Në takimin e kryebashkiakut Erion Veliaj me artistët lidhur me debatin për prishjen ose jo të Teatrit Kombëtar kanë folur edhe dy aktorët e njohur, Luftar Paja dhe Reshat Arbana.
“Jam për Teatër të Ri Kombëtar. Por që të kemi këtë teatër mua nuk më vjen mirë që ne si aristë harrojmë gjënë kryesore dhe merremi me llaç e tulla. Ka kush përgjegjësi për llaçin e betonin, ne si artistë duhet të shtojmë forcat për llaçin dhe betonin artistik. Mua më shqetëson më shumë nëse do kemi një Romeo dhe Zhuljetë që të demostrojë në atë teatër? Kjo fillon që nga universiteti i arteve që duhet parë me përparësi kush jep mësim atje dhe çfarë bëjnë.
Teatri Kombëtar e ka emrin (Teatër Kombëtar), nuk duhet të vijnë vetëm ata që banojnë në Tiranë por duhet të vijë në atë që e meritojnë të vijnë në këtë teatër. Duhet gjithësecili të shohë punën e tij dhe mos merremi me metrat kaq dhe aq. Nuk merrem me metrat e gllabëruara. Qëllimi im kryesor është që të ketë teatër siç i takon dhe të ketë cilësi brenda…”, tha Paja, teksa replikoi me një avokate në takim e cila ndërhyri duke i thënë se trualli ka rëndësi. Ndërsa Reshat Arbana ka sugjeruar që këtë punë ta marrin në dore profesionistët, duke kërkuar rikonstruksionin e teatrit aktual.
“Teatri duhet të mbetet aty, ju lutem Bashkisë së Tiranës që ta bëjnë Teatrin për së mbari… Te mendojnë për këtë punë ata që janë specialistë, nuk e di as vlerën sa mund të shkojë, po lejani Teatrin drejtorit të Teatrit të Tiranës…Le të bëhet një Teatër i mirë, le ti lëmë këta njerëz dhe aktorë që të përfshijnë në emocione popullin…
Me 200 vetë nuk do arrini kurrë në krye me gjithe këto diskutime, kullat nëse do bëhen do na duken sikur do bien mbi kokën e artistëve, restaurimi është i vështirë më duket mua…Mendoni ju se me kaq kallaballëk nuk do dilni kurrë në krye sepse secili ka mendimin e vet, merrni regjizorin, arkitektin, skenografët ata që e kanë në dorë këtë punë…”, tha Arbana gjatë takimit.