Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka kthyer përgjigje kritikave të Edi Ramës, lidhur me refuzimin nga ana e Kosovës për t’iu bashkuar nismës për “Ballkanin e Hapur”. Përgjigjja e Kurtit është e qartë dhe e prerë, Kosova nuk do t’i bashkohet asnjë nisme që parasheh hapjen me fqinjët, pa hequr më parë barrierat mes shqiptarëve, ndërsa shton se fokusi duhet të vihet te lufta kundër korrupsionit dhe krimit të oganizuar
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e “100 vjetorit – Hasan Prishtina Kryeministër i Shqipërisë”, në Shkup u mbajt sot tribuna tematike “Kauzat shqiptare – para dhe pas Hasan Prishtinës”, e organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve. Në pamundësi për të qenë i pranishëm në këtë organizim, kryeministri, Albin Kurti ka përcjellë një mesazh duke cekur një seri çështjesh me interes kombëtar.
Indirekt kreu i qeverisë së Kosovës i ka kthyer përgjigje edhe kryeministrit Edi Rama lidhur me nisën “Ballkani i Hapur” duke theksuar se vetëm kur të lidhemi fort me njëri-tjetrin, do të mund të hapemi me fqinjët pa u rrezikuar.
“Mesazhi që dua të jap sot është ai i të qenit pranë njëri-tjetrit, me projekte të përbashkëta, me koordinim dhe me punë. Vetëm kur të lidhemi fort me njëri-tjetrin, do të mund të hapemi me fqinjët pa u rrezikuar. Kahja jonë si shqiptarë është perëndimi, aleatët tanë janë ShBA dhe BE, aspirata jonë legjitime është barazia me popujt e tjerë të Ballkanit dhe bashkimi paqësor e demokratik kombëtar, e detyra jonë më emergjente është që të luftojmë korrupsionin dhe t’i hapim rrugën zhvillimit ekonomik”, ka deklaruar Albin Kurti.
Deklarata e plotë
“Nuk munda të vij për shkak të angazhimeve të shumta e diskutimeve të rëndësishme të Kuvendit të Kosovës, por me zemër do të doja të isha pranë jush. Pas pak ditësh do të jem sigurisht aty, si pjesëmarrës në ceremoninë e përurimit të Bulevardit “Hasan Prishtina” në Shkup. Po të isha aty, sigurisht do të kishim diskutuar gjatë mbi kontributin e Shkupit e të shqiptarëve të Maqedonisë në çështjen kombëtare. Nga gratë tona nder i Kombit, Sevasti e Parashqevi Qiriazi dhe Gonxhe Bojaxhiu, Nëna Terezë, nga kryengritjet e hershme të Dervish Carës qysh në 1844, e deri te çlirimi i Shkupit nga Hasan Prishtina, Bajram Daklani, Bajram Curri, Isa Boletini, Mehmet Deralla, Idriz Seferi etj.
Do të flisnim edhe për zhvillimet e thellimet e mendimit strategjik shqiptar, nga Ukshin Hoti e deri te Arbën Xhaferri. Por këto të gjitha do t’i diskutojmë në raste të tjera. Mesazhi që dua të jap sot është ai i të qenit pranë njëri-tjetrit, me projekte të përbashkëta, me koordinim dhe me punë. Vetëm kur të lidhemi fort me njëri-tjetrin, do të mund të hapemi me fqinjët pa u rrezikuar. Kahja jonë si shqiptarë është perëndimi, aleatët tanë janë ShBA dhe BE, aspirata jonë legjitime është barazia me popujt e tjerë të Ballkanit dhe bashkimi paqësor e demokratik kombëtar, e detyra jonë më emergjente është që të luftojmë korrupsionin dhe t’i hapim rrugën zhvillimit ekonomik.
Rajoni fiton siguri dhe stabilitet afatgjatë vetëm nga dënimi dhe izolimi i kriminelëve, dhe askush nga politikanët shqiptarë nuk duhet të bashkëpunojë me krimin. Kohë të mira po vijnë për shqiptarët por edhe për fqinjët tanë, sepse partnerët tanë të mëdhenj janë më të vendosur se kurrë për të na ndihmuar në luftën tonë për drejtësi e demokraci, por edhe kundër ndikimeve negative ruso-kineze në qytetet e në shtetet tona, por edhe në rajon. Jam i sigurt se shqiptarët, në të gjitha shtetet ballkanike ku jetojmë e veprojmë, nuk do ta humbim këtë moment të rëndësishëm historik“, deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Çfarë tha Edi Rama
Kryeministri Edi Rama reagoi tre ditë më parë duke u kthyer përgjigje të gjithë zërave kritikë për nismën “Balkani i Hapur”. Këtë nismë Kosova e ka kritikuar dhe nuk ka pranuar të bëhet pjesë pasi e ka quajtur “Serbinë bosht të saj”’.
Përmes një analize të publikuar në rrjetet sociale, Rama thotë se këtë mesazh e ka “për t’iu thënë të gjithë atyre në Kosovë që e kanë gjetur tradhëtarin tek unë, se së pari, unë jam po ai që në mes të Beogradit fola me zë të lartë për njohjen e Kosovës nga Serbia dhe sikur të tërë ta mbronin njohjen e Kosovës në gjuhë të huaj të paktën siç e mbroj unë, kudo e kurdoherë, sot Kosova do të ishte shumë më e respektuar ndërkombëtarisht”.
Së dyti, Rama shpjegon çfarë në të vërtetë është nisma që po kritikohet kaq shumë.
“Ballkani i Hapur është jo vetëm rruga e të ardhmes për prosperitetin e kombit shqiptar, si komb europian që përkatësinë e vet e ka në Europën e Bashkuar, por është edhe një mundësi e re dhe e madhe më shumë, në rrugën drejt njohjes së Kosovës nga Serbia; sa për një nga shumë shembuj të dobisë së madhe të Ballkanit të Hapur, kush nuk do që ta kuptojë pse Ballkani i Hapur e heq më në fund kufirin mes Shqipërisë e Kosovës”, tha Rama.
Kryeministri ceku edhe përplasjen e tij me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj në tryezën e organizuar nga kancelarja Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, debat i cili ka degjeneruar në fjalë fyese.
“Le të më thotë pse nuk e kanë hequr dot deri më sot (kufirin), ata që e kanë premtuar me bujë dhe pse nuk e heq dot pa Ballkanin e Hapur atë kufi, asnjë prej atyre të cilëve “nuk u han luli” për aleatët e pazëvendësueshëm strategjikë të Kosovës e të Shqipërisë bashkë, që e mbështesin plotësisht nismën “Open Balkan”. Dhe së fundi, kush në Kosovë mendon se duke më sharë e mallkuar mua e bën Kosovën më të fortë në luftën diplomatike për njohjen nga Serbia, pushka top le t’i bëhet, e ka të gjithë bekimin tim të nxjerrë krejt gjuhën jashtë”, theksoi Edi Rama.