Replikat / Yuri Kim-Ramës: Listat e pastra për integrim, jo për ne

Ambasadorja amerikane i kundërpërgjigjet Edi Ramës duke theksuar sërish se kandidatët janë përgjegjësi e udhëheqësve. Ish-deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi: PS vazhdon aleancën me krimin që në vitin 2013.

Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim ka ripërsëritur edhe një herë apelin për kryeministrin Edi Rama dhe kryetarët e partive që të pastrojnë listat e kandidatëve për zgjedhje. Apeli i saj, kësaj radhe ishte drejtpërdrejt për Ramën, i cili dy ditë më parë e kontestoi qëndrimin e ambasadores amerikane, duke thënë se nuk është përgjegjësi e kryetarëve të partive, integriteti i kandidatëve, por është një përgjegjësi personale e secilit person.



Me nota nervozizmi Rama tha se punën e tij nuk ia tregon dot asnjë ambasador. Kim, e cila përfaqëson Departamentin e Shtetit në Tiranë, prej disa ditësh u kërkon kryetarëve të partive politike për të kaluar në veting kandidatët për deputetë. Ambasadorja ka përforcuar thirrjen e saj duke thënë se kjo nuk duhet të bëhet se e kërkon një ambasador, por sepse e kërkon ligji shqiptar. Ajo i ka kujtuar Ramës se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe aspirant për BE-në dhe kjo është shenjë kryesore e respektit për votuesin.

“Udhëheqësit e partive nuk duhet të pastrojnë listat e tyre thjesht sepse disa ambasadorë thanë kështu ose sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ka bërë të qartë se korrupsioni është një përparësi. Ata duhet ta bëjnë atë sepse kërkohet nga ligji i Shqipërisë, pritet nga një aleat i NATO-s dhe aspirant i BE-së, dhe kjo është një shenjë themelore e respektit për votuesit”, shkruan ambasadorja në Twitter. Ky ishte apeli i tretë brenda pak ditësh në këtë drejtim. Dy ditë më parë duke iu referuar thirrjeve të ambasadores Rama u shpreh ashpër se: “unë nuk kam nevojë të ma thotë ambasadorja amerikane detyrën time”.

Ai sulmoi hapur Kim dhe përfaqësues të BE-së duke shtuar se “mos ma nxirrni përpara ambasadoren amerikane ka thënë kështu apo ashtu. S’kam nevojë të ma kujtojë detyrën time asnjë ambasador, asnjë koordinator në PE. E di shumë mirë detyrën time karshi ligjit dhe karshi popullit shqiptar. Nuk e kuptoj dot akoma në vitin 2020, 30 vjet pasi kemi zgjedhur një sistem të përgjegjësisë individuale para ligjit t’iu kërkohet partive politike dhe kryetarëve të partive të mbajnë përgjegjësi pse njëri apo tjetri ka gënjyer”, -tha Rama.

Në thirrjet e saj të mëparshme Kim saktësoi se “udhëheqësit do të mbajnë përgjegjësi për ata që garojnë nën flamurin e tyre”, duke iu kërkuar që të kontrollojnë kandidatët. “Mos fyeni votuesit, mos minoni demokracinë, mos promovoni korrupsionin”, u shpreh ajo.

I vetmi kryetar partie që u fye nga ky apel ka qenë kreu i PS-së që mban pushtetin prej 8 vitesh. Gjatë këtyre viteve disa deputetë dhe disa kryetarë bashkie të PS-së humbën mandatet për shkak të së shkuarës kriminale, por Rama thotë se nuk është përgjegjësi e tij të verifikojë emrat që ai zgjedh si përfaqësues politikë të partisë.

Bylykbashi: Rama në aleancë me krimin

Apelin e ambasadores amerikane e komentoi dje dhe ish-deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi. Ai thekson se ishte Rama ai që promovoi banditët në politikë dhe përdor mafien për pastrim parash në Tiranë. Teksa rendit rastet, që sipas tij Rama ka vendosur në krye njerëz me rekorde kriminale, Bylykbashi thotë se në 25 prill duhet të votohet masivisht për të çliruar Shqipërinë.

“Në 2013 bëri pakt me kriminelët për të marrë pushtetin dhe i futi në listat e deputetëve e i bëri kriminelët “përfaqësues” të popullit. Në 2015 mbushi bashkitë me kryebashkiakë kriminelë. Në 2014 i hapi rrugët krimit të organizuar që të mbillte Shqipërinë me kanabis. Edhe ministrat e Brendshëm i zgjodhi me lidhje familjare me trafikun e drogës që t’u mbronte krahët trafikantëve. Sot mafia shqiptare është rrezik prioritar për prokurorët antimafie italiane e europiane. Ama nën qeverisjen e Ramës kriminelët më të rrezikshëm të dënuar me burgim të përjetshëm, u liruan nga burgu. Prioritetet e Ramës nuk janë të njëjtat me Antimafien italiane”, -tha Bylykbashi.

Ai kujtoi kohën kur u miratua ligji i dekriminalizimit, një propozim i opozitës në vitin 2015. “Më është dashur një vit të negocioj ligjin e Dekriminalizimit me socialistët. Pengesa pa fund nxorën vetëm që ta pengonin e zvarrisnin. Kërkonin si ta bënin të paefektshëm ligjin që të shpëtonin kriminelët që futën në parlament e bashki. Nën presionin e opozitës, SHBA dhe BE, u dorëzuan dhe e votuan. Sot e dinë shqiptarët dhe të huajt sa është lista e deputetëve, kryebashkiakëve, këshilltarëve e drejtorëve që kanë ikur nga ligji i Dekriminalizimit”, -tha ai.

Por sipas demokratit Rama sërish nuk u shkëput nga bota e krimit, pasi u ka dhënë tendera, licenca, leje ndërtimi në këmbim të votave. “I ka pjesë kryesore të mekanizmit qeverisës kriminelët, ndaj në 2019 kur garonte i vetëm në zgjedhje vuri sërish kriminelë për kryebashkiakë. Tani kur ambasadorët e partnerëve tanë më strategjikë i kërkojnë të mos kandidojë kriminelë e të korruptuar më 25 prill, ai iu përgjigjet se ligji i Dekriminalizimit shkel të drejtat e kriminelëve, paçka se Gjykata Kushtetuese e rrëzoi këtë pretendim”, theksoi Bylykbashi. Pas zgjedhjeve të fundit lokale opozita akuzoi disa kryebashkiakë të PS-së për të shkuar kriminale, nga të cilët dy prej tyre humbën mandatet, ndërsa disa të tjerë janë në verifikim nga prokuroria.

 

 

Programi i PD

Libra, bursa dhe kurse falas, rritje pagash 60 për qind

 

Partia Demokratike prezantoi platformën për arsimin. Plani i demokratëve është ndarë në dy pjesë; libra falas, investime dhe rritje pagash për mësuesit në sistemin parauniversitar dhe investim te studentët e shkëlqyer, stazhe të paguara e rritje pagash për pedagogët dhe ligj të ri për Arsimin e Lartë.

 

Partia Demokratike prezantoi dje planin për arsimin në vend duke parashikuar rritje pagash për mësuesit, mbështetje të nxënësve dhe studentëve të shtresave në nevojë dhe kurse të gjuhëve të huaja falas për të rinjtë. Po ashtu, PD premton mbështetje reale për pagat e mësuesve me rritje deri në 60 për qind të pagave të tyre dhe për pedagogët rritje të pagave deri në 50 për qind. Ky është programi i dytë i opozitës pas atij për ringritjen e ekonomisë. Partia më e madhe e opozitës në vend ka bërë dje publik një program të posaçëm për arsimin për zgjedhjet 25 prillit. Programi i PD-së, i prezantuar nga kandidati për kryeministër Lulzim Basha, prekte të gjitha problemet e arsimit sot, që nga sigurimi falas i librave për sistemin paraunivesitar deri te mbështetja e studentëve me bursa apo kurse falas për gjuhët e huaja për të rinjtë. Tabloja e arsimit e prezantuar nga ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi, tregon se 1 në 4 studentë e nxënës braktisin shkollën, ndërsa studentët më të mirë largohen në botë. Kreu i PD-së Basha duke prezantuar planin për arsimin njësoj si me planin ekonomik nuk përmendi fjalën premtim, por angazhim, për ta bërë më të besueshëm për votuesin e ngopur me premtime politike. “Angazhohem se do të sigurojmë tekste shkollore të reja falas, për 350 000 nxënës. Po kështu, fëmijët e të gjitha familjeve në nevojë do të përfitojnë paketa shkollore dhe tekste falas gjatë gjithë arsimit parauniversitar. Ne nuk do të lëmë asnjë fëmijë pa ndihmuar. Ne do të rrisim me 60% pagat e mësuesve dhe as edhe një mësues nuk do të marrë më pak se 700 Euro në muaj rrogë. Kështu ne do sjellim më shumë të ardhura dhe mirëqenie për 35 000 familjet e mësuesve tanë të arsimit parauniversitar”, -tha Basha. Ai theksoi se nëpërmjet programit “Shqipëria fiton arsimin” ne do të ofrojmë program pas-shkollor dhe ushqim për orët shtesë e cila do t’ju vijë në ndihmë fëmijëve për përforcimin e dijeve të marra. Ky program do t’i mbajë fëmijët të sigurt në shkollë dhe larg rrugës. Sipas Bashës, as edhe një nxënës nuk do të lihet pas dore e të diskriminohet, pavarësisht statusit të tyre social, ekonomik apo aftësive të kufizuara. Kreu i PD shprehu angazhimin tjetër për t’i dhënë bursë të plotë çdo studenti që vjen nga familje me të ardhura nën 64 000 Lekë dhe gjysmëbursa (50%) për studentët nga familje me të ardhura mbi 64 000 Lekë. “Planet tona për ekonominë dhe shëndetësinë, të cilat u prezantuan këto ditë, kanë marrë shumë komente dhe mesazhe mbështetjeje nga ju. Kjo na jep forcë dhe besim sepse shqiptarët kanë pritur shumë gjatë të dëgjojnë një plan serioz që vërtet do të realizohet. Jo më premtime boshe, jo më premtime të pambajtura. Përpara jush janë vetëm angazhimet tona me përgjegjësi të plotë për çdo sektor të jetës sonë. Janë angazhimet tona për të ardhmen tonë të përbashkët që shumë shpejt do të trokasë këtë pranverë”, -tha ai. Duke paralajmëruar se PD po përgatit plane për çdo fushë ai e cilësoi arsimin si më të rëndësishmin ndër të gjitha, pasi prek të ardhmen e fëmijëve dhe të vendit. Kreu i PD-së mori angazhimin se asnjë nxënës nuk do të lihet pas dore apo diskriminohet, pavarësisht statusit të tyre social, ekonomik apo aftësive të kufizuara. “Nuk do të ketë bir dhe bijë shqiptari që të mbetet pa arsim për shkak të pamundësive ekonomike të prindërve të tyre”, deklaroi Basha.

 

Pikat kryesore të planit të PD-së për arsimin parashkollor:

  1. Angazhohem se do të siguroj tekste shkollore të reja falas, për 350 000 nxënës. Po kështu fëmijët e të gjitha familjeve në nevojë do të përfitojnë paket shkollore dhe tekste falas gjatë gjithë arsimit parauniversitar. Nuk do të lëmë asnjë fëmijë pa ndihmuar.
  2. Angazhohem se do të hartojmë një program arsimor modern, përmes të cilit do t’u japim mundësinë të rinjve të Shqipërisë që duan një profesion, ta marrin atë gjatë periudhës së arsimit të tyre.
  3. Do të ofroj për çdo të ri dhe çdo të rritur shqiptar deri në 35 vjeç kurse private pa pagesë të platformës së mirënjohur amerikane Education World Wide për 5 gjuhë të huaja—anglisht, gjermanisht, spanjisht, frëngjisht dhe italisht! Të rinjtë tanë në shkolla dhe ata në tregun e punës duhet dhe do të jenë gati për investimet e mëdha që do të vijnë në Shqipëri me qeverinë e re, do të jenë gati për të mbushur vendet e reja të punës në turizëm, në prodhim, IT apo shërbime.

4.Angazhohem që nëpërmjet programit “Shqipëria fiton arsimin” ne do të ofrojmë program pas-shkollor dhe ushqim për orët shtesë e cila do t’ju vijë në ndihmë fëmijëve për përforcimin e dijeve të marra dhe do t’i mbajë fëmijët të sigurt në shkollë dhe larg rrugëve.

  1. Nëse fëmijët janë e ardhmja jonë, atëherë përgjegjësit për këtë të ardhme janë mësuesit e fëmijëve tanë. Ata meritojnë më shumë. Po ama vërtet më shumë. Dhe unë angazhohem që t’u jap më shumë. Ne do të rrisim me 60% pagat e mësuesve dhe as edhe një mësues nuk do të marrë më pak se 700 Euro në muaj rrogë. Kështu ne do sjellim më shumë të ardhura dhe mirëqenie për 35 000 familjet e mësuesve tanë të arsimit parauniversitar.
  2. Kjo periudhë e tmerrshme e pandemisë, nxori zbuluar se si kjo qeveri ka vetëm fjalë dhe premtime boshe. Qeveria i detyroi fëmijët të mësonin nga shtëpia, kur shumë prej tyre nuk kanë as tabletë, as laptop, as kompjuter! Prandaj shumë fëmijë shqiptarë rrinë sot në shtëpi duarkryq dhe të përjashtuar, sepse kjo qeveri e shkëputur nga njerëzit, nuk e di që ata s’i kanë mundësitë të mësojnë nga shtëpia. Brenda 4 viteve, çdo familje do të ketë të paktën 1 tabletë, laptop ose kompjuter në shtëpi.

 

Arsimi i Lartë:

  1. Unë angazhohem se do garantoj pavarësinë e universiteteve dhe lirinë e nevojshme akademike, duke e miratuar menjëherë sapo të zgjidhem kryeministër ligjin e ri për arsimin e lartë, në bashkëpunim me akademikët, specialistët më të mirë dhe vetë studentët dhe në përputhje me standardet dhe parimet më të avancuara bashkëkohore europiane.
  2. Angazhohem se do të rrisim pagat me 50%, duke iu garantuar pedagogëve shqiptarë paga prej 900 Euro në muaj dhe profesorëve paga prej 1300 Euro.
  3. Ne do të paguajmë plotësisht koston e tarifave të ciklit të parë apo të dytë të studimeve pasuniversitare për çdo student dhe studente që vjen nga familje me të ardhura nën 64.000 Lekë të vjetra në muaj. Dhe ne do të financojmë 50% për studentët nga familje me të ardhura mbi 640 mijë lekë të vjetra në muaj.
  4. Ne do investojmë te studentët e shkëlqyer duke iu mundësuar atyre studimin në universitetet më të mira të botës, si dhe duke mbështetur programin Brain Gain, i cili nuk do të bazohet më mbi nepotizëm e ndërhyrje politike, por mbi bazën e meritokracisë.
  5. Përsëris sot angazhimin tim para studentëve shqiptarë se me qeverinë e re të dalë pas zgjedhjeve të 25 prillit, ne do të paguajmë 10 mijë stazhe 12-mujore për studentët më të mirë çdo vit.
  6. Grante për Institucionet Publike të Arsimit të Lartë, është angazhimi tjetër i qeverisë sonë për modernizimin e infrastrukturës fizike e pedagogjike. Ofrimi i arsimit të lartë të digjitalizuar, me investim në vlerën 36 milionë euro, me fokus laboratorët e parqet e teknologjisë së informacionit, zona me internet falas dhe pajisje të teknologjisë së informacionit, që do të përdoren falas nga pedagogët dhe studentët pa pagesë.
  7. Një vend të veçantë në platformën tonë ka financimi i dedikuar për gratë dhe vajzat në sektorët me përparësi të lartë.

Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252