Nga Ernest Marku
“Margaritari i një çmendine” i Savator Gjeçit
Individi dhe fati i tij i marrë peng, prej një shoqërie të molepsur nga totalitarizmi politiko-ekonomik dhe mbi të gjitha ideologjik; nuk është se ndryshon shumë, nga liria për të mallkuar hajdutët politikë të ardhmërisë e prosperitertit ekonomiko-social të kombit. Ky është, të thuash, mendimi dhe ideja thelbësore e këtij romani, e cila nuk e humb as koherencen as kohezionin, në raport me kohën që duket sikur ecën, por në fakt ka ngecur në vend.
Martini, si e gjen dashurinë e tij, është gati të flijojë çdo gjë për të; nuk stepet para problemeve biografike të Anës, nuk përkulet nga goditjet e të paftyrëve me pushtet; por koha i pjek të papritur pas të papriture, intrigë pas intrigë, derisa nuk i lënë asnjë shteg dashurisë së tyre. Është një figure qëndrore që pëfaqëson diktaturën në këtë roman; ai shfaqet herë si Irfan, here si Maringlen e herë si Franko; njëlloj si fytyrat e panumërta që merr e keqja. Duket sikur autori përshfaq një simpati të lehtë për këtë personazh, një simpati të pa shpirtë e të pa mish; intrigat e tij janë dominuese e shkatërruese, si me kundërshtarët ashtu edhe me kolegët, ai edhe kur humb, ngrihet sërish me një intrigë të re.
Ai është i pafytyrë, i paparime dhe i zvetënuar moralisht; por ai arrin të imponojë frikë dhe të gjejë gjithnjë përkrahës. Ai dominon ndaj kolegut të tij, që është banor i Bregut të Matës; edhe pse tjetri ka më shumë informacion dhe ndjeshmëri ndaj banorëve të zonës; është koha kur, frika e hipokrizia janë padronët e vetëm.
Përballë këtyre zvetënimeve, rrezatojnë figurat bregamatëse të skalitura plot dashuri, si ato të Prekanit, Plakut të Nikajve, apo Nuses së Stomit të Vaut. Elementë të realizmit magjik, apo të hyper realizmit metafizik siç e quan shkrimtari e kritiku Alban Bala; janë si krypa në gjellë që ja shtojnë bukurinë dhe i japin shije leximit të vepre të tillë, sa intriguese në subjekt aq edhe e aftë të të zgjerojë mushkëritë e fantazisë, apo të të mprehë ndjeshmëritë psiko-analitike. Miti, legjenda dhe gojëdhana, intregohen natyrshëm me subjektin e romanit; duke kryer, në të njëjtën kohë, edhe rolin e pasqyrës për moralin e gënjeshtët të diktaturës.
Plaku i Nikajve i lejon vehtes të tregohet ironik me të panjohurin me kollare, edhe pse e kuptonte se ishte përfaqësues i pushtetit; Prekani duron çdo intrigë, çdo tallje e rrethanë ku e përplasnin, por pa e humbur kurrë krenarinë e shpirtit, respektin për doket e vjetra, e as madhështinë e interpretimit tradicional me lahutë; kurse Nusja e Stomit të Vaut, refuzon çdo gjë që i ofron koha, biles edhe vetë ekzistenca e saj është një sfidë. Përballja e këtyre dy botëve, është e ashpër, e pakompromis dhe, vetëm dërrmimi përfundimtar i kundërshtares, mund të sjellë fundin e luftës. Nën këtë rebus të frikshëm, Martini, ka vetëm një rrugëdalje: arratisjen.
E shkuara na përdjek gjithnjë dhe kjo botë po bëhet çdo ditë dhe më e vogël; Martinit i vjen një letër në New York dhe ai nuk shtyn dot më kthimin në Shqipëri. Këtu është ndryshuar sistemi dhe normalisht, nuk duhet të ketë më kufizime të lirisë. Po a është kështu, vallë?,,, Me një stil origjinal dhe me një panorama plot me ngjyra, Salvator Gjeçi, ia arrin më së miri të na krijojë një situatë zhgënjimi; asgjë nuk është ashtu siç duket dhe, pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar. Klara, personazhi që i jep gjallëri pjesës së dytë të romanit, është një heroinë e tranzicionit; e bukur, intiligjente, praktike dhe pa paragjykime; ndonëse nuk pretendon pastërti as ndershmëri, nuk ka hequr dorë nga dinjiteti dhe është gjithnjë në eksplorim të një bote më të mirë. Irfan Calikoja, i shndërruar në Franko, ndonëse nuk është më i frikshëm, ndonëse tashmë shfaqet edhe i pështirë; çuditërisht e fatëkeqësisht ka të njëjtin pushtet. I vetmi ndryshim me të kaluarën që evidenton autori, është pushteti i heshtur i njerëzve të mirë si Gjoni, një ish- i dënuar politik; ata janë shumica dhe ata mund të ndryshojnë të ardhmen, ky është një nga mesazhet më të vyera të këtij libri.
Ndryshe nga mesazhi që lexohet mes rreshtave, linja e subjektit kapërthehet keq në kurthet e së ligës; e cila, ndonëse është shumë e vogël, është edhe aq mirë e organizuar saqë duket e pathyeshme. Ndonëse krijuesi është gjithnjë në mbrotje të “së mirës”, pushteti i “së keqes” është frikshëm; e keqja godet aty ku nuk e pret. Nusja e Stomit të Vaut, edhe pse i kish kaluar të 100 vitet, ajo është gjithnjë në pritje të të dashurit të saj; dhe, kur nuk ka më shpresë, ajo niset për në botën tjetër me një vdekje të paqtë e të menjëhershme. Nusja e Stomit të Vaut, niset drejt dashurisë saj, por vendi i saj në fatkeqësi nuk ngelet bosh; një tjetër nuse ka ngrirë në stomin pranë vaut, me sytë nga lumi i Matit. Duket sikur autori e ka kërkuar dëshpërimisht një “dues ex machine”, për të zbuluar një fund të lumtur për përsonazhet e tij; por siç duket, nuk ia ka dalë apo nuk ka dashur të ia dalë.
Mjetet që përdor Gjeçi për ndëtuar subjektin e romanit, nisin që nga ato më të thjeshtat e deri tek ato më të nderlikuarat, të kombinuara me elemente metafizikë e herë herë edhe izoterikë. Piktura, është një si një lajtmotiv që përshkon librin nga fillimi deri në fund; që nga nudoja e parë e deri tek dhurata për kishën e re, që nga momentet e krijimit e deri te peripecitë e situatat ku ato përfshihen. Autori nuk i kushton shumë rendësi ambjenteve ku zhvillohen ngjarjet, personazheve diçka më tepër; por, vëmendjen e tij e ngërthen më së shumti, analiza e situatave dhe e gjendjeve emocionale të krijuara. Dilemat e Martinit, para se të nisë të hedhë ngjyrat e para në telajo, ndërsa kishte siguruar lejen për të pikturuar në burg; janë përshkruar aq bukur dhe në mënyrë aq të arrirë, saqë, do të thosha se përbën një nga kulmet e psiko-analizës letrare të teologjisë biblike e filozofisë metafizike, përsa i takon letërsisë shqipe. Për hir të linjës së subjektit, edhe kjo gjoja liri që ai gëzon në burg, rezulton një kurth, i ngritur për ta goditur edhe më fort piktorin; fantazia monstruoze e komunistëve të shndërruar në antikomunistë, kalon çdo kufi të së së njerëzishmes dhe si e tillë, tenton të tejkalojë edhe kufinjtë e së arsyeshmes.
Dashuria është një lajtmotiv tjetër i kësaj vepre letrare, dashuria si natyrë njerëzore, por e dashuria që lidh dy zemra. Një këngë, një këngë e kompozuar plot pasion e dashuri, kushtuar njeriut të zemrës; befas, duhet të ndryshojë duke ju kushtuar partisë; kryevepër e makrabitetit artistik. Partia, në një kuptim, në mënyrë të frikshme e qesharake në të njëjtën kohë, shndërrohet në një vrimë të kuqe të pafund e me shtjella përthithëse, e cila kërkon të gllabërojë në abis-in e saj të gjithë erotizmin e njerëzimit. Martini vendos që t’i qëndrojë edhe kësaj prove, po zëri nuk i bindet, as zemra; sidomos kur sheh zhgënjimin në sytë e së dashurës. Ai pastaj vendos të sfidojë dhe jeta e tij kthehet në një sfidë të pafund. Dinjiteti është gjëja më e kushtueshme në këtë jetë, qoftë për ato që do të humbasësh në këmbim, qoftë për poshtërimin që do të provosh nga një shoqëri pa integridet dhe që nuk njeh hirearkinë e vlerave. Dashuria e Anës dhe e Martinit, duket si diçka hyjnore apo si molla e ndaluar; sa herë që ajo është në prag të finalizimit, do të dalë patjeter diçka që do ta prishë. Ndoshta këtu është pak fajtor edhe Martini, i cili, nuk e vendos dot dashurinë mbi dinjitetin e tij; dhe kjo, më shumë çdo gjë tjetër, e bën këtë personazh, përfaqësuesin më tipik të shqiptarit apo më mirë të themi, të malësorit të gegnisë.
Gjuha e personazheve, ndryshe nga ajo e autorit, ka më tepër dimensione lirie, në raport me gjuhën e standartizuar; duke i dhënë romanit disa ngjyra të reja interesante, pa e tepruar me format e egra të gegnishtes. Përdorimi i paskajores, i fjalëve të “turitme të gegnishtes letrare, apo deri tek ekonomizimi i fjalëve apo shkronjave, karakteristikë kjo e gegnishtes; jo vetëm i jep romanit aromën e mjedisit ku janë vendosur ngjarjet, por edhe rrit aftësitë shprehëse të autorit, në fuksion të ideve e mesazheve që kërkon të përçojë. Gjeçi është një shkrimtar i angazhuar, padyshim; ndonëse ky angazhim, nuk shfaqet asnjëherë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe vështirësisht lexohet mes rreshtave. Ai nuk jep receta, as ka ndonjë qëndrim të vetin (nëse nuk flasim për për qëndrimin e tij pro të mirës, të drejtës e dashurisë njerëzore); gjithsesi lexuesi, arrin të krijojë një ide për mendimin e autorit, ndonëse shpeshherë këto ide përmbysen.
Puna e shkrimtarit Alket Bushit në redaktimin e librit, ka ndikuar mjaft në cilësinë e tij; si përsa i përket përmirësimit të frazës artistike, ashtu edhe në ruajtjen e raporteve psiko-analitike në trajtimin e perzonazheve, apo dhe për ruajtjen e koherencës dhe kohezionit në linjat e subjektit. Puna grafike realizuar nga shkrimtari Hekuran Koka, i cili ka edhe një kontribut të konsiderueshëm në redaktimin e romanit; ia ka shtuar elegancën dhe lehtësinë përdorimit. Po ashtu Elona Capo (Koka), me skrupulozitetin e saj shkencor e profesional, ka vënë gurin e saj në këtë botim, duke realizuar një korrektim mjaft të përgjegjshëm dhe të arrirë. Përsa i takon korrektimit, të përdorimit të trajtave të ndryshme të fjalëve në gegnisht, ka edhe autori i këtyre rradhëve një kontribut modest. Në përgjithësi, Enti Botues “Gjergj Fishta” dhe pronari i saj Frano Kulli, kanë dëshmuar një devocion dhe profesionizëm të lavdërueshëm, siç ata e kanë traditë; duke i dhënë lexuesit një nga botimet më të mira të letrave shqipe.
Si përfundim, mund të themi se “Margaritari i një çmendine”, është maja më e re letërsisë shqipe për vitin 2019; majë e cila nuk pretendon të jetë më e larta, por që sigurisht, është krejt origjinale dhe mjaft intriguese në të njëjtën kohë. Ia vlen të ngjitet kjo majë. E them këtë, më shumë si lexues se sa si kritik letrar; pasi, në fund të fundit, libri shkruhet për lexuesin.