Aktualitet

REPORTAZH/ Spiteni dhe Prulli, dy fshatrat në Lezhë që kërkojnë identitet





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:44 - 13/05/20 |
Mapo.al

Spiteni është një fshat në Lezhë, si shumë të tjerë që jeton me bujqësi e blegtori, dhe ka tre lokale ku kuvendi i burrave ndan çështjet e ditës, të punës dhe politikës, dhe ku bëhet humor i madh e prodhohen batuta të reja çdo sezon.


Spiteni, fushor dhe pak kodrinor, lindi prej Prullit malor. Banorët e parë zbritën prej aty. I varfër ka qenë ky katund, dhe në kohën e partisë së punës, një kooperativë që mbijetonte. Mirditorë shumica e banorëve, punëtorë dhe besimtarë.



E grurit nuk përtypej, shumë e fortë, dhe vetëm bukë misri kishte në dyqanin pranë mensës. Për mish nuk bëhej fjalë, dhe me fat ai që gjente ndonjë konservë peshku.


Ka pasur një privilegj fshati, sepse shtrihej buzë aksit nacional dhe përpara se liria të vinte, fëmijët rrinin ndanë rrugës në pritje të makinave të mëdha të transportit ndërkombëtar, që dallonin prej targave dhe mjekrave të shoferëve. Dallonin shumë me fifat e zakonshme me vaj e pluhur.

Shpesh ndodhte që drejtuesit e mauneve, austriakë ndoshta, lëshonin nga dritaret pako me çamçakëza, ose ndonjë gjë që u ndodhej aty, pasi mirë e dinin se camërdhokët e vegjël, ishin spektatorë që ëndërronin.

Një nga këta djemtë e rrugës, me vuajtje shumë, që ëndërronte ishte dhe Marjani. Ai është sot 40 vjeç dhe ka familjen e tij dhe jeton në Belgjikë.

Pasi ka kaluar shumë kohë në emigracion, ai ka vendosur të bëjë diçka për fshatin e lindjes. Marjani është iniciatori për rindërtimin e Kishës së vjetër dhe të simbolit të lartë 15 metra. Kanë kontribuar edhe shumë banorë, të gjithë, me aq mundësi sa kanë pasur, e sidomos duke e mirëpritur këtë projekt.

Spiteni dhe Prulli kishin nevojë për identitet. Një identitet që tashmë gjendet mbi mal, ku sot më 13 maj, festohet dita e kalendarit fetar të zonës, Shllezhdri. Festohet me Kishën e re, dhe një kryq të madh impresionues që duket nga kilometra larg dhe që vezullon edhe natën.

Kisha e Shën Llezhdrit, është sot e përfunduar, pasi është punuar prej më shumë se 1 viti. Janë përdorur gurët dhe rrasat e vjetra. Kjo kishë ka histori. Ka të dhëna që ekziston prej vitit të largët 1402.

Nëse do të punohet edhe me rrugën, është potenciali që zona të kthehet në një vend pelegrinazhi dhe dy fshatrat, e pak më shumë se 3 mijë banorë, të përfitojnë jo vetëm nga ana shpirtërore. Tashmë, kush kalon në Lezhë, në vajtje për në Veri, apo kthim drejt Tiranës, do ta dallojë kryqin e lartë, ditën dhe natën. Spiteni dhe Prulli, kanë një identitet.


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas