Aktualitet

Reportazh/ Historia dhe suksesi i korit të djemve të Liceut





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 11:00 - 07/07/19 |
Nga Mirgen Cela

Nga Mirgen Cela


Kur i afrohesh Liceut Artistik të Tiranës nga çdo drejtim, në mes të zhurmave të një kryqëzimi me trafik të dendur në Rrugën e Elbasanit dhe të një zone me shumë gjallëri e lëvizje, do të dëgjosh patjetër disa tinguj muzike që insistojnë, nuk heqin dorë. Në atë godinë në çdo orë të paradites, deri pasdite vonë, dikush përpiqet të prodhojë art, të mësojë e t’u japë jetë instrumenteve.



Një ditë brenda Liceut është si të jesh në një koncert. Nën tingujt e pianos, oboes, violinës, kitarës apo nën vokalicat e nxënësve të kantos, artistët e rinj me vullnet dhe pasion, nuk ndalen për asnjë çast. Gumëzhijnë të gjithë katet dhe korridoret nga instrumentet dhe zërat e tenorëve të ardhshëm. Askush nuk pushon së studiuari instrumentin e tij, por ka dhe prej tyre që provojnë të luajnë muzikë me instrumentet e të tjerëve.


Mapo ka shkuar aty, sepse së fundmi, për herë të parë është krijuar kori i djemve nën drejtimin e dirigjentit Bujar Alliut. Pak ditë më parë ky grup u ftua të merrte pjesë në festivalin koral “TEXO” që zhvillohet në Tetovë, i cili këtë vit zhvilloi edicionin e 28-të, tashmë një traditë e mirë për dialogun artistik e kulturor. Djemtë e Liceut korrën sukses. Kjo vjen pas një pune shumë të madhe e të përditshme. Në Tetovë u vlerësuan prej profesionistëve, dhe mosha e tyre 15-18-vjeçare i mahniti.

Nxënësit provat e përditshme i zhvillojnë në sallën e koncerteve “Tonin Harapi” pranë Liceut të Tiranës, nën shoqërimin e pianos dhe nën “kritikën” e rreptë të dirigjentit Alliu.

“Kujdes, mos dilni nga ritmi”, ndërpret pedagogu, teksa i rikthen pjesët muzikore sërish nga fillimi për të arritur perfeksionin.

Alfio Tasho 15 vjeç i cili sapo ka mbaruar klasën e nëntë për piano, njëkohësisht mëson dhe kitarën, shprehet se të jesh pjesë e korit është ndjesi e papërshkrueshme, ndërsa për festivalin e Tetovës ku ai ka marrë pjesë, thotë se me punë dhe talent, arriti të futet mes korit të profesionistëve të rritur.

“Të jesh pjesë e korit është një ndjenjë e veçantë dhe më bën të ndihem sado pak krenar për veten, shkollën dhe familjen që më mbështet. Pjesëmarrja në festivalin e Tetovës ishte mjaft e këndshme. Gjëja më e veçantë ishte se sa thjeshtë u futa në shoqërinë e koristave profesionistë që këndojnë prej vitesh. Me ta, u bëmë aq miq brenda dy ditësh. Profesor Bujari ka një mënyrë shumë të veçantë mësimi, ai na i shpjegon gjërat mjaft qartë dhe e bën argëtuse gjithashtu orën e mësimit”.-shprehet Alfio.

Sipas dirigjentit Bujar Alliu, lënda e korit është e vështirë, por është detyrim ta mësojnë si vajzat dhe djemtë.

“Lëndën e korit në të gjitha shkollat artistike e bëjnë të gjithë nxënësit që studiojnë kanto, fizarmonikë, kitarë dhe piano. Ky është detyrim si për vazjat dhe për djemtë. Duke qenë se Liceu Artistik i Tiranës është shkolla më e madhe artistike e Shqipërisë edhe numrin e nxënësve e ka më të madh nëpër klasa, nga kjo pikëpamje mund të them që ndryshe nga disa shkolla të tjera, karakteri i marrëdhënies për orën e korit është i vështirë.”, shprehet Alliu.

Moment i veçantë ishte kur pas përfundimit të provave të gjata, vetë nxënësit kërkojnë të këndojnë pjesën e tyre të preferuar edhe pse paksa të lodhur. Ata vazhdojnë provat edhe në rrugë pasi dalin nga Liceu.

Ervis Dinoshi i cili sapo ka mbaruar vitin e dytë të gjimnazit për oboe ( instrument frymor) në Liceun Artistik,njëkohësisht edhe pjesë e Korit që mori pjesë në Tetovë, shprehet se është kënaqësi dhe privilegj të këndosh në kor.

Të jesh pjesë e korit për mua është një privilegj i madh jo vetëm për arsyen se na jep mundësinë të shprehim talentin po na bën të veçantë duke udhëtuar e duke e ndarë artin tonë me të tjerët.”-shprehet Ervisi.

Të nesërmen vijon sërish rutina, e kështu për disa javë apo muaj, derisa ata rriten profesionalisht, bëjnë provat gjenerale dhe janë të gatshëm të mbajnë një koncert madhështor. Të jesh artist në profesion, i tillë je dhe në jetën e përditshme. Kreativitet, ide dhe pozitivitet. Thonë se janë të lindur të tillë, të ndjeshëm, ndaj dhe merren me muzikë.

Endi Muca 16-vjeç i cili sapo ka mbaruar klasën e 10-të në Liceun Artistik për Kanto, shprehet se të jesh pjesë e korit të Liceut Artistik “Jordan Misja”, veçanërisht pjesë e korit të djemve, është ndjenjë e veçantë dhe privilegj.

“Mbi të gjitha shoqëria që krijon me të gjithë nxënësit. E veçanta e festivalit ku morëm pjesë në Tetovë është, pasi ne jemi kori i parë i djemve në të gjithë Shqipërinë dhe që mundën të performonim në festivalin e madh të koreve. Kjo pjesëmarrje në Tetovë ishte një kënaqësi shumë e madhe sepse ishte dhe finalizimi i një viti punë qe u krye me sukses.  Pedagogu jonë Bujari është ndër pedagogët më të vacantë, pasi krijon marrëdhënie të mira me ne, shumë shoqërore. Pa dirigjent Bujar Alliun kori i djemve nuk do ishte sot”.-shprehet Endi.

Dirigjenti Bujar Alliu shprehet se vështirësia e mësimit të pjesëve është goxha e lartë pasi kanë një repertor jo të thjeshtë, por një repertor bashkëkohor që këndohet edhe nga koret e të rinjve në Europë.

“Ne nuk e kemi të lehtë, pasi vështirësia jonë është të mësuarit e pjesëve që edukojnë këndimin në ansambël, cilësinë e pjesëve, repertori jo i thjeshtë, por që hyn në repertoret bashkëkohore sot që i këndojnë koret e të rinjve në Europë. Nga kjo pikëpamje mund të them që ne kemi bërë të mundur sivjet për herë të parë, që me korin e djemve të shkollës ta nxjerrim nga procesi mësimor i dy orëve në javë që bëjnë mësim, dhe dalin në jetën artistike si të Tiranës dhe jashtë saj.  Jemi shumë të lumtur që kori i djemve për herë të parë ftohet dhe merr pjesë në Festivalin Internacional të Koreve në Tetovë”. Sipas Alliut, ai është një festival që për nga niveli kishte kore të mira, dhe kjo ishte mjaft motivuese për djemtë e rinj shqiptarë.

Ndërsa pedagogu dhe dirigjenti i Universitetit të Arteve të Bukura në Tiranë, Zef Çoba, shprehet se në mënyrë të padiskutueshme, kori duhet zhvilluar si një aktivitet i organizuar në të gjitha shkollat e në të gjitha nivelet, duke filluar nga cikli i ultë deri në universitet.

“Këndimi koral duhet stimuluar, si një aktivitet me impakt pozitiv social, ne të gjitha moshat dhe në të gjitha format. Suksesi i një shoqërie, qëndron tek aftësia që ai komunitet ka për të ndërtuar vlera në grup. Këto ndjenja solidariteti ose siç i quajmë ne që punojmë me ansamble korale, përgjegjësi kolektive, edukohen. Një nga format më të suksesshme që shoqëria njerëzore ka aplikuar për ta kultivuar këtë cilësi është edhe këndimi koral. Edukimi masiv i fëmijëve dhe të rinjve me këndimin në kor, garanton cilësinë e krejt një jete për secilin që frekuenton këtë eksperiencë dhe për shoqërinë në tërësi. Si strukturë muzikore artistike e ndërtuar nga bashkësi njerëzore, kori tregon energji, edukatë, kulturë,  disiplinë, harmoni, aftësi ekuilibresh e përjetimesh emocionale me një frekuencë të gjërë ndjenjash kolektive dhe forcë. Shqipëria u përfaqësua nga kori i djemve të Liceut Artistik i cili u prit shumë mirë dhe mori konsiderata si për repertorin e zgjedhur, ashtu edhe për entuziazmin rinor që manifestoi në interpretim. Për këtë meriton të përgëzohen djemtë dhe në veçanti drejtuesi i këtij kori, mësuesi i pasionuar Bujar Alliu.”, shprehet Çoba.

Profesor Çoba tha se për të kënduar në kor, së pari duhet dëshira, së dyti dëshira dhe së treti vëtëm dëshira. Suksesi dhe arritjet e mëdha jo vetëm në kor por kudo vjen vetëm pas një pune graduale.

Më poshtë shikoni performancën e Korit të djemve të Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tetovë


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas