Aktualitet

Rënie me 3.31% në 2020, INSTAT: Shëndetësia dhe ndërtimi “shpëtuan” ekonominë














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 11:57 - 31/03/21 |
mapo.al

Ekonomia shqiptare ra me 3.31% në vitin pandemik 2020, shumë më e ulët se pritshmëritë e institucioneve ndërkombëtare prej mbi 7% dhe të vetë vlerësimeve të fundit të qeverisë prej -4.4%.






Në rajon, Shqipëria ka ecurinë e dytë më të mirë pas Serbisë, e cila u tkurr me -1.5% në 2020-n, ndërsa për vendet e tjera, tkurrja ka qenë rreth -5%, apo më e lartë.


Përmirësimi ka ardhur nga tremujori i katërt, ku ekonomia u rrit me 2.99%. sektorët me ecurinë më të mirë ishin ndërtimi (i nxitur dhe nga procesi i rindërtimit), që ndikoi në 1.84% të rritjes dhe Administrim publik, Arsimi, Shëndetësia, që ka ndikuar në 1.01% të rritjes, apo gati një të tretën e rritjes për shkak të shtimit të shpenzimeve në shëndetësi në periudhën e pandemisë.







Të dhënat e tjera të INSTAT bënë të ditur se edhe shpenzimet e individëve për shëndetësinë u rritën ndjeshëm në tremujorin e tretë, në kulmin e pandemisë. Sipas INSTAT, indeksi i vlerës për “Produkte farmaceutike, mjekësore dhe ortopedike, kozmetike”, u rrit me rreth 22% si në tetor ashtu dhe në nëntor, në krahasim me muajt përkatës të një viti më parë. Ndërsa në dhjetor, kur kulmoi pandemia e Covid-19, treguesi në vlerë u rrit me 26%, shumë më e lartë se për gjithë grup produktet e tjera.



Ekonomia nisi rënien që në tremujorin e parë e ndikuar nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe më pas krizës së Covid, teksa nga mesi i muajit mars filluan kufizimet e rrepta. Në janar-maj tkurrja ishte -2.31%. në tremujorin e dytë, kur i gjithë vendi ishte në karantinë, ritmet e rënies u përshpejtuan, duke arritur në -10.2%. Në të tretin, pas hapjes graduale të ekonomisë dhe turizmit të pjesshëm të nxitur nga shtetasit e Kosovës, rënia u ngadalësua në -3.47%.



Sektori i pasurive të paluajtshme ka shënuar rritje pozitive përgjatë gjithë tremujorëve (2.83% në të parin; 5.47% në të dytin; 9.54% në të tretin dhe 8.93% në të katërtin).

Ndërsa ndërtimi filloi rritjen në tremujorin e tretë 8.72% dhe 18.48% në të katërtin, ndërsa ishte me tkurrje dy shifrore në 6 mujorin e parë. Ky sektor u nxit si nga rindërtimi ashtu dhe nga ndërtimet masive në kryeqytet e bregdet.

Sipas INSTAT, Produkti i Brendshëm Bruto (P.B.B) në tremujorin e katërt të vitit 2020 vlerësohet me rritje prej 2,99 %, kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2019. Kontribut pozitiv kanë dhënë degët: Ndërtimi me +1,84 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me +1,01 pikë përqindje, Aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,52 pikë përqindje, Industri, Energji dhe Uji me +0,49 pikë përqindje dhe, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +0,36 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,27 pikë përqindje, Informacioni dhe Komunikacioni me +0,24 pikë përqindje, Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me +0.08 pikë përqindje. Negativisht kontribuuan aktivitetet: Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor me -0,96 pikë përqindje, Bujqësi, Pyje dhe Peshkim me -0,49 pikë përqindje.

Taksat Neto mbi produktet kontribuuan negativisht me -0,37 pikë përqindje
Degët kryesore të ekonomisë, për tremujorin e katërt të vitit 2020, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2019, shfaqen si më poshtë:

Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati një rënie me 2,91%. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rritje me 4,38 %. Aktiviteti i Ndërtimit pati një rritje me 18,48 %. Grupi i aktiviteteve Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rënie prej 5,51 %. Grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rritje prej 7,15 %. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 11,44 %. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 8,93 %. Grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me një rritje prej 5,04 %. Grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq me rritje prej 8,04 %. Grupi i aktiviteteve Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi pati një rritje me 2,72 %.

Taksat Neto mbi produktet u ulën me 2,92 %.

Me vlerësimin e tremujorit të katërt, INSTAT jep një vlerësim paraprak të PBB-së për vitin 2020, i cili mbështetur në vlerësimet tremujore, pësoi një rënie prej 3,31 % krahasuar me vitin 2019.

Sa i përket ndryshimeve në krahasim me tremujorin paraardhës, treguesi i Produktit të Brendshëm Bruto vlerësohet me një rritje prej 1,15%.

Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit u shfaq me një rënie prej 0,32 %. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit shënoi rritje prej 9,94 %. Aktiviteti i Ndërtimit shënoi një rritje me 0,91 %. Aktiviteti Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor shënoi një rritje prej 7,40 %. Aktiviteti Informacioni dhe Komunikacioni pati një rritje me 6,24 %. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit pati një rritje prej 9,10 %. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme shënoi një rritje me 2,21 %. Grupi Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative shfaqi një rritje prej 7,73 %.

Aktiviteti i Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq me një rritje prej 1,46 %. Aktiviteti i Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi u shfaq me një rritje prej 3,92 %. Taksat Neto mbi produktet patën një rritje me 4.56 %

PBB sipas metodës së Shpenzimeve
Komponentët kryesorë të PBB–së me metodën e shpenzimeve, për tremujorin e katërt të vitit 2020, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2019, shfaqen si më poshtë:

Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 1,60 %.

Konsumi final i qeverisë u rrit me 3,88 %.

Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks u rrit me 10,86 %.

Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 12,77 %, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 9,92 %

Sipas të dhënave të përshtatura sezonalisht, ndryshimet në krahasim me tremujorin paraardhës, shfaqen si më poshtë:

Konsumi final i popullatës pësoi një rritje me 2,91 % krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020.

Konsumi final i qeverisë u rrit me 1,05 %.

Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks shënoi një rritje me 1,58 %.

Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 22,61 %, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 13,87 %

<
>
Instat7 Instat6 Instat5 Instat4 Instat3 Instat1 Instat
1


Etiketa: , ,

Pas