Aktualitet

REPORTAZH/ Riquewihr, fshati mesjetar magjik që frymëzoi Disney





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 11:53 - 12/05/20 |
mapo.al

Linda Woolvetton është një skenariste, dramaturge dhe romanciere amerikane. Veprat e saj më të spikatura janë bërë skenarë shumë të suksesshëm filmash e të botës së Dizney. Gruaja 62-vjeçare Woolvetton, pas shfaqjes së filmit të animuar “E bukura dhe bisha”, u nominua për foton më të mirë nga Akademia e çmimeve, duke u vlerësuar për atë çka i ka dhuruar publikut.


Ajo është një nga emrat simbol në qarqet e botës së artit të shkruar, bashkuar pazgjidhshmërisht me fantazinë dhe kartonat. Kjo grua diellore dhe energjike që është e lidhur fort pas punës së saj dhe udhëtimeve, ndër shumë produksioneve të tjera, solli në jetën krijuese shumë vepra unike jo vetëm për fëmijë. Duke përmendur: “Liza në botën e çudirave”, “Aladin”, “E bukura dhe bisha” “Mbreti luan” (si bashkëskenariste) “Mulan”, “Maleficent: Mistress of Evil” me aktoren Angelina Joli; suksese të cilën e katapultojnë në një nga emblemat e animimit amerikan.


Jo pa qëllim e nisa shkrimin tim me emra të njohur të botës së artit. Fantazia dhe përralla janë shumë pranë universit tonë primar, ADN sonë, gjenezës; të qenurit njeri; Ne. Në një nga udhëtimet e saj turistike në zemër të vreshtave franceze, u has me fshatin më magjepsës që lapsi dhe mendja e hodhi. Qenë krahët e mishërimit të përrallës dhe të filmit “E bukura dhe bisha”.


Një qytet i rrethuar me mure të dyfishtë guri, një portë mikpritëse hyrëse në dru, shula të hekurt, shatërvanë me pllaka guri dhe peshq të kuq në të; objekte dekorative me larmishmëri befasuese në gurë, tullë, hekur e dru. Shtëpi vezulluese në stilin Tudor (mbiemri i një dinastie që mbretëroi në Angli në vitin 1485, zhvillim i stilit Gotik) si për nga forma dhe nga larmia e ngjyrave; ndriçues në stil antikë e ballkonë të larmishëm; Lule, lule, lule… kullë magjike në lartësi pushtuese për qytetin e vogël; portë ulëse në sitë druri ku fundon me shtiza tipike të kohës (si filmat me kalorës që kemi hasur në 1485–1603), së bashku me çikrikun që mundëson mbylljen përfundimtare. Pas saj, të pret Josepha, vajza e parkut mbi kalë, e rrethuar me murin e fundit mbyllës, brenda të cilëve ruhen thesarët.


Në hyrje të fshatit, prezantohesh me një kohë të pacaktuar pasi mesjeta është gërshetuar në përsosmëri me stilin. Rrugët e kalldrëmta të ftojnë të zbulosh misteret dhe të papërshkrueshmin realitet. Çdo gjë që i kapi syri autores së Disneyt Linda Woolvetton, është produkt i reaksionit gjatë përballjes me objektivin natyral. Në filmin e animuar “E bukura dhe Bisha” realizim i vitit 1991, hasen kudo plane jete të fshatit.

Në film shohim të bukurën se si në skenat në qytet, ulet me librin e saj të përrallave mbi shatërvanin me gurë që përmenda më lart; shihen shtëpitë Tudor dhe shumë elemente të zakonshme të jetës; Por nëse ti, ashtu si edhe unë që u gjenda në këtë koordinatë gjeografike, pavarësisht boshëtisë që solli Covid19 pas bllokimin e gjithkujt, do të jesh në kurthin e personazheve ilustrues të fantazisë tënde e cila flinte deri para këtij çasti. Këtu çdo cep ka se me çfarë të të mahnisë.

Çdo rrugicë ka shumë për të rrëfyer. Shtëpitë si kafaz të marrin vëmendjen e parë; Ngjyrat, drurin e gërshetuar bukur dhe të hasur kudo, dritaret e vogla dekoruar me perde dantellash, kukulla druri shumëngjyrëshe, hekuri i punuar në forma lulesh, bistakësh rrushi, kangjellash, pelikani, gjeli, vazosh në mbajtëse, çadrash, kthinash, karrigesh, tabakash; Shatërvanë, puse, kazanë shtrigash përralle, vitrina kapelebërësish dekoruar me dru, lule të thata, nuse pashke, pata, rosa, fëmijë të veshur me kostumet tipike të zonës ku dominojnë me fjongot e tantellta, përparësja e “të bukurës”, sy të qeshur, gjyshër të lumtur me gotën e verës në dorë, për t’i uruar të gjithë anëtarët e familjes, përfshirë këtu edhe qenin, macen, miun e shtëpisë.

E gjithë kjo përrallë reale, është brenda këtij qytet-fshati të vogël, i cili mbyllet me kullën e njohur jo vetëm nga stili, por edhe për nga vlerat muzeale që mbart që prej mesjetës. Ishte pikërisht kjo tablo-magji që krijoi edhe ngacmimin e skenaristes dhe disenjueses së Disneyt Linda Woolverton, kur u përball me këtë krahinë rrethuar me vreshta.

Ekzistojnë vende në botë që duken sikur kanë dalë nga faqet e librave të përrallave, por, kur ndodh që ta prekësh vetë si realitet, ai nuk largohet kurrë më. Fshati francez mesjetar që jua solla në vëmendje quhet Riquewihr. Zona e banimit me 1200 banorë, ndodhet pranë Kolmarit e Strasburgut dhe i përket zonës më të famshme turistike të Alsace, në kufi me Gjermaninë dhe e përbërë prej qyteteve të tjerë Ribeauvillé, Hunawihr, Eguisheim e Kaysersberg.

Riquewihr është i përqafuar me vreshta, ku familjet e pronarët kujdesen prej shekujsh për to; Është profesioni më i zakonshëm trashëguar rigorozisht nga të parët. Verërat e rrushit dhe pijet spirituoze eau de vie të frutave Mirabelle (lloj kumbulle e verdhë), Griotte (vishnje e egër), dardhë, boronicë, ftua, luleshtrydhe, janë krenari jo vetëm Alcasiane, por botërore. Shumë çmime botërore, kanë rrëmbyer prodhuesit e lidhur fort me punën nga kjo traditë.

Është vendi ideal edhe për prindërit, duke iu dhuruar fëmijëve paqe, siguri dhe begati. Këndi i lojërave me personazhet e animuar nuk krahasohet me magjepsjen që kjo zonë të jep. Riquewihr është një realitet natyror, aspak i pikturuar, aspak i kopjuar, aspak i dëmtuar në embrion, kujtesë e trashëgimi; Sharmant dhe sfidues, ku çdo cep e ka një objekt surprizë. Druri, hekuri, guri, janë forca e punimeve të kudohasura. Çdo kanatë, dritare, kthinë, perde, parmak është si ka qenë shekuj më parë, duke u lartësuar në rrjedhën e viteve. Koha këtij oazi mesjetar i ka dhënë ndriçim dhe përjetësi.

Epilog
Jetoj në këtë qytet magjik prej disa muajsh dhe mendova të ndaja me ju këtë eksperiencë plotësuese. Arkitektura mahnitëse më bën të reflektoj për vendin tonë; Pse ne jo? Shpresoj që të kem ngacmuar jo vetëm kënaqësinë prej së vjetrës së lartësuar, por reflektimin mbi çfarë i ka ndodhur sistematikisht vendit tonë të bekuar gjithashtu. Në këtë udhëtim në Riquewihr, pashë pas çdo cepi, Tiranën time të trajtuar me këtë vëmendje e dashuri që hasa këtu… Ah sikur! Sa do të doja të kisha hamamet, banjot, pazarin e harkuar të periudhës së mbretit Zog të sjellë në kohë. Sa do të doja që zona e kujtesës historike (e gjallë dhe e vdekur) të rritej e të rritej deri sa qyteti të kthehej në një version të vjetër.

Sa do të doja të shihja dyqane, pedonale, “Bar Kursal”, qeleshebërës, salepbërës, duhan-bërësi, jorgan-punues artizanë, xhublet-prodhues, velenxa-shitës. Sa do të doja të shihja si dekor të qytetit jo huazime të kohëve modernë të hedhura aty-këtu sot, por kukulla e dekore të periudhave të jetëve shqiptare, të cilën nuk kemi mundur ta prekim e shohim kurrë si ka qenë vërtet. Ata që e duan historinë, kanë shumë për të thënë e dhënë; por, kush i dëgjon? Sa do të doja të rivinin zanatçinjtë e hekurit, qerpiçës, të ridimensioneve kulturore të së shkuarës; jo siç po bëjnë me Teatrin Kombëtar, ku elementet përbërëse të pupulit po merren si elemente turpi. Le të prekim mesjetën e pas-mesjetën kombëtare, autentiken, në versionin tonë. Le të rivijnë furrat e dikurshme, vendet ku lidheshin kuajt për ditën e pazarit; Le të rijetësohet godina e Parlamentit kthyer në Teatër Kukullash, që shpejt pret ekzekutimin si shoqet e saj të gjymtuara.

Gjatë ciklit tonë jetik, braktisemi e braktisim shumë fenomene dhe njerëz, përfshirë këtu edhe të dashurit tanë; Të shkuarën ama kurrë. Ashtu siç ndodh me njeriun, kur e kaplon skleroza, mendja mban të gjallë pikërisht të shkuarën; atë copëz nuk e prek dot. Sikur Tirana ime, e juaja dhe e atyre që do të vijnë, të kish patur fatin të drejtohej nga mendje që e çmojnë historinë, të vjetrën, memorien, e cila të gjithëve na dorëzon pa kushte, do të ishim edhe ne një qytet magjik i shtuar në botë. Tashmë Tirana, ashtu si shumë zona të tjera të shkatërruara, zvetënuara, betonizuara, duket se nuk ka më kthim pas. Jam e sigurt se ekzekutorët me gjithë sytë, veshët, e gojën e mbyllur, janë ndjerë e ndihen keq në këtë masakër. Them kështu pasi ata e dinë mirë se ekzistojnë edhe realitete të këtilla të suksesshme. Tafmaja i ka demonizuar shumë prej atyre që u është dhënë pushteti. Riquewihr dhe e gjithë zona e Alsace do të mbetet aty për shumë gjenerata e shekuj të tjerë.

Natyrshëm iu kërkoj reflektim intelektualëve, për të planifikuar të ardhmen tonë tani. Nuk jam historiane, por një qytetare që dua të shoh përrallën e vendit tim të vërtetë. Mbi magjinë dhe traditën shekullore, të bashkëngjitej kujdesi dhe ndjeshmëria për një thesar të varrosur që po e thellojmë në mos-ndriçimin e tij. Le të bashkohen mendjet dhe dija e sotme për të përmirësuar vendin tonë, të të vetmit qëllim qa na bashkon; Shqipëria. Kjo do të qe mrekullia!

Mrekullitë ndodhin vetëm në përralla, ndërsa qyteti ynë fle sot si një bukuroshe e fjetur.

Maj 2020, Alsace.


Etiketa: , , ,

Pas