Brenda studiove të Ora News. Vështirësitë pas sulmit që qeveria ndërmori ndaj kësaj medieje. Gazetarët dhe drejtuesit flasin për gazetën MAPO dhe tregojnë se si i rriti Erion Veliaj presionet pas shembjes së teatrit dhe çfarë kërkonte prej tyre. Përse u godit televizioni vetëm 8 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare…
“Prej kohësh, kryetari i Bashkisë kishte ankesa ndaj kronikave tona, por kulmi arriti pas prishjes së teatrit”, na thotë Klara Dervishi, redaktore e lajmeve prej 11 vjetësh në TV Ora News. Më datë 3 gusht të këtij viti, në dyert e një prej televizioneve më të mëdha në vend zbarkuan forcat RENEA dhe ato të ndërhyrjes së shpejtë. Pronat e “Yldon Media Group” ishin vënë nën sekuestro nga SPAK, për një vepër penale të pretenduar nga kjo prokurori, sipas të cilit Ylli Ndroqi pronar i kompanisë kishte kryer në Turqi në vitin 1998. Ky të paktën ishte arsyetimi i SPAK. “Ishte në kufijtë e çmendurisë. Një nga gazetarët më lajmëroi se poshtë ishim rrethuar nga kallashnikovët, dhe nuk po merrnim vesh se çfarë po ndodhte. Në 20 e ca vite gazetari nuk kam parë një skenë të tillë, dhe as më shkonte ndër mend se mund ta përjetoja vetë një ditë”, thotë Dervishi.
Klara Dervishi, Redaktore në Ora News
Goditja
Ora News është një nga investimet më të mëdha në mediat shqiptare. Ish-Rtv Ora u ble nga Ylli Ndroqi në vitin 2007, dhe më pas u investua fuqishëm prej tij. “Gazetaria e mirë, është një biznes i mirë”! Kjo shprehje e presidentit Ndroqi e shkëputur nga fjala e mbajtur në vitin 2017, në dhjetëvjetorin e Ora News, të shoqëron sapo merr korridorin për të hyrë në studiot e lajmeve dhe emisioneve. Drejtori i informacionit Brahim Shima, duket paksa i lodhur. Prej ditësh atij i duhet të durojë presionin që shfaqet në sytë e gazetarëve dhe 180 punonjësve, montazhierë, punëtorë skene, shoferë etj., të pasigurtë për të ardhmen e tyre. “Goditja është bërë në momentin më të papërshtatshëm. Jemi në gusht kur njerëzit marrin pushimet dhe ne po planifikonim të hapnim katër emisione të tjera. Por, në këtë situatë do jetë e vështirë”, thotë Shima. Sipas tij, kemi të bëjmë me një veprim të pastër politik nga qarqet qeveritare, ndërkohë që vija editoriale vazhdon të mbetet ajo që ka qenë. Por sa do zgjasë? Administratori i vendosur nga qeveria nuk ka ndërhyrë, por tërë ditën makina e tij, një Mercedes i zi, qëndron e parkuar para dyerve të televizionit. Puna e tij është monitorimi i financave, reklamat, sponsorët, që janë dhe çelësi i mbijetesës së një medieje. Ecejaket te zyra e financave janë të shumta. E kush është ajo kompani që do dërgonte reklama te një ndërmarrje mediatike kur financat e saj kontrollohen nga qeveria?
Gazetarët dhe investimi
“Këtu janë 180 persona të punësuar, dhe vështirësia më e madhe është të mbash ritmin e punës. Ti e di që çelësi i punës sonë është rimti, por në këtë situatë pasigurie….. ”, thotë Shima, teksa na shoqëron në ambientet e Orës. Një investim, që do e kishin zili dhe televizionet e mëdha ndërkombëtare. “Përkrahja nga ana e gazetarëve, por dhe e qytetarëve ka qenë e madhe, megjithëse me keqardhje kam konstatuar se ka pasur dhe nga ata gazetarë që kanë heshtur, megjithëse jo pak vite kanë qenë pjesë e këtij televizioni”, pohon ai. Studio e “Tempora”, që drejtohet nga Sonila Meço, “360 gradë” e Artur Zhejit apo dhe “Arena” e Dritan Hilës, presin shtatorin për të filluar sërish, gjithmonë në rast se administratori i vendosur nga qeveria do firmosë për vazhdimin e punës. “Kjo është situata, fondet janë, projektet dhe planet gjithashtu por gjërat i ka marrë në dorë qeveria”, -thotë Shima jo pa ironi. Vetë pronari i kompanisë Ylli Ndroqi, prej datës 3 gusht nuk është dukur më në ambientet e medias që ai administron prej 13 vitesh. “Për sa kohë që çështja është nën hetim nga drejtësia, unë nuk mund të flas për mediat”, i përgjigjet ai interesimit të MAPO-s.
Brahim Shima, Drejtor Informacioni
Dyshime për SPAK
Por pjesa politike e sulmit ndaj medias duket dhe nga nxitimi me të cilin ka punuar prokuroria. Avokati i “Yldon media Group” Alban Qafa, shprehet se për vendosjen e sekuestros është përdorur neni 3 i ligjit: “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i miratuar në vitin 2009, ose i quajtur ndryshe “Ligji Antimafie” . Një ligj disi absurd që i jep të drejtën prokurorisë, të vërë nën sekuestro pronat e një individi apo kompanie të caktuar kur ka dyshime se janë vënë nga veprimtari të jashtëligjshme, dhe pa pasur asnjë provë. Pra, prokuroria sekuestron dhe është detyrë e individit të paraqesë provat që pasuria është vënë në mënyrë të ligjshme. “Janë vënë nën sekuestro edhe prona të cilat janë shitur, si fjala vjen një apartament në Durrës që është shitur para pesë vjetësh. SPAK ka vënë nën sekuestro dhe 600 metra2 tokë varreza në fshatin Zbarq në afërsi të Ndroqit, vetëm e vetëm se janë në kufi me banesën që ka pasur babai i zotit Ndroqi, e ndërtuar në vitet ‘60 ku sot nuk banon njeri. Në fakt varrezat janë të fshatit. Lista vazhdon me dy makina të shitura më parë ku pronarë janë njerëz të tjerë e kështu me radhë. Në të gjithë karrierën time s’kam parë, proces më të dobët të ndërmarrë nga një institucion i akuzës. Duket qartë se ky veprim ka prapavijë politike”, -thotë Qafa. Sipas tij, në rast se do ekzistonte Gjykata Kushtetuese, gjërat do ishin ndryshe, pasi vetë ligji me të cilin vendoset sekuestro është anti-kushtetues. “Nuk janë marrë parasysh faturat bankare, për kredinë e marrë te Raifaissen Bank për blerjen e TV Ora, sot Ora News apo makinat që janë blerë me leasing. Kjo bëhej me një verifikim të thjeshtë”, -shprehet avokati.
Pasojat e investigimeve
Duket se e gjithë fabula e sulmit ndaj Ora News, vërtitet rreth investigimeve që ky televizion kish ndërmarrë ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ky i fundit, pesë ditë para se të sulmohej televizioni deklaroi se ishte prekur nga COVID-19, dhe në ekrane do e shihnim pak ditë më parë. Redaktorja Klara Dervishi thotë, se sinjalet e hatërmbetjes së Veliajt ishin dhënë shumë herët, por kulmoi pas datës 17 maj, kur u shemb dhe teatri. “Ne s’bëmë gjë tjetër vetëm se transmetuam atë çka po ndodhte. Studiot e opinioneve kishin numër të barabartë, si të atyre që ishin kundër shembjes, ashtu dhe të atyre që ishin pro shembjes së teatrit. Por me sa duket, kryetari i Bashkisë kishte tjetër qasje. Në fakt, reagimet e tij kishin filluar kohë më parë, për çdo kronikë kritike që ne bënim, dhe kishte lidhje me Bashkinë e Tiranës, do merrnim një reagim nga vetë ai”, shprehet Dervishi. Ora News është televizioni i dytë që sulmohet nga qeveria në harkun e pesë viteve, për shkak të linjës editoriale. I pari, ishte Agon Channel, i italianit Francesco Bechetti, nën akuzën e pastrimit të parave. Prokuroria aso kohe bllokoi çdo llogari të atij televizioni duke bërë të pamundur vazhdimin e mëtejshëm të punës. Sot, shteti shqiptar i detyrohet shtetasit italian, jo pak por 130 milionë euro që duhet t’i paguajë, pasi gjykata e arbitrazhit vlerësoi se sekuestroja ndaj aseteve të Bechettit ishte bërë e pabazuar në prova. Duket se jemi para të njëjtit skenar, por në kohë të ndryshme.
Sulmi ndaj Ora News, vjen vetëm tetë muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Jo vetëm kryetarit të Bashkisë, por me sa duket edhe vetë kryeministrit nuk i ka ardhur fort për shtat linja editoriale e ndjekur nga ky televizion. Edi Rama këto kohë është kryetari i radhës i OSBE, dhe është i angazhuar në manipulimet e zgjedhjeve dhe goditjet e mediave në Bjellorusinë e Lukashenkos. Në rast se Ylli Ndroqi ka probleme me drejtësinë, mund të zgjidheshin dhe pa sulmuar median. Ora News aty ka qenë edhe në vitin 2013, kur IPR Marketing e kontraktuar nga ky televizion parashikoi ardhjen në pushtet të rilindjes. Aty ka qenë dhe në vitin 2017 kur, Rama fitoi tepsinë për herë të dytë, aty ka qenë dhe vjet kur zhvilloi i vetëm zgjedhjet lokale. Por me sa shihet këtë herë, investigimet ndaj Erion Veliajt që ka ndërmarrë kjo medie, vetë Ramës i prishin jo pak punë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në një qytet si Tirana, ku është përqendruar gati 40% e popullsisë, dhe ku vetë kryetari i Bashkisë mundohet të na servirë një realitet tjetër, hetimet ndaj tij nuk janë të mirëpritura.
Nuk duhet folur për masakrën e lejeve të ndërtimit, nuk duhet folur as për 20 milionë euro kilometrin e rrugëve, dhe sidomos nuk duhet folur për aferën e Teatrit. Ora News, dhe stafi i saj nuk pranuan t’i nënshtroheshin presionit të Veliajt, që vesh petkun e qengjit sa herë i duhet të manipulojë opinionin publik, por nuk heziton të sulmojë një gazetare, një grua, një nënë fëmijësh kur ajo guxon të flasë për pazaret e mbaruara, apo të pambaruara prej tij. “Ne do mundohemi të rezistojmë sa mundemi, por gjithçka varet se sa do zgjasë kjo situatë”, -thotë drejtori Brahim Shima, teksa na përcjell te dera e televizionit.