Editorial

Rënia online e lëkurës së fundit të rilindjes








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:59 - 30/09/20 |
Mapo.al

Përtej entuziazmit të mbështetësve të Opozitës, për një triumf të Bashës në Facebook përballë Ramës, dy ditë më parë, rënia e ndjekësve të kryeministrit në rrjetin social e meriton një analizë.


Zbritja e aksioneve online për shefin e qeverisë është në të vërtetë diçka për t’u marrë në konsideratë, pasi ai e ka pikën e fortë të politikës së tij, teksa për Bashën vezullimi në atë botë nuk duket të ketë qenë ndonjëherë prioritet, duke qenë se ky i fundit më shumë rëndësi u ka kushtuar mediave tradicionale.


Nëse Rama zbehet në sferën virtuale, duhet pranuar se janë lëkundur thellë rrënjët e tij. Ai pikërisht asaj ane e ka ngritur mitin e politikanit populist duke qenë çdo ditë në qendër të vëmendjes, më shumë për fjalët e batutat se sa për veprat.



Është kjo arsyeja pse ai është investuar më shumë se kushdo tjetër, duke hapur madje edhe një televizion privat në Facebook.


Një pjesë e madhe e shpenzimit në këtë drejtim mbulohet nga taksapaguesit shqiptarë, prej të cilëve mijëra vetë marrin rrogat nëpër ministri e kryeministri, për të rritur vizibilitetin e shefit të madh.


Paguhen për të bërë like, share e komente.

Nëse kjo kështjellë virtuale ka rënë, në të vërtetë duhet bërë një audit i mirë, pasi i bie që shumë rilindas i marrin kot lekët në fund të muajit.

Po qe se ka ardhur dita që edhe administrata nuk e ka më me qejf performancën online të “skënderbeut”, punët qenkan keq për të.

Në thelb e gjitha ka të bëjë me momentin e mbingopjes së njerëzve nga propaganda.

Vjen një çast kur ajo nuk funksionon më. Shqisat e marrësve të mesazhit janë mpirë nga fjalë mbi fjalë e nga premtime pas premtimesh, nga projekte në 3D dhe nga sulmi i paprinciptë ndaj kujtdo që nuk mendon si shefi i madh.

Dhe pas kësaj vjen faza tjetër. Refuzimi. Ky është momenti kur një brand, një projekt, apo një organizatë, ka humbur krejt shkëlqimin dhe nuk pranohet më nga publiku.

Nuk i doli keq propaganda Edi Ramës për shumë e shumë vite.

Ora vjen kur ajo kthehet kundër nëse asgjë tjetër nuk ke bërë. Akoma më shumë kthehet kundër kur keqqeveris e zhytesh në skandale, apo ndan gjithë buxhetin e shtetit e privilegjet në pak duar.

E gjitha ka dalë tashmë jashtë kontrollit. Tërë marifetet me listat zgjedhore dhe ndryshimin e njëanshëm të kodit, thjesht po e rrisin më shumë zemërimin e njerëzve, zemërim që me gjasë do derdhet keq në kutitë e 25 prillit.


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas