fbpx

ShowBizz

Renis Gjoka:Nuk ndiej rivalitet, konkurroj me veten dhe jo të tjerët






               Publikuar në : 09:00 - 11/05/19 |
Nga Mirgen Çela

Intervistoi: Mirgen Çela


Ndër këngëtarët më të spikatur dhe më të dashur të publikut shqiptar. Dikur pjesë e grupit “Burn”, sot ai prezantohet si një rocker solo. Renis Gjoka, i cili ka arritur që të ketë sukses në këtë rrymë muzikore është ndër zërat më të kërkuar për koncerte live dhe jo vetëm, por dhe për të vlerësuar të tjerët. Së fundmi e kemi parë si trajner dhe anëtar jurie në “The Voice Kids”, ku për këtë të fundit ai shprehet se do të shkonte dhe një mijë herë të tjera në atë pozicion pasi i lë shumë mbresa. Në një intervistë për Gazetën Mapo, Gjoka u rikthye pas në kohë duke treguar fillimet e tij në muzikë, vështirësitë për të qenë pjesë e tregut shqiptar dhe ndër të tjera ekskluzivisht për MAPO foli rreth projekteve që synon t’i publikojë në të ardhmen.



Rikthehemi pas në kohë, si ishin fillimet tuaja në muzikë?

Të vështira pasi dyert sigurisht që ishin të mbyllura. Kam kënduar që në fëmijëri nëpër organizime modeste shkollore. Ndërsa hapi i parë i madh u hodh në moshën 17-vjeçare kur u shfaqa në konkurrim me ish-grupin tim të atëhershëm “Burn” me këngën “Ecim të dy”.

Ishte një pasion i lindur, apo dikush ishte shtysa juaj drejt rrugës artistike?

Ishte dëshira dhe pasioni im. Imagjinoja dhe ëndërroja me sy hapur skena të mëdha e koncerte pafund çdo natë përpara se të flija.

Sa të vështirë e kishit për të depërtuar në tregun muzikor shqiptar?

Fama erdhi brenda ditës sa hap e mbyll sytë. Në drekë u shfaqëm në televizion me këngën tonë të parë, në mbrëmje kur dolëm për kafen tonë, pamë shumë koka që ktheheshin për ne e shumë urime.

Sa vlerësohet muzika në ditët e sotme?

Unë hyj tek ata artistë që nuk i ka munguar suporti i publikut. Sigurisht që në krahun e “Rock & Rollit” e “Popit” jemi në pakicë në këtë vend, gjithsesi ne po bëjmë tonën me shpresën se një ditë, kur ky tranzicion të perfundojë, gjithsecili do marrë meritat që i takojnë. Kur të vijë kjo ditë, ne do jemi gati.

Keni patur një moment kur keni thënë, “boll më, nuk merrem më me këtë profesion”?

Jo, asnjëherë.

Sa i pranishëm është Aleksandër Gjoka në karrierën tuaj?

Ka bërë gjënë më të mirë për të cilën ia di për faleminderit sot e përherë. Nuk ka ndërhyre kurrë për mua. Që në fillimet e mia ka thënë: Renisi duhet të çajë vetë ashtu siç kam çarë unë. Në ato fillime kam qenë pak i mërzitur, por sot e kuptoj që ka bërë gjënë e duhur. Prandaj e vlerësoj jashtë mase këtë gjest.

A ju ka favorizuar kjo gjë për të qenë pjesë e tregut muzikor?

Mendoj se jo. Pyetja mund të shtrohet edhe në kontekstin e kundërt, si p.sh.: sa e vështirë ka qenë për mua të jem në të njëjtin profesion me xhaxhain tim i cili është në dimensionet që ai është? Gjithsesi, nuk ka ndodhur asnjë nga këto të dyja.

Çfarë mendoni se ju karakterizon nga kolegët tuaj?

Secili ka stilin e tij, ka konceptin e tij për muzikën dhe filozofinë e tij. Kjo është gjë e mirë pasi të gjithë bashkë, i servirim publikut një shumëllojshmëri produktesh muzikore. Edhe publiku e ka më të lehtë të pozicionohet në fund.

Si i ke marrëdhëniet me miqtë artistë? Ka miqësi apo rivalitet mes rrethit të artistëve shqiptarë sot?

Unë nuk e kam ndjerë ndonjëherë rivalitetin, pasi kam besim te vetja dhe jam i qartë për gjërat që dua dhe planet e mia. Rrjedhimisht edhe marrëdhëniet i kam të mira sepse jam në konkurrim me veten e jo me të tjerët.

Në cilën periudhë të vitit jeni më shumë i angazhuar me koncerte?

Varet. Nuk është e përcaktuar. Ndër vite, çdo stinë e ka patur luksin të ketë qenë në vend të parë.

Ishit pjesë e jurisë në “The Voice”, si e komentoni këtë eksperiencë?

Të paharrueshme. Do ta bëja dhe një mijë herë të tjera.

Çfarë këshille do kishit për të rinjtë të cilët dita-ditës largohen nga Shqipëria?

Largohuni nëse e ndjeni. Ne lindim si qenie njerëzore që i përkasim planetit. Shteti, kufijtë, flamurët, janë koncepte që i ka krijuar njeriu me gjakderdhje ndër shekuj e mijëvjeçarë. Një jetë kemi të gjithë e kushdo ka të drejtën ta jetojë si të dojë. Kam përshtypjen se pengu më i madh duhet të jetë në shtrat duke jetuar minutat e fundit e duke u penduar për gjërat që nuk i ke bërë sa kishe fuqi e mundësi. Kështu që të rinjtë që e ndiejnë se duhet të largohen e ta provojnë, mos të ngurrojnë. Duhet ta bëjnë.

Si është një ditë e juaja? Përveç muzikës, çfarë di të bëjë Renisi ndryshe? Keni ndonjë pasion të fshehur që s’e keni treguar më parë?

Yesss. Biçikleta. Antistresi më i madh për mua.

Ç’është dashuria për ju? A keni diçka aktualisht?

Është temë për intervistë më vete të përshkruaj dashurinë, por për sa i përket nëse kam diçka aktuale, po.

Çfarë pritet së fundmi nga Renisi, diçka ekskluzive nëse keni?

Tani pritet vetëm një lumë këngësh të reja që presin të dalin në treg, por për shkak të impenjimeve të këtyre dy viteve të fundit, i kam lënë pak pas dore.


Etiketa: , , , , ,

Pas