiteti i një sistemi politik dhe i një qeverie varet nga zgjedhjet. Thelbi i kontratës së bashkëjetesës së njerëzve ka të bëjë me legjitimitetin që buron nga zgjedhjet. Edhe kriza shqiptare sot është thjesht dhe vetëm një krizë e legjitimitetit të zgjedhjeve dhe institucioneve të dala prej tyre. Në mes të vitit të shkuar qeveria e kryeministrit Rama, e zhytur në një krizë të thellë politike për shkak të manipulimit të zgjedhjeve të vitit 2017, shkoi shumë më larg duke zhvilluar zgjedhje lokale pa opozitën.
Ato zgjedhje vazhdojnë të jenë edhe sot momenti nga i cili do të nisë dhe duhet të nisë rikthimi i legjitimitetit. Këshilli i Europës i cili është institucioni garant i vendeve të Europës për të ndërtuar institucione dhe respektuar të drejtat e njeriut, ndoshta për herë të parë në historinë e tij dhe padyshim për herë të parë në historinë e Shqipërisë, u shpreh qartë, pa mëdyshje se zgjedhjet lokale të verës së kaluar ishin jo demokratike, nuk prodhuan garë, nuk morën parasysh interesat e njerëzve dhe nuk kanë legjitimet.
Është e sigurt se kurrë asnjë gjykatë në botë nuk do të mund t’i njihte si të rregullta ato zgjedhje të cilat veç faktit që ishin të njëanshme u zhvilluan edhe pa një dekret të presidentit. Presidenti i republikës vendosi ta anulojë datën e zhvillimit të tyre ndërkohë që qeveria në mënyrë krejtësisht antikushtetuese dhe kundër interesit të njerëzve nuk e respektoi këtë dekret që anulonte datën e zgjedhjeve. Ky dekret nuk u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese por u rrëzua nga qeveria. Edhe vendet diktatoriale apo regjimet totalitare nga pikëpamja formale nuk rrëzojnë një dekret të presidentit me vendime qeverie apo me vendime të Komisioneve zgjedhore.
Kësisoj shprehja e qartë e Këshillit të Europës duket se i vuri vulën zgjedhjeve të vjetshme duke firmosur kështu vdekjen e tyre. Më herët këto zgjedhje ishin zhbërë nga raporti i misionit të ODIHR-it. Duket se Gjykata Kushtetuese edhe sikur t’i emërojë vetë kryeministri Rama të gjithë anëtarët (siç po përpiqet të bëjë në fakt me të paktën disa prej tyre) nuk do të ketë asnjë mundësi t’i njohë për të rregullta.
Zhvillimi i atyre zgjedhjeve do të jetë hapi i parë i madh i vendosjes ë së themeleve të një kontrate sociale dhe politike që garanton paqen sociale por edhe rikthen shpresën se në këtë vend nuk shkatërrohet gjithçka dhe nuk ndiqet me dhunë çdo epsh politik. Veç kësaj mbajtja e atyre zgjedhjeve do t’i japë fund një herë e mirë edhe sjelljes harbute dhe të turpshme të institucioneve qeveritare si KQZ të cilat uzurpojnë kompetenca dhe interpretojnë dekrete presidenciale.
Rënia e kryebashkiakëve të Ramës
Megjithëse u zhvilluan zgjedhje pa rivalë sërish pas përfundimit të tyre, u vu re se disa kandidatë rezultonin me të shkuar kriminale, dhe kishin gënjyer në formularin e dekriminalizimit. I pari që do të denoncohej nga opozita ishte kryetari i Bashkisë Shkodër Valdrin Pjetri, që kish fshehur një dënim të vitit 2003 për shpërndarje droge në Itali. Sipas këtij vendimi, Pjetri ishte dënuar me vendim të formës së prerë me 18 muaj burg dhe 1000 euro gjobë në atë kohë. Valdrin Pjetri nuk arriti as të konstituohet nga këshilli Bashkiak, pasi dha dorëheqjen duke iu shpëtuar kështu telasheve. Pas tij, Gazment Bardhi sekretar i Përgjithshëm i PD-së do dilte sërish në konferencë për shtyp, për të denoncuar një tjetër rast, atë të kryetarit të Bashkisë Vorë Agim Kajmaku. Edhe ky kish fshehur një vendim të gjykatave greke, i cili e dënonte atë për falsifikim monedhash. Kajmaku nuk do kishte fatin e Pjetrit. Ai deri në fund e mohoi dënimin. Pak kohë para se KQZ të merrte vendimin përfundimtar për heqjen e mandatit, Kajmaku do të emëronte në krye të bashkisë njerëzit e tij, gjë që zgjoi zemërimin e Ramës. Tashmë Kajmaku është në kërkim policor, për veprën e falsifikimit të dokumentave, dhe kryerje të funksionit shtetëror jashtë mandatit. E megjithatë PD s’u ndal me kaq. Një tjetër denoncim erdhi sërish nga Gazment Bardhi, i cili këtë herë shigjetoi kryebashkiakun e Vaut të Dejës, Mark Babani i cili sipas Bardhit është dënuar në Itali në zonën e Sicilisë për vjedhje makinash. Babani nga ana e tij u kundërpërgjigj se kjo akuzë nuk është e vërtetë, ndërkohë që çështja i ka kaluar prokurorisë. Megjithëse denoncimi është bërë që në shtatorin e kaluar, ende sot e kësaj dite Babani është ende në krye të bashkisë së Vaut të Dejës. Një tjetër denoncim ka ardhur nga PD dhe për kryetarin e Bashkisë së Mallakastrës Qerim Ismailaj, i cili sipas Bardhit është dënuar me 3 vjet burg nga gjykatat greke për përdorim dhune. Veç këtyre, në proces nga prokuroria është dhe kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, i cili shfaqet në një video të publikuar nga gazetari Artan Hoxha duke konsumuar kokainë. Dosja i ka kaluar SPAK, për veprën penale të moskallëzimit të krimit. PD ka deklaruar se janë dhe rreth 17 raste të tjera kryebashkiakësh të cilët janë marrë në shqyrtim nga ana e saj pasi dyshohen se kanë gënjyer në formularin e dekriminalizimit. Deri më tani duhet të zhvillohen zgjedhjet në tre Bashki, Shkodër, Vorë dhe Durrës. Kjo e fundit e mbetur pa kryetar pas dorëheqjes së Valbona Sakos, e cila e mori postin pas zgjedhjeve të 30 qershorit 2019-ës.
Akuzat e PD për kryebashkiakët
– Lefter Alla Bulqizë, moskallëzim krimi
– Valdrin Pjetri Shkodër, trafik droge
– Agim Kajmaku Vorë, falsifikim monedhash
– Mark Babani Vau i Dejës, vjedhje
– Qerim Ismailaj Mallakastër, Përdorim dhune
– Agron Malaj Mat, armëmbajtje pa leje, plagosje