fbpx

Personazh

Njerëz, histori, poezi e mish në prush në majat e Karaburunit





               Publikuar në : 11:03 - 16/10/19 |
mapo.al

Gazeta Mapo ofron një udhëtim të pazakontë, përmes këtij reportazhi. Një tur që ka bërë bashkë personazhe të ndryshëm të Tiranës, të huaj dhe vendalinjtë e paqortueshëm të staneve. Në një aventurë alpine me Fation Plakun, e cila na sjell momente, copëza jete, emocione, peisazhe dhe vende fantastike.


Nga Alessia Selimi



Nuk është zbardhur ende. Një grumbull çantash, nga ato që mbahen mbi shpinë, janë rreshtuar si ushtarë të bindur. Dy makina, të larta, agresive, gjenden shumë pranë tyre. Nga njëra del një trup i bëshëm dhe i gjatë. Ka veshur bluzë sportive dhe pantallona të gjera ngjyrë toke. Të përgjumurit nuk i kursejnë buzëqeshjet dashamirëse ndaj tij, udhërrëfyesit më të apasionuar që mund të gjendet në vend.


Prej më shumë se 20 vitesh, Fation Plaku i është kushtuar sportit të alpinizmit, eksplorimit, aventurës dhe fotografisë. Së fundmi, i ka lindur dëshira për t’i ndarë pasionet, jo vetëm me miqtë, në sajë të imazheve të shpërndara nëpër rrjete sociale. Emri i tij ka arritur të bëjë bashkë në këtë tur 8 persona, të moshave dhe profesioneve të ndryshme. E megjithatë, duket se janë të ngjashëm në një drejtim; sfidën ndaj vetes. E si mund ta arrish diçka të tillë? Fationi duket se i ka dhënë kësaj pyetjeje një përgjigje prej kohësh.

Binomi Histori-Natyrë

Udhëtimi me makinë zgjati pothuajse tre orë. Ishte bukur të shihje sy kureshtarë dhe shtëpiza të zhveshura nga terri i natës. Jemi ndalur tashmë në zonën e Orikumit, pranë një objekti tepër të veçantë kulti, në Kishën e Marmiroit. Ajo mendohet se është ndërtuar me gurë të papunuar në shekullin e XII dhe se i përkiste një manastiri të vogël, për vetë faktin se kishat në formë kryqi me kupolë ndeshen vetëm në ndërtesë murgjish. Nën efektin e kësaj madhështie, nuk e kemi aspak të vështirë t’ia dorëzojmë çantat një fshatari të zonës. Ksenofoni, i cili preferon ta thërrasim shkurt Foni, do të na bashkangjitet në Gjirin e Bristanit së bashku me dy mushkat e tij, veçse do të ndjekë një tjetër ritëm.

Të padembelosur ende, fillojmë ecjen uniformë, që nuk do të vonojë të ndryshojë karakter, ashtu siç nuk do të vonojë të ndryshojë ngjyrë as fytyra jonë. Fationi na paraprin me një shkop, që e ka përdorur edhe përgjatë ngjitjes së Everestit (Himalajë) në vitin 2012. Ai kërkon të na njohë me gjurmë të së shkuarës.

“Përpara qindra vitesh , në brigjet shqiptare u zhvendos konflikti i dy personazheve të njohura të historisë së Romës së Lashtë. Konkretisht, në vitin 48′ para erës së re, Jul Çezari arriti të triumfonte ndaj rivalit të tij, Pompeut, duke marrë qytetin e Jerikos, që përkon me Orikumin. Ai zbarkoi në Palaesta, në bregun e Palasës së sotme, në afërsi të Dhërmiut, rreth 50 km larg qytetit të Vlorës. Trupat e Çezarit përshkruan më tej një rrugë të vështirë, përmes Qafës së Llogarasë, e cila është 1050 metra mbi nivelin e detit”– tregon Fationi, teksa shkopin tanimë e ka të drejtuar nga shkëmbinjtë e prerë si me thikë.

Një ish-police amerikane, e cila po jep mësim momentalisht në Akademinë e Sigurisë, dëgjon me vëmendje. E quajnë shkurtimisht Lori. Është 61 vjeçe. Ajo e ka përshkuar deri më tani mjaft ngadalë zhavorrin e imët të terrenit malor. E megjithatë, buzëqeshja zor se mund t’i venitet. Fationi nuk harron të përsërisë veten në gjuhë të huaj. Veçse, kur bëhet fjalë për pasionet e tij të kahershme, i vjen të flasë në shqip, në mënyrë krejt të natyrshme.

“Kam qenë bashkë me klubin sportiv 17 Nëntori, kur kam ngjitur për të parën herë kurrizin e një mali, atë të Dajtit. Kisha në krah emra mjaft të njohur, si ish-futbollistin Agustin Kola dhe Arben Mingën. Ishte një udhëtim që më bëri të kuptoj se alpinizmi do të shndërrohej për mua në burim jete. Gjithnjë kam qenë tip mjaft sportiv dhe energjik. Luaja futboll në mënyrë të çmendur, aq sa palët kundërshtare frikësoheshin kur më shihnin në fushë. Por, u detyrova ta braktisja topin, pasi pësova dëmtim në njërën këmbë”– rrëfen Fationi, i cili, si të ish duke lexuar mendimet e të gjithëve, shtoi: Kur eci pambarimisht, përgjatë 15-16 orëve, ndjej sërish dhimbje therëse. Në të tilla raste, mundohem të pushoj, të sodis atë çka më rrethon, shkrirjen e qiellit me tokën.

Teksa ngjitemi, shohim prej së largu një nga katër nëndetëset që kishte ushtria vendase përgjatë “Luftës së Ftohtë”; atë që i ka shpëtuar skrapit dhe furrave të shkrirjes së turqve. “Nëndetësja-105” pikaset në bazën ushtarake të Pashalimanit si një relike e harruar, e lënë mënjanë. Fationi na tregon se, ndonëse po bëhen tashmë vite që po diskutohet për konceptimin e saj si një objekt turistik, në sfond nuk duket asgjë e re.

Ndërkohë, rrugëtimi nuk ndalet për asnjë çast. Ka këmbë që shtyjnë tutje në mënyrë të pavetdijshme gurë të vegjël të bardhë. Por, ka edhe duar që mbahen ku të kenë mundësi, që të shmangin rënien. Bëhet fjalë pikërisht për ato duar që gjithashtu mbledhin në ecje e sipër mare; të mëdha, të vogla, si dhe paksa të tharta. Është e pamundur të mos humbasësh përqendrimin nga aroma e sherebelëve të egër dhe të pasur me jod, rigonit, apo shafranit. Megjithatë, Fationi ka aftësinë të na përmendë. Ai na prezanton me një bimë për të cilën s’kishim dëgjuar kurrë më parë. “Valanidhi është shfrytëzuar në periudhën e komunizmit për lëndën e parë që përdoret në ngjyruesit e rrobave të zeza. Asokohe, në këtë zonë, ekzistonin dy-tre depo, ku u mblidhnin dhe më pas u eksportonin drejt Shteteve të Bashkuara”-tregon ai.

E kështu, duke ngrënë dhe duke dëgjuar, mbërrijmë në stanin e Faikut. Ai nuk ndodhet aty, por na pret i ati, një burrë që për hir të së vërtetës na e kursen rakinë. Thotë se nuk i gjendet asnjë pikë dhe nga ana tjetër ndan vështirësitë e një dimri të gjatë. Ama, na gostit djathë të bardhë, të bërë vetë.

“Duke u mbështetur tek fjalët e gazetarit veteran Peter Lukas, njohësit të mirë të vendit të shqiponjave, oficeri i parë amerikan me origjinë shqiptare, Thomas Stefan, një agjent i shërbimit sekret të OSS-it (Zyra e Shërbimeve Strategjike), zbarkoi në Shqipëri më 18 nëntor të ’43. I bashkëshoqëruar nga të tjerë agjentë amerikanë, por edhe anglezë, Stefan u ndal në gadishullin e Karaburunit. Agjentët, me bazë në shpellën e Gjon Gjin Lekës, kishin një luftë për të fituar kundër gjermanëve, ashtu sikurse edhe Enver Hoxha. Kësisoj, ata bashkëpunuan, pasi u bë e qartë se Balli Kombëtar po bashkëpunonte me pushtuesit gjermanë. Agjentët i furnizonin partizanët shqiptarë me armë, municion veshmbathje dhe ushqim”– tregon syndezur Fationi, teksa kthen me fund një gotë raki, edhe pse mund të jetë duke hapur kështu një polemikë të fortë historike.

“Femrave nga anët tona u ndalohet rakia. Vetëm burrat mund ta pinë”-u drejtohet grupit të vajzave dhe grave i ati i Faikut, duke shtuar buzagaz: Sepse harbohen, humbasin rrugën…e shtëpisë. I moshuari bëhet shumë shpejt serioz, aq sa rrudhat e ballit i shtrihen përmbi njëra-tjetrën. Ankohet zëlartë për kafshët e egra, si ujqërit, dhelprat apo derrat e egër, që jo rrallëherë i kanë ngrënë bagëtinë.

Gjiri i Bristanit- Gjiri i Ariut

Mbërritëm në Gjirin e Bristanit. Pas një ecjeje prej dy orësh, ku shkurret të pengonin hera herës, tanimë përballë nesh shtrihej një det i tërë, përhumbës, me guralecë, i shtriqur në kufijtë e dy shkëmbinjve të pjerrët, që mbajnë mbi supe disa bunkerë të ndërtuar gjatë regjimit komunist, nga vitet 1960-1980. Në të kaluarën, zona përdorej si një vend i sigurt strehimi për anijet gjatë stuhive. Madje, quhej Gjiri i Ariut. Fationi tregon se këtë vend e ka zbuluar nga një hartë ushtarake, të cilën ia ka siguruar përpara disa viteve një ish-ushtarak. Ashtu si shumë plazhe të tjera të fshehta në Gadishullin e Karaburuni, Gjiri i Ariut është vendi i përsosur për ata që janë në kërkim të privatësisë. Aty mund të shkëputesh lehtësisht nga kushdo dhe gjithçka, edhe për vetë faktin se aparatët celularë dalin jashtë funksionit.

Gjurmë Njerëzish

Yjet po shkëlqejnë si kurrë më parë. Foni sapo ndezi një zjarr bubulak. Teksa presim të shijojmë mishin e qingjit të pjekur në prush, ai ndan me ne një copëz jete. “Përpara 5-6 vitesh iu drejtova kryeqytetit. Së bashku me tim vëlla, hapa një dyqan mishi. Nuk ia dola dot mbanë, kështu që vendosa të kthehesha në vendlindje. Jeta ime nuk ka qenë aspak e lehtë. Fillimisht merresha me bagëti, por më merrte shumë orë nga dita. Vendosa të merresha me kultivimin e bletëve. Vetëm në këtë mënyrë mund të kaloja më shumë kohë me vajzën time 8-vjeçare”- rrëfehet Foni, i cili thyen më tutje çdo stereotip të mundshëm për fshatarët e zonave të thella. “Vajzën e kam dritën e syve. E dini që ka talent në pikturë? Ajo shkon çdo ditë në shkollë dhe pasditeve paguaj një mësuese për të, që t’i qëndrojë mbi kokë”-thotë ai, ndërkohë që po dredh me mjeshtëri një cigare. Pyetjes “naive” të Gretës, e cila gëzon profesionin e ekonomistes, Foni i përgjigjet me sy të mbërthyer drejt zjarrit: Për mua lumturi do të thotë të rrethohesh nga njerëz të sinqertë.

Ai pasohet pak minuta më pas nga poeti Astrit Bllaca, i cili na njeh çiltërsisht me botëkuptimin e tij për dashurinë. “Dashuria është një çast ose një përjetësi. Është tej përmasave.Ti mund të dashurosh dikë që e ke njohur prej shumë kohësh. Ose në një stacion ku ndrrohen trenat. Mjafton një pëshpëritje duarsh. Një shikim ikanak. Dhe ti e merr në bebëza për gjithë jetën”– ky ishte njëri fragment që Astriti përzgjodhi të lexonte nga një libër i veti.

Naimi është bashkëshoqëruesi i Fationit; që drejton njërën makinë. Padyshim që me humorin e tij të hollë është shpirti i grupit. Mirëpo, duket se ka nevojë të tregohet i shtruar, i sinqertë. “Ëndërroj që një ditë të kem mundësi të ndërtoj një shtëpi në një vend të tillë ose të ngjashëm. Të shkëputem njëherë e mirë nga zhurma kaotike e kryeqytetit”– thotë ai. Të njëjtën ëndërr ka edhe Fationi. “Në një të ardhme, jo shumë të largët, dua të hap një bujtinë në fshatin Kanikol të Përmetit. Eshtë një vend përrallor, ka njerëz të mirë…”

Drita ka lënë pas një shtëpizë librash. Edhe pse 62 vjeçe, nuk u bë në asnjë moment pengesë për rrugëtimin e grupit. “Përpara disa viteve përjetova një humbje të madhe; bashkëshorti im u nda nga kjo jetë dhe unë po kaloja vërtetë momente të vështira. Një ditë vendosa të luftoja me to; vendosa të investoja në mirëqenien e shpirtit tim. Dhe, ja ku ndodhem sot. Përpara kësaj aventure, kam ngjitur të tjera male, edhe më të larta. Ashtu sikurse humbas vetveten përpara tyre, edhe mësoj ta rinjoh në të tjera dimensione”– shprehet ajo, duke u ofruar të gjithëve nga një shikim të ëmbël.

Në këtë grumbull alpin, bën pjesë edhe drejtuesja e agjencisë së reklamimit “Iceberg Communication”, Rafaela Rica. Me një sportivitet të pashoq, Rafaelën e sheh duke shijuar mishin e qingjit, si dhe duke kthyer disa gota raki. “E kam ngritur biznesin nga hiçi. Gjendem në treg prej pothuajse 20 vitesh. Jam e apasionuar pas asaj çka bëj, por nuk kam dashur kurrë të humbas vetveten”-shprehet ajo me duar të zëna, teksa ka në krah Lorin, ish-policen amerikane që po trajnon studentët e akademisë. Lori do të qëndrojë në Shqipëri për gjashtë muaj.

Deri më tani ka vizituar Krujën, Thethin, Shkodrën dhe në planet e afërta ka edhe Kosovën. E mrekulluar nga ajo çka po shijon, Lori nuk përton aspak të përshkruajë me zjarrmi ushqimet vendase që ka provuar deri më tani. Komunikon së tepërmi me dy çuna të rinj, Artemisin dhe Arin. Jo më kot! Këta të fundit janë inxhinierë sistemesh në një kompani amerikane. Duket se, palët kërkojnë të marrin dhe të japin mes tyre. A kishte marrë Artemisi dhe Ari një laptop me vete? Padyshim që po! A patën ndonjë moment që e përdorën? Le të themi që Gjiri i Ariut nuk mirëpret aspak të sëmurë pas profesionit.

Shpella e Duk Gjonit

Në të zbardhur dita e dytë dhe e fundit në Gadishullin e Karaburunit, Fationi na mobilizoi drejt perëndimit, në shpellën e Duk Gjonit, e cila është rreth 129 metra mbi nivelin e detit. Me një origjinë karstike, e pasur me forma të çuditshme, shpella arriti të zhdukë si me magji sportivitetin e tërë grupit. Mbartte pafund lakuriq nate. Kësisoj, askush nuk pati guximin ta eksploronte deri në fund. Megjithatë, u kuptua që në hyrje se shpella ka vlera të rëndësishme natyrore, falë pranisë së stalaktiteve dhe stalagmiteve. Pas 90 minutave, ku përfshihej kundrimi i stepur i shpellës dhe rruga e kthimit, iu drejtuam sërish tendave tona, për t’u dhënë lamtumirën ashtu siç duhej.

Rrëfim për Udhërrëfyesin

Fationi ka punuar prej 23 vitesh në Ambasadën Amerikane. Themi se ka punuar pasi sapo ka dhënë dorëheqjen. Ai dëshiron t’i përkushtohet si kurrë më parë pasioneve të tij. Nuk ka lënë maja, gërxhe, liqene e lumenj të Shqipërisë pa eksploruar. Një vit më parë, nxorri albumin “Homeland” me mbi 200 fotografi të realizuara ndër vite, nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim. Tashmë, ai kërkon të rivijë me tre albume të tjera, ku njërën do ta mbushë veçse me fotografi të maleve të thepisura të Shqipërisë. Por, kuptohet, gjithçka kërkon punë.

“Dua që tani e tutje t’i dedikohem me mish e me shpirt alpinizmit e fotografisë. Kjo është edhe arsyeja se përse dhashë dorëheqjen. S’dua veçse të promovoj vendin tim. Është i mrekullueshëm dhe kjo ide më është përforcuar atëherë kur kam arritur të shkoj pikërisht në skajet më të pamundura të saj”-shprehet Fationi, teksa mbyll tendat shumëngjyrëshe një e nga një.

***

Sikundër u kuptua, ekspeditës tonë i erdhi fundi. Kemi rimarrë terrenin shkëmbor, përmes të cilit erdhëm në Gjirin e Ariut. Do të na duhet të ecim plot tre orë. Ora shënon 13:00. Është nxehtë, dielli nuk i kursen rrezet. Megjithatë, as ne nuk i kursejmë batutat. Ashtu, të djersitur dhe të gërvishtur, rifillojmë ecjen uniformë, që nuk do të vonojë të ndryshojë karakter, ashtu siç nuk do të vonojë të ndryshojë ngjyrë as fytyra jonë…Veçse kësaj radhe e jona fytyrë është e qeshur, shumë e qeshur.

 


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas