Nga Riviera Dedaj
E shtuna e 3 Gushtit nuk është një ditë e zakonshme për Thethin. Drejt fshatit turistik mes Alpeve janë nisur me dhjetëra automjete private dhe fugona të agjencive turistike. Ndalojmë në Qafë-Thore, pasi kemi bërë 4 orë rrugë nga Tirana në Bogë. Është ftohtë, dhe njerëzit janë disi të papërgatitur…
Ulemi te kafeja panoramike. Aty ku pushojnë shumica e turistëve që udhëtojnë drejt Thethit. Kemi bërë pjesën më të madhe të rrugës, por jo atë më të vështirën. Zbritjen nga Qafa-Thorja drejt Thethit. Aty nis dhe dilema. Shumë njerëz zgjedhin të lënë makinat e tyre të parkuara në ‘Qafë’ e të zbresin me taksitë e vendasve drejt Thethit. Ashtu bëmë edhe ne pasi konsumuam kafenë dhe ujin e freskët të burimit. Disa foto në këtë peizazh fantastik janë të pashmangshme.
Rruga drejt Thethit është e vështirë. Që sa nisesh sheh poshtë humnera. Bëhet fjalë për rrugë malore të paasfaltuar. Makinat ndërrohen me vështirësi me njëra-tjetrën. Nuk mund të themi se nuk pamë vetura në këto anë, por është e rekomandueshme të udhëtoni me fuoristrada apo mjete të tjera të larta. Bëhet fjalë për një aks 17 km nga Qafë-Thorja deri në qendër të fshatit Theth dhe udhëtimi zgjat më shumë se 1 orë.
Në qendër të fshatit është Kisha dhe një lëndinë e bukur. Shtëpitë karakteristike që vendasit i kanë kthyer në bujtina për turistët janë të parat që sheh sapo mbërrin në fshat. Përmes tij dëgjohet gurgullima e lumit të pastër kristal që buron në Bjeshkë.
Siç ju thamë në fillim, Thethi këtë fundjavë është ndryshe nga herët e tjera. Me dhjetëra turistë kanë populluar fshatin e vogël mes Apleve. Disa kthehen nga hicking në mal, disa të tjerë nga ujëvara, të tjerë po zbresin nga fugonët e agjencive.
Akomodohemi në bujtinën, që kishim prenotuar një muaj më parë, pasi duhet thënë se në Theth për fundjavën e 3-4 gushtit nuk ka patur asnjë shtrat, asnjë dhomë e asnjë çadër të lirë. Pjesa më e madhe e turistëve kanë mbërritur në Theth për një qëllim:“ZÂ-Fest”.
Mushkëritë të mbushen me ajër të pastër. Bukuri përrallore të shfaqen ngado kthen kokën. Ka gjallëri në Theth, po shumë gjallëri. Klima në fshat është e butë. Shumë prej turistëve nuk ikin pa u larë në lumë.
Po bie muzgu, dhe nga Kisha vijnë tingujt e parë të muzikës. Kanë nisur provat për festivalin. Aty janë ngritur edhe tendat për një mini-panair me prodhime vendase.
Rreth orës 19:00 sheshi mbushet plot. Janë kryesisht të rinj e të reja, por nuk bëjnë përjashtim as moshat e tjera, përfshirë edhe fëmijë të vegjël…që sigurisht janë aty prej pasionit të prindërve për muzikën.
Njerëzit janë ulur në lëndinë përpara skenës. Me birra apo pije të tjera në duart. Skenografinë e ka pikturuar Zoti ndaj s’kishte nevojë për një të tillë. Kjo natyrë magjepsëse por dhe pasioni për folkun duket se e kanë bërë Vlashentin, të na sjellë të gjithëve deri këtu mes Alpeve.
Atmosfera ndizet përnjëherësh sapo ngjitet në skenë kantautori me zërin e mrekullueshëm Vlashent Sata. Vlashenti është dhe ideatori e drejtori i “ZA-Fest”. Ai e shfaq entuziazmin për këtë festival po kaq sa dhe fansat e tij që ngrihen e kërcejnë zbathur me ritmet e muzikës. Shumë prej atyre që shijojnë melodinë e Vlashentit janë të huaj. Muzika sigurisht nuk ka shtetësi as gjuhë. Vlashenti këndon këngët më të bukura të repertorit të tij duke elektrizuar publikun. Mes tyre, është edhe ambasadori i BE-së në Shqipëri LuigiSoreca. Dhe ja ku vjen edhe kënga më e pëlqyer… Këtë na e dëshmuan dhjetëra fansa që kënduan e kërcyen bashkë “Me jetu!”.
Mes duartrokitjeve dhe thirrjeve euforike, tingujt e bukur të Vlashentit ia lënë radhën rrëfimit të një proze nga aktori i njohur Arben Bajraktari.
Pas orës 21:00 në skenë ngjitet Elina Duni. Shumë prej të pranishmëve në festival mezi e kishin pritur këtë moment. Duket qartë se shumë prej pjesëmarrësve janë aty veç për zërin e Elinës.
Këngëtarja shqiptare që jeton prej vitesh në Zvicër i ka të rralla debutimet në Shqipëri, andaj pritet me padurim. Zëri i veçantë i Elinës, me tekstet e frymëzuara nga folku dhe muzika xhaz të rrëmbejnë krejt papritur. Është magjepsës i gjithë ky festival në Theth…
ElinaDuni këndoi live po aq sa edhe kërceu duke mbajtur ngërthyer për afro 2 orë publikun. Madje dy këngët e fundit i këndoi me kërkesë të tyre…
Po vjen mesnata por në Theth nuk ka gjumë… është festivali i Zërave të bukur, i Zanave, po të doni mund ta quani edhe festivali i Zemrave. Është festivali që zgjon edhe Alpet…!
Ky ishte ZÂ-Fest 3 dhe ideatori Vlashent Sata premtoi se kjo traditë do vazhdojë.